E premte, 19.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Faleminderit

Neki Babamusta: Profesori i paharruar Ibrahim Babamusta (Mësues i Popullit)

E marte, 18.10.2011, 08:02 PM


Një Altar i Shenjtë me apostuj karizmatikë

Një shekull: nderi dhe lavdia për arsimin tonë kombëtar.

 

Profesori i paharruar

Ibrahim Babamusta (Mësues i Popullit)

1903 – 1991

 

Nga: Neki Babamusta

 

Lindi, u rrit dhe u edukua nga një familje e fis në qytetin e Kavajës, trevë historike, me tradita të larta patriotike kombëtare.

 

Që në moshë të vogël, mësoi nga të parët e tij, vlerat e shenjta morale: Ndershmërinë, thjeshtësinë dhe korrektësinë, dashurinë për Mëmëdheun, humanizmin, mikpritjen dhe besën, dëshirën për të jetuar i lirë në trojet stërgjyshore, për shqiptarizmin e Rilindasve, përpjekjet për të fituar titullin e lartë “Njeri”.

 

I ati, Murati, punoi si këshilltar i ish Kryebashkiakut të Kavajës, Z. Shazivar Olltuni në kohën e Zogut. Xhaxhai i tij i parë, Beqiri, administronte punët e tregëtisë me Evropën: Itali, Montekarlo, Francë. Xhaxhai tjetër, Osmani, drejtonte punët e brendshme, bujqësinë. Që të tre vëllezërit drejtonin punët në qendrat tegtare brenda vendit, larminë me kope bagëtish.

Tre  vëllezërit, Murati (i dekoruar për veprimtari patriotike), Beqiri dhe Osmani, zotëronin italishten dhe turqishten, tipa sa të ndershëm, po aq edhe të urtë.

 

Murati, nëpërmjet një “Ditari” evidentoi ndodhitë historike të Shqipërisë së Mesme dhe të vendlindjes. Fatkeqësisht, ky ditar, me ngjarje gjysëm shekullore, u zhduk, “enigmatike”, ndoshta gjatë bastisjeve komuniste pas viteve 45-së. Mbështetur tek të dhënat e jetuara, “Fisi Babamusta”, me prejardhe nga Malësitë, përfshin një etnogjenezë kohore mbi treqind vjeçare. I pari i tyre, Musta, thirrej me emrin “Baba”, me besim bektashi, nga ku mbeti dhe mbiemri “Babamusta”. Teqeja Babamusta, me rrënojat e saj shekullore, në Bukaq të Kavajës, konfirmon mbiemrin e fisit. Zotëronin troje, dyqane, deri në Elbasan; toka që ndodhen në fshatrat bregdetare Spillej – Rreth – Greth, me sipërfaqe prej disa qindra hektarësh, bashkë me pyjet dhe kullotat. Kryerojtari i këtyre pronave ishte miku i tyre Spiro Pella. Ky fshatar, asgan dhe i respektuar në krahinën bregdetare, tregon në vitin 1955 me nacionalistin patriot Dyl Zyba kur unë isha mësues në këto fshatëra. Ata kujtonin si e kaluan Ismail Qemalin, në anën tjetër të Shkumbinit me sanallë, duke përmendur me krenari fisin Babamusta.

 

Nëpërmjet Kalasë së Bashtovës dhe portit të vogël Spillej, bënin tregti me Italinë, etj, ku anijet ngarkoheshin nëpërmjet varkave të vogla me bereqet, lesh, vaj, xung, bagti, kuaj, dema, buallica të egra.

 

Të parët e Ibrahimit, i karakterizonte një bujari dhe humanizëm, i njohur në tërë Shqipërinë. Çdo natë, te Selamlleku, oda e madhe e pritjes, shtroheshin gjashtë – tetë sofra buke, për këtë njihej edhe me emrin “Dera e bujarisë shqiptare”.

 

Një mik i hershëm i “Babamustave”, 80 vjeçari Qazim Bardhi, nga fshati Gjysylkonaj (Pezë), ku unë isha mësues në vitin 1954, si më njohu sojin, më tha:

-           Tërë vitin do të qëndrosh në konakun tim, si mik. Miqtë e mi, të parët tuaj, i trajtonin të punësuarit me njerëzillëk ... duke u dhënë edhe hakun. Kur bujqit ishin beqarë, posa krijonin familje, u jepnin tokë, bagëti e shtëpi. Ata propagandonin dhe ndihmonin në përhapjen e shkollave shqipe. 

 

Dhe vërtetë, kur nga fjalët e zemrës, të Profesor Ibrahimit, dëgjoje mikpritjen Iliriane të të parëve të tij, “Mirëseardhët mik”, të bën të ndjehesh krenar.

 

Që në moshën 9 vjeçare, ai pa dhe njohu në Selamllëk, me 25 nëntor 1912, patriotin e madh, Diplomatin Ismail Qemalin me shoqëruesit e tij. Të nesërmen, si e pajisën me të holla, ushqime, karvanin me kuaj të shoqëruar nga një nip i tyre, Qazim Merhori, i siguruan udhëtim të mbarë për “misionin e madh historik”. Me anë të miqve të tyre, Bajram Xhani nga Luzi i Madh i Kavajës (dekoruar për veprimtari patriotike) dhe Ramazan Cani nga Peqini (Hero Popullor, Mësues i Popullit), komandues të çetave të armatosura, siguruan udhëtimin. Pa dhe njohu patriotin Avdi Bej Toptani nga parësia e Tiranës, i cili me vendim të këshillit fuqiplotë u shpall kryetar i qeverisë vendore të përkohshme për Kavajën. Më 27 nëntor 1912, në Kavajë ngrihet flamuri i pavarësisë, në oborrin e madh të patriotit Must Cara, i dekoruar për veprimtari patriotike, po mik i tyre. Pa dhe njohu Aqif Pashë Elbasanin, patriotin e madh të kombit tone, njohi Biçakasit e nderuar të Elbasanit, fis me të cilin kishin miqësi të hershme.

 

Në kohën e Luftës Çlirimtare, tek të afërmit e tij në Kavajë, u takua dhe njohu vëllezërit Shqyri e Myslim Peza. Nëpërmjet kushëririt të tij, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit), bie në kontakt me intelektualin e zgjuar, me ide perëndimore, nacionalistin, Mustafa Gjinishin, (vrarë nga diktatura), të cilin Mehmeti dhe vëllai i tij, Isufi (nacionalist), e kishin djalë teze.

 

Në periudhën e proceseve demokratike gjatë tranzicionit, u pritën me përzemërsi të persekutuar, patriotë, qytetarë dhe fshatarë, personalitete të vlerave demoktratike të arsimit, titullarë të lartë, diplomatë, funksionarë, gazetarë dhe shërbëtorë të Zotit nga vendi, Evropa dhe Sh.B.A.-ja. Më 15 mars 1992 në shtëpinë Babamusta themelohet Shoqata Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani”.

 

Arsimimi në Austri, aktiviteti patriotik dhe antikomunist.

 

Profesor Ibrahimi do të nisej për në Austri, duke marrë me vete kujtimin e Luftës së Shkodrës, tetor 1912. Në atë luftë iu vranë dy kushërinj, u plagos dhe xhaxhai i tij, Beqiri. Batalioni vullnetar i Kavajës dhe ai nga Shqipëria e Mesme u përgjysmuan duke rënë dëshmorë në luftën kundër serbo-malazezëve pushtues. Në dokumentin e prillit 1915, patrioti Mehmet Perçemi, i drejtohej me thirrje Murat Babamustës se si kish arritur marrëveshje me patriotët e Elbasanit, kërkoheshin bashkëveprime të armatosura me besë për të luftuar pushtuesit gjakatarë serb, për t’i përzënë nga trojet e Shqipërisë së Mesme.

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Profesor Ibrahimi, i edukuar me këto ide, si kish mbaruar shkollën fillore në vendlindje, niset në Austri, shtator 1918. Falë talentit dhe përkushtimit për të studiuar, u bë i njohur në rrethet shkencore të Austrisë. Shkollën e mesme dhe Fakultetin për Matematikë i mbaroi në një hark kohor prej 12 vitesh. Mbaroi shkëlqyeshëm, me akordimin e Medaljes së Artë të Franc Ferdinantit, Perandorit të Austrisë.

Në Austri lidhi shoqëri dhe miqësi të ngushtë me bashkëatdhetarët e tij nga vendlindja: me Dr. Ethem Cara, i persekutuar politik që nuk ia dorëzoi thesarin e shtetit gjeneralit e gestapos hitleriane; me Dr. Must Cara, mjek me famë botërore, që dha ndihmesë për mjekësinë shqiptare; me Dr. Hasan Ceka, babai i Arkeologjisë shqiptare; me intelektualin e shquar, Baki Sinella, persekutuar nga diktatura. Me këto figura të shquara të kombit tonë, dhe me studentë të tjerë shqiptarë, propagandonin mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Mbante lidhje të ngushta me vendlindjen, fisin, familjen.

Në një letër që mban datën 15.11.1926 drejtuar xhaxhait të tij, Beqirit, ndër të tjera Ibrahimi shkruan:

“Xhaxha ju falenderoj për kujdesin që tregoni ndaj nipit tuaj! ... Mësojmë shumë, dhe i jemi përshtatur mënyrës së jetesës dhe edukatës gjermane. Dhëntë Zoti që Kavaja dhe Shqipëria të bëhen si Austria!”

Ndonëse trashëgonte një edukatë të vyer nga të parët e tij, në Vjenë, kryeqyteti i vlerave kulturore botërore, kuptoi më mirë, se çdo të thotë respekt hyjnor për atë që të fal dritën e diturisë.

Në tetor 1927, në Vjenë mbahej një simpozium ndërkombëtar për shkencat egzakte, në Universitetin ku studionte Ibrahimi. Simpoziumin e drejtonte profesori i matematikës së tij. Tek po ngjisnim shkallët, për në sallën e Kuvendit, tregonte Ibrahimi, për një moment u dëgjua një zë i lartë: ALT! Qëndro! Të gjithë mbetën të shokuar. Profesori ynë hoqi barsolinën nga koka, duke mbajtur qëndrim gatitu. 50 metra më larg, po vinte drejt nesh një i moshuar, me çap të ngadaltë, me peshën e viteve mbi supe. Si u afrua 20 metra, Profesori ynë, u përul deri në tokë. Kalimtari misterioz, si arriti pranë nesh na buzëqeshi lehtë, duke prekur kapelen e tij me dorë. Si kaloi babushi, u bëmë kureshtarë dhe e pyetëm: “Pse kjo reverencë e rrallë, profesor?” Si na vështroi buzagaz, na tha: “Të mos ishte ky ish-mësuesi im i klasës së parë, unë s’do të isha ai që jam sot, dhe ju s’do më ndiqnit pas...”

Historia, si poetesha e kohrave, Apostujve, u ka dhuruar dritën e diturisë, për të ndriçuar mendjet dhe udhët njerëzore. Nga lulet dalin, çelin dhe përhapen vetëm lule. Një ish student i shkëlqyer, z. Aleksandër Liti, në ish Politeknikumin “7 Nëntori” kujton: “Është e vërtetë se nga dora e Profesor Ibrahim Babamustës kanë dalë shumë studentë të mirë dhe të talentuar... Falë atij përkushtimi, unë dhe shumë shokë të mi mbaruam studimet e larta, të cilat nën edukimin dhe kurajon e tij, na ndihmuan për të përballuar vështirësitë e jetës... Shpreh konsideratën time më të lartë, një prej mësuesve të mi të parë, i cili më dha nocionet e para të matematikës!”

Në Vjenë, si mbaron studimet, autoritetet e larta të arsimit kombëtar të Austrisë, iu lutën që të qëndronte në Austri. Ibrahimi, si i falenderoi për respektin e veçantë që treguan, përgjigjet: “Vendi im, Shqipëria, na ka dërguar që kulturën dhe arsimin e shkëlqyer të Austrisë ta përhapim dhe në vendin tonë”. Prej Austrisë, atdheu i tij i dytë, u nda në 1929-ën. Kushtrimi i të parëve ishte më i fuqishëm.

Nga v. 1930-70 punoi si profesor matematike. Nga v. 1930-45 shërbeu si drejtor i Gjimnazit të Tiranës, drejtor i Normales së Elbasanit, drejtor i gjimnazit të Gjirokastrës, drejtor i Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, inspektor i matematikës në Ministrinë e Arsimit. Nga v. 1930-47 është autor i të gjitha teksteve të matematikës që përdorën shkollat shqipe në të gjithat klasat dhe nivelet: Algjebër, gjeometri, trigonometri, analiza, gjeometri analitike, probabilitet.

I dashur me kolegët dhe shumë i afërt me studentët. Me talentin e tij, ia hiqte nga kujtesa, frikën për “gogolin matematikë”! Hipnotizues, i qartë dhe i kuptueshëm, dhe gojë ëmbël me shakatë, “Besa e Kavajës bën lojë kolektive. Nganjëherë, arbitrat ia bëjnë me hile, por s’kanë ç’i bëjnë golave bombë të Qamil Telitit. Ju do të bëheni e ardhmja krenare e kombit tonë,”-  u thonte studentëve, që për respekt e thërrisnin “Tata”.

Tingëllon si çudi por e vërtetë. Profesor Ibrahimi përdorte metoda mësimore të avancuara për kohën. Kur studentët tanë shkonin për të studiuar jashtë vendit si në Bashkimin Sovjetik etj, pedagogët e këtyre fakulteteve habiteshin me nivelin tepër të lartë të studentëve shqiptarë. Me shpirtin e së keqes, dhe syrin e pesimistit, u thonin studentëve tanë: “Si është e mundur një nivel kaq i lartë i juaji? Ju keni mbaruar një fakultet tjetër në Shqipëri, a gjetkë?” Vinin për verifikim duke u futur në procese mësimore. Përballë argumentave deklaronin: “Shqipëria, një vend i bukur me diell pranveror, por edhe me mendje të ndritura.” 

Ndiqte dhe ndëgjonte vazhdimisht lajmet nga radio Vjena. Me raste përvjetorësh apo ceremonish në universitet, e ftonin, por regjimi komunist nuk i jepte vizën.

Duke e ngacmuar një herë, si me të qeshur i thashë: “Po dëgjojmë çdo ditë se rraca jonë e shqiptarëve është përmirësuar!” Duke ma kthjelluar mendjen për propagandën boshe të regjimit komunist, m’u përgjigj: “Po ...Është përmirësuar rraca e shqiptarëve dhe po na zgjatet jetëgjatësia, se Rusia (Stalini), na ka sjellë damazë (dema rrace nga Siberia)!”

Bindjet e tij politike binin ndesh me bollshevizmin rus dhe regjimin komunist të Tiranës. Gjatë Luftës Çlirimtare 1941-44 si humanist, së bashku me Dr. Ethem Carën, shpëtuan dhjetëra demonstrues dhe të burgosur nga Gestapoja gjermane, duke organizuar arratisjen e tyre. Bashkëpunoi me kushërinjtë e tij, vëllezërit Mehmet dhe Isuf Babamusta. Nëpërmjet tyre, dërgoi në Pezë nipin e tij, Qemalin (veteran i burgosur politik), të cilin e mbante në shtëpinë e tij për studime në liceun e Tiranës. Lidhje të ngushta mbante edhe me kushërinjtë e tjerë, vëllezërit Halil Babamusta (i persekutuar politik dy herë) dhe me Ragipin, antifashist nacionalist, ndër themeluesit e parë të bandës muzikore dhe klubit sportiv “Besa” në 1925-ën. Lidhje mbante edhe me Hasan Babamustën, vdekur në burgjet komuniste.

Veprimtaria e tyre antikomuniste, bëhej e inkuadruar në organizatën klandestine “Fronti i Rezistencës”, të cilët së bashku me dhjetëra veprimtarë të tjerë antikomunistë koordinonin veprimet me zbulimin anglo-amerikan me qëllimin kryesor, rrëzimin e komunizmit. Me xhaxhanë e tij, Beqirin, lidhjet ishin të përhershme. Nëpërmjet Ragipit, Ibrahimi rekomandoi që xhaxhai të mbante në fshehtësi një familje hebreje Izraelite (rrobaqepës, prej katër vetësh). Po ashtu, pas kapitullimit të Italisë fashiste, me 8 shtator 1943, u strehuan po në atë shtëpi, për disa javë edhe 5 ushtarë dezertorë kalabrezë, të cilëve si familje hebre iu shpëtua jeta.

Në bashkëpunim me intelektualin patriot, Baki Sinella (i persekutuar politik) dhe me atdhetarë të tjerë organizuan në vitin 1944-50 dërgimin e arsimtarëve vullnetarë (edhe nga Kavaja) në Kosovë për të përhapur mësimin dhe shkollat shqipe. Këto arsimtarë patriotë u ndoqën dhe u persekutuan barbarisht nga U.D.B.-ja jugosllave. 

Sigurimi i shtetit, për të neutralizuar veprimtarinë antikomuniste, edhe gjatë luftës, eksperimentoi metodat më barbare: pushkatime pa gjygj, vrasje në pusi, deri në prerjen e sharrimin e gjymtyrëve të trupit, siç ndodhi në jug të Shqipërisë, viti 1943-44 (argumentuar nga Arshiva sekrete e Misionit Anglez në Shqipëri). Këtë fat tragjik pati edhe “Front i  Rezistencës” (1944-46), veprimtaria e të cilit u zbulua nga sigurimi famëkeq, shënjestër e së cilës u bë edhe Ibrahimi. Kryetari i organizatës, Hamdi Frashëri, me të tjerë, u dënuan me vdekje; nën Kryetari – Dill Cani, me 101 vjet burgim dhe shumë anëtarë si Kastriot Cani, me internim dhe burgime. Për këto arsye, regjimi komunist i Tiranës trilloi shkakun e hedhjes së bombës në Legatën Ruse më 19 shkurt 1951. Qëllimi kryesor ishte zhdukja e elitës së intelektualëve që kishin mbaruar studimet në Perëndim. Arrestohet grupi i parë, mes të cilëve edhe profesor Ibrahim Babamusta. Hetimet që vazhduan për më tepër se një vit me tortura ndaj grupit të parë nuk nxorrën gjë dhe ata dolën të pafajshëm, ndonëse i lanë të dënuar në burg, mbyllur në qeli. 

Për familjen e Profesor Ibrahimit filloi kalvari i vuajtjeve. Në suvijim dhe varfëri, i lënë në harresë nga diktatura, Profesor Ibrahimi u nda nga jeta në vitin 1991. U nda nga jeta “Titani i Shkencave Egzakte”, “Ajnshtajni ynë” duke mbetur legjendë për arsimin tonë kombëtar. Vuajtjet, sëmundjet dhe mosha, nuk e lanë të shijonte vitet me dritë të Demokracisë, shoqëruar me erërat e ngrohta të Perëndimit, për të cilën ai punoi dhe luftoi për një jetë të tërë. Ai la pas një plejadë të tërë shkencëtarësh, intelektualësh, vazhdues të denjë të veprës së tij. Nderim dhe respekt të përjetshëm këtij ylli vezullues për vlerat e larta njerëzore! Me 1993 ish presidenti i Republikës z. Sali Berisha i akordon titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Familja është vatra e shenjtë, baza riprodhuese e shoqërisë njerëzore. Evolucioni historik, nga kopeja primitive e deri tek familja nuk është bërë si një marketing tregëtie, por puna, mundi dhe përvoja e përbashkët në luftë me natyrën e egër, bën të mundur transformimin e jetës simbolizuar në krijimin e familjes.

Kodifikimi i jetës bashkëshortore bazohet dhe presupozon bashkim vullnetar, të lirë me besë reciproke, në barazi e mirëkuptim, unifikim mendimesh, në përballje me telashet e jetës, në gëzime dhe hidhërime, në mot me temperaturë të ftohtë nordike dhe nxehtësi afrikane. Dashuria e sinqertë sinkronizon përpjektet, që në jetën familjare, të arrihet më e mira e mundshme, e cila kulmon me lindjen e trashëgimtarëve.

Historikisht, kombi shqiptar nëpërmjet fiseve dhe familjeve të nderuara është shembull pozitiv për vlerat e larta morale që kanë trashëguar. Këto vlera rrezatuese njerëzore, e kanë bërë botën që të përmendin me respekt dhe të përulen përpara familjes stabilizuese të shqiptarëve.

Po kaq dinjitoze rradhitet përpara shqiptarizmit edhe familja e ndritur e Profesor Ibrahim Babamustës. Profesor Ibrahimi, nga fruti i dashurisë së pastër, me gruan e tij besnike, të urtë dhe zemërgjerë, znj. Sadete Kurti nga Durrësi (ndarë nga jeta), lanë pas katër trashëgimtarë të shkëlqyer, dhuratë e bekuar natyrale e Zotit: dy djem – dy vajza (Agroni, Neritani, Flutura dhe Lejla). Puna dhe përkushtimi i këtyre fëmijëve shenjtëroi edhe më lart dritën e diturisë, në të mirë të Kombit shqiptar dhe vlerave botërore.

Katër fëmijët kanë formuar familje, duke lidhur miqësi me familje fisesh patriotike. Vatrat e tyre kanë qenë dhe janë dyer miqësie dhe bujarie, jo vetëm për familjen time në vazhdimësi, por për fisin, miq e shokë, dhjetëra qindra familje tiranase, me fëmijët e tyre ku merrnin mësime plotësuese. Si pasojë e ndihmës dhe influencës së Profesor Ibrahimit, nga ky fis kanë mbaruar studime të larta, brenda e jashtë vendit mbi 40 vetë, rrugë e cila po ndiqet edhe nga nipat dhe stërnipat e tyre. 

 

Profesor Agron Babamusta – Arkimedi i Shkencave Egzakte

 

Euridit enciklopedik dhe orator, me një kujtesë të jashtëzakonshme, që citon përmendësh Lahutën e Malësisë, të Atë Gjergj Fishtës, historinë e Skënderbeut, të Naim Frashërit, rubait e poetit arab të Omer Khajamit...! Një Konicë i dytë! Me pamje shqiponje (kështu janë të katër fëmijët) si e jëma. Prototipi i Diplomatit, që flet pak por me peshë dhe të dëgjon shumë. Ishte gjimnazisti i shkëlqyer që zëvëndësonte babanë në orë mësimi, dhe më pas, student dhe pedagog i talentuar. Duke u futur në zemrën e studentëve, ata e thërrisnin “Baba” si dikur të jatin e tij.

Tek shikon dhe shfleton veprat shumë voluminoze për shkencat egzakte, ndjen një krenari ngazëllyese dhe merr një përgjigje engjëllore, forcë mendore, proverbial! Veprat e tij janë autentike, me ndriçim perëndimor, si të jatit. Në Akademinë Ushtarake, kasta komuniste, me disa gjeneralë (graduar që në male), me sofizmat e tyre për sulme imagjinare në kokat e tyre nga imperializmi amerikan dhe social imperializmi sovjetik, futën në programe teorinë e luftës partizane: në rast sulmi nga armiqtë do të rrethojmë fshatërat dhe do kapim malet...

Profesor Agroni, e ngriti artin ushtarak mbi baza moderne. Megjithatë, ai ishte kundër armatosjes së vendit, kundër bunkerizimit, që sollën shkatërrimin total ekonomik të vendit deri në varfëri të tejskajshme.

Në Medresenë e Tiranës, si Drejtor, Ai, me stafin e tij, propagandoi paqen e Islamit, solidaritetin vëllazëror mes besimeve fetare në Shqipëri dhe për tërë kombin tonë. Edhe sot vazhdon hulumtimet e tij shkencore në të mirë të vlerave shkencore. Ky është Arkimedi ynë!

 

Veprimtari Botuese nga Prof. Agron Babamusta:

 

           Gjeometria analitike dhe analiza matematike. Tekst mësimor për shkollat tekniko- profesionale. (1960)

           Problema gjeometrike me përmbajtje praktike.Ushtrime për punë jashtë klase për nxënësit e shkollave tekniko-profesionale. (1962)

           Fuqitë me eksponent rracional dhe rrënjët. Broshurë mësimore për shkollat e mesme.

           Algjebra 1. Tekst mësimor për shkollat e mesme të arsimit të përgjithshëm. (1968)

           Algjebra 2 .Tekst mësimor për shkollat e mesme të arsimit të përgjithshëm. (1968)

           Matematika e lartë ~ Vëllimi I. (1980)

           Matematika e lartë ~ Vëllimi II. Tekste mësimore për shkollat e larta ushtarake dhe Akademinë Ushtarake. (1981).

           Ushtrime të matematikës së lartë. (1982)

           Teoria e probabiliteteve. Tekst mësimor për shkollat e larta ushtarake dhe për Akademinë Ushtarake. (1985) 

           Bazat e qitjes me armët e tankut.Tekst mësimor voluminoz për Akademinë Ushtarake, njëkohësisht edhe material  i paraqitur për gradë shkencore.  (1987)                     

 

Profesor Neritan Babamusta – Pitagora e Shqipërisë!

 

Me mençurinë dhe urtësinë e Sokratit! Dikur, shahist i madh, lojë ku gjente qetësi mendja e tij e ndritur. Shkencëtar bashkëkohor me produktivitet të jashtëzakonshëm. I tërë sistemi ynë arsimor parauniversitar, punon me veprat e tij për matematikë, gjeometri, algjebër...

Duke qenë fisnik, ka një rreth të madh simpatizuesish, të cilët në zemrat e tyre e mbajnë mik të shenjtë me vlera të larta.

Ky “Trimvirat” i vlerave njerëzore, ka përgatitur për atdheun tonë një plejadë të tërë shkencëtarësh e mendimtarësh mëmëdhetarë, para të cilëve krenohet i tërë kombi ynë! Ekuacionet e tyre matematikore, me të panjohura, nuk i kanë konvertuar në miliona, por janë dhe mbeten thesare për ndriçimin e mendjeve njerëzore.

Urimi ynë: Jetëgjatësi, me gëzime, sa malet e Arbërit!

 

Botimet dhe Tekstet Mësimore nga Prof. Neritan Babamusta:

           Elemente të gjeometrisë në hapësirë. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (1982)

           Elemente të analizës matematike dhe gjeometrisë analitike. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (1984)

           Edhe pak matematikë për ju. Libër për nxënësit me prirje në matematikë. (1990)

           Matematika 4. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (1994)

           Teza me zgjedhje në matematikë. Tekst ndihmës për mësuesit e shkollës së mesme. (1998)

           Manual për drejtorin e shkollës. Administrimi i shkollës. (1999)

           Manual për drejtorin e shkollës. Monitorimi i shkollës me tregues sasijorë. (2000)

           Fëmija, prindi dhe matematika 1. Libër për prindërit dhe nxënësit e klasës së parë. (2000)

           Matematika 2.2. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2000)

           Ushtrime matematike. Teste për shkollën e mesme dhe konkurset e shkollë së lartë. (2002)

           Matematika dhe të drejtat e nxënësve në shkollë. Tekst ndihmës për mësuesit e matematikës. (2004)

           Ushtrime të zgjedhura për matematikën 2.2. Tekst ndihmës për shkollën e mesme. (2006)

           Matematika 2. Tekst për mësuesin e klasës së dytë të ciklit fillor. (2006)

           Ushtrime matematike për maturën shtetërore. (2006)

           Matematika 8. Tekst mësimor për shkollën 9-vjeçare. (2007)

           Ushtrime matematika 8. Tekst ndihmës për shkollën 9-vjeçare. (2007)

           Matematika 9. Tekst mësimor për shkollën 9-vjeçare. (2008)

           Ushtrime matematika 9. Tekst ndihmës për shkollën 9-vjeçare. (2008)

           Ushtrime matematike për provimet e lirimit. (2009)

           Matematika 10. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2009)

           Ushtrime matematika 10. Tekst ndihmës për shkollën e mesme. (2009)

           Matematika e avancuar 10. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2009)

           Matematika 11. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2010)

           Ushtrime matematika 11. Tekst ndihmës për shkollën e mesme. (2010)

           Matematika e avancuar 11. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2010)

           Matematika 12. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2011)

           Matematika e avancuar 12. Tekst mësimor për shkollën e mesme. (2011)

           Matematika 12. Libër për mësuesin. (2011)

 

Znj. Flutura Babamusta – Dizenjatorja e shkëlqyer!

E dashur, e qeshur dhe e shpejtë si flutur (ndarë nga jeta). Punonte si asistente inxhiniere, dizenjatore tek Kombinati i Tekstileve në Tiranë, kovaçhanë e kohës së Carit, dhuratë e “Kasheit të Pavdekshëm”, Stalinit. Së bashku me të shoqin, inxhinier, dhe me qindra duararta vajza shqiptare iu dhanë jetë prodhimeve të kombinatit. Këto prodhime, zbukuruar me mjeshtërinë e tyre artistike konkuronin edhe në tregjet e jashtme. 

 

Znj. Lejla Babamusta – Talenti i Matematikës!

E mençur dhe e bukur në rininë e saj, si zanë e maleve tona, me karakter të fortë dhe shikim të ëmbël dhe magjepës! Si mësuese e përkryer matematike u dha jetë vlerave shkencore të babait dhe vëllezërve të saj. Si e jëma, të imponon respekt. Dy vëllezërit dhe dy motrat kanë rritur dhe edukuar fëmijë të shkëlqyer.

Talenti i kombit shqiptar, ndër më të avancuarit për mençuri në botë! Një popull që vazhdon të prodhojë karizmatikë të rinj, në të gjitha fushat e jetës, që na bën të ndjehemi krenar para qytetërimit.

Me përulje, respekt përpara inteligjencës, Akademikëve dhe Doktorëve të Shkencave të Kombit tonë!

 

Neki Bababamusta

Londër, 12 Tetor 2011



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora