E premte, 19.04.2024, 03:35 AM (GMT+1)

Faleminderit

Shkëlzen Maliqi: Rrëfimi për dhjetorët e Ibrahim Rugovës

E diele, 23.10.2011, 08:05 PM


Rrëfimi për dhjetorët e Ibrahim Rugovës

 

Nga Shkëlzen Maliqi

 

Atë çka do të dëshmoj në mënyrë skicuale në këtë shkrim, se si e kam njohur dhe përcjellur Rugovën, sidmos në fillimet e karierës së tij prej politikani, nuk duhet të lexohen e të kuptohen si pretendim për rishkrimin e një historie ende të papërfunduar të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës. Janë këto vetëm dëshmi subjektive, pjesërisht të dokumentuara.

Edhe forma e rrefimit tim është më shumë e tipti të frymëzimit të çastit, dhe jo e bërë me plan dhe pastaj e krehur. Do të ndalem me këtë rast në disa momente.

Po filloj me idenë e providencës, edhe kjo subjektive dhe e karikuar. Nëse në storien e Rugovës megjitahtë ka elemente të providencës, atëherë edhe unë për vetën mund të them se pavetëdijëshëm kam qenë i shfrytëzuar si instrument i saj. Kjo për arsye se në fillimet e bërjes së Rugovës politikan, çka ai në asnjë mënyrë nuk ka qenë deri në vitin 1986, e mbase edhe deri më 1989, edhe vogëlsia ime ka pasur gisht dhe ndikim të konsiderueshëm..

Më sa e di unë kam qenë redaktori i parë në Kosovë që ka porositur dhe botuar një reagim politik të Ibrahim Rugovës, në kohën kur ai njihej vetëm si kritik letrar. Edhe kjo, koincidentalisht, kishte ndodhur në dhjetor të vitit 1986, kur unë isha kryeredaktor i revistës "Fjala". Rugova atëbotë kishte marrë pjesë në një tubim në Beograd të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, që tradicionalisht mbahej për nder të ditës së çlirimit të Beogradit, me titullin "Takimet e Tetorit". Atë vitë, pra më 1986, ishte një vjeshtë e rëndë dhe përplotë tensione në Kosovë, si dhe në vetë Serbinë. Ibrahim Rugova kishte marrë pjesë si përfaqësues i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në takimin që për temë kishte një titull alarmant dhe deomethënës për gjendjen e shpirtrave në Serbinë e asaj kohe: "Apokalipsi sot". Gjatë seancave shkrimtarët dhe intelektualët serbë, që e kishin nisur dhe nuk e ndalnin fushatën e egër kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë në ish Jugosllavi, provokuan disa herë Rugovën që ta merrë fjalën dhe të deklarohet rreth akuzave të rënda në adresë të shqiptarëve të Kosovës se ata i urrejnë serbët, se kanë bërë krime nga më të pabesueshmet, se ëndërrojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe, e të ngjashme. Në një moment Rugova nuk durohet dhe del në foltore jo për të kërkuar falje për ato akuza të shpifura, e as për të shfaqur lojalitet ndaj Serbisë, por për të shprehur një kundërshtim ndaj akuzave. Në të vërtetë, ai kishte folur krejt shkurt, vetëm disa fjali, por tejet të guximshme dhe domethënëse. Po e citoj diskutimin e tij në tërësi: "Në bisedën e djeshme rreth tryezës së rrumbullaktë në gjuhën serbokroate u insistua disa herë që edhe unë të them diçka për Kosovën, e cila, siç u tha edhe sot këtu, është një 'apokalips i përjetuar' apo konkretisht do të thosha, që fare nuk e pranoj. Lidhur me këtë do t'i thosha disa fjalë. Tash pesë a gjashtë vjet po çajmë kokën me Kosovën dhe me nacionalizmin, sa që është bërë punë vërtet e mërzitshme, e padurueshme. Mund të them se në disa kumtesa dhe diskutime që i dëgjova këtu diskursi ishte në nivel të shtypit të verdhë dhe të një 'politike të verdhë'. Kam pritur nga shkrimtarët që në frymë të vokacionit të tyre të flasin për Kosovën si humanistë. Pastaj këtu vërejta edhe një dyfytyrësi të madhe: në njerën anë për vete kërkohet demokraci, e për të tjerët një represion dhe negacion total. Mendoj se për Kosovën duhet kërkuar më shumë demokraci, humanizëm dhe mirëkuptim e më pak represion, se do të jetë më mirë. Ju falëmnderit." (Fjala, 1-15 XII 1986, fq. 14)

Pasi që kishte folur Rugova, reagimet kanë qenë tejet të ashpra., duke i dhënë edhe më shumë zjarr pohimeve se e gjithë Kosova, duke përfshirë edhe shkrimtarët edhe politikanët, është antiserbë dhe ushtruese dhe përkrahëse e politikave kriminele antiserbe. Shtypi ditor në Kosovë që në atë kohë censurohej dhe vetëcensurohej nuk e pat përcjllur fjalën e Rugovës dhe polemikën që kishte provokuar në Takimet e Tetorit, kështu që unë si kryeredaktor i "Fjalës" kisha kërkuar nga ai që ta sjell fjalën e tij, si dhe një shkrim nga korespodentja e Rilindjes nga Beogradi, Alida Berisha, ku do ta sqaronte kontekstin dhe çka është folur në atë rast.. Fjalën e Rugovës, e titulluar "Më shumë demokraci për Kosovën e më pak represion", e përcjellur edhe me një koment të tij kontekstualizues, e pata botuar në faqet e fundit të revistës që të mos hetohet menjëherë nga censorët kujdestarë të "Rilindjes". Jehona e këtij shkrimi në qarqet intelektuale të Prishtinës ka qenë shumë më e madhe seç mund të paramendohet sot kur e shihni si një lajm dhe deklaratë të shkurtër në faqet e një reviste kulturore që zakonisht nuk është konsideruar medium që krijon dhe plason opinionet e rëndësishme, pos në disa periudha, ndër to edhe gjatë 10 muajve sa unë e drejtoja revistën (tetor 1986 - qershor 1987).

Mund të them se botimi i këtij reagimi të Rugovës, për çka kam qenë i qortuar nga drejtorët e atëhershëm të "Rilindjes" (Rrahman Dedaj, Rexhep Zogaj), mbase ka ndikuar një krijimin e një opinioni të parë publik për Rugovën se ai ka potenciale prej prej politikani me vizione dhe guxim. Ideja qëndronte në ate se Rugova kishte shfaqur me ndershmëri rezistencën ndaj fushatës së egër të nacionalizmit serb, dhe këtë në vetë qendrën e represionit, në Beograd. Ky deklarim i Rugovës mbase ka mundur ta luante rol në propozimin dhe zgjedhjen e Rugovës për kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kur ai zë një vend të spikatur prej zëdhënësi të inteligjencës shqiptare në periudhën tejet sfiduese që po e priste Kosovën, kur gradualisht do të ngulfaten dhe mbyllen të gjitha institucionet e autonomisë.

Në kohën kur Rugova ishte zgjedhur kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve, unë kisha dhënë dorëheqje nga revista "Fjala" dhe po punoja si animator në "Bashkësinë kulturore-arsimore të Kosovës". Zyret i kishim afër në barakat pranë stadiumit të qytetit dhe nuk kalonte asnjë mëngjes pa u takuar me Rugovën, ngase ai e pëlqente shumë kafenë e kuririt të Bashkësisë Kulturore-Arsimore, një rom që përndryshe ishte adash i tij, edhe ai quhej Ibrahim. Duke pirë kafet e famshme të Ibros, kemi ndërruar shumë llafe për aktualitetet politike dhe kulturore. Kam pasur kështu mundësi që në periudhën 1986-1989 të përcjellja se si po rritej marramendshëm fuqia reprezentuese e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve, se si ai po bëhej një zë i pavarur krahas shtypjes, mbylljes dhe heshtjes së institucioneve të tjera të autonomisë. Për aq sa zbrapseshin zyrtarët e autonomisë, Rugova bëhej më i zëshëm. Edhe pse gjithnjë ishte fjalëpak dhe i kursyer në vlerësime, kryetari i shoqatës pozicionalisht ishte bërë i vetmi vend legal nga i cili artikulohej publikisht një zë i rezistencës kulturore dhe politike. Ky zë ishte bërë edhe më i fuqishëm për shkak se në atë kohë edhe lëvizjet nëntokësore të grupeve marksiste-leniniste, të cilat organizonin rezistencën dhe demonstratat, kishin rënë përkohësisht në një amulli dhe huti, që zvogëlonte ndikimin e tyre në masat, për shkak të rrënies së shpejtë të komunizmit në Evropëm Lindore.

Në pranverë të vitit 1988 Rugova edhe një herë del në qendër të vëmendjes të opinioni më të gjërë, kur nga qarqet politike imponohet mbajtja e një tryeze të dy shoqatave të shkrimtarëve, ku do të shfaqeshin pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë dhe serbë për krizën galopante kosovare. Tempi i krizës diktohej nga Beogradi, ku në krye të fushatës ishin shkrimtarët, qarqet e Kishës Ortodokse Serbe dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë. Ky "dialog" pat filluar me provokimin e famshëm të shkrimtarit Millan Komneniq, i cili i drejtohet hapur pjesëmarrësve shqiptarë në bisedë me fjalët: "Zotëri, ne jemi në luftë!" I tërë "dialogu" edhe u zhvillua në frymën e luftës së fjalëve, dhe kjo edhe ndikojë që edhe në Kosovë, në formën më të zbehtë, të fuqizohet ideja se rezistenca ndaj politikës serbe nuk mund të formulohet nga organet përfaqësuese të autonomisë së atëhershme, por nga instancat e pavarura intelektuale çfarë ishte Shoqate e Shkrimtarëve e Kosovës, ose edhe disa tjera si Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve, Shoqata e Arsimtarëve të Gjuhës Shqipe e ndonjë tjetër. Ashtu sikur që akademikët, shkrimtarët dhe klerikët ndikonin fuqishëm në opinionin dhe shtetin serb, edhe në Kosovë intelektualëve u shtroheshin detyrat e njejta, që të krijonin një front të rezistencës ndaj aspiratave gllabëruese serbe. Disa organizime te rezistencës bëheshin ad hoc, si psh. nënshkrimi i peticionit të 212 intelektualëve kundër ndryshimit të dhunshëm kushtetutës të Kosovës (shkurt 1989). Por peshë më të madhe kishin objektivisht instancat e organizuara shoqërore, aty ku veprimtaria ishte e mundshme, dhe ndër këto autoritet dhe rol më të madh e më të shquar kishte Shoqata shkrimtarëve në krye të së cilës ishte Ibrahim Rugova.

Politizimi i Shoqatës së Shkrimtarëve do të kontribuojë në ngritjen e peshës së postit të Rugovës në ate të përfaqësuesit të interesave reale politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Pasi që në shkurt të vitit 1989 dështoj greva e minatorëve dhe ajo gjenerale si përpjekje fundit për të mbrojtjur Kushtetutën e Kosovës që i garantonte autonomi të gjërë dhe pëfaqësim direkt në federatën jugosllave, në muajin mars Serbia rivendosi kontrollin e plotë mbi Kosovën. Ndër masat represive që ndërmorri Serbisa ishte izolimi për 4 muaj (një pjesë u rrahën brutalisht) i rreth 400 intelektualëve shqiptarë dhe burgosja dje gjykimi i Azem Vllasit, ish lider komunist i Kosovës, si mbrojtës i fundit i Kushetutës së vitit 1974. Këto masat e jashtëzakonshme e lanë Kosovën jo vetëm pa pëfaqësues llegjitim në ato pak institucione marionete, por ndikoj që edhe krejt elita intelektuale dhe politike, si Rexhep Qosja, akademikët, Universiteti i Prishtinës etj., të mbesin për dhjetë muaj publikisht të pabëzenë.

Në atë periudhë të tmerrshme të rivendosjes së gjendjes së jashëzakonshme, të orës policiore, të kontrollit të plotë të proceseve, i vetmi fanar i rezistencës, edhe ai me dritën e dobësuar, kishte mbetur Shoqate e Shkrimtarëve me kryetarin e saj, Ibrahim Rugovën. Kur ato ditët ne pinim kafenë e mëngjesit në barakën tonë që rastësisht ndodhej krejt afër selisë së policisë serbe, nuk na ndanin as 100 metra, frikën e përdishme ne e kishim më afër se këmishën; ndiheshim se jemi të kërcënuar vazhdimisht dhe këte edhe e diskutonim hapur mes vete. Rugova ishte shumë i vetmuar në lëvizjet publike, ngase frikësohej se një ditë thjesht do ta likuidonin agjentët serb, duke inskenuar ndonjë pretekst arsyetues. Në ndihmë atëbotë i vinte vetëm i ndjeri Nahil Luma, drejtor i BKA-së ku punoja, përndryshe shok i tij gjatë studimeve, i cili me një makinë Reno 4 mjaft të shkalmosur e merrte dhe e kthente te banesa Rugovën, atëbotë në lagjën Lakërishte të Prishtinës.

Në atë kohë edhe unë isha ndër të rrallët që botoja shkrime të hapura kritike për regjimin serb në shtypin slloven, kroat dhe boshnjak. Për dallim nga Rugova, shkrimet, intervistat dhe deklaratat e mia konsidroheshin autoriale dhe private, kurse pesha e fjalës së Rugovës ishte njëfardore më e zyrtarizuar, e një kryetari të vetëm autonom që i kishte mbetur Kosovës. Fjalët e tij që përcilleshin nga mediat e jashtme, sidomos ato në gjuhën shqipe, si BBC-ja, Zëri i Amerikës, Dojçe vele etj., kishin jehonë të madhe në popull. Dhe unë, që edhe vetë kisha frikë prej ndonjë sulmi të agjentëve serb, e këshilloja shpesh Rugovën që të vazhdojë të flas hapur sepse kështu do të jetë më i mbrojtur. Nëse do të strukej dhe bëhej i pabëzanë, regjimi dhe policia sekrete serbe do ta kishin cak më të lehtë, sesa kur i drejtohet pothuajse çdo ditë mediave. Mediat botërore dhe komitetet e ndryshme për të drejtat e njeriut, si Amnesty International, ose Komiteti i Helsinkit etj., por edhe qeveritë e shteteve demokratike që po vëzhgonin nga afër proceset në Jugosllavi dhe Serbi, ndikonin që edhe regjimi i Beogradit të jetë më i vëmendshëm në represionin ndaj figurave të spikatura publike, sado që i bënte pengesa. Dhe kjo periudhë dhjetëmujore e pabëzanisë të atyre që pretendonin rolin e prijsëve shpirtëror dhe politikë të Kosovës, si Rexhep Qosja psh., dhe e prezencës së madhe publike të Rugovës, do ta përmbysë skemat e mëparshme të respektit duke e ngritur Rugovën me të shpejt në figurë qendrore publike të rezistencës, i admiruar nga të gjithë.

Megjithatë, në atë periudhë të drejtimit të Shoqatës Rugova nuk jipte shenja sa deklarimet e tij kanë lidhje me ambiciet politike. Edhe kur kishte thënë në një intervistë për "Shpiglin' e Gjermanisë se në rast të humbjes të të drejtave shqiptarët do të mund të fillonin luftën çlirimtare, ai nuk e kishte ndërtur ende profilin publik të një liderit politik, por konsiderohej më shumë një zë kontestues intelektual.

Në dhjetor të vitit 1989 Ibrahim Rugova edhe një herë merr pjesë në inicimin e një procesi me pasoja largëvajtëse, që do të përcaktojë fatin e tij, por edhe të Kosovës. Sërish pra ndodh një dhjetor dhe sërish një pjesë e ndikimit të "providencës" lidhet me idetë dhe veprimet që s'kishin të bëjnë me Rugovën, por me të tjerët, ku ratësisht e me pahirë edhe unë luajta një rol që në vorbullin historik të përfshihet kryetari i shkrimtarëve Ibrahim Rugovaj.

Më 1989, derisa në Kosovë ishin ngrirë proceset dhe Serbia po sundonte me regjim policor dhe masat vetëdorëzuese të organeve me autonomi formale që i kishin mbetur Kosovës, në pjesët tjera të Jugosllavisë, po thyhej me shpejtësi të madhe sistemi monist. Organizata e parë opozitare e quajtur Shoqata për Iniciativë Demokratike e Jugosllavisë, ku nga Kosova ndër themeluesit kemi marrë pjesë Muhamedin Kullashi dhe unë, dhe që angazhohej për vendosjen e sistemit pluripartiak në federatën jugosllave, kishte arritur që të trimërojë grupet e ndryshme në republikat jugosllave që të formojnë parti opozitare, kryesish nacionale (sllovene, serbe, kroate etj.). Meqë ne në Kosovë po vonoheshim në këto procese, nga vjeshta e vitit 1989, unë me disa bashkëmendimtarë kishim filluar përpjektjet që të themelojmë të paktën degën e organizatës më pak kontestuese, pra të asaj Iniciative, për të ngjallur edhe në Kosovë jetën politike dhe zyrtarizuar alternativat dhe opozitën regjimit serb. Dhe derisa ne po rekrutonim njerëz për inicijativën demokratike, diku në tetor të atii viti një grup shkrimtarësh (Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja etj.) na njohtuan se ata megjithatë më me qejf do të angazhoheshin në krijimin e një "partie tonë shqiptare", siç e quanin. Ramë dakord që nismat të bëhen paralelisht, sepse nëse partia nacionale nuk do të lejohej, ajo e iniciativës demokratike do të mund të merrte persipër që të ngjall jetën e ngulfatur politike në Kosovë. Dhe ne arritëm që me 9 dhjetor të themlojmë degën koosvare të Iniciativës jugosllave demokratike, ku lancuam një emër të ri, Veton Surroin.

Me rastin e krijimit të degës ndodhi një incident, i cili ndikoj që Rugova të kyçet në përgatitjet për krijimin e asaj partie tjetër, që do të quhet LDK. Ne kishim rezervuar dhe paguar një salë ku do të mbahej tubimi themelues, por për çdo eventualitet, pasi që i parandjenim pengesat, kishim marrë lejen e Ibrahim Rugovës, që nëse nuk do të na lejohej shfrytëzimi i sallës që kishium paguar, ta shfrytëzojmë selinë e Shoqatës së shkrimtarëve si vendtubim. Dhe ashtu edhe ndodhi. Sallën që kishuim paguar e gjetëm të mbyllur, dhe kaluam te shoqata ku na prsite Rugova.

Dy javë pas kësaj, pasi që nuk u ndalua Iniciativa demokratike, ishte paraparë edhe themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Buxhovi dhe organizatorët tjerë nga leksioni që ne e kishim marrë më herët me dyertë e mbyllura, ishin përcaktuar disa ditë para 23 dhjetorit që edhe mbledhje themltare e LDK-së të mbahet në selinë e Shoqatës së Shkrimtareve. Dhe kur vendosën për këtë nismëtarët u kujtuan që të pyesin Ibrahim Rugovën nëse edhe ai ka dëshirë të jetë ndër themeluesit e LDK-së, për çka më herët sikur nuk i kishte shkuar mendja. Rugova kishte thënë po.

Ndërkaq, nismëtarëve të LDK-së nbuk i ka shkuar as mendja se Rugova do të mund të ishte kandidat për kryetar. Ai do të propozohet ditën e fundit, praktikisht para fillimit të tubimit, pasi që të gjitha figurat tjera të mëdha (Rexhep Qosja, Fehmi Agani etj.) për arsye të ndryshme kishin refuzuar, ose janë treguar të rezervuar, që në ato rrethana të marrin përgjegjësinë e drejtimit të LDK-së. Dhe kur zgjedhja ishte ngushtuar në emrat e iniciatorëve të parë, konkretisht në Jusuf Buxhovin, dikush ishte përmendur se ai nuk do të ishte zgjedhje më e mirë dhe ka propozuar Ibrahim Rugovën si kryetar të përkohshëm, deri sa partia të mos stabilizohet. Dhe Rugova ishte përgjigjur me po.

Ata që kanë qenë të involvuar në propozimin dhe zgjedhjen e Rugovës (në tubimin themelues të LDK-së kanë marë pjesë rreth 30 veta) pohojnë se po-ja i tij është thënë disi babëlokçe, pa u menduar dhe u theluar shumë. Por ja që kjo po-ja do të dal një po historike.

Disa miq të mi, që atëherë më thoshim: çka do të kishte ndodhur me Kosovën nëse ti nuk do të kujtoheshe se në Prishtinë ekziston hapësira e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës? A do ta abortonte historia dhe providenca Rugovën si politikan, duke i dhënë shansin dikuj tjetër? Dhe cila do të ishte atëherë pasoja për lëvizjen çlirimtare?

Kjo për abortin prej shumë kohës ka mbetur shaka ndër miqtë e mi, që më konsiderojnë "fajtor" pa pandehje. Por tani që Rugova po i mbush 15 vjet të lindjes së tij politike, dhe kur ka gjasa që edhe të maturohet si kryetar i Kosovës së pavarur, po mendohem se mos fuqia e tij, dhe fati i tij, ka qenë në ate se në ato çaste historike ai megjithatë kishte qëlluar të jetë një zot i vogël, relativisht i lirë dhe i papenguar, ndër shkrimtarët. Ani pse me sjellje babëlokçe, ky zot i vogël i hapësire prej diku rreth 50 metrave katror, megjithatë mbante çelsat e të vetmit territor të lirë i Kosovës. Më vonë kemi kuptuar se në atë hapësirë ishte ndjellur njëri prej embrioneve të lirisë dhe pavarësisë. Por jo edhe i vetmi. Dhe jo edhe vendimtar.



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora