E enjte, 28.03.2024, 09:48 PM (GMT)

Mendime

Blendi Kajsiu: Pavarësia e Kosovës, një shans i humbur

E enjte, 21.02.2008, 04:35 PM


Pavarësia e Kosovës, një shans i humbur

Nga Blendi Kajsiu

Pritej që pavarësia e Kosovës të zgjonte një valë intensive nacionalizmi në të gjitha hapësirat shqiptare. Madje, edhe tek elita publike e Tiranës, që në përgjithësi nuk shquhet për nacionalizëm aq sa për pragmatizmin e saj të pakufizuar nga parime të veçanta Që dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte plot entuziazëm dhe hare, është më se normale. Çdo popull ka të drejtë të festojë pavarësinë e tij. Një ditë e tillë do stimulonte ndjenja patriotike edhe tek ata qytetarë, përditshmëria e të cilëve nuk ngjyroset nga shqetësime kombëtare.  Po ky mund të ishte një patriotizëm apo nacionalizëm ndryshe nga nacionalizmi agresiv dhe deformues serb. Por kjo nuk ndodhi...
Nacionalizmi shqiptar në këtë ditë u shfaq me të njëjtat tipare si çdo nacionalizëm tjetër agresiv ballkanik. Madje, me të njëjtin ligjërim dhe me koncepte identike si ato të nacionalizmit serb, ndonëse të kthyera kokëposhtë. Historia u thjeshtua deri në deformim, e kaluara u homogjenizua, urrejtja ndaj pushtuesit apo armikut u theksua për të krijuar ndjenjën e komunitetit kombëtar.  U theksua e kaluara e largët dhe padrejtësitë historike, dhe një sërë elementesh shpesh kontradiktorë, si viktimizimi heroik, ndryshe martirizimi. Të gjitha këto janë tiparet tipike të nacionalizmit aktual serb, nga i cili ka vuajtur aq shumë Kosova dhe që ka bllokuar dhe po bllokon edhe vetë Serbinë. Po le t’i shohim një nga një të gjitha elementët e mësipërm.
Së pari, u tha që shqiptarët kanë 500, madje kryeministri e bëri 600 vjet që presin për këtë ditë. Të tjerë thanë se pavarësia e Kosovës është pritur prej shumë e shumë brezave.  Ndërkohë që vetë pavarësia e Shqipërisë akoma nuk ka mbushur 100 vjet, pra më pak se tri breza. Të mendosh se shqiptarët kanë shpresuar për pavarësinë e Kosovës edhe përpara se të shpallej pavarësia e Shqipërisë, apo prej 500 vitesh, do të thotë të identifikosh një aspiratë kombëtare përpara ekzistencës së vetë kombit. Por natyrisht këto janë deklarata pa doganë, që nuk kanë lidhje me historinë sesa me politikën. Si të tilla ato edhe mund të kuptohen kur thuhen nga politikanët, por janë shqetësuese kur përqafohen edhe nga intelektualët apo historianët, siç ndodhi dikur me akademinë serbe.
Logjika apo deformimi i mësipërm historik është tipik për nacionalizmin serb. Teksa kryeministri ynë thoshte se shqiptarët kanë 600 vjet që presin këtë ditë, nga ana tjetër e urës së Mitrovicës një protestues serb deklaronte se Serbia ka 500 vjet që pret ditën kur Kosova do të bëhet pjesë e territorit serb.   Ndërsa në 1989, Millosheviçi u kujtonte serbëve betejën e Fushë Kosovës në vitin 1389. Natyrisht që të gjithë ia fusin kot. Por mund të shpresonim që të paktën ne shqiptarët të kishim mësuar nga budallallëku serb në lidhje me historinë e largët.  Paqartësitë e së tashmes nuk mund të zgjidhen nëpërmjet deformimit të së kaluarës. 
Por mund të faleshin deri diku deformimet e të kaluarës së largët, se në fund të fundit kujtesa të tradhton lehtësisht.  Ama homogjenizimi dhe për pasojë deformimi i të kaluarës së afërt është akoma më shqetësues. Ndër gazetat kryesore të Kosovës, shkruhej ’Fuck Yugoslavia’ dhe vendoseshin njësoj si Tito si Miloshevici. Pra, si periudha e viteve 1970, kur Kosova fiton autonomi të zgjeruar, kushtetutën e 1974, Universitetin e Prishtinës, televizion kombëtar, dhe si periudha e viteve 1990 kur Kosova humbet autonominë, televizionin dhe universitetin vendosen në të njëjtën fashë historike. Ne të Shqipërisë prodhuam konceptin homogjen ’50 vjet komunizëm’, në Kosovë po prodhohet koncepti homogjen ’50 vjet Jugosllavizëm’.
Nuk është e thënë që kosovarët të mësonin nga ne, por shumë lehtë mund të mësonin nga gabimet e serbëve në këtë drejtim.  Shkatërrimi i vetë Serbisë filloi duke anatemuar dhe akuzuar Titon dhe Jugosllavinë. Intelektualët nacionalistë serbë e shikonin Jugosllavinë si një federatë që i kish marrë frymën aspiratave të kombit serb. Pak rëndësi kish atëherë dhe tani se Serbia dhe populli i saj nuk kanë qenë dhe vështirë se do jenë ndonjëherë më të përmbushur kombëtarisht sesa ishin në Jugosllavinë e Titos. Apo se nën Millosheviçin serbët ishin ku e ku më të rraskapitur se nën Titon. Natyrisht e njëjta logjikë nuk vlen njësoj për Kosovën, shqiptarët nën Titon nuk kishin të njëjtat privilegje dhe mundësi si Serbët. Por kjo nuk do të thotë se Jugosllavia e Titos duhet nxirë në të njëjtën farë feja si periudha e masakrave dhe e gjenocidit të Millosheviçit. Kjo thjesht nxin periudha të së kaluarës që mund të shërbejnë si ura për të ardhmen.  E njëjta logjikë dhe gjuhë, të njëjtat koncepte që shqiptarët përdorin sot u përdorën dje nga serbët për të kryer gjenocid dhe pastrim etnik ndaj shqiptarëve. Sot shqiptarët flasin për vendosjen në vend të një padrejtësie historike të kryer 100 apo 500 vjet më parë. Dje serbët nën udhëheqjen e Millosheviçit flisnin për padrejtësitë historike ndaj kombit serb. Edhe sot serbët e shohin pavarësinë e Kosovës si një padrejtësi historike ndaj kombit të tyre. Sot shqiptarët flasin për Kosovën martire dhe martirizimin e saj. Dje, sot dhe gjithë ditën serbët flasin për viktimizimin apo martirizimin e Serbisë përballë padrejtësive globale. Mjafton të shkosh njëherë në Beograd dhe në çdo bisedë, restorant apo kafene mund ta prekësh me dorë ndjenjën e viktimizimit. Një ndjenjë në emër të së cilës janë kryer shumë krime.
Ky paralelizëm nuk fsheh aspak faktin që kosovarët u masakruan dhe diskriminuan nga nacionalizmi serb. Nuk ka asnjë pikë dyshimi që në raport me Serbinë ata ishin viktima dhe jo dhunuesi edhe për faktin e thjeshtë sepse ishin të pafuqishëm.  Ama të shqetëson fakti që ditën kur Kosova po del një herë e mirë nga statusi i viktimës, duke fituar pavarësinë e saj, shqiptarët përdorin të njëjtën logjikë dhe aparat konceptual nga i cili kanë vuajtur kaq shumë. Të krijohet përshtypja se lëvizja paqësore e rezistencës aq mençurisht e udhëhequr nga Rugova, më shumë sesa vlerat e paqes dhe humanizmit paska pasur si burim thjesht pafuqinë ushtarake dhe shtetërore të shqiptarëve ndaj aparatit represiv serb. Pra kur edhe ne kemi të njëjtën fuqi edhe ne përdorim të njëjtat mjete dhe i themi ‘Fuck You!’ një Serbie të pafuqishme.
Nuk kish dhe nuk ka përse të ndodhë kështu. Një nacionalizëm ndryshe është i mundur dhe akoma më i vërtetë sesa nacionalizmi bajat i të drejtave historike që merren aq shumë me të kaluarën saqë harrojnë të tashmen. Një nacionalizëm që bazohet tek vlerat e paqes dhe jo të agresivitetit. Ajo që e veçoi Kosovën në një rajon të përgjakshëm ishte lëvizja gandiste e udhëhequr nga Rugova. Një lëvizje e tillë nuk duhet parë thjesht si një zgjedhje strategjike, por si një burim vlerash. Ajo ofron një alternativë shumë më të mirë sesa nacionalizmi agresiv.  Kosova nuk u pavarësua për të vënë në vend ndonjë të padrejtësi historike. Pavarësia e Kosovës nuk ka të bëjë as më të Drejtën Ndërkombëtare, përndryshe ajo do ishte akoma nën Serbi.  Pavarësia e Kosovës ka të bëjë me të drejtat e njeriut, e individit, me dinjitetin njerëzor. Janë pikërisht këto vlera që Serbia i dhunoi në emër të së drejtës historike të kombit serb, në emër të së kaluarës 700-vjeçare, përballë ‘rrezikut shqiptar’.  Ato as mund të ruhen dhe as mund të kultivohen me të njëjtat koncepte nga shqiptarët. Prandaj dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte një shans i humbur për një nacionalizëm ndryshe. Një shans i humbur për të reflektuar mbi një dekadë gjakderdhjesh në shpërbërjen e Jugosllavisë. Për ta parë në sy kompleksitetin e situatës pa e mohuar apo deformuar të kaluarën. Pa i fryrë legjendave të nacionalizmit. Por edhe pa i bërë fresk pikëpamjeve raciste dhe shoviniste të tipit ’shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese’ apo ’kultura shqiptare është anti-demokratike’. Këto janë thjesht paragjykime që në mungesë të aftësisë, dëshirës apo vullnetit për të analizuar një realitet kompleks e veshin historinë, karakterin apo kulturën shqiptare me një esencë të pandryshueshme që në fakt nuk ekziston. Si njëra ashtu edhe tjetra janë qasje që e thjeshtojnë një realitet kompleks deri në banalitet. Kështu prodhohet një lloj nacionalizmi që në vend të mundësive dhe zgjidhjeve prodhon dogma.
Megjithatë ka akoma kohë. Kohë ka gjithmonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora