Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Vatra Panshqiptare mbushë 100 vjetë

| E diele, 23.10.2011, 07:59 PM |


 

VATRA PANSHQIPTARE MBUSHË 100 VJETË

                           

Nga Frank Shkreli

 

Vatra Pan-shqiptare, e cila ç'prej fillimit të shekullit të kaluar ka qenë në krye të vemprimtarive për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe për lartësimin e emërit dhe të vlerave të kombit shqiptar, ka filluar të përgatitet për të festuar 100-vjetorin e themelimit të saj.  Në një editorial në faqen elektronike të gazetës Dielli njoftohen shqiptarët e Amerikës dhe ata anë e mbanë botës, se festa e 100-vjetorit ka filluar që tani dhe përfundon me 28 prill të vitit të ardhëshëm.  Ky përvjetor, përveçse të kujtojë arritjet e kaluara historike të saj, është një rast i mirë që të forcojë --Vatrën dhe organin e saj Dielli, ku së pari lëshuan rreze diellore me shkrimet e tyre Faik Konica dhe Fan Noli, por edhe shumë të tjerë pas tyre -- në një nivel të rëndësishëm të aktivitetit patriotik, politik e kulturor, që këjo organizatë e ka traditë historike, pa asnjë qëllim tjetër, përveç bashkimit të shqiptarëve dhe mbrojtjes së interesave të tyre, duke u bazuar në vlerat më të shëndosha të ndiesive vëllazërore të shqiptarëve.  Ky përvjetor paraqet gjithashtu një rast të shkëlqyeshëm që  Federata Pan-shqiptare e Amerikës, Vatra të forcojë edhe më shumë ndjenjat patriotike midis shqiptarëve të Amerikës dhe të tjerëve jashtë atdheut, dhe në të njëtën kohë të forcojë dhe të zgjërojë edhe lidhjet e shqiptarëve të Amerikës me Shqipërinë dhe Kosovën si edhe me të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan.  Editoriali i Diellit u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës që në këtë përvjetor të bashkohen rreth Vatrës, për ato që këjo organizatë ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke cituar Faik Konicën, mbi rëndësinë e veprimtarisë së saj historike: 

 

''Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e shkelur  nga ushtëri të huaja, kur shteti ishte përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit-VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit shqiptar, mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur.  Nuk kërkoi nderet, as të drejtat e Shtetit, por mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet.  Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan Misione, u subsidiuan agjencira, u kablluan mijëra protestime, dhe u organizua aq mirë mbrojtja e Shqipërisë sa Kryeministri i Greqisë Venizellos, tha në Konferencën e Paqës në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga VATRA e Amerikës.  Shuma e tërë harxheve të vënë nga Vatra në vend të shtetit që mungonte ishte 197.072.89’’, që po të kemi parasysh kohën për të cilën bëhet fjalë, shuma merr vlera të konsiderushme.  Përvec kësaj shume, Vatra zëvëndësoi arkën bosh të Qeverisë më 1921-22, kur organizoi Huanë Kombëtare, ku sërish mblodhi mijëra dollare dhe nxori shtetin nga falimentimi’’. (Faik Konica)

 

Të vjetrit, që kanë mbetur shumë pak në numër, mbajnë mend veprimtarinë historike të Vatrës gjatë shekullit të kaluar, e të rinjtë ndoshta lexojnë librat e historisë mbi figura të larta të Vatrës si Noli e Konica, por gjatë 100-vjetëve të kaluar, Vatra ka patur me mijëra anëtarë brezash të ndryshëm shqiptaro-amerikanësh, të cilët me mundin, pendën dhe djersën e tyre i kanë qitë nam emërit  shqiptar dhe patriotizmit. 

 

100-vjetori i Vatrës më kujton dy përvjetorë të shekullit të kaluar kurë Vatra e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me Arbëreshët e Italisë festuan 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skendërbe në Itali më 1968 dhe 60-vjetorin e gazetës Dielli më 1969 në Amerikë.  Pasi nuk kishte lidhje me Shqipërinë komuniste për shkak të vet-izolimit të saj nga bota dhe as me shqiptarë nga viset e tjera në Ballkan, këto dy pëvjetorë, Vatra i përdori simbolikisht për bashkimin e atyre shqiptarëve që mund të bashkoheshin për të festuar së bashku – d.m.th. mërgatën e vjetër të Arbëreshve të Italisë dhe mërgimtarët shqiptarë që ishin detyruar të largoheshin nga atdheu ç’prej fillimit të shekullit të kaluar. Për kremtimin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit- Skendërbe – Vatra pat  mbledhur përfaqsues të shqiptarëve të Amerikës dhe Arbëreshëve të Italisë për të kujtuar Prisjin i cili realizoi bashkimin e bijve të Shqipes, pa marrë parasyshë krahinat ose fetë.

 

Duke shkruar për praninë e Vatranëve në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së fatosit kombëtar, Gjergj Kastriotit, më 1968 në Romë, Ernest Koliqi flet ‘’për Shoqatën e mirënjohur që aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të atdheut dhe sot mban zanin e Shqipnisë në botën perendimore.’’   Siç duket i emocionuar nga pjesmarrja e Vatranëve në festimet kastriotjane në Romë, të cilëve Koliqi u referohet si ‘’një tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhur’’, ai shkruan se ‘’Hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vrejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, që në këto kohna të turbullta të sotme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen’’, vazhdon Ernest Koliqi,  ‘’se drita e agimeve të Rilindjes ato ditë do reshte mbi Bashkimin e Arbëreshëve me Shqiptarë, e bashkë me atë dritë edhe  rrezja e bekimit të Perendisë.’’   

 

Nje vit më vonë, më 1969 në Boston Vatra feston 60-vjetorin e gazetës Dielli dhe për këtë rast pat ftuar përfaqsuesë të Arbëreshve për të marrë pjesë në ato celebrime, në qytetin ku lindi Vatra e ku më së pari filloi veprimtaria e saj patriotike. U organizuan seminare dhe u mbajtën fjalime nga më të dalluarit e mërgatës arbëreshe dhe shqiptaro-amerikane, përfshirë edhe Hasan Dostin, diplomat e historian i shquar, i cili duke folur për Vatrën dhe Diellin tha: ‘’Bostoni, Vatra, Kathedralja e Shën Gjergjit do të mund të bëhen epiqendra nga e cila do të mund të dalin valët e nxehta të zjarrit të Vatrës, rrezet e dritës së Diellit dhe jehonat e psalmeve të kishës, për të mbajtur gjallë shpirtin kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.’’

 

Megjithëse organizime të tilla janë shumë të vështira, jam i sigurt se si atëherë kur Vatra bashkoi Shqiptarët e Italisë dhe ata të Amerikës, edhe ky 100-vjetor do të shërbejë si një manifestim bashkimi , jo vetëm midis shqiptarëve të Amerikës, por edhe të atyre në Shqiperi, Kosovë e gjetkë -- në frymën dhe traditën e vjetër të parimeve të themeluesve të kësaj organizate zëmadhe, pasi besoj se Vatra ka gjithnjë shumë për t’i ofruar komunitetit shqiptaro-amerikan dhe interesave të kombit.

 

Ndërsa përgatiten për  festimin e 100-vjetorit të themelimit të Vatrës, kryesia dhe antarët e Vatrës meritojnë përgëzimet e të gjithë shqiptarëve kudo, për marrjen e vendimit për të festuar këtë përvjetor,  një nismë këjo jo e lehtë – dhe duhet të kenë urimet tona më të përzemërta që të dalin me sukses dhe faqebardhë, pasi jam i sigurt se Vatra besnike e traditës së Nolit e Konicës do të vazhdojë veprat e mbara edhe për 100 vjetë të tjera, për një jetë dhe fat më të mire për kombin shqiptar.