E enjte, 25.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Mendime

Veton Surroi: Sfidat e inkubatorit evropian

E enjte, 21.02.2008, 06:06 PM


SFIDAT E INKUBATORIT EVROPIAN

Nga Veton Surroi

1.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës të dielën, Bashkimi Evropian do të ballafaqohet me disa sfida të reja të zhvillimit të politikës së vet të jashtme.

Ta marrim vetëm aktin e njohjes së pavarësisë. Negociatorët kosovarë i kanë kaluar mbi dy vjet duke akomoduar një marrëveshje që do të ishte e kapërdishme për ruajtjen e unitetit evropian. Kur Ahtisaari negocionte me kosovarët, ai kishte një sy gjithnjë nga Brukseli, dhe mënyrën se si do të reflektohej çfarëdo që merreshim vesh në kryeqytetet evropiane, disa prej të cilave, si Rumania, Greqia apo Sllovakia, kishin rezerva ndaj idesë që Kosova mund të ishte e pavarur. Për më tepër, ish-presidenti finlandez pothuajse kaloi më shumë kohë duke biseduar me disa prej këtyre shteteve se sa me kryeqytetet e "forta", apo edhe me vetë negociatorët.

Të hënën, kur u mblodhën ministrat e Jashtëm të BE-së, në tavolinë kishin edhe shpalljen e pavarësisë, edhe draft-platformën e përbashkët, me rekomandimin që shtetet anëtare mund ta njohin këtë pavarësi veç e veç, sipas legjislacionit të tyre ekzistues.

Në atë moment, për Kosovën do të ishte me rëndësi të krijohej masa kritike e shteteve të BE-së, ashtu siç pritet, mbi 20 që do ta njohin pavarësinë.

Në fakt, në ato momente do të zhvillohej një luftë intensive për zbehjen e identitetit ndërkombëtar të shtetit të ri, identitet për të cilin do të luftohet me mjete diplomatike me vite të tëra, edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Por, me rëndësi të veçantë është fakti se prej të hënës e tutje, lufta për identitetin e ri ndërkombëtar të Kosovës nuk është vetëm çështje e kosovarëve, ndonëse në radhë të parë është e tyre, por edhe çështje e kredibilitetit të BE-së.

Paketa e Ahtisaarit, që nga ky aspekt është paketë për mbikëqyrje evropiane të pavarësisë së Kosovës, është edhe baza politike për njohjen e pavarësisë së Kosovës, rrjedhimisht edhe baza e obligimeve evropiane.

Shteti i ardhshëm i pavarur kosovar do të jetë evropian jo vetëm për nga përkatësia gjeografike, por po ashtu për shkak se inkubatori politik është Brukseli, me një përkrahje të madhe amerikane.

2.

Prej të hënës, po ashtu duhet të koncipohet edhe një politikë e re evropiane ndaj regjionit.

E qartë është se shteti i ri do të ketë të ndërtuar "konfliktin e ngrirë" brenda territorit të vet. Veriu i Kosovës është përdorur dhe do të përdoret për të dëmtuar funksionalitetin e shtetit të ri, dhe kjo gjendje nuk do të ndryshojë shpejt.

I tillë çfarë është Veriu i Kosovës do të tërheqë energji të mëdha të institucioneve të reja e të brishta të shtetit të pavarur dhe energji negative të autoriteteve të Beogradit. Në fund, BE-ja do të jetë e zhytur në një proces për të cilin as që e ka përgatitur veten, nominalisht, në misionin EULEX.

Por, shikuar më gjerë, kjo është sfidë për krijimin e politikave të reja të BE-së. Kosova, gjegjësisht Veriu i Kosovës, do të jenë kushti i ri i marrëdhënieve mes BE-së dhe Serbisë.

Kjo lloj politike kushtëzimi nuk do të jetë e lehtë për Serbinë, e cila gjatë tërë këtyre viteve të zhbërjes së ish-Jugosllavisë nuk ka arritur të ballafaqohet me të kaluarën e vet. Por, nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën, e cila prapë duhet të mbetet peng i zhvillimeve të politikës së brendshme të Serbisë.

Serbia antiperëndimore ka qenë dhe është sot për sot sfida më e madhe për BE-në në Ballkanin perëndimor.

3.

Dhe, kur të hënën ministrat e Jashtëm autorizuan misionin EULEX që gradualisht do të zëvendësojë UNMIK-un, do të jepnin autorizim për një mision të papresedencë, apo me presedenca të këqija. Të papresedencë, sepse nuk ka ekzistuar një mision me mandat të këtillë, të sundimit të ligjit në një shtet të ri të pavarur. E me presedencë të keqe, sepse një pjesë e konceptit të këtij misioni mbështetet në përvojën evropiane duke administruar Bosnjën dhe Hercegovinën.

Sfida e ardhshme evropiane është e vjetër sa edhe historia e ndërhyrjes Wilson-iane në marrëdhëniet mes popujve: sa mund të ndihmosh si i huaj një vend para se të shndërrohesh në frenues i zhvillimit të tij?

4.

Pas pesë vjetësh do të mbahet konferenca për pesë vitet e pavarësisë së Kosovës. Do të harrohet me të shpejtë se ky ishte një moment historik, një korrigjim i një gabimi të para një shekulli.

Mendja e pjesëmarrësve do të jetë më shumë e drejtuar nga analiza se ku u gabua në misionin evropian, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten gjetiu, për shembull në Kaukaz.

Do të jetë një sinjal i dyfishtë. Një, se më nuk vihet në pyetje pavarësia e Kosovës. Dy, se kosovarët duhet të marrin më shumë seriozisht shtetin e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora