E premte, 29.03.2024, 12:23 AM (GMT)

Editorial

Kastriot Myftaraj: Fantazma e Barbarosës

E diele, 23.10.2011, 07:04 PM


Fantazma e Barbarosës

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Si do t’ i përgjigjeshit para 20 tetorit të këtij viti, pyetjes, se kur ka ndodhur ngjarja e mëposhtme: Një anije turke, e nisur nga një port i bregdetit lindor të Detit të Zi, dhe që lundronte në Adriatik, me destinacion portin e Tivarit, u përplas me një anije turke që lundronte nga Durrësi për në bregdetin italian, në Bari? Natyrisht se çdokush që e njeh historinë do të përgjigjej se kjo ngjarje ka ndodhur në shekullin XVI, në kohën e admiralit të famshëm otoman, Hajredin Barbarosa, kur flota otomane sundonte Detin e Zi dhe Mesdheun, ndërmerrte msymje në bregdetin italian, e më tutje në Mesdheun Perëndimor. Por ja që ngjarja ka ndodhur në vitin 2011. Një anije me pronësi turke, e regjistruar, siç ndodh rëndom, për flag of convenience, në Maltë, dhe që transportonte mall nga një port rus i Detit të Zi, për në Malin e Zi, në Adriatik, u përplas me një anije turke udhëtarësh, e cila lundron në linjën Durrës-Bari. Ngjarja dhe reagimi i Turqisë, përbëjnë një ilustrim shumë instruktues të rolit që ka marrë tashmë Turqia në Mesdhe, deri edhe në Adriatik, si dhe të ambicjeve të saj të mëtutjeshme.Në kohën kur Imperia Otomane ishte një thalasokraci (fuqi dominuese detare) në Mesdhe, fuqia detare otomane ishte asimetrike, ashtu si ajo e Venedikut, do të thotë se  nuk kishte një flotë tregtare otomane që të dominonte Mesdheun. Tregtia e Imperisë Otomane me Perëndimin bëhej nga nënshtetasit otomanë me kombësi greke, kryesisht të përqëndruar në Lagjen Fanari, në Stamboll, të cilët zotëronin një flotë të madhe tregtare, për të cilën kishin arritur që të merrnin nga Sulltani edhe të drejtën e një flamuri të veçantë tregtar, kuqeblu, nën të cilin anijet e tyre lundronin gjithandej Mesdheut e më tutje. Pas luftanijeve të Barbarosës shkonin anijet e tregtarëve grekë, të cilët përfitonin nga projektimi i fuqisë ushtarake otomane, duke marrë frutet e saj.Sot gjërat janë ndryshe. Turqia ka një flotë të madhe tregtare, madje është edhe vendi i gjashtë në botë sa i përket ndërtimit të anijeve. Incidenti i pak ditëve më parë në Adriatik tregoi se Turqia po merr në Mesdhe rolin që dikur e ka pasur Venediku, atë vendit flota tregtare e të cilit kryen shërbimet e transportit të mallrave dhe njerëzve. Kjo nuk do të thotë se tashmë ka një asimetri të anasjelltë, pra se Turqisë i mungon aspekti ushtarak i fuqisë detare. Turqia e përdori incidentin e fundit në Adriatik për të bërë projektimin simetrik të fuqisë së saj detare. Qeveria turke bëri me dije se për të asistuar në operacionet e shpëtimit dhe për hetimin e incidentit do të dërgonte në Adriatik anijen ushtarake F-244 “Hayreddin Barbarossa”, për të cilën u tha se është e specializuar në misione të tilla. Ajo që të bën përshtypje është emri, anija mban emrin e njeriut që krijoi fuqinë detare otomane në Mesdhe, admiralit Hajredin Pashë Barbarosa (1478-1546). “Barbarosa” (Mjekërkuqi) e quajtën perëndimorët. Përzgjedhja e emrit të anijes nuk është e rastësishme. Kumti është i qartë: Barbarosa u rikthye në Mesdheun Perëndimor! Aq më tepër kur po flitet për një plan turk me emrin “Barbarossa” për të projektuar fuqinë detare turke në Mesdhe.Anija është më tepër e përshtatshme për të përçuar këtë kumt se për misionin që i atribuohet zyrtarisht. Anija F-244 “Hayreddin Barbarossa” është një anije luftarake e llojit frigatë, madje e frigatave më moderne të flotës ushtarake detare turke. Luftanija është e pajisur me artileri 127 mm, me sisteme për shkatërrimin e raketave antianije, me torpedo, me pajisje për electronic warfare, platformë dhe hangar për helikopterët. Gjithashtu, është e pajisur me radar dhe sonar. Ajo ka një ekuipazh prej 180 vetësh, nga të cilët 156 marinarë dhe 26 oficerë, praktikisht një grup inxhinierësh ushtarakë. Shkurt, një makinë lufte e përkryer. Është “Hajredin Pashë Barbarosa” i përditësuar, në version shekulli XXI. Ardhja e kësaj anijeje në Adriatik është një gjest kuptimplotë për të treguar marshimin e Neo-Otomanizmit, nga toka dhe deti, ekonomikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht.Përzgjedhja e anijes me emrin “Hayreddin Barbarossa” për këtë mision në Mesdhe, është mjaft instruktive, për të zbuluar atë që ka ndërmend qeveria turke kur kërkon rishikimin e historisë, sa i përket periudhës së pushtimit otoman. Ankaraja zyrtare natyrisht se niset nga motoja që na jep Orwell në “1984”, se ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen. Nëse pushtimi otoman i Shqipërisë, nuk do të quhet kështu, por me një eufemizëm, atëherë, merret vesh, se nuk do të quhet i tillë as një pushtim i ardhshëm turk i Shqipërisë. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Davutoglu, shkruan në librin e vet “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, se Turqia e sotme duhet të marrë përsipër mbrojtjen e popullsive muslimane shqiptare dhe boshnjake në Ballkan, njëjtë siç bën me turqit e Qipros. Kjo do të thotë që nesër frigata “Barbarossa” dhe shumë luftanije të tjera turke të vijnë në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, këtë herë për të zbarkuar trupa, në një “7 prill” turk.Dhe me këtë rast, Alban Dudushi do të mbledhë edhe një herë atë panelin e emisionit të tij “Top Show” me të cilin diskutoi në shtator për rishikimin e historisë së periudhës otomane, dhe ku të gjithë folësit, me përjashtim të njërit (edhe ky nga Prishtina?!) ishin të mendimit që të rishikohet periudha otomane, duke u hequr edhe termi “pushtim otoman”. Madje që në insertin, siç e quan Dudushi, e shfaqur si një lloj editoriali në fillim të emisionit, u tha se ndoshta duhet që në vend të fjalës “pushtim” të përdoret fjala “administrim” për periudhën otomane. Ide interesante. Kështu, i bie që edhe Austria ta rishikojë historinë dhe rrethimet otomane të Vienës të mos i quajë përpjekje për pushtimin e Vienës, por përpjekje të otomanëve për të marrë në administrim Vienën. Thyerja e Rrethimit të Vienës në 1683, kështu do të pushojë së qëni një ngjarje epokale për historinë e Europës, se ishte pasojë e një keqkuptimi. Europianët nuk e patën kuptuar se përballë kishin njerëz me ambicje për menaxhimin e Europës, dhe jo pushtues. Keqkuptimi ndoshta u krijua se turqit mbanin në duar jataganë, por nuk ka asnjë provë se ata donin që t’ i përdornin për gjë tjetër përveçse për të prerë lakrat e famshme austriake, deri në momentin që vendasit u dolën para me armë. Njëjtë, kur anija “Barbarosa” të vijë në Durrës bashkë me shumë luftanije të tjera turke, paneli i Dudushit do të na thotë se duhet që të mendohemi mirë, para se ta quajmë pushtim. Kaq, sa për sefte, nga unë Arnaut Dudushi, në Bash Sehir (Top Show), në Bash Hendek (Top Channel) Tani na falni se ne marinsave të Barbarosës, mua, Pëllumb Xhufit, Artan Lames dhe Ferit Dukës na duhet të shkojmë të marrim bakshishin tek Akçihania e Ahmetit.Marinsat e Barbarosës, kolaboracionistët neo-otomanë kanë depërtuar në Shqipëri si kolonë e pestë dhe ata nuk janë vetëm muslimanët praktikues, nostalgjikët otomanë, por edhe intelektualë si ata që pamë në Top Show, të cilët joshen nga fuqia ekonomike në rritje e Turqisë, për të hyrë në orbitën neo-otomane. Turqia ka filluar që të paguajë, madje që të paguajë mirë, për të krijuar një elitë intelektuale proturke, neo-otomane, e cila do t’ i paraprijë zbarkimit të Barbarosës në Shqipëri. Këta njerëz shtiren sikur po bëjnë thjesht reflektime intelektuale, pa asnjë lloj interesi tjetër, por ja ku ndodh një ditë, pak kohë më pas, që përplasen dy anije turke në Adriatik dhe Turqia i nxjerr zbuluar “intelektualët” tanë, për atë çka janë në të vërtetë, desantë intelektualë të Barbarosës. Kështu, pas Aleancës Kuqezi, ku këta njerëz marrin pjesë, na del faqja e zezë neo-otomane. Ata janë në linjë me Olsi Jazexhiun, i cili me rastin e ardhjes së anijes, nuk do të rrijë pa i vënë qershinë tortës (më saktë duhet thënë: pa i hedhur lugën e fundit të sherbetit bakllavasë neo-otomane), duke thënë se Barbarosa ishte me origjinë shqiptare, ose së paku arvanitase. Ai kishte lindur në ishullin Lesbos (“Midilli” për turqit).Viti 2011 është 400 vjetori i msymjes të flotës së Hajredin Barbarosës ndaj brigjeve italiane, ashtu që në këtë vit flota otomane mësyu Kalabrinë. Në një nga ato koincidencat, kureshtare aq edhe domethënëse të historisë, që të krijojnë supersticionin e mistikës së historisë, Barbarosa u shfaq përsëri në Adriatik në këtë jubilee, këtë herë jo për pretari (plaçkitje) në brigjet italiane, por për të hetuar një incident ku u përfshi një anije turke që lundron rregullisht në një linjë detare nga bregu shqiptar në atë italian. Kjo është thalasokracia otomane e updatuar (përditësuar) në shekullin XXI, është Turqia neo-otomane, anëtare e G-20, e cila është në ekspansion ekonomik në Ballkan e më gjerë. Ngjarja tregon se si po tërhiqet pas Italia nga Shqipëria, e nxjerrë jashtë për shkak se po humb garën ekonomike me një Turqi shumë më kompetitive, e cila nuk vuan nga të këqijat e një shoqërie pasindustriale si ajo italiane, ku lufta sindikaliste po bëhet virusi që po shkatërron ekonominë e vendit, duke bërë që të shihet si më rentabël marrja e një anijeje turke, me ekuipazh turk, edhe për linjën Bari-Durrës. Dhe ky është vetëm fillimi.Italia, e cila nuk u tregua e aftë që të ndërtojë as Korridorin VIII, me aq interes për ekspansionin e saj ekonomik në Ballkan (e të mendosh që Italia ka bashkëfinacuar si vend donator i Bashkimit Europian projektet shumë të kushtueshme infrastrukturore në Greqi), mund të shohë një mëngjes se Ballkani është areal ekonomik turk, dhe se atje ku nuk janë turqit, janë kinezët. Italia është munguesja e madhe në balancën e fuqisë, në atë që unë në librin tim të fundit e quaj zona unike gjeostrategjike, me emrin Ballkanadoll. Kjo do t’ i joshë shtetarët në Ankara që një ditë të thonë se Adriatiku është edhe një det turk. Kurrkush të mos çuditet për këtë, përderisa që dhjetë vite më parë, Davutoglu ka shkruar se mbrojtja e Stambollit fillon që në bregdetin e Adriatikut. Përderisa Davutoglu deklaroi se Prizreni është “Jerusalemi” turk, duhet pritur që dinamika e kësaj pikëpamjeje të re turke për Ballkanin, të sjellë që Durrësi të quhet “Haifa” turke. Fantazma e Barbarosës ngërdheshet në Adriatik.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora