E marte, 23.04.2024, 07:36 PM (GMT+1)

Mendime

Andrea Stefani: Që Pavarësia të sjellë Lirinë

E enjte, 21.02.2008, 06:09 PM


QE PAVARESIA TE SJELLE LIRINE

Nga Andrea Stefani

Shpallja e pavarësisë është për kosovarët hapi i parë drejt lirisë, por jo krejt liria. Pavarësia është liria nga sundimi serb, liria në kuptimin kombëtar, por ndërkaq mbetet për t‘u kryer detyra e vështirë e ngjizjes së lirisë shoqërore. Historia është e mbushur me shembuj kur kombet ose një pjesë e tyre kanë arritur me sukses pavarësinë, por më pas nuk kanë mundur të ndërtojnë dot lirinë ose më saktë sistemin e institucioneve që e mbajnë gjallë atë. Vetë Shqipëria është një nga këto raste ku çlirimtarët janë bërë shumë shpejt edhe skllavëruesit e rinj të Atdheut. Pas shpalljes së pavarësisë në 1912, shqiptarët kaluan një kalvar të gjatë kaosesh, luftërash, despotizmash, diktaturash, por nuk mundën të ngrenë dot sistemin e lirisë. Sot, 18 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ata janë futur në shtegun që të çon te sistemi i lirisë, por me shumë vështirësi, defekte dhe trauma të mëdha. Dhe liria shoqërore lidhet me demokracinë, me atë formë qeverisjeje që është tipike për qytetërimin perëndimor dhe ka arritur realizimin më të plotë në gjirin e qytetërimit perëndimor. Kosova duhet të përfitojë edhe nga përvoja e Shqipërisë, e "shtetit amë", për të ecur në rrugën e demokracisë duke mos përsëritur gabimet e saj.

***

Pavarësia është një këputje prangash, është si të thuash dalja nga burgu, jashtë në liri. Filozofët e quajnë këtë shpëtim, liri negative. Por pas arritjes së kësaj lirie, lind problemi se ç‘duhet bërë, si duhet përdorur hapësira e lirisë, lind problemi i lirisë pozitive. Dy janë alternativat. Ose të ecet drejt një sistemi politik që e përdor lirinë kombëtare për të zhvilluar lirinë qytetare, ose të ecet drejt një sistemi që përdor lirinë kombëtare apo çlirimin nga i huaji, si një prangë për një diktaturë tjetër, por tash kombëtare. Alternativa e parë është ajo perëndimorja. E dyta është tipike lindore. Fakti që Kosova e fitoi pavarësinë në sajë të një mbështetjeje të fuqishme nga NATO, SHBA dhe Evropa, e fikson përfundimisht kursin e saj politik drejt Perëndimit. Pavarësia vetëm hap rrugën që Kosova të nisë rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian për integrim sa më të shpejtë në të. Jo rastësisht Bernard Kushner në urimin e tij për Kosovën, pavarësinë dhe integrimin e saj në BE, i sheh si dy anë të së njëjtës medalje. Dhe Kosova, pa mohuar vështirësitë, ka premisa më të mira se Shqipëria e viteve ‘90 për të përparuar më shpejt në rrugën e demokracisë. Mbi të gjitha, për vetë rrethanat historike në Kosovë mungojnë liderë politikë që, të mbështetur nga simpati të verbra, mund t‘i imponohen shoqërisë si sjellës ekskluzivë të demokracisë, duke i paraqitur njëherazi rivalët e tyre politikë si armiq të saj.

***

Që të ndërtojnë lirinë, kosovarët duhet të fuqizojnë themelet e demokracisë në Kosovë. Por që ta bëjnë me sukses këtë, duhet të krijojnë dhe fuqizojnë sa më shpejt atë tërësi institucionesh që në bashkëveprim, kontroll dhe balancë reciproke, bëhen mekanizmi "perpetum mobile" i lirisë. Kushtetuta e Kosovës, si kontrata e qytetarëve të lirë të Kosovës me njëri-tjetrin, do t‘i shpallë këto institucione dhe atributet e tyre. Por liria dhe pavarësia e institucioneve nuk duhet të mbeten vetëm në një letër si në Shqipëri. Kosova nuk duhet të përsërisë gabimin fatal të Shqipërisë, e cila, në fillimet e tranzicionit, e mbështeti ardhmërinë e saj jo tek institucionet e pavarura, por te liderët e fuqishëm si Sali Berisha dhe më pas Fatos Nano. Është një gabim fatal që e ka vonuar shumë integrimin e Shqipërisë, duke shtuar artificialisht vuajtjet, privacionet dhe izolimin e shqiptarëve nga Evropa. Koha provoi se liderët me kulte të fuqishme, nuk mund të bëhen zëvendësues të institucioneve, por gllabërues të rrezikshëm të tyre dhe të demokracisë. Shqipëria po e vuan edhe sot e kësaj dite iluzionin e këtij "kompensimi" të gabuar. Thuaj 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, ajo nuk ka ende një gjyqësor të pavarur nga politika dhe kjo ka minuar rëndë barazinë e shtetasve para ligjit, që është guri i parë i themelit të një demokracie të vërtetë. Shqipëria është i vetmi vend që ndërsa shpall aspiratën për t‘u integruar me Evropën, ka përqendruar në mënyrën më antievropiane të mundshme, të gjithë pushtetet në duart e një njeriu të vetëm, të një lideri të vetëm. Që të vazhdojë në rrugën e demokracisë, shteti ligjor dhe të integrohet me sukses në NATO dhe BE, Shqipërisë i duhet më në fund t‘u japë liri dhe pavarësi reale institucioneve, duke mposhtur rezistencën e klaneve politike dhe ekonomike, të këtyre oligarkive të grupuara rreth kulteve të liderëve politikë për interesa antipublike dhe korruptive. Kjo rezistencë dhe mposhtja e saj me ligje të reja dhe vullnet të ri politik, është thelbi i debatit për reformën e drejtësisë dhe atë zgjedhore që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri.

***

Por që Kosova të ndërtojë një demokraci institucionale dhe jo patriarkale, që demokracia të jetë gjithnjë e më e vërtetë dhe jo gjithnjë e më e rreme, duhet që partitë politike të jenë vërtet parti demokratike, ku qarkullimi i elitave politike në sajë të konkurrencës, bëhet ashtu si qarkullimi i gjakut për një organizëm të gjallë. Nëse do të konstatohet se ndërsa vitet kalojnë liderët mbeten po ata (sikundër ka ndodhur edhe në Shqipëri), kjo do të jetë prova se demokracia partiake nuk po funksionon, se liderët politikë kanë instaluar monopolet politike duke mbytur konkurrencën dhe demokracinë nëpër partitë e tyre, duke u bërë një rrezik edhe për demokracinë në shtet. Demokracia moderne nuk mund të zhvillohet si një demokraci fisnore, tribale, ku kryetari mbetet kryetar deri në vdekje, madje që edhe kur vdes, lë pasardhësit në drejtim të partisë apo të shtetit. Nëse një shoqëri që shpall se dëshiron të ndërtoje demokracinë, mbetet e fiksuar pas një apo disa liderëve të përjetshëm nën justifikimin se ata janë gjeni të politikës, ajo provon asgjë më shumë veç papjekurisë së saj për të qenë një shoqëri demokratike. Edhe sikur vërtet të jetë një gjeni, lideri që nuk lë karrigen e pushtetit ose timonin e politikës për një periudhë 10-15 vjeçare, është i destinuar të shndërrohet në një gjeni të së keqes. Një lider "demokrat" që nuk pranon të zbresë nga kali i pushtetit, është shembulli më i gjallë i dështimit dhe tradhtimit të demokracisë. Janë bindjet demokratike që nuk do ta lejonin një lider të lidhur shpirtërisht me demokracinë, të qëndronte në pushtet më shumë sesa është demokratike të qëndrosh. Kujtojmë Xhorxh Uashingtonin që refuzoi një mandat të tretë presidencial. Kujtojmë që jo rastësisht në SHBA, presidentët nuk mund të qëndrojnë më shumë se dy mandate, sado të suksesshëm të jenë në qeverisje. Gjatësia e qëndrimit të një lideri në pushtet është aksiomatikisht në përpjesëtim të zhdrejtë me demokracinë e partisë së tij, pavarësinë e institucioneve të shtetit, është në raport të zhdrejtë me demokracinë. Rrotacioni jo vetëm i pushtetit, por edhe i liderëve, është prova më thelbësore e demokracisë. Jo rastësisht një diplomat perëndimor, duke folur këto ditë për sfidat që qëndrojnë para Kosovës, tha se nuk "do të ishte e shëndetshme për demokracinë në Kosovë, nëse, për shembull, pas 25 vjetësh do të shohim të njëjtat fytyra në pushtet". Si mjerisht sot në Shqipëri, do të shtonim ne.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora