E enjte, 18.04.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kosova në Kalvarin e «Pavarësisë», mes «Alzasë-Lorrenës» të Serbisë dhe bashkimit me Shqipërinë

E enjte, 21.02.2008, 06:32 PM


Kosova në Kalvarin e «Pavarësisë», mes «Alzasë-Lorrenës» të Serbisë dhe bashkimit me Shqipërinë       
 
Nga Kastriot Myftaraj

Në 28 nëntor të vitit të kaluar unë kam botuar në gazetën «Sot» shkrimin me titull «Plani sekret i Hashim Thaçit, shpallje e pavarësisë dhe moratorium», ku kam paralajmëruar se ajo që do të bëjë Kosova është shpallja e njëanshme e pavarësisë dhe pastaj një moratorium (pezullim) juridik i pavrësisë.Pikërisht kështu ndodhi. Kryeministri Thaçi, në Deklaratën e shpalljes së pavarësisë u shpreh: «Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran». Kjo është sigurisht shpallje e pavarësisë. Por gjithashtu Thaçi u shpreh: «Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara». Kjo nuk ka kuptim tjetër veç atij që juridikisht u shpall një moratorium (pezullim) i pavarësisë. Sipas nenit 10 të rezolutës 1244, të 10 qershorit të vitit 1999, statusi i tashëm i Kosovës është përcaktuar në këto terma, nga Këshilli i Sigurimit i OKB: “Të autorizojë Sekretarin e Përgjithshëm që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm për Kosovën nën të cilin populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, prani që do të sigurojë një administrim kalimtar ndërkohë që edhe do të themelojë institucionet e përkohshme demokratike vetëqeverisëse si dhe do të mbikëqyrë zhvillimin e tyre për të krijuar kushtet për një jetë paqësore e normale për të gjithë banorët e Kosovës”. Merret vesh, pavarësia dhe rezoluta 1244 përjashtojnë njëra tjetrën. Unë e kuptoj se sigurisht që, në rrethanat e tashme, shpallja e pavarësisë në kuadrin e rezolutës 1244 ishte e vetmja mënyrë që Kosova të njihej si shtet i pavarur nga pjesa më e madhe e shteteve të botës. Por kjo e ve Kosovën në një pozitë delikate juridike, se duke pranuar Rezolutën 1244, firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, praktikisht pranojnë se me shpalljen e pavarësisë kanë dhunuar dokumentin e së drejtës ndërkombëtare, në zbatim të të cilit ka dalë dhe Kuvendi i Kosovës, që shpalli pavarësinë. Me t’ u shpallur pavarësia e Kosovës, Serbia e shpalli Kosovën «Alzasë-Lorrenën» e vet, pra një territor shkëputja e të cilit i është imponuar me anë të forcës, dhe për të cilin ajo pretendon se ka legjitimitetin që të bëjë çdo gjë që ka në dorë për ta rikthyer. Franca u detyrua ta nënshkruante aktin që i impononte humbjen e Alzasë-Lorrenës, në 1871, pas Luftës Franko-Prusiane të vitit 1870, por realisht nuk e pranoi kurrë lëshimin e këtij territori dhe bëri gjithçka për ta rikthyer, derisa e rimori me forcë në 1918, pas kapitullimit të Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, marrje që u legalizua më pas me Traktatin e Versajës. Nga pikëpamja juridike, Serbia për Kosovën, është në një pozitë shumë më të mirë se Franca për Alzasë-Lorrenën dikur. Derisa Franca në 1871 nënshkroi traktatin e paqes me Gjermaninë, sipas termave të të cilit Franca pranonte aneksimin e Alzasë-Lorrennës nga Gjermania, Serbia në 1999 pranoi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas termave të së cilës statusi juridik i Kosovës ishte autonomia, por duke qenë në administrim ndërkombëtar, deri në momentin që do të përcaktohej statusi i saj ndërkombëtar, me një tjetër rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB. Dihet se kjo gjë nuk u bë e mundur për shkak të paralajmërimit të Rusisë për të vënë veton ndaj zbatimit të Planit të Ahtisaarit. Atëherë u gjend një mënyrë që Plani i Ahtisaarit të mos kalojë në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë që të mos rrëzohet, por të zbatohet informalisht. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, duke njohur rezolutën 1244 në fakt është një aprovim i qëndrimit juridik të Serbisë për Kosovën. Sa kohë që Kosova është e detyruar që të mbështetet tek rezoluta 1244, që të mos prishet konsensusi ndërkombëtar për njohjen e saj, por dhe nuk bëhet e mundur që të miratohet një rezolutë e re, gjë që nuk do të ndodhë për shkak të kundërshtimit rus, pozita e Kosovës është shumë e brishtë dhe shumë e dyshimtë juridikisht, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Kjo kuptohet nga fakti që Serbia ka filluar procedimin penal ndaj firmëtarëve të Deklaratës së pavarësisë të Kosovës, pra edhe ndaj Hashim Thaçit, ndërsa në Kosovë, Albin Kurti, është në burg me urdhër të një gjykatësi ndërkombëtar, për shkak të protestave të tij ndaj Planit “Ahtisaari”. Sa kohë që Albin Kurti rri në burg në Kosovën e pavarur, me vendim të një gjykatësi ndërkombëtar, Serbia është e legjitimuar nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare që të procedojë penalisht firmëtarët e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Pozita e Kosovës është shumë më delikate se ajo e Alzasë-Lorrenës në vitet 1871-1918, kur atë e rivendikonte Franca. Alzasa dhe Lorrena në fakt ishin territore të banuara me popullsi gjermane, të cilat Franca i rivendikonte vetëm mbi bazën e së drejtës së dyshimtë historike, dhe jo të asaj etnike. Franca edhe sot e kësaj dite nuk i njeh asnjë të drejtë popullsisë gjermane të Alzasë-Lorrenës dhe i quan ata francezë etnikë. Traineri i Arsenalit Arsene Wenger është qytetar francez me nacionalitet gjerman nga Strasburgu, kryeqendra e Alzasës, por emri i tij nuk pronuncohet gjermanisht “Venger”, por frëngjisht “Venge”. Franca i rivendikonte Alzasë-Lorrenën edhe si territor me vlera historike për Francën se Kryqi Lorrenës (kryqi i dyfishtë) ishte simboli i Zhanë D’Arkut, në të njëtin sens siç e rivendikon Serbia Kosovën. Alzasë-Lorrena, në vitet 1871-1918 ishin së paku pjesë e një shteti tjetër, me titull të plotë ndërkombëtar, vendit-amë, Gjermanisë. Ndërsa Kosova është një “Alzasë-Lorrenë” e shkëputur nga “Franca”(Serbia) me titull të dyshimtë ndërkombëtar. Është e natyrshme që Serbia kështu do të joshet që ta shohë Kosovën si një pre të sajën të predestinuar, të cilën do ta rifitojë dikur në të ardhmen. Madje edhe vetë adoptimin nga Kosova të Planit “Ahtisaari” Serbia do ta shikojë si një avantazh të sajin në strategjinë për ta rifituar Kosovën, se Plani “Ahtisaari” përcjell destabilitet në Kosovë, duke e bërë Kosovën praktikisht një konfederatë në raport me serbët e Kosovës dhe një federatë, në planin institucional, në raportet me të ashtuquajturat minoritete të tjera të Kosovës. Kosova “e pavarur” vlen vetëm për të vërtetuar se “pavarësia” nuk mund të funksionojë dhe se si zgjidhje e vetme mbetet që Kosova të bashkohet me shtetin me të cilin së paku 95% e banorëve të Kosovës, shqiptarët, ndajnë të njëjtin nacionalitet, Republikën e Shqipërisë. Sa më tepër që të kalojë koha dhe të mos funksionojë “pavarësia” e Kosovës, aq më e qartë do të bëhet se kjo mbetet zgjidhja e vetme. Tashmë Kosovës i duhet të kalojë Kalvarin e “Pavarësisë” për të arritur deri në bashkimin me Republikën e Shqipërisë, pra për t’ u përmbushur Deklarata e Pavarësisë e vitit 1912, sipas së cilës Kosova duhet të ishte pjesë e shtetit të pavarur shqiptar. Por do të thotë dikush që i lexon këto rreshta, nëse i qëndrojmë krahasimit me “Alzasë-Lorrenën” atëherë duhet që Kosova edhe pas bashkimit me Republikën e Shqipërisë, duhet të mbetet “Alzasë-Lorrena” e Serbisë, se Alzasa dhe Lorrena edhe pasi u bashkuan me Gjermaninë në 1871, u rivendikuan nga Franca që bëri gjithçka për t’ i marrë derisa e arriti këtë gjë në 1918. Sigurisht që kështu do të jetë! E kush tha se problemet dhe konfliktet në Ballkan do të përfundojnë ndonjë herë. Por së paku shqiptarët të jenë bashkë në një shtet që të bashkojnë forcat për të mbrojtur veten. Se nëse i shikon gjërat në pikëpamjen historike, bashkimi nuk do të jetë vetëm në dobi të Kosovës, për t’ u mbrojtur nga Serbia, se nuk janë vetëm shqiptarët e andej kufirit të rrezikuar, por edhe ata të këtej kufirit. Në lojë nuk është vetëm fati i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i shqiptarëve të këtej kufirit, se fjala është për një proces historik të zgjerimit të Serbisë dhe Greqisë, në aleancë mes tyre, në territoret shqiptare, që fillon me krijimin e këtyre shteteve. Në këtë proces ato e shohin ndarjen e Shqipërisë shtetërore të 1913, si përmbushjen finale të këtij procesi, dhe si garancinë se territori i bregdetit Adriatik ndërmjet tyre nuk do të përdoret nga asnjë fuqi e madhe, për t’ u vendosur në Ballkan, gjë që ato e shohin si të dëmshme për interesat e tyre. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora