E premte, 29.03.2024, 09:44 AM (GMT)

Mendime

Blendi Salaj: Ora e Arbrit dhe "profetët" e zymtë

E enjte, 21.02.2008, 05:43 PM


Ora e Arbrit dhe "profetët" e zymtë

Nga Blendi Salaj 

Personalisht nuk kam qenë kurrë tepër i fiksuar pas mitit të Arbrit, në përfytyrimet fëmijnore të lashtësisë së kombit preferoja Ilirët. Arbrit më dukeshin si "underachievers", që nuk e mbështetën krenarinë me veprat. Me gjithë shkëlqimin vetëtitës të Gjergj Kastriotit, të izoluar në 25 vjet, periudha e Arbrit më dukej e vakët, dhe Arbëria e përçarë dhe e dobët,e pazonja t'u qëndronte osmanëve. Por po e quaj 17 Shkurtin "Ora e Arbrit" sepse po dua të shfaqem Tribal, e në qoftë kjo ndjenjë shenjë e pagdhendësisë, ashtu qoftë. Por them se të ngatërrosh civilizimin me sofizmat apo krenarinë kombëtare me tribalitetin, janë njësoj gabim. Po e quaj "Ora e Arbrit" sepse jam treguar i padrejtë me ta kur i kam vlerësuar aq dobët, sepse me gjithë humbjen e lavdisë së dikurshme, arbërit lanë pas diçka të mirë: shqiptarët, e një Zot e di sa krenar jam për këta të fundit. Sidomos për Kosovën jam krenar sot, që më në fund u shfaq në hartat e botës e na mallëngjeu sikur mallëngjehet ai që papritur dallon në një turmë fytyrën e motrës që e dinte të humbur.

Zotërinj analistë metropolitan, buzë Lanës… 100 vjet robëri zotërinj, 100 vjet ndarje ka vuajtur ky popull. Qindra-mijëra të vrarë, të internuar, të zhdukur, përdhunuar, sakatosur, degdisur. Me sytë nga Shqipnia Amë dhe me buzën e plasur nga ultra-nacionalizmi më djallëzor që mbahet mend, ky popull ka të drejtë sot të gëzojë, të kërcejë dhe të dehet po të dojë. Zotërinj, s'ju bëjnë gishtat të shkruani kështu? Shqetësimi juaj i molepsur me dëshirën për të qenë kontravercial shprehet më kollaj me një fjalë të vetme: Kontrapedal. Vallë, vërtetë ju duken tribalë dasmorët e Prishtinës? Gëzojnë tepër primitivisht? Mos harroni që ishin po këta, që ishin të parët që vuajtën atë që sot quhet "Pastrim Etnik", a harruat zotërinj se kjo shprehje u formulua pikërisht më 1998 për të shprehur atë që po ndodhte në Kosovë. S'mbahej mend kur kishte ndodhur diçka e tillë më parë, madje as fjalë për ta përshkruar nuk kishte, Kosovarët vuajtën "Ethnic Cleansing".

Këta që festojnë sot, që valëvisin flamujt e kuq të tribusë së Kastriotit, ishin ata që nën thikat e përgjakura të Millosheviçit i morën fëmijët në krahë dhe pleqtë në kurriz dhe kaptuan male për të shpëtuar jetën. Serbët ua grisnin Letërnjoftimet në kufi, dhe i përzunë nga votrat e tyre. As tribu nuk ishin më kur zbrisnin malet zbathur. Por qëlloi që gjysma tjetër e tribusë, megjithëse vuante orën e vet më të vështirë pas katastrofës së 1997, iu gjegj thirrjes, dhe at çapë bukë e ndau më dysh, e nën ato çati ku ishin katër u bënë tetë. Imagjino të mos ishim kaq tribalë, ndoshta do i kishim lënë shqiptarët e Kosovës përjashta, do ua vinim kufirin te thana, se ishim keq për vete. Apo jo?!

Le t'i ulim ushtat e Don Kishotit, e t'u japim ujë kuajve imagjinarë, relaksohuni. Mos u shqetësoni për ngjyrat e flamurit të shtetit të ri e aq më pak, mos guxoni të zbehni lavdinë e këtij momenti historik me ogure të liga. Në disa nga shkrimet që u shfaqën në shtyp nga analistët e metropolit që përshkruhet nga Lana, vihej re hem mosbesimi i thekshëm ndaj kapacitetit të shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar një shtet model dhe një demokraci solide, hem tendenca për ta zvogëluar rëndësinë e kësaj që u arrit më 17 Shkurt, duke e vlerësuar të pavërtetë Pavarësinë e Kosovës.

Ja si shkruan një nga këta analistë: "…Kosova nuk do të jetë defacto e pavarur), është megjithatë një shprehje e vullnetit europian për të mos lënë të tjerët (nënkupto: Rusinë) të futin hundët në punët e kontinentit të vjetër. Shqiptarët e Kosovës, ashtu si shqiptarët e Shqipërisë, madje më shumë se këta të fundit, janë të pastërvitur për të ndërtuar demokracinë e për të jetuar në demokraci. Shqiptarët e Kosovës dallohen qartazi për një mentalitet e qasje tribale në jetën e përditshme komunitare". ("Shqip" 19 shkurt 2008)

Dhe ja i dyti, po aq me emër: "…Nëse do të gjykojmë nga festimi i djeshëm, shqiptarët e Kosovës, nëse do të ishin vërtet të lirë, nuk do të pranonin flamurin me gjashtë yje, por, së bashku me shpalljen e Pavarësisë, do të shpalosnin në Parlament, flamurin kuq e zi. Dukej sheshit se qoftë flamuri që u shpalos, qoftë gjuha që përmbanin deklaratat e kryeministrit Thaçi dhe presidentit Sejdiu qenë në kontrast me gjuhën e festës së shqiptarëve jashtë Parlamentit. E kontradikta që buron nga ky kontrast, besoj se do të shënojë kapitujt e ardhshëm të historisë së Kosovës dhe jo vetëm". ("Përpjekja", 19 shkurt 2008)

Jeni shumë, shumë gabim!

A nuk ju duket pavend dhe pa argument teza e hedhur se Kosova do ta ketë të vështirë e thuajse të pamundur të formojë shtetin e vet demokratik? A nuk i ka dhënë provat disafish shoqëria kosovare që është një shoqëri e shëndetshme, që kërkon harmoni? Unë them po dhe po. Mjaft të kujtojmë si pas mbylljes me dhunë fizike por më tepër psikologjike të Universitetit të Prishtinës, arsimimi shqip vazhdoi, e odat u bënë klasa për studentët. Dija, zotërinj, është rrënja e Demokracisë, mos ia kini gajle Kosovës! Ajo po di me na trajnu ne të Shqipërisë në leksione Demokracie. Mendoni se në Kosovën e Pavarur do kishin shans për karrierë politike disa syresh që kanë bërë me kontrabandë nafte me Serbinë në kohë lufte, apo ata që ndoshta kanë pirë ndonjë xhin me Sllobodanin? Vështirë të ndodhë. Që nga nisja e rezistencës dhe kapitullimi i Millosheviçit, e gjatë 9 vjetëve shembullorë të arritjes së standardeve, 9 vjetët e bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm me ndërkombëtarët, ngritjes së shtetit nga rrënojat dhe hiri i luftës, besa e patjetërsueshme me amerikanët, tjetërsimi i tyre nga luftëtarë në udhëheqësa me popullin në mendje, e boll sende të tjera flasin se Lidershipi kosovar nuk është patetik si lidershipi i buzëlanës atje në Tiranën tash disi më provinciale. Udhëheqja kosovare është pragmatike, e kthjellët, patriote dhe energjike, e tillë që kontraston fort me Mumjet tona politike që na udhëheqin qorrsokaqeve.

Nëse ka ndonjë mësim për t'u marrë këtu, ne të Shqipnisë duhet të mbajmë shënim, së paku të nxëmë që ka ardhur Ora e Arbrit, më në fund. Faktori shqiptar u zgjerua, dhe bashkë me këtë lipset edhe një ribalancim i dinamikave ndërshqiptare në Ballkan. Liria që rrezaton nga Kosova duhet të pasqyrohet në Shqipëri. Nuk kemi pse t'u shesim mend shqiptarëve të Kosovës, çdo t'u mësojmë, ç'shembull do u japim? Nihilzmin tonë patetik se do njeri. Jemi ne ata që shpresoj do shkunden mirë nga Pavarësia e Kosovës, që ta hedhim dhe ne zgjedhën tonë. Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë duhet t'i përgjigjen Pavarësisë së Kosovës, duke bërë edhe ata një hap të rëndësishëm historik, t'i japin fund tranzicionit-gangrenë, që të mund të ngremë dhe ne të Shqipërisë kokën ca më lart e, mes vëllezërish të shihemi në sy.

Tani ka ardhur koha për të flakur psikologjitë e vjetra të nënvleftësimit të vetes, ka ardhur koha të çlirohemi nga komplekset që kemi se mos dukemi Tribalë. Ama shikoni ç'tribu e bukur jemi! Ca festuan me hundët të skuqura nga të ftohtët në Toronto, ca e skuqën "Times Square" në NY. E kush zemër shqiptare nuk u çua peshë, e cili sy nuk qau nga gëzimi? Urojini festën Kosovës, qeshni ca dreqi ta hajë. Se vetëm duke rënë rehat në lëkurën tonë, duke qenë të lirë, të bashkuar dhe me humor të mirë, do ta bëjmë Shqipërinë. Kini pakëz më shumë Besim tek shqiptarët zotërinj, dhe fare pakëz më shumë Respekt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora