E premte, 29.03.2024, 07:14 AM (GMT)

Kulturë

Adem Harxhi: Ja si i kam njohur Kadarenë dhe Agollin

E marte, 18.10.2011, 06:57 PM


Flet doktor Adem Harxhi: Ismail Kadareja është produkt i punës së tij, Dritëroi produkt i popullit

 

Ja si i kam njohur Kadarenë dhe Agollin

 

Ja si “prodhoi” para “false” Ismail Kadareja

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ai ruan kujtimet më të bukura për dy figurat më të shquara të letërsisë shqipe Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Dhe pse jeta i ka ndarë në profesione të ndryshme doktori ka qenë dhe mbetet një njeri i dashuruar me letërsinë dhe me librin. Me dy ikonat e letërsisë shqipe ai është njohur në vitet e vegjëlisë, por në bisedë këto kujtime i vijnë të freskëta sikur të kenë ndodhur sot.

Ku jeni njohur me Ditëro Agollin?

Dritëroi ka mësuar në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Ai ka qenë dy vjet më i madh se unë. Dritëroi, Gaqo Veshi, Agim Shehu, Bekim Harxhi, Ismaili kemi qenë në një rreth letrar, ku kryetar të këtij rrethi kemi pasur Dritëroin, jo vetëm si më të madh, por në atë kohë ai ishte më i miri si letrar.

Çfarë kujtimi të veçantë keni me Dritëro Agollin?

Në periudhën e shkollës nuk kam pasur ndonjë episod të veçantë, por kam pas më vonë. Ishte një festival ose siç quhej Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës. Unë atherë isha Drejtor i spitalit të Gjirokastrës. Në këtë Festival kishte ardhur dhe Dritëro Agolli. Sekretar i Parë në Gjirokastër ishte Rrapo Dervishi ndërsa Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Nedin Hoxha. Isha në gjumë kur më bie zilja e telefonit në shtëpi. Ishte mesi i natës. Mendja më shkoi për keq. Në telefon ishte Rrapo Dervishi. Pa më pyetur për asgjë më thotë, doktor na dërgo një mjek këtu se po na vdes Dritëroi. Pse çfarë ka, e pyes. Mor po ka pirë shumë dhe po ha qelqet. Nxito mos e merr me shaka. Po bën shaka?- i them. Jo, or jo por pa ha gotën e ujit. Nisa një mjek me urgjencë.  Ndërsa njëherë në një gëzim feste e kam parë që i vuri flakën gotës së rakisë dhe filloi ta pinte. Këto dy momente i them sepse Dritëroi e do rakinë dhe rakia është pije tipike shqiptare. Rakia është pije popullore dhe Dritëroi s’e ngatërron me pijet e tjera. Ai e thotë vetë e dua atë të uruar. Sepse është i tillë popullor ndaj dhe e do populli, ndaj dhe i thonë poet popullor. Kam respektin më të veçantë për të.  I uroj me gjithë zemër ditëlindjen dhe të rrojë sa të dojë në të mirë të letërsisë shqipe.

E veçanta e Dritëroit sipas mendimit tuaj?

Dritëroi është poet dhe shkrimtar popullor babaxhan. Ai është produkt i filozofisë popullore. I mendimit popullor. Fjala e tij është fjala e popullit e ngritur në art. Me Ismail Kadarenë kam qenë në shkollë 7-vjeçare në një klasë. Me Kadarenë kemi lindur dhe në një muaj në Janar.

Ç’do të thuash për Kadarenë?

Kadareja është produkt i punës së tij. Kjo në kuptimin se  ne të gjithë luanim futboll të gjithë në fushë të sportit, Ismaili shkonte në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës dhe lexonte dhe vetëm lexonte. Ai lexonte dhe romane të ndaluara për kohën që i rrëmonte rrëzave të bibliotekës dhe të nesërmen na i tregonte të gjitha sikur të kishte shirit magnetofoni. Lexonte sikur i hante librat ndërsa ne na i tregonte si përralla. Këtë dua të them se ai është produkt i punës.

Si e kujton  Ismailin si krijues?

Si e kujtoj. E kujtoj si Kadare, si Ismail, të padiskutueshëm në letërsi. Hartimet e tij mësuesi i varte në gazetën e murit të shkollës. Hartimet e tij lexoheshin me shumë ëndje. Për letërsinë ai ishte i prerë dhe i prerë. Kishte pak natyrë të mbyllur, askujt nuk i binte në qafë dhe i shmangej sherrit, ne zhgryheshim kudo, loznim edhe ziheshim, ai ishte botë me vete. Nuk ishte aktiv në lojëra, por shumë aktiv në lexime. Vinte i ndrojtur, por i sigurt. Pra kur ne loznim ai lexonte.

A ka bërë ndonjë çapkënllëk për kohën?

(Qesh). Njëherë  “fabrikoi” apo “falsifikoi” një monedhë. Dhe pati pasoja. Kjo në kuptimin e zgjuarsisë.

Në ç’kuptim?

E thashë që ishte shumë i zgjuar. Ne atëherë gjenim nëpër rrugë bateri të makinave të hedhura. Të vjetra, të papërdorshme, ato kanë plumb. Ne i merrnim plumbat e baterive dhe i shkrinim. Ç’bëri Ismaili. Mori nga ato kaçolet ose tapat metalike të birrave vendoste poshtë një monedhë hekuri dhe mbi të derdhte plumbin. Plumbi merrte formën e lekëve metalik të asaj kohe. Kjo aventurë u përhap në gjithë shkollën dhe vajti deri në veshin e Degës së Brendshme. Askush se merrte me mend se ç’gabim bëhej. Thjesht ishte një lojë. Ismailit i tërhoqën vëmendjen për këtë lojë dhe ne të gjithë hoqëm dorë. Sepse kjo u quajt falsifikim. Atëherë ishim 13 vjeç. Kur e kujtoj qesh me vete.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora