Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Buka e huej...!

| E enjte, 20.10.2011, 07:59 PM |


BUKA E HUEJ…!

-Cikël me 15 vjersha, me temë- emigracionin-

 

Nga Zeqir Lushaj

 

1. HYRJE PER KETE CIKEL

-Ose, Ditar…, i shumë ditëve-

 

…!

Nuk kaloj aq keq ,

Sa per t’u mëshirue,

Por, havalja-merzi ,

Më mundon, jo pak !

 

M’i flladitë plagët ,

Gurra popullore :

“Nuk mësohet me gjua ,

…Zagari plak !”                *

./.

*Fjalë e urtë, nga Malësia e Madhe e Mbishkodrës

--------------------------------------

2. GRANICA DO TE THEHET

-Në bisedë rreth emigracionit në Kosovë-

 

Profeci…, e rreth viteve -80-të,

(80-të e shekullit të shkuar!)

Atij burri, i peshonte fjala,

Ndjej detyrë, ta lë të shkruar:

 

-Se po shihni gja të re, nëpër Botë,

Të merrni rrugë, djem, nuk ju këshilloj,

Edhe po të jenë kufinjtë e hapur,

Si katundi yt, krejt Bota asht njësoj!!

…!

Kudo, ka punëtorë dhe dembelë,

Kudo, do të hasni besnikë dhe kusarë,

Gjithkund, do gjeni pasanikë e të varfër,

Trima-Heronj, e rrugaçë–zagarë!

 

Lëvizja asht jetë, e syni e rrok Botën,

Fati asht bixhoz, (si një letër me birë),

Për rrugë të largët, të nis veç halli!

Larg varreve tua, zor, do ndjehesh mirë.

 

E di se një ditë, granica do të thehet,

(Vatha e mbyllur, i cofë, edhe bagëtitë),

“Çobanin e mirë”, e paçi me vete,

Sa ma larg…, ma fort t’i hapni sytë!!

./.

--------------------------

3. DY KOHËT E HARAMIT

 

- KOHA E PARË : Bariu i lopëve -

 

Më gjej një haram, të më ruaj lopët,

I tha miku-mikut, duke qar hall.

–Pse thua haram, or lum miku?

Do ta gjejë, për besë një hallall.

 

–Shumë falemnderit, or dashamir,

Por, ta përsëris: –E dua haram!

Po të jetë hallall, ruan loptë e veta,

Nuk ruan loptë e mia, Ai-hajvan!

 

- KOHA E DYTË : Gurbetqari –

 

Që në fëmijëri, kisha dëgjuar,

Mundimqarin, gjë në dritë nuk qet!

E quanin “gurbetqar”, fatziun,

Pa qenë kurr, i varfëri në gurbet .

 

Ja sot, Unë jam ai gurbetqari,

Që punoj err e terr, pa pushim,

Bekuar qoftë fjalë e të parëve:

– Gurbetqari, kurr nuk ka fitim!

./.

-------------------------

4. E MIRA E TË KEQES

 

Mërgimi, mërgimi i largët o vëlla,

Ta zhbiriloka shpirtin si me burgi,

Ashtu si gjaku nga mishi që pritet,

Shpirti i plasur rrjedhë në vjershëri.

 

E mira dhe e keq-ja, thonë, janë motra,

Këtë fjalë të vjetër, e provoj edhe sot,

Malli e dhimbja – ditari i mërgimit,

Me bojë në letër, në zemër me lotë.

 

Në rrugën e gurbetit, nuk ka gjë të mirë,

Kjo është e sigurtë, si dita e vdekjes,

Sado pak vlera që të kenë këto vjersha,

Janë një e mirë, që erdhi prej të keqes!!

./.

---------------------------

5. SONTE MARTOHET DJALI I HALITIT

 

- Fletë ditari, me 6 Shkurt 2000 -

 

Me Halitin (djathtas)

 

Sonte martohet djali i Halitit,

Djali i vetëm i shokut tim,

Amerika, sonte, nuk më vlen asgja,

Tjetër kund do të ishte vendi im!

* * *

Eci i vetëm nëpër borën e Nju-Xhersit,

Shpirtërisht, jam në Hotel “Dajti” në Tiranë,

Edhe këtë natë gëzimi e kaloj në mërzi,

Në këtë pikë të globit, në tjetrën anë.

 

Ja, ky është gurbeti, vëllezërit e mi,

(Ditët e gëzimit i këthen në pikllim),

Të uroj, nga larg o Halit Gjeci,               1)

– Visi me nusen, paçin trashëgim!

./.

1.Halit Gjeci, gjeneral i ushtrisë, mik i autorit

-------------------------------

6. GURBETIT

 

Gurbet,

Kush të shpiki?

Që, na re’ për hise,

Edhe ne’ ?

…!

Me siguri,

Njerëzit, pa atdhe’!

./.

------------------------

7. MË PYETI NJË VAJZË

 

Në parkun, tek stolat, buzë pishinës,

Ku, Unë, shpeshherë ulem e rri,

Një ditë, më pyeti, për një adresë,

Një bjonde simpatike, në një xhip të ri.

 

Do të më falësh, o vajzë bukuroshe,

Për pyetjen tuaj, nuk ju ndihmoj dot,

Jetoj në anën tjetër të kësaj bote,

Jo këtu, ku po më shihni sot!

 

Qeshi me gjithë shpirt ajo vajzë e re,

Shkeli gazin, e m’u afrua ma ngat,

– Bukur, të jetosh në dy kontinente,

Qenke burrë i mirë: – Paç fat!

 

Nga dera e makinës, ku ish zgjatur,

Dalëngadalë, e rriti shpejtësinë,

Tek kthesa e rrugës, në fund të parkut,

Me përshëndeti, me dorën mbi gabinë.

./.

----------------------

8. NJË VARR MË SHUMË

 

- Epitaf për emigrantët -

 

Dy herë e dhimshme,

Vdekja e emigrantit.

 

Asgjë,

Nuk mund ta ndali dakikën.

 

Për vendlindjen,

Një Njeri më pak,

 

Një varr më shumë,

Për Amerikën!

./.

------------------------

9. PSE DREQIN KËSHTU ?!

 

Kur të them, në anglisht, se,

-Je një femër shumë e bukur,

Ti, krejt shkrihesh në gaz,

E lumturuar, harlisesh si flutur.

 

Kur të njëjtat fjalë,

T’i them në shqip,

Mrrolesh, si Baba Tomorri,

Dhe ikën me vërtik!

…!

Ngelem, i çuditur!

Edhe i fyer, deri diku…,

 

Pse dreqin,

Kështu!!?

./.

----------------------

10. GOTA E MËRGIMTARIT

 

 

 

Në kohën e re, e,

Në kohën e vjetër,

Një gotë, (plus),

Në sofrën e shqiptarit.

 

Më parë, ruhej,

Për udhëtarin e pastrehë,

Sot, le të jetë

– Gotë e mërgimtarit!

 

Në gëzime e hidhërime,

Sot, në çdo vatër,

Dikush i familjes,

Sigurisht,

Që mungon!

 

Një gotë e mbushur,

Që rri në heshtje, (!!),

Është portë e hapur,

…Portë, që shpreson !

./.

------------------------

11. KAM DURUAR FYERJEN

-Ose…, fjala, ma e randë se plumbi –

 

Më shani, si të doni,

Me Nanë e me Babë !

Me të parë e ,

Me të mbram !

 

Ç’farë të ju vijë ,

Për goje !

Ma leshoni ,

Bashkë me pështymën ,

Mbi fytyrë!

 

Ini të falur, nga Unë ,

Ini njerëz të lirë !

…!

…As, nuk do të skuqem,

As, do të zverdhem!

Hiç, nga vendi,

Nuk do të luaj.

 

Mund të më pyesi:

Lexuesi im:

-Pse kështu, more Burrë?

 

I pergjigjem:

-Kam  mujt të duroj ,

Fyerjen e fyerjeve,

 

Fjalën ma të randë,

(Ma të randë se plumbi),

Pesha e Gurit në qafë,

 

Kam gëlltitur,

Symbyllurazi (!),

“E kam hangër me bukë e djath”,

 

Preferencën  (idiote):

-Emigrim…, Gurbet…,

Shumë ma tepër se, një gafë !

 

Zoti të më fali:

Kam duruar …,

Fjalën - sfidë:

-…I  HUUUAJ !!

 

Ndaj,…, ma,

(Kurrë-ma!)

Nuk fyhem ,

As…, nuk vuaj!!!

…!

./.

------------------------

12. A NDRROHEM?

 

Jo rrallë, në Shqipëri,

Në pushime,

Me miqtë, tek baj muhabet,

 

Si gjuha,

Në dhëmbin e prishur,

Tema…, vjen në gurbet!

 

Unë, ju flas, pak ashpër!

– Ja, (diçka),

Si në librat e mi!

 

Disa (humorista), më thonë:

– A ndrrohem?

 

-Ne, po shkojmë atje,

E, Ti,

Hajde në Shqipëri!!

* * *

Shmoj!…, me dhimbje!

Si një tullë, nga taraca,

Kjo fjalë me bjen!

 

– Të shkretët, – nuk dijnë gja!

E kaloj me buzëqeshje (të shtirur!),

…Përgjigje, nuk ju kthej!!

./.

----------------------

13. BOTA - NJËSOJ

 

Ja, kjo qenka edhe Amerika!

Male, fusha, pallate, qiell dhe tokë…,

Njerëz dhe makina të çdo kalibri,

Njësoj, si kudo tjetër nëpër botë.

 

Një grup të kamurish i japin emër shtetit,

(Ka njerëz të pasur, që se dijnë sa kanë!)

Mes ankthit të drogës, alkoholit, duhanit…,

Shumë milionë, të varfër, në kufirin fatal.

 

Ka njerëz me kulturë, globin zhbirilojnë,

Ka injorantë që të mërzisin jetën,

Të gjithë llogoriten të lirë, në këtë botë,

Sa shumëngjyrëshe, shohim të vërtetën.

 

Për disa gjëra ky vend, quhet si ma i miri,

Edhe Zot shtëpie, mund të bahet musafiri!,

Edhe të paudhit, i duket se, e gjen vendin,

Vota e pederastëve, e rrezon Presidentin!!

 

Ndaj, mos u lodhni shumë, o njerëz!

(Atë, që ndjej në zemër ju këshilloj),

“Një okë e pesë, një okë pa pesë”,

Bota, kudo qenka njësoj!

./.

------------------------

14. TELLALL (PA PAGESË)

(…ose : “Dreqi, ta ditët për nder”)

 

Heeej,

Ndigjomëni…, ooo, milet! !,

 

– Ju flet, një i hupun!

Një pykë në diell!

Një emigrant, nga Amerika!!

 

Kush nuk e din se,

Është më mirë:

-“Pak”! , -por, e jotja,

 

Se sa:

-“shumë”…, e botës,

-…I raaaftë, piiika!!

./.

-------------------------

15. MBYLLJE PER CIKLIN

 

As se si…, jo!

Vendi yt, nuk shahet:

 

-Buka e huej…,

(një ditë), nuk hahet.

./.