E marte, 19.03.2024, 04:17 AM (GMT)

Kulturë

Vasillaq Vangjeli: Me disa nga rolet mia qesh edhe vetë

E enjte, 21.02.2008, 09:38 PM


Jeta e tij është e mbushur me tipa e komente artistike jetësore nga më të arrirat. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Ka interpretuar për 45 vjet në skenë dhe nuk janë pak për një artist që mbushi 60 vjeç. Vasillaq Vangjeli dje festoi mes miqve dhe kolegëve ditëlindjen tij. Ishin të gjithë së bashku ashtu si dikur në kohë e shkuara dhe të gjithë e uronin në këtë përvjetor të tij. Aktori i qindra roleve me interpretimet e tij ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer në një ndër artistët më të dashur në fushën e humorit e të skenës.Në rinin e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, kur i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji nga Pirro Mani. Por megjithatë, mendimi i partisë në atë kohë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të Teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e saj. Nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje, por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet dhe paroditë. Vlerat si aktor i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak në karrierën e tij. Të gjithë e kujtojnë: dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, ose rolin e Lolos, një rol tragjik-komik. Të shumtë janë rolet në Estradë si: tek komedia “Mirelo”, “Pa martuar 50-vjeçar” si dhe shumë skeçe e parodi. Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni. Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës, por tani ai është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Në një intervistë dhënë në këtë ditë kaq të lumtur për të duke festuar mes miqve dhe kolegëve aktori Vasillaq Vagjeli tregoi për rolet e tij ndër vite. Ndalet tek jeta dhe vështirësitë, duke mos harruar që të shprehet edhe për ato role që i kanë ngelur peng, pasi ai nuk mundi që ti interpretonte.

-Sot në këtë ditë ju mbushni 60 vjeç, a ju duket vetja si me një moshë të tillë?

Jo aspak (qesh), kush ju ka gënjyer dhe pse keni ardhur po çuditem më ju sot që jeni mbledhur të gjithë këtu. Unë nuk jam 60 vjeç, pasi unë sot jam 26 vjeç.

-Ndonëse ju e deklaruat me humor që nuk jeni 60 vjeç por jeni 26 vjeç, çfarë ju ka ndodhur në këtë moshë që ju shpreheni se jeni?

Unë them se jam 26 vjeç, pasi në jetën time në këtë moshë janë kujtimet më të bukura për mua. Në këtë moshë, pra 26 vjeçare më kujtohen ato kujtime të asaj moshe të cilat për mua janë të paharrueshme.

-Si ndjeheni në këtë përvjetor?

Është çuditshme që njeriu sa më shumë rritet në moshë aq më shumë rinohet në art që është pjekuria artistike.

-Në këto 45 vite karrierë artistike me shumë role dhe shumë prej tyre nuk harrohen nga publiku, por a ju ka mbetur ndonjë peng?

Në këto 45 vite karrierë më kanë ngelur shumë role peng që nuk kam arritur që ti interpretoj, pasi unë do të doja të kisha pasur mundësi që të luaja dhe role të tjera. Në interpretimin e roleve në dramë më ka ngelur peng qenia ime në Teatrin Kombëtar. E kam vuajtur shumë këtë gjë. Unë desha që të isha atje që në vitin 1975 dhe nuk mu realizua kjo gjë. Partia që ishte në atë kohë në pushtet më tha: do të shkoni në estradë nëse nuk do të shijoni bukuritë e Lurës, dhe pa vajtur në Lurë i thashë vetes më mirë Vaso rri në Tiranë. Por dua të theksoj diçka, viti 1975 ishte viti kur unë u diplomova.

-Është krijuar përshtypja se një aktor humori është gjithmonë me humor edhe në jetë, pra gjithmonë në qejf. A është e vërtetë kjo edhe për ju?

Është e vërtetë se unë jam aktor i humorit dhe njihem nga publiku si një aktor vetëm nëpërmjet këtyre roleve në komedi të ndryshme, por unë diplomën e kam mbrojtur me rolin e Jonuz Brukës tek drama “Familja e peshkatarit”. Kështu që vetvetiu të lind pyetja se si ka mundësi që një rol i tillë shumë dramatik të interpretohet nga unë, dhe të arrij që të bëj edhe humor, prandaj them se më kanë pëlqyer të dyja zhanret si komedia ashtu edhe drama.

- Nga rolet që keni interpretuar deri tani, cili është roli që ju ka lënë më shumë mbresa?

Megjithëse unë ka interpretuar shumë role, ata për mua janë të gjithë njësoj dhe të gjithë janë të dashur për mua, por mbase kam disa më të dashur siç është roli i Koçit tek filmi “Zonja nga qytetit”, me atë rol shpesh unë qesh edhe vetë. Por këtu do të përmendja gjithashtu edhe rolin e një klarinetisti tek filmi “Kur ndahesh nga shokët” si dhe shumë role të tjera.

-Në karrierën tuaj keni spikatur për shumë role të cilat kanë mbetur në mendjen e teleshikuesve. A do të donit që ta vazhdonit karrierën tuaj dhe cili do të ishte roli që ju ka ngelur peng dhe nuk keni arritur që ta realizoni?

Megjithëse numëroj shumë role në karrierën time artistike të cilat unë i kam interpretuar në 45 vjet, përsëri shumë role më kanë mbetur peng dhe do të dëshiroja që të vazhdoja sërish me skenën, kinemanë dhe televizionin

-Vasillaq Vangjeli mbushi 60 vjeç, por 45 vite i numëron në skenë. Cila është një nga ëndrrat tuaja që ju ka ngelur në sirtar dhe nuk keni mundur dot që ta realizoni gjatë karrierës suaj?

Në këto vite artistike ëndrra ime në sirtar është që të dalin disa preparate, të cilat të na kthejnë nga kjo moshë që unë sapo mbusha sot 60 vjeç, të më kthejnë në një moshë më të re dhe të më bëjnë mua sot 30 vjeç.

-Megjithëse ju u shprehët me humor që do të donit të ishit sot 30 vjeç dhe jo 60, çfarë do të donit të bënit sot po të ishit në këtë moshë?

Përsëri unë ngelem tek tabletat (qesh). Përsëri unë do të pija një tabletë tjetër dhe do të doja të isha sërish 20 vjeç. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora