E marte, 23.04.2024, 03:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Aleko Likaj: Krushqit nuk bëjnë paqe...

E marte, 18.10.2011, 07:55 PM


Tregim nga: ALEKO LIKAJ

 

Krushqit nuk bëjnë paqe...

 

Lam Kukunja iku përsëri. Këtë herë i prishur në fytyrë, i vrarë dhe i heshtur. Dilo Jagodina, xhaxhai im, i vuri llozin derës së oborit dhe u kthye midis nesh i pafjalë. Që prej më shumë se dy orësh ishim ulur në disa karrike në mes të koridorit të madh të shtëpisë së xhaxhait, ku dielli i mesditës nuk na ndriçonte më. Kishim qenë pjesë e një delegacioni që ishte vënë përballë palës tjetër e ardhur nga kryeqyteti, në të vetmin hotel turizmi në qytetin tonë. Do të pritej fjala për një fejesë që dukej se nuk do të bëhej më. I kishte të pakta shpresat. Lami, që në këtë rast bënte ndërmjetësin midis krushqish, kishte sjellë një çast më parë një gjysëm rrefuzimi që vinte nga pala e dhëndërit. Këtë, ne nuk e kishim kuptuar as edhe kur u ndamë pas një takimi që zgjati dy orë në sallën e bufesë së lokalit. Ishte një ambjent shumë miqësor, dhe gjasat tregonin se gjithçkah ishte e vendosur, se do të ishim vërtetë krushq pas kësaj, miq, si një shtëpi e vetme. Do të na lidhte çifti, Nora kushurira ime dhe Shpati, djali i vetëm i shokut Nuri që ishte njeri i fuqishëm në shtet e në parti, atje në Tiranë. Xhaxhain  nuk e mbante vendi. Gëzohej si një fëmij. Po fluturoj i tha babait tim që ka zënë  shtratin nga një herie diskale. Do të më japësh në këmbë tënde tët bir, Fredin, që do të vijë në atë parje.

E gjitha kjo histori kishte zënë fill këtu e dy javë më parë. Propozimin për ta lidhur këtë krushqi e solli Lami në familjen e xhaxhait tim. Punonte si shef furnizimi në ndërmarjen ku drejtonte Dilo Jagodina, dhe me nënën e Shpatit, e gruan e shokut Nuri, kishin qenë fqinjë e shokë fëmijërie, në një qytet të vogël,  pranë nesh. Fillimish, e kishte biseduar me xhaxhain këtë punë, se Nora i pëlqente si vajzë Lam Kukunjës. E njihte qysh të vogël sepse vinte shpesh në familjen Jagodina të xhaxhait. Pastaj, ishte ngulur tek familja e shokut Nuri,  tre a katër herë këto ditë, se puna e çonte shpesh në kryeqytet. Ishte si i shtëpisë atje. Ashtu si Norën tonë njihte edhe Shpatin, që pas universitetit po bënte një kurs dipllomacie për jashtë shtetit. Ishte rast i mirë për të dy. Kushurira ime studjonte në Tiranë për akitekturë, por për këtë rast Shpatin as qe e njihte, dhe as qe e kishte parë ndonjeherë. Më kishte thënë se, nuk kishte ndonjë ide për të.

Pària ishte lënë për këtë të djelë. Familja e Shpatit kishte mbritur në qytetin tonë me autobuzin e linjës. Kishin ngulur këmbë që në fillim se takimi mund që të organizohej në turizmin e qyetit, dhe se ardhja në shtëpi i jepte momentit nje dimension krejt tjetër. Do të konsiderohej vetëm si një kafe mes miqsh, por që do të shërbente edhe si një parje për çiftin, por edhe si njohje për ne që do të ishim krushq…

Tek xhaxha Dilua kisha mbritur në mëngjez. Dukej se më prisnin me ngut, pasi unë isha njeriu i fundit që e plotësoja dërgesën. Të tjerët ishin të veshur e prisnin që të gjithë në sallon. Bëheshim shtatë vete. Përfaqsoja babain. Xhaxhai kishte marrë edhe djalin e vogël, një gjimnazist në vitin e fundit, daja i kandidates për nuse, ndërsa Lam Kukunja, shkesi i kësaj ceremonie do të na bashkëngjitej afër turizmit. Atje ishte lënë për tu takuar. Përpara se të futeshim në sallë.

- Dëgjo këtu ti moj, – tha xhaxha Dilo, e u kthye nga e shoqia që kontrollonte për të fundit herë këpucët me taka përpara se të dilte nga shtëpia, - kujdes aty. Mos fol. Se kur fillon ti nuk përmbahesh më. I lëshon me breshëri si fishekë kallashnikovi ato fjalë. Nuk ka nge njeri që të dëgjoj ty. Mo na prezanto keq me ata që do ti bëjmë krushq, e pjesë e shtêpisë sonë, se unë e kam një emër në këtë qytet, dhe çoç më dinë. Dëgjove? Dëgjova thuaj.

- Mirë, o Dilo . Kur ta shohësh qe e kaloj masën, më shkel këmbën. E kuptoj vetë pastaj unë. Gjë që rregullohet kjo punë – tha e shoqia, me një ndjenjë pafajsie e sinqeriteti njëkohësisht, ashtu siç bëjnë fëmijët e vegjël kur i zë në gabim. Siç dukej ajo e vuante këtë huq. Ves i vjetër ky që nga vajzëria e largët. E dinte edhe lagjia këtë. Xhaxhai im nuk kishte mundur që t’i a hiqte asnjëherë për më shumë se dy dekada e gjysëm martese.

- He mër Lush, tha pastaj kryetari i dërgesës sonë, kunatit të tij, si për ti thënë, “ e kam mirë apo jo? “

Tjetri qeshi dhe tundi kokën në shenjë aprovimi të fjalëve të xhaxhait.

- Nuk besoj se do të vejë puna deri aty, o kunat

-Hajt pra nisemi dhe me krah të lehta. Na qoftë e hahirit kjo punë, dhe me trashëgime.

Rrugës së oborit për të dalë tek porta e shtëpisë, Meli, gruaja e xhaxhait, këputi një gjethe portokalle dhe e futi menjëherë në xhep.

-Ta kemi për fat, se ka edhe aromë – tha ajo, e nxitoi që të arrinte të shoqin që me hapa të shpejta po i drejtohej portës.

Vërtetë, që bahçja kundërmonte erë portokalli. Kishin çelur lulet e ndonjë syth që jeshilonte sikur ta bënte me sy në degët e përkulura të rrugicës që të nxirrte nga shtëpia

Nora, vajza kandidate për martese u vu në krahun tim të djathtë. E heshtur dhe e qetë, e paksa e përhumbur ajo hidhte hapat ngadalë, sikur të ishte në një tjetër botë. Rrugën e bëmë në heshtje. Në krye të grupit  xhaxhai im Dilo Jagodina, bisedonte me kunatin që nuk e hiqte cigaren të futur midis dy gishtash të dorës së majtë. Ne të tjerët çapiteshim dy e nga dy. Femrat nënë e bijë i kishim vënë në mes, dhe unë me tim kushuri, Tanin, herë pas here diskutonim për kohën qe nuk po mbante, por edhe për sportin, ekipin e qytetit tonë që pretendonte të shpallej kampion.

Ishim të parët në « Hotel Turistik ». Këtë na e tha Lam Kukunja, shkesi ynë. Pala tjetër do të mbrinte nga kryeqytetit, nga çasti në çast. Aty para nesh do të qëndronte edhe autobuzi i linjës së mëngjezit. Xha  Dyli shkoi menjëherë brenda për të takuar drejtorin që e kishte edhe një nga miqtê e tij më të mire në qytet. Kishin punuar bashkë për shume kohë që nga rinia e tyre. Atij i kishte ngarkuar edhe detyrën per rezervimin dhe shërbimin e asaj pritje. Me sa duket që gjithçkah ishte gati aty brenda sepse xhaxhai doli shpejt e gjithë shend. Rregulloi edhe një herë kollarin e buzëqeshi menjëherë. Mbas nesh ishin shfaqur krushqit. Ngjitên shkallët si në një ceremoni solemne, dhe shtrënguan duart me ne. Pastaj i ftuam brenda e zumë vend shpejt në tavolinat që ishin shtruar për ne në aneksin e veçantë të lokalit. Unë e dija se aty priteshin gjithmonë autoritetet që vizitoni shpesh qytetin tonë industrial, ndaj më dukej se ishim tej të privilegjuar. Xha Dilua i rregullonte mirë këto punë.

Pas një bisede për kohën dhe prillin që sillte prej shumë vitesh shi, u shkëmbyen edhe cigaret. Lushi, daja i Norës, e kishte merak këtë punë. Dhe u duk se çdo gjë shkoi mirë. Lam Kukunja hyri drejt e në temë. U fol për qëllimin dhe shkakun e asaj pritje. Pashë që të dy u skuqën. Mirë kjo e jona, Nora, por edhe Shpati mu duk si një çupë e ndrojtur. Kishte mbaruar edhe diplomaci. Mbase ishte tip që nuk mund t’u a prishte prindërve, sepse me sa po shikoja, shoku Nuri, dukej krejtësisht i plotfuqishëm aty në kampin e krushqëve të sapoardhur.

- Kam një propozim – tha Lushi, pasi biseda kishte prekur qëllimin e atij takimi. – Shpati dhe Nora janë sebeçijtë këtu mes nesh. Atyre u takon që të vendosin për fatin e vet. Unë mendoj, për shkak se ata nuk janë njohur më parë me njëri tjetrin, le të dalin jashtë këtij ambjenti, e të bëjnë një xhiro, apo të shkojnë në një lokal tjetër dhe të bisedojnë. Kanë nevojë që të dinë dëshirat dhe opinionet për jetën në çift, por edhe problemet që do t’u takojnë atyre më vonë. Hë, si thoni ?

U vendos një heshtje në fillim që Melihaja, gruaja e xhaxhait tentoi që ta prishë menjëherë. Pastaj u duk sikur ndroi mend, dhe nuk tha asgjë. Unë e mora me mënd që Dilo Jagodina i kishte shkelur këmbën poshtë tavolinës, sipas marrëveshjes që kishim bërë në shtëpi përpara se të dilnim tek porta.

- Jo, nuk ka asgjë të keqe, tha njeriu që do të bëhej krushk tek ne jagodinat. Kjo është normale, madje edhe e domosdoshme për dy të rrinj që duan të lidhin jetën në martesë. Këtë propozim mund që ta bënim edhe ne. Natyrisht, që ndjehem mirë se jemi dy familje krejtësisht të emancipuara dhe me partishmëri.

Nuk e di në se ky propozim ishte biseduar më përpara ndërmjet xha Dilos dhe kunatit të tij, por xhaxhai pas fjalës së Nuriut, u ngrit menjëherë në këmbë, e largoi karriken sikur do ta merrte fjalën si drejtor ndërmarje.

- Hë, ç’prisni, - u tha dy të rrinjve, - Mirë u tha këtu, jeni ju ata që do të vendosni për jetën tuaj. Ne të gjithë presim veçse fjalën, dhe do të rrespektojmë vendimin që do të merni ju, apo jo ? – tha duke u drejtuar nga ne, sikur të kërkonte edhe aprovimin tonë.

Ishte i qeshur dhe i çlirët, ashtu siç e shihja sa herë kishte ndonjë gëzim të papërmbajtur përmbrenda. Ai shpesh herë kalonte krejt papritur nga një gjendje e tillë gëzimi në të kundërt të saj. Im atë thoshte se i vëllai ishte një tip sanguin në karakter. E donte, por edhe e qortonte shumë si vëlla më i madh. Dy ishin. Një motër e vogël u kishte vdekur shumë e re, pa mbushur të pesëmbëdhjete pranverat.

Ndërsa Shpati dhe Nora dolën jashtë nga salla, tek ne biseda  filloi që të bëhej larg kornizave të një takimi krushqie të posa njohur. Për të gjitha u fol në atë tryezë miqsh, deri tek gatimet tradicionale ku Meli, gruaja e xhaxhait tim shkëlqeu në disa receta ëmbëlsirash. Këtë herë foli gjatë pa e vrarê mëndjen se si e kishte këshilluar i shoqi përpara se tê niseshim për këtë krushqi. Por edhe ambjenti ishte bërë shumë miqsor dhe i dashur aq sa shumëkush mund që të mendonte se ne tashmë ishim një familje e vetme, madje edhe e gëzuar  dhe e lumtur. Vetëm në një çast kuptova se diçka nuk shkonte tek nëna e dhëndërit tonë të ardhshem. Ajo menjëherë u prish në fytyrë dhe u ndje e besdisur. Tërhoqi pak nga pas karriken dhe u mbështet pastaj tek ajo duke qëndruar krejtësisht indiferente, sikur të mos ishte e pranishme më mes nesh. Kjo nuk u ra në sy të tjerëve që po ngrenin gotat të shkujdesur sikur të ishin njohur prej vitesh.

Kandidatët për martesë u kthyen pas një ore e ca. Dukeshin të qetë edhe pse të heshtur. Zunë vendet ngadalë dhe kur u duk se mbaruan edhe zhurmat e karrikeve që lëvizën në atë sallë të madhe e pa njeri, Nuriu, babai i Shpatit, kërkoi që të ngriheshim sepse « ora po kalonte  »  dhe se, duhej që të kthehshin një orë e më parë në Tiranë me autobuzin e pasdites. Xhaxhai i ftoi që të drekoseshin tek ne me «  atë që do të na ndodhej në shtëpi », pavarsisht se si do të shkonte rrjedha e kësaj, dhe fati i dy të rrinjve, nga vendimi që do të marrin ata pas këtij takimi » Ndërkohë që burrat po jepnin deklarata për fundin e takimit, dy gratë kërkonin vështrimet e të rrinjve si për të zbuluar diçka në se ishte paravendosur ndonjë hap drejt bashkimit.

Nora hodhi një vështrim gati të përhumbur pa shprehur dot asgjë, dhe pastaj uli kokën me nje lloj ndrojtje ku ndjehej më shumë emocion se sa kishte në fillim kur u nisëm nga shtëpia. Shpati ishte më i qeshur dhe më i shpenguar. Dukej se i kishte pëlqyer Nora jonë. Nuk e di pse m’u krijua përshtypja në atë çast se, ai mezi priste që të ndahej me ne, dhe të jepte kumtin e tij përpara prindërve. E ëma u prish në fytyrë. Mua m’u duk shenjë e keqe kjo. Nuriu që kishte kapur vështrimin e të birit u çel përsëri.

- Po, do të kemi kohë përsëri, o Dilo Jagodina, të piqemi e të flasim, mbase si krushq të vërtetë. Me sa duket do te kemi lajme të mira nga dy të rrinjtë. Unë flas gjithmonë për palën tonë, nga ana juaj, nuk di se çfarë të them. Sidoqoftë, brenda këtyre ditëve, një javë e shumta dy, ne do të nxjerrim fjalë. Gjithmonë me Lamin që në këtë rast ka edhe pozicionin e shkesit mes nesh. Dhe tani, o krushku, Dilaver, na hap udhë, se na duhet që të shkojmë. Ti e di që unë mund që të merrja edhe veturën time, por shteti dhe partia nuk ma kanë dhënë atë për punë personale e familjare…Po vjen ora e autobuzit të linjës.

Kuptova se ai e kishte marrë mesazhin nga i biri i tij, dhe ndjehej i gëzuar. Shtrënguam duart jashtë, poshtë shkallëve dhe u ndamë si krushq. Rrugën e kthimit për në shtëpi e bëmë si dasmorë. Unë me Lushin dhe Tanin u vumë në krye. Pas, vinin xha Dilua dhe e shoqia, me Norën në mes. Ajo po tregonte detaje nga takimi vetëm për vetëm me Shpatin. Që të gjitha gjasat ishin se kishin rënë të dy në një mendje.

Kishim pirë menjëherë rakinë sapo mbritëm në shtëpi. Hëngrëm edhe nga një llokum. Na qerasi Meli e cila ishte në qiellin e shtatë. Lushi, i vëllai, e uroi i pari :

- Hajde, të na trashëgohen moj motër, edhe ti kunat. Shyqyr që i a arritët kësaj dite. Tani në kokë të Dritanit. Gëzime paçi përherë.

Pastaj, kërkoi Norën që ishte  në dhomën e saj. E motra i tha se po zhvishej. Ishte e lodhur nga gjith ai tension për këtë ngjarje.Xhaxhai menjëherë porositi që të na nxirrnin pak meze, pastaj të shtrohej edhe buka.

Kur ishin vendosur pjata e mezeve përpara nesh, trokiti porta e oborit. Xha Dilua u ngrit i pari, dhe bëri me shenjë se do ta hapte ai. Ne të tjerët vumë gotat në buzë.

Pi, - më tha Lushi – mos bëj naze, se tani e ke rradhën e ti. Pse kështu do tu lemë ne, që të bridhni si sarahojt ? Ka lezet kur ke një shok apo shoqe jete në krah. Jeta ka më kuptim. Dëgjo mua ti…

Ishte bërë menjëherë fjalaman i madh ky kunat i xhaxhait tim. Ndoshta nga gëzimi

për të mbesën. I kishte të vegjël fëmijtë e tij. Dritani vetëm një hap larg meje i mbështetur në karrike qeshte si fëmijë. Nora që kishte dalë nga dhoma e saj dukej e vrarë në fytyrë. Na tha një « u bëftë mirë » dhe iku menjëherë. Lushi pyeti me sy të motrën.

- Lere, se ka qarë. E ka nga gëzimi. Vajzë e re është mo-o-o. Mezi e nxora nga dhoma. Thuaj, shyqyr që vendosën të dy. I kishte thënë ai : unë nga ana ime jam dakort. Do tu them edhe atyre të shtëpisë. Kishin folur gjatë mo-o-o. Ç’farë kishin e nuk kishin për ti thënë njeri tjetrit. I dhanë karar kësaj pune. Tani të shikoj mësimet se ai i ka mbaruar e pastaj te fillojnë jetën si dy pëllumba në kuvli.

Xha Dilua u vonua. Këtë e ndjemë të gjithë. Kur u duk se na u sos edhe durimi, ai hyri në dhomë i pafjalë. Ishte i tjetërsuan në fytyrë ku dallohej një lodhje e tension i brendshëm. Nuk na tha gjë. Zuri vend ngadalë në karrike dhe fërkoi me dorën  e majtë ballin e djirsur në heshtje.

- Kush ishte – pyeti Melihaja

Ne të tjerët nuk folëm. U duk se aty nuk merrte frymë njeri. Ajo kishte qëndruar pezull midis nesh. Gruaja e xhaxhait m’u shfaq si një pikëpyetje. Lushi fshinte buzët me një pecetë të sapovënë në tavolinën tonë. Dritani kishte ulur vështrimin në suprinë. Nora ishte shfaqur tek dera e dhomës së saj si një statujë e ngrirë, e veshur me një palë bizhame gri e me lule. Vështrimi i saj nuk shprehte asgjë. Dilo Jagodina kërkoi një gotë ujë. Unë dallova buzët e tij të thara që lëvizën përsëri për të thënë diçka tjetër por që nuk u tha. Ujin e piu me një frymë.

- Diçka nuk ka shkuar pas kthimit tonë në shtëpi – tha xhaxhai me një zë gati të shuar e të ngjyrosur. - Kanë tjetër mendim, por që do e thonë pas ca ditësh, si e qysh. Pra, gjërat kanë marrë një kthesë të çuditshme. Këto mi tha Lami. E nisa përsëri dhe e pres.

- Po ku janë ata tani ? – pyeti Lushi që u rehatua duke vënë këmbë mbi këmbë.

- E ç’rëndësi ka kjo ? – tha xhaxhai

- Nuk është aspak serioze – foli Lushi e kroi zërin sikur do të deklamonte ndonjë gjë

- S’kanë asgjë për vajzën. Kështu i kishin thënë Lamit.

Xhaxhai kërkoi të ngrihej nga karrikja. Fryu bulçitë e tundi kokën mosbesues. U gjet menjëherë në këmbë duke i u larguar tryezës sonë, pijeve e mezeve. Sikur donte të tregonte se nuk kishte të bënte më me ato. Lëvizi pastaj gishtrijtë për ti thënë të shoqes që ti hiqte nga tavolina.

- Tu shtroj bukën, Dilo ? – pyeti Meli që nuk dinte se çfarë të bënte në ato çaste.

- Farmak a ke ? Atë gjej e na e ve  përpara – tha xhaxhai me një zë që tregonte përbrenda inatin e tij në rritje.

Nga dhoma pranë erdhi dënesa e Norës. Meli shkoi menjëherë atje. Mua më erdhi keq për të, por edhe inat. Një vajzë kaq e mirë sa ajo, e zgjuar dhe e pamshme të mos ishte e zonja që ta gjente dhe ta zgjidhte vetë shokun e jetës së saj ? E kishte lënë fatin në duart e të tjerëve. Në kryeqytet ishte, në universitet mes dhjetra e qindra të rrinjve. Po kishte shkuar dhe kishte ulur kokën pa guxuar që ti shikonte të tjerët në sy. Për të ekzistonin veçse mësimet.

Alushi ndezi cigaren. E thithi fortë pastaj lëshoi tymin pjesë-pjesë sikur të kërkonte që të luante me atë. Në fakt nuk ishte aq indiferent sa dukej, sepse i thirri të motrës që nuk lëvizte në gjysëm errsirën e dhomës së Norës, pranë shtratit të saj. Ajo nuk i u përgjigj. Mbase gjykoi e mendoi se nuk kishte hallin e tij tani.

- Fole si shumë sot. Nuk të rrihet ty. Të njof mirë unë, të njof. Ndryshe biseduam këtu dhe ndryshe bëre atje. Sikur kishim shkuar që të tregoje se na qenkeshe amvisë e mirë.

- Pse flet kështu ti Lushi – tha Meli që doli me nxitim nga mezi i dhomës ku ishte. Unë për vete qeshë në rregull. Dilua nuk më bëri shenjë. Aaa, në fillim po, pastaj hiç. Ndaj vazhdova që të llafosesha.

Xhaxhai e pa drejt e në sy. U nxi në fytyrë. Mblodhi buzët që këtë herë mu duk se i kishte më të thata, e tha

- Po pse moj, kujt i a paskam shkelur këmbën duke i a bërë copë, krushkës ? Unë plasa, shkel e ti hiç, unë shkel e ti llap. Ndaj nuk na paske pushuar, por ke ligjëruar si të ka dash kokra e qejfit ? Oh, oh, oh, ç’na ke bërë. Pse s’thua ti moj që na ke nxjerrë bojën. Qenkam prezantuar si vagabond, hor, e ku ta di unë. E ku se ? përpara krushqisë. Kësaj çi thonë..

Lushi u ngrit e iku pa filluar stuhia. E dinte mirë se çdo të vinte pas. I njihte që të dy.

Ishte inatçi i madh xhaxhai im. Nuk kishte shok të dytë tek ne jagodinat, një fis që i kalojmë  dyzet e ca shtëpi. E pashë ashtu në këmbë dhe sytë mu dukën se i nxorrën xixa. U nxi. U bë sterë. Mblodhi përsëri buzët dhe rrotulloi sytë për të gjetur gruan e tij që ishte rikthyer tashmë në dhomën ku vazhdonte të qante Nora me dënesë.

- Po pse moj, pse ? Oh ! – bëri pastaj si një njeri që do të ikte nga tê gjallët e kësaj bote.

Xha Dilua dukej se po mbushej në kraharor.

Tani i doli menjëherë të atit përpara dhe ngriti dy shuplakat përpjetë.

- Mos baba, për hatrin tim – tha e ngashëreu në çast.

Pashë që i shkëlqeu një vijë loti që kishte rrëshqitur në faqen e majtë.

- Meliha, - thirri Dilo Jagodina, me një zë si një buçimë deti, - Meliha. E shoh që po të ha.

U ndjeva keq në ato momente. Nuk dija se ç’të bëja. Kisha mbetur në mes, aty para tavolinës së zbrazur, e pa njerëz.

Jashtë binte dera. E dëgjuam dhe gjithçkah ndali në vend, si sekuencat e një filmi që kishte mbetur në ingranazhet e aparatit, pa mundur që të reflektonte në perden e bardhë të kinemasë.

 

Aleko LIKAJ

http://aleko-likaj.blogspot.com/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora