Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Prishtina duhet të mendojë zgjidhje"

| E shtune, 22.10.2011, 04:39 PM |


Nikolaus kont Lambsdorff, i ngarkuar për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Gjermane, mbi keqpërdorimin e vizave dhe zgjidhjen për veriun e Kosovës.

 

Spasovska: Qëkurse në disa vende të Ballkanit Perëndimor është futur liria e vizave, ose janë liberalizuar vizat, ka pasur keqpërdorim. Shumë vende të BE-së janë ankuar për këtë. Çfarë besoni se duhet të ndodhë, në mënyrë që të mos vijë deri te një marrje mbrapsht e këtij liberalizimi?

Lambsdorff: Është e drejtë që pas futjes së liberalizimit të vizave nga disa vende të Ballkanit Perëndimor është rritur pjesërisht hovshëm numri i kërkesave për azil. Këtu bëjnë pjesë për shembull kërkesat për azil të shtetasve serbë, jo vetëm në Gjermani, po edhe në shtete të tjera anëtare të BE-së. Ne, ashtu si qeveritë e tjera, u kemi thënë fare qartë vendeve të prekura (qeverisë në Beograd, por edhe në kryeqytete të tjera) që kjo duhet të ndryshojë, që ata mbajnë përgjegjësi për moskeqpërdorimin e liberalizimit të vizave. Më pas shifrat (unë njoh së paku shifrat gjermane) kanë rënë. Ne vazhdojmë ta vrojtojmë këtë. Natyrisht te ne këtë e bën ministria përgjegjëse, Ministria e Brendshme, por ne nuk shohim arsye a bile domosdoshmëri për të ndryshuar diçka në liberalizimin ekzistues të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Spasovska: Çfarë duhet të ndërmarrin shtetet, në mënyrë që të mos ndodhë më ky keqpërdorim?

Lambsdorff: Kjo nuk është shumë e thjeshtë, sepse natyrisht asnjë shtet nuk mund t'ua ndalojë shtetasve të tij daljen jashtë, kjo edhe për arsyen se ekziston liberalizimi i vizave, pra udhëtim vërtet i lirë, dhe është shumë e vështirë t'i kontrollosh udhëtime të tilla. Megjithatë, shtetasve mund t'u bëhet e qartë se çfarë pasojash ka keqpërdorimi i vizave dhe për këtë përpiqen të gjitha qeveritë e prekura, sipas mundësive.

Spasovska: Do të thotë të mprehësh vetëdijen publike, që në rast se do të vazhdojë të ketë keqpërdorim në përmasa të mëdha, kjo do të jetë e dëmshme edhe për procesin e integrimit.

Lambsdorff: Pikërisht kështu. E kam përjetuar vetë se sa nervoze ishte qeveria serbe, kur u shfaq ky problem. Ne nuk patëm nevojë t'i shpjegonim qeverisë serbe se ç'pasoja mund të kishte kjo, se sa negative është. Dhe ata u përkujdesën vërtet me të gjitha mjetet, që kanë në dispozicion, që të kryenin punë sqaruese dhe t'u shpjegonin shtetasve të tyre, se keqpërdorimi i vizave është i dëmshëm për të gjithë.

Spasovska: Kjo ngjet në një kohë, kur Ballkani Perëndimor e ka një problem të caktuar me vazhdimin e krizës financiare të BE-së. Veçanërisht Greqia hedh hije edhe mbi vendet e tjera. Numri i euro-skeptikëve dhe kundërshtarëve të integrimit më duket se po rritet kohët e fundit për shkak të faktit se druhet që vendet më të varfra mund t'i vënë vendet më të pasura më shumë para përgjegjësisë, dhe veriut të pasur t'i duhet të paguajë edhe kacidhen e fundit. Çfarë duhet të ndodhë nga këndvështrimi i qeverisë gjermane, që procesi i integrimit në BE megjithatë të mos rrezikohet?

Lambsdorff: Mund të jetë kështu. Tani kjo quhet 'euro-skepticizëm'. Më kujtohen situata të ngjashme, njëherë quhej 'euro-sklerozë'. Me sa duket kjo shfaqet vazhdimisht. Dhe me të vërtetë, është e saktë: Të bërët anëtar në Bashkimin Evropian nuk është thjeshtësuar. Pyetja e duhur është (ju e bëni atë gjithashtu): Kush duhet të bëjë çfarë? Përgjigjja nuk është aq e vështirë. Para pak ditësh u publikuan raportet e progresit të Komisionit Evropian për çdo vend kandidat, ose kandidat të mundshëm, si për shembull për Serbinë. Këto janë përshkrime shumë të detajuara, të hollësishme, jo vetëm të gjendjes, po edhe të asaj çka duhet bërë. Çdo qeverie të prekur dhe të interesuar vetëm mund t'i rekomandohet që t'i lexojë këto raporte progresi sa më mirë dhe më pas, natyrisht për sa kjo është e mundshme, të përpiqen të vënë në jetë politikisht atë, që kërkohet atje. Pra, këto janë detyra për qeveritë, edhe për parlamentet e këtyre qeverive; ka shumë punë për të bërë!

Spasovska: Serbia ka edhe më tej problemin, që çështja e Kosovës mbetet ende e pazgjidhur. Megjithëse tani në moment nuk shtihet më, para disa javësh ka pasur probleme në kontrollet kufitare. Nga perspektiva tuaj, çfarë duhet të ndërmarrin Beogradi dhe Prishtina, në mënyrë që ky konflikt të mos mbetet një konflikt i ngrirë?

Lambsdorff: Edhe në lidhje me këtë ka në dy raportet e progresit (në atë për Prishtinën dhe në atë për Beogradin) përshkrime mjaft të sakta se ç'duhet bërë. Fillojmë me Kosovën: Prishtina duhet të mendohet se si ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës, si pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, siç e kemi njohur ne. Do të thotë, duhet të vijnë propozime, se si gjehen rregulla mundësisht të pajtueshme për administrimin e këtij sektori.

Kushdo e di që ndërkohë atje jetojnë pothuajse vetëm serbë dhe jo shqiptarë të Kosovës. Nga ky këndvështrim, është një rast i veçantë. Nuk mjafton thjesht të thuhet, kjo është pjesë e territorit tonë, të tjerat rregullohen. Të tjerat nuk janë rregulluar në dhjetë vitet e fundit. Është një problem ende për t'u zgjidhur, për zgjidhjen e të cilit duhet të kontribuojë edhe Beogradi. Këto janë kushte të qarta para se Serbia të mund të bëhet siç shpresohet në dhjetor kandidat për anëtarësim. Pra, javët e ardhshme do të vendosin për këtë.

Spasovska: Mirëpo në medie është shfaqur disa herë, që nën zë në Beograd mund të përfytyrojnë edhe një zgjidhje, që mund të çonte në ndarjen e Kosovës: Për bashkimin e njërës pjesë të Kosovës me Shqipërinë dhe bashkimin e veriut të Kosovës Serbisë. Për mendimin tuaj, a merret edhe kjo parasysh si opsion?

Lambsdorff: Kjo nuk merret as si opsion dhe as përndryshe parasysh. Dhe këtë Beogradi e di fare mirë. Është e saktë, që prej fillimit, pra që prej 1999-s, Serbia përpiqet të mbajë në fuqi opsionin e ndarjes. Për ne kufijtë në Ballkan janë vendosur përfundimisht. Kjo lidhet gjithashtu e veçanërisht me kufijtë e Republikës së Kosovës. Ndarja e Republikës së Kosovës nuk është e mundshme.

Autor: Verica Spasovska/EA

Redaktoi: AV

DW- Për ZSH: Tahir Shabani