Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vjeshta në majat e Shkëlzenit...!

| E marte, 18.10.2011, 08:05 PM |


Reportazh refleksiv

 

VJESHTA MBI MAJAT E SHKËLZENIT...!

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Në ato orë të mesditës, përball qytetit zënin ballë mahnitës Majat e Shkëlzenit, i cili duket si një kurorë të cilën askush nuk mund ta pikturojë përveç se fuqisë së Zotit si madhështi natyrore.

Shkëlzeni është libër në vete. Por, gjithnjë më trumbeton diçka në kokë, dhe më duket se më thotë se kjo madhështi natyrore dhe kjo begati hyjnore e kësaj toke është libër fare i palexuar. Kërkon lexim dhe studim!

Po ta shikosh Shkëlzenin, ke shikuar bukurinë dhe madhështinë e atdheut, ke shikuar historinë e historisë,... ke shikuar një libër të pahapur dhe të palexuar si duhet!

Shtatorja e Bajram Currit kishte ngreh kokë kah lartësitë e tokës, kah fushat, kodrinat, malet dhe majat e kësaj krahine, i cili shikim pastaj sikur reflekton në tërë atdheun.

Valbona, edhe kjo e ka historinë, po ashtu si libër të pa shfletuar sa e si duhet. Ky lumë që bënë zhurmën shekullore përgjatë grykës që oshtinë jo vetëm nga valët e pastra të ujit por edhe nga gjuha e saj, nga gjuha e Valbonës e cila në sirtarin e vet ka shumë fletë ende të palexuara...

Duke nxituar për në Kosovë, sërish kthej kokën kah horizonti i qytetit Bajram Curr, dhe gjithnjë e më shumë më shtohet dashuria për këtë anë bujare e fisnike me histori plotë ngjyra e qëndresë...!

 

Majat e Shkëlzenit që sertshëm thithin dhe i shpërndajnë rrezet e diellit...!

 

Sa herë që njeriu shkon në krahinën e Tropojës, provokohet për të shkruar diçka, diçka që është brendapërbrenda shpirtit, brendapërbrenda këtij vendi. Ka kohë që kishim hedhur idenë që krijuesit e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Krahinës së Tropojës të takohemi më shpesh dhe të thellojmë marrëdhëniet krijuese të cilat do të kontribuonin në afirmimin e vlerave krijuese dhe letrare në këtë anë por edhe përgjithësisht në vend. U nisa nga Peja, për t’u takuar me poetët, Tahir Bezhani dhe Muharrem Kurti nga Gjakova dhe bashkërisht arritëm në Bajram Curr. Gjatë asaj rruge gjarpërore por të asfaltuar dhe shumë funksionale, për anash më intrigojnë ato vise, ato fusha, lugina e kodrina, të cilat, dorën në zemër ende janë të pashfrytëzuara dhe të pa rregulluara në aspektin e perspektivës së zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, për çfarë kjo anë i ka të gjitha kushtet, e të cilat më vonë, me ndërtimin e objekteve të infrastrukturës do të gjenerojnë edhe zhvillimin e turizmit malor por edhe të atij në fshat.

Posa arrijmë në Bajram Curr, së pari takojmë Asllan Osmanajn, një poet me vargun karakteristik dhe shumë të thellë e idhnak, por që nuk imponohet shpesh, nuk ngarend për të botuar shpesh. Përshëndetemi ngrohtësisht, dhe nuk ngurrova që t’i them: po ku dole ti i pari që të takoj! Ai, vetëm buzëqeshi dhe me afërsinë e tij “ngushtohet” për të na bërë që të ndihemi sa më ngrohtë, sa më shlirë. Dhe, në ato orë të mesditës, përball qytetit zënin ballë mahnitës Majat e Shkëlzenit, i cili duket si një kurorë të cilën askush nuk mund ta pikturojë përveç se fuqisë së Zotit si madhështi natyrore.

E shikoj gjatë e gjatë dhe çfarë mendimesh më sillen në kokë. Shumë, shumë mendime! Kurse, miku im Asllani, më heton dhe më thotë:

-E vëren Shkëlzenin si duket,... si e rrahin rrezet e diellit?!

E dija se me provokonte për ndonjë shkrim. Mendova e mendova dhe i thash:

-Po! Po e shoh, mirë bile. Ka pamje madhështore.-i them, dhe unë prapë në kokën time mbërthej historinë e çuditshme të popullit, historinë dhe vuajtjet e atdheut tim. Në Majat e Shkëlzenit e shoh faqen e një libri, të cilin nëse e shfletojmë, duhet ta lexojmë kujdesshëm. Kujdesshëm, sepse, ata thepa, ato lartësi të shkëmbinjve nuk lejojnë hë për hë për të gabuar. Shkëlzeni është libër në vete. Por, gjithnjë më trumbeton diçka në kokë, dhe më duket se më thotë se kjo madhështi natyrore dhe kjo begati hyjnore e kësaj toke është libër fare i palexuar. Kërkon lexim dhe studim!

Duke menduar kështu, më bëhej se shkëlqesia e kësaj bjeshke po më afrohet me dëshirë për të më përqafuar për mendimin që e kisha në kokë. Kështu edhe u binda. Por, më iku mendja edhe tjetërkund; libra të tillë të palexuar ka edhe shumë e shumë. Dhe, duke ikur nga ky kurth, drejtova shikimin sërish kah majat e Shkëlzenit, i cili kishte marrë ngjyrë vjeshte, sepse, diku poshtë tij, bereqeti kishte filluar të mblidhet, kurse pemët, pa dëshirën e tyre i kishin zverdhur gjethet.

Tani, duke mos dashur të komentoj asgjë vetëm pëshpërita:

-Majat e Shkëlzenit thithin dhe shpërndajnë ajrin,... sertshëm thithin dhe i shpërndajnë rrezet e diellit! Dhe,... kur i bën të gjitha këto, atëherë sikur ndalet dhe e shikon tërë Shqipërinë,... sikur e veneron edhe Kosovën, Plavën dhe Gucinë...

Po, çfarë do të thotë e tërë kjo?! Asgjë! Jo, jo. Po ta shikosh Shkëlzenin, ke shikuar bukurinë dhe madhështinë e atdheut, ke shikuar historinë e historisë,... ke shikuar një libër të pahapur dhe të palexuar si duhet!

Por, kur mendova pak, thash vet më vete: lëri këto, përralla. U ktheva kah miqtë me të cilët kisha ardhur dhe Asllanin që e takuam, por ata, duke biseduar kishin ikur bukur larg meje. Shfrytëzova rastin dhe i bëra disa foto për ta parë mirë e mirë atë madhështi të Majave të Shkëlzenit. Të them të drejtën u gëzova pamasë, sepse, m’u duk se e futa në xhep atë libër të palexuar dhe ndoshta një ditë do ta lexoj e do ta lexoj...

 

Bajram Curri, ishte kthyer kah Shqipëria...

 

 U takuam edhe me poetët, Lulzim Logun dhe Gjon Neçajn. Që të dy, sikurse edhe ne, mëzi kishin pritur që të takohemi së bashku. Më vonë krejt rastësisht u takuam edhe me krijuesit entuziastë, Isa Breçani dhe Hasan Buçpapaj. Sërish ndalemi në rrugën kryesore të qytetit dhe bisedojmë e bisedojmë. Akoma qëndronim në këmbë. Kalojmë kah shtatorja e Bajram Currit. Më të thënë të drejtën është madhështore, dhe kjo figurë, tërë shtatit në bronz i jep dinjitet e domethënie, që edhe këtu të imponohet historia, e kaluara...

E shikoj këtë shtatore, e cila vërtetë m’u duk se ishte kthyer kah Shqipëria. Më bëhej se gjithnjë është duke thënë diçka. Kishte ngreh kokë kah lartësitë e tokës, kah fushat, kodrinat, malet dhe majat e kësaj krahine, i cili shikim pastaj sikur reflekton në tërë atdheun. Shoh aty madhështi, krenari, qëndresë, dhembje e etje, kënaqësi e pakënaqësi. Por,... them: nuk ka jetë pa dhembje as pa etje. Këto duhet t’i rregullojë vetë njeriu, këto gjëra që si duket po zgjasin më shumë se që është edhe koha e kohës optimale!

Nuk u thash kolegëve të mi poetë asgjë për mendimin dhe preokupimin tim, dhe, e lamë shtatoren e këtij burri të ngrirë të bronz ashtu me shikimin, të them kah të dojë ai vetë...!   

 

Valbona, ky lumë që ka madhështi shekullore

 

Tani u tubuam dhe pijmë nga një pije freskuese dhe fillon biseda, për çfarë, pos për letërsinë, për vargun dhe poezinë. Kuvendojmë për Shkup e Shkodër, por gjithnjë për të mirë dhe për qëllimin se si krijuesit të flasin me një gjuhë, sepse kjo u nevojitet atyre, sikurse edhe burrave të tjerë të atdheut dhe kombit. Kjo është gjithnjë edhe sot më se e nevojshme.

Ishim në një kafeteri pranë lumit Valbona. E shikoj edhe këtë lumë me ujë që ka ngjyrë të thekshme të kaltër. Shikimin e lumit ma zbukurojnë dy shelgje të cilat degët e tyre i kishin lëvarur si flokë vashash. E tërë kjo më intrigoi që ta bëjë një foto, e cila për mua e ka kuptimin dhe mesazhin ashtu siç e kërkoj unë vetë. Tash prej aty, mendjen e ngjis përpjetë lumit Valbona dhe ngjitëm deri në thepat e maleve të Valbonës, dhe deri tek burimi i saj.

Edhe kjo e ka historinë, po ashtu si libër të pa shfletuar sa e si duhet. Ky lumë që bënë zhurmën shekullore përgjatë grykës që oshtinë jo vetëm nga valët e pastra të ujit por edhe nga gjuha e saj, nga gjuha e Valbonës, e cila në sirtarin e vet ka shumë fletë ende të palexuara. Ato kërkojnë dritën si shtrati i lumit ujin. Tërë ajo grykë malesh që lidhet me majat e thepisura, të cilat gjithçka kanë parë dhe shohin, që lidhet me krahinën e Plavës dhe të Gucisë, edhe sot kërkojnë lidhjen...

 

O, sa më ngutet për të thënë se kjo bukuri e kërkon shpejtë e shpejtë dorën e njeriut, e do asfaltin dhe e do zhurmën e njeriut, zhurmën e makinave. Tash, si në ëndërr e shoh Valbonën si vendin më të zhvilluar turistik. Si atë parajsën që ende është e paprekur sa duhet, e pashfrytëzuar për shpirtin dhe mendjen e njeriut.

Dhe, i thash vetes: nuk është kjo ëndërr. Kjo do të bëhet së shpejti realitet, dhe Tirana e Vlora, Durrësi e Gjirokastra, do të lakmojnë për të ardhur këtu, dhe do të vijnë këtu. Çfarë madhështie kur të bëhen bashkë! Krahina e Tropojës, as nuk ka qenë as nuk është as nuk do të jetë shkretëtirë, ose tokë e shkretë!

 

Edhe rrugës vëreja se vjeshta kudo i kishte shtrirë krahët e saj...

 

Sërish kthehem tek biseda me poetët. Arsyeshëm, thjeshtë dhe bindshëm meditoj se ky vend është me kulturë e nam burrash, dhe se shumë krijues të këtushëm janë përpjekur, por përpiqen dhe do të përpiqen për ta ndriçuar të kaluarën, për ta studiuar madhështinë e historisë së kësaj ane dhe për t’i avancuar vlerat shpirtërore dhe kulturore. Këtë e dëshmojnë edhe shumë libra e vepra që këto vite veç i kanë shkruar, botuar dhe i kanë qitur në dritë së bashku edhe me shumë tema që deri me tash kanë qenë të paprekura apo në margjina. Kështu vazhduam bisedën me krijuesit dhe poetët nga Tropoja, Gjakova dhe unë nga Peja.

Në orët e vona të pasdites, unë me poetët gjakovarë u kthyem për në Kosovë. Gjatë rrugës, hasëm në një tufë delesh që kishin bllokuar rrugën. Ndalim makinën dhe derisa nuk hapin rrugë delet unë meditoja për zhvillimin e Tropojës. Por, interesant, dot nuk mund e gjeja zgjidhjen më fatlume. Por delet ma kthyen mendimin: edhe kjo  do të thotë diçka; blegtoria, bujqësia, turizmi,... do të lulëzojnë së shpejti këtu.

Duke nxituar për në Kosovë, sërish kthej kokën kah horizonti i qytetit Bajram Curr, dhe gjithnjë e më shumë më shtohet dashuria për këtë anë bujare e fisnike me histori plotë ngjyra e qëndresë!

Edhe rrugës vëreja se vjeshta kudo i kishte shtrirë krahët e saj,... edhe në Majat e Shkëlzenit...!