E enjte, 25.04.2024, 10:39 PM (GMT+1)

Faleminderit

Pjetër Logoreci: Kolë Rrota - Zbulohet jeta e panjohur në Vjenë e patriotit shqiptar

E merkure, 19.10.2011, 07:58 PM


Kolë Rrota: Zbulohet jeta e panjohur në Vjenë e patriotit shqiptar

 

Nga Pjetër Logoreci

 

Ndër ditët e tetorit 2010, kur unë isha i angazhuem me nxjerrjen e eshtnave të Imzot Nikollë Kacorrit, në Zentralfriedhof Vjenë (varrezën qendrore të Vjenës), u ndesha për herë të parë me disa dokumente, të cilat me ngjallën kureshtjen për të kërkue ma shumë. Ndër regjistrat e inventarit të varrezës, gjindej dokumenti i pagesës së taksës së varrit të Imzot Kacorrit.

Sipas ligjit të vendit, në Austri, për çdo varrezë duhet pague detyrimi i qirasë së tokës pranë administratës së varrezave, përndryshe trualli i varrit u jepet i lirë në përdorim, me qira personave të tjerë për varrosje. Për 20 vjet, këtë detyrimin për varrezën e atdhetarit shqiptar dom Nikollë Kacorri e kishte pague (sipas dokumentave origjinal që gjinden në arkivën e varrezave të Vjenës), me datën 31 Maj 1917, Nikolaus Rotta, profesor i gjuhës shqipe në Vjenë, i cili kishte nënshkrue kontratën për të pague shumën mujore prej 100 Krone-sh. Ky akt i madh njerëzor e patriotik më nxiti të baj kërkime të matejshme për të gjetë se kush ishte Nikolaus Rotta e për ta njoftë ma mirë atë.

Prof. Nikolaus Rotta ose Kolë Rrota ishte djali i parë, i lindun në Shkodër në familjen me tradita qytetare e patriotike të Gjush Rrotës, me 22 Gusht 1880. Shtëpia atnore ku u lind Kola ndodhej asokohe në rrugicën e Gurakuqëve, mu përballë shpisë ku jetonte Luigj Gurakuqi, me të cilin Kola e dy vllaznit, kaluen fëmininë e patën miqësi vllaznore. Gruja e Gjushit, Marie Vjerdha, bijë e një familje të njohtun shkodrane, ndikoj shumë në edukimin patriotik të 3 vllezënve. Kola ishte ma i madhi ndër tre vellaznit. Mbas Kolës erdhën në jetë Simoni e Ndoci (At Justini), të cilët Gjushi si burrë arsimdashës i shkolloi, duke e dërgue Kolën në fillim në Kolëgjin Franceskan, e ma vonë në Kolëgjin Jezuit të Shën Francesk Saverit. Simbas shënimeve që ka lanë nipi i tij, i ndjeri Rafael Rrota, Kola në fillim të shekullit të 20 dërgohet në Austri/Klagenfurt ku kryen studimet e larta. Vitet mbas studimeve e gjejnë Kolën mësues ndihmës të gjuhës shqipe në shkollën e Mati Logorecit në Prizren (1905) e ma vonë, me kërkesën e ministrisë së jashtme të Austrisë, punon mësues në mes arbëreshve të Zarës (Dalmaci), ku kishte punue ma parë Pashk Bardhi dhe Ndue Paluca.

Nga viti 1913 Kola punon si ndihmës i Gjergj Pekmezit, i cili ishte asokohe këshilltar në ministrinë e jashtme të Austrisë për çështjet shqiptare, si dhe këshilltar e kujdestar i shqiptarëve që studionin në Austri ose që vinin për nevoja të ndryshme shendetësore. Kola kishte kontakte të shumta me studiusit gjermanishtfolës të gjuhës shqipe si M. Lambertz, A. Stotz, F. Manek. Ai ishte shumë aktiv në jetën politike, kulturore e sociale dhe bashkëpuntor i ngushtë i shoqënisë "Dija" që u krijue me 27 dhjetor të vitit 1904 në Vjenë nga Gjergj Pekmezi e Hilë Mosi. Kola shkruente në "Kalendarin e shoqërise" nën inicialet K.R. Ai ishte mbledhës i apasionuem i folklorit shqiptare duke mbledhë thanie të urta e fjalë të reja nga krahinat e ndryshme të Ballkanit ku banonin shqiptarë etnike. Në maj të vjetit 1913 përfundon në Borgo Erizzo librin e tij "Albanische Sprüche und Redensarten" me 800 fjalë të urta dhe shprehje popullore shqipe të cilin e boton në Vjenë më 1914. Libri asht frut i nji pune shumë vjeçare dhe ka 56 faqe në dy gjuhë, në shqip e gjermanisht. Në fund të vjetit 1917 Kolë Rrota dekorohet me Kryqin e Artë të Kunorës nga Madhnija e Tij Perandori e Mbreti Karl për aktivitetin e tij si mësues e aktivist në Vjenë si dhe Koloninë Shqiptare në Zarë.

Gazeta "Vllaznija" e Vjenës e datës 2 dhjetor 1917 shkruen me këtë rast: "Madhnija e Ti Perandori e Mbreti Karl e nderoj bashkëpuntorin t´one Professor Kolë Rroten me Kryq t´arte të meritimit me Kunore. Jo vetëm tash në Vjenë si profesor i gjuhës shqipe n´institut të gjuhëve të lemit të Lindjes, por edhe ma përpara si mësues i Kolonisë Shqiptare n´Arbëreshë afër Zadre (Zara) ku u përpoq kurdoherë Rrota për të mirën e popullit të vet, qi e ka aq fort për zemër. Po e përgëzojmë pra zemërsisht bashkëpuntorin t´onë për këtë nishan (medalje) të bukur e me ne kane me u gzue për të saktë të gjithë ata që kanë nderin me e njoftë mikun e bashkëpuntorin tonë". Mbas ketij lajm vjen falenderimin qi Kola shkruen për bashkeatdhetaret po në ktë gazetë me 8 dhjetor e qi botohet me 11.12.1917: Mbassi mjerisht s´po jam i zoti me u falë nderi veçanërisht gjithë atyne miqve, dashamirëve e nxansave, qi patnë mirësinë me m´përgezue në rase të nderimit t´em, po u lutem me i pelqye në kte menyre falnderjet e mija ma të nxehtat e ma të perzemertat për kujtim të dashtun qi kane për mue. Nji falenderje të vecante drejtimit të "Vellaznise" e "Postes se Shqipnise" Me angazhimin e Gjergj Pekmezit me Komisine Letrare të Shkodres, Kola pat detyren me dhanë landën e gjuhës shqipe në Institutin Diplomatik të Vjenës deri mbas luftës së parë botnore. Në vjetin 1922 hapet konsullata e parë shqiptare në Vjenë e Kola emnohet Sekretar i Konsullatës me Konsull Prof. Dr. Gjergj Pekmezin i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vjetin 1924, kur u zëvendësue nga Konsulli i ri Dr. Nush Bushati. Aktiviteti i Kolës në Konsullatë vazhdon deri me 1926. Mbas këtij vjeti ai vendos të kthehet në atdhe për t´ju kushtue jetës private e familjes. Mbas emnimit të Gjergj Pekmezit si Profesor për gjuhën shqipe në Institutin për gjuhët Indogjermane në Universitetin e Vjenës në 1928-të, Kolë Rota kthehet përsëri në Austri, por kësaj rradhe me detyrën e Konsullit të Shqipnisë në Vjenë, si edhe tue u angazhue me kujdesjen ndaj shqiptarëve që studionin e kuroheshin në Austri.

Me vdekjen e Prof. Dr. Gjergj Pekmezit në 1938-ten, Prof. Kola ngarkohet me drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e gjuhëve Indogjermane në Universitetin e Vjenës deri sa del në pension mbas mbarimit të luftës së dytë botnore. Edhe mbas daljes në pension ai vazhdoi të ishte aktiv duke shkruar artikuj e studime mbi gjuhën shqipe. Kola ka mbajtun kontakte me familjen në Shkodër me anë të letërkëmbimit që nga vjeti 1960. Nipi i tij Rafael Rrota ka shënue: "Une Rafaeli kam pasë letërkëmbim me axhën Kolë, tue fillue nga mesi i vitit 1960. Në atë periudhë, baba Simon nuk ishte në gjendje me i shkrue, prandaj në letrat qi unë i dërgojshe e vejshe në dijeni mbi ecurinë e smundjes së babës Simon, e ma vonë me 1964, për axhën, Pater Justinin. Në përgjigje të letrave më falenderonte gjithmonë e më porosiste qi mos me e harrue mbasi ishte në moshë të madhe. Letra e fundit e axhës Kolë mban datën 10.02.1965, vetëm 5 ditë para se të vdiste".

Gjatë qëndrimit të përhershëm në Austri, Kola udhtoi vetëm 4 herë për në Shqipni. Të parën herë në qeshor të 1905-sës për të vizitue familjarët mbas tërmetit katastrofal qi ra në Shkodër. Me 1929 e 1932 erdhi me shërbime në Tiranë si punonjës i ministrisë së jashtme, e të katërtën herë më 28 nandor 1937 i ftuem nga shteti shqiptar në funksionin e Konsullit në Austri, në kremtimin e 25 vjetorit të shpalljes së Pamvarsisë së Shqipnisë.

Kola kje martue dy herë. Gruaja e parë Maria i vdes në vjetin 1940 e dëshprueme nga vdekja aksidentale e djalit të vetëm që e pat me burrin e parë. Ai kalon disa vjet në vetmi e vendosë të martohet për së dyti me Marianën (Maria), e cila ka vdekë 3 vjet mbas tij. Kola nga të dy martesat nuk ka pasë fëmijë. Ai vdes në Vjenë me 15 shkurt 1965 në moshën 85 vjeçare. E fusin në dhe në vorrin e familjes së bashkëshortes Marie, në Grinzing, në Gruppin 8, Radhen 1, Numër 5.




(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora