E premte, 29.03.2024, 11:17 AM (GMT)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Një interpretim i gabuar i veprës së Migjenit

E premte, 14.10.2011, 07:04 PM


NJË INTERPRETIM I GABUAR I VEPRËS SË MIGJENIT

 

Nga Nuhi Ismajli

 

Migjeni, “…nji nga ma interesantët e të randësishmit fenomenë letrarë në gjithë letërsinë tonë”, siç thotë M. Gurakuqi, ndonëse është një nga tre-katër shkrimtarët shqiptarë, të cilët, në historinë e letërsisë shqiptare kanë tërhequr dhe vazhdojnë të tërheqin më së shumti vëmendjen e opinionit lexues, të zgjojnë dhe xigëlojnë përherë kërshërinë e historisë dhe të kritikës letrare në përgjithësi tek ne (A. Aliu), është edhe njëri nga shkrimtarët më të panjohur dhe më të keqinterpretuar.
Shkrimet për veprën e Migjenit karakterizohen për mendimet e kundërta dhe të paqëndrueshme. Në leximin, interpretimin dhe vlerësimin e gabuar të veprës së tij kanë ndikuar: kufizimet e ndryshme ideologjike, mungesa e një hulumtimi më të thelluar të biografisë së autorit dhe një studim më i thelluar edhe i vetë veprës letrare.
Veprës së Migjenit i është bërë vazhdimisht një lexim i ashpër ideologjik. Shkrimet për vepën e tij, me gjithë karakterin e saj të theksuar shoqëror, mund të thuhet pa dyshim se priren skajshmërisht kah vulgarizimi i vazhdueshëm ideologjik dhe shndërrimi i veprës së Migjenit në një mjet të propagandës politike e ideologjike.
Dihet se, që në fillim, për shkaqe ideologjike, botimi i parë i poezisë së tij (1936), u ndalua së qarkulluari, kurse botimit të dytë (1944), iu hoqën disa poezi. Pas LDB-së, vepra e Migjenit (shkrimtar i preferuar, i favorizuar e i shfrytëzuar nga regjimi), ndonëse një nga veprat më të lexuara, më të studiuara e më të vlerësuara të letërsisë shqipe, nuk i shpëtoi dot leximit të njëanshëm, të gabuar dhe keqinterpretimit.
Në shkrimet e ndryshme për veprën e Migjenit vërehet një mungesë e njohjes së biografisë së autorit, në njërën anë, kurse tendenca për lidhjen e ngushtë të analizave letrare me biografinë e shkrimtarit, në anën tjetër, dukuri kjo e cila nënkupton edhe mungesën e koncentrimit e thellimit në vetë tekstin letrar, në analizën dhe interpretimin e tij.
Shkaku i mosnjohjes së jetës së autorit dhe mungesës së një studimi më të thelluar të vetë veprës së tij, pavarësisht nga biografia e autorit, një keqinterpretimi absurd u janë nënshtruar edhe shkrimet e  problematikës intime të Migjenit. Keqinterpretimit i është nënshtruar edhe poezia edhe proza me tematikë erotike e tij.

Keqinterpretimi i poezisë intime

Për një interpretim të gabuar, të çuditshëm, të poezisë intime të Migjenit, dallohen poezitë: Z. B. , Ekstaza pranverore dhe Sonet pranveruer.
Poezia Z. B. e Migjenit, është interpretuar si një poezi intime e Migjenit, në të cilën poeti shpreh dashurinë e tij ndaj kushërirës së tij, zonjës Bojka. Kështu, kjo poezi
del sikur është një poezi dashurie, në të cilën Migjeni ka paraqitur një dashuri incestuoze, paradoksale të tij; një poezi e ceneve morale, të psikës dhe të karakterit të Migjenit. E interpretuar kështu, poezia Z. B., ka ndryshuar karakterin e dashurisë së trajtuar (nga një dashuri e pastër njerëzore në një dashuri të sëmurë) dhe, s’ka dyshim, se e ka cenuar, ulur e poshtëruar figurën njerëzore të Migjenit para lexuesit.
Ngatërrimi dhe interpretimi i tillë i poezisë Z. B., ndërkaq ka ndodhur për shkak të mosnjohjes së biografisë dhe të jetës dashurore të Migjenit.
Keqinterpretuesit, në fakt, duke mos njohur biografinë e poetit, kanë ngatërruar subjektin e dashur të tij, Zonjushën Bojka, ndaj së cilës poeti shpreh dashurinë e tij, në poezinë Z. B., me atë të vajzës, kushërirës së Migjenit, me të njëjtin mbiemër. Pra, një koinçidencë rasti, përkimi i emrave të zonjës Bojka, vajzës së dashuruar nga Migjeni dhe kushërirës së Migjenit, ka sjellë një interpretim krejt të paqëndrueshëm të poezisë Z. B.
Siç shihet, Migjeni në poezinë Z. B., nuk ka shprehur dashurinë ndaj kushërirës së tij, të njohur me emrin Bojka, por ndaj një femre tjetër, po me emrin Bojka.
Figura e femrës, Bojka Nikolla, ndaj së cilës Migjeni shpreh dashurinë në poezinë Z. B., ishte një mikeshë e Migjenit (A. Mile), e jo një kushërirë e tij dhe, pavarësisht nga mbiemri i njëjtë, nuk kishte asnjë lidhje gjaku me familjen e Migjenit.
Kjo dëshmohet në saje të letrave ngushëlluese që Bojka i ka dërgoi Ollgës, motrës së Migjenit dhe shoqes së saj të ngushtë, me rastin e vdekjes së poetit, letra të cilat për herë të parë u botuan më 2002, por të cilat, së bashku me sende të tjera personale të Migjenit ishin pjesë e shtëpisë muze “Migjeni”, në Shkodër (A. Mile).
Bojka Nikolla ishte e bija e Kolë Nikollës, nga Kavaja, i ardhur në Shkodër në moshë të rritur. Ajo ka jetuar në Tiranë deri në vitin 1991 (A. Mile).
Nga keqinterpretimi i poezisë Z. B., duke konsideruar subjektin e poezisë së Migjenit si një kushërirë të tij, poezisë i është ndërruar tërësisht përmbajtja dhe, nga një dashuri e kulluar e tejet njerëzore, ka dalë një poezi e një dashurie të panatyrshme, absurde, kurse vetë poeti, me një botë të prishur, jonormale.
Keqkuptimi i poezisë Z. B., ka pasur ndikim edhe në qëndrimin e mëtejshëm të studiuesve ndaj poezisë  intime të Migjenit. Në bazë të shkrimeve mund të vërehet se derisa fillon të keqkuptohet poezia Z. B., për poezinë intime të Migjenit është shkruar më shumë dhe më mirë. Pas fillimit të keqtrajtimit të poezisë Z. B., poezia intime e Migjenit injorohet dhe për të nuk shkruhet aq. Kështu, në Historinë e letërsisë shqiptare (1983, 1989), p. sh., për të flitet shumë shkurtër, përmendet vetëm ndonjë poezi (Ndeshja, Malli rinuer), ndërsa poezia Z. B., as që përmendet fare (f. 553).
Lirika intime e Migjenit është lirikë e ndjenjave të pastra njerëzore, e një dashurie të kulluar, të vërtetë e të natyrshme njerëzore. Ajo edhe në pikëpamje sasiore zë vend të rëndësishëm, duke përbërë rreth një të tretën e poezisë së gjithmbarshme të Migjenit. Ajo gjithashtu shquhet edhe për nga niveli i realizimit artistik.
Fatin e keqinterpretimit e kanë pasur edhe dy poezi të tjera të Migjenit, të cilat, pa dyshim, mund të quhen edhe poezi intime, siç janë poezitë Ekstaza pranverore dhe Sonet pranveror.
Dy poezitë e përmendura mund të lexohen si himne për stinën e re, pranverën dhe një himn për jetën e re të poetit, pas provës së ndjenjës së dashurisë, pasi ato, në mënyrë metaforike, shprehin dashurinë e poetit, lindjen e dashurisë dhe ndikimin e saj në shpirtin e tij. Këndimi pranverës, natyrës plot gjallëri, gjallërimit të natyrës dhe gjërave të saj, shprehin simbolikisht ndikimin e thellë të ndjenjës së dashurisë në botën shpirtërore të poetit, gëzimin e dashurisë, kënaqësinë dhe bindjen për të ardhmen e lumtur të tij.
Këto poezi mund të kuptohen edhe si poezi natyre edhe si poezi intime, pra si poezi ambiguitive, pasi kemi lidhje të mundshme kuptimi, komunikim të mundshëm dhe të natyrshëm, por nuk mund të thuhet se ato janë një himn i jetës së re të vendit, i së ardhmes së tij; se i këndojnë triumfit të së resë, triumfit të jetës; se në “Këngët e rinis” gjejmë sidomos edhe optimizmin e madh të poetit për një të ardhme të mirë” (Dh. S. Shuteriqi); ëndërrimin për një të nesërme lirie dhe lumturie, një vizion lirik nga më të ndjerit, një himn pranverës së vërtetë njerëzore që s’ka për të munguar në atdheun e tij, një thënie me ton profetik e tij se “pranvera erdhi” (His. e let. shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1989); besimin se masat popullore, më në fund, do të ngadhnjejnë mbi armiqtë e tyre, mbi klasat shfrytëzuese, mbi regjimin reaksionar, ëndërrimin për një të ardhshme të lirë, hymne pranverës së vërtetë njerëzore në atdhe me një vizion thellësisht optimist (po aty) etj.
Poezitë: Sonet pranveror dhe Ekstaza pranverore janë mimesis i botës shpirtërore të poetit, që ka të bëjë me përjetimet e tij dashurore dhe, qoftë, edhe me natyrën dhe përtëritjen e saj.
Përmbajtja dhe figuracioni i poezive të përmendura nuk lidhen me kontekstin kohor e shoqëror. Poeti, në poezinë e tij, flet, parasëgjithash, për një të shkuar / të kryer dhe një të tashme (“…dhe pranvera erdhi…”; “u zgjue agimi pranveruer” etj.), jo për një të ardhme.
Asnjë lidhje kuptimore të këtyre poezive nuk mund të ketë me realitetin shoqëror të kohës. Çka do të konsideronte poeti pranverë, përveç pranverës si dukuri të natyrës dhe, figurativisht, jashtë botës së përjetimeve të tij dashurore?!
Nga mendimet tjera të paqëndrueshme për lirikën intime të Migjenit, vlen të vihen në dukje edhe mendimet e paqëndrueshme, si: lirika e Migjenit zë një vend të vogël, në kuadër të lirikës së tij, në tërësi, se në lirikën intime të tij “ka një notë pezmatimi, në mos dëshpërimi” (po aty) etj., ndërsa dihet se afro afro një e treta e poezive të Migjenit në qendër ka botën intime të poetit, kurse askund në poezinë e tij, nuk ka më shumë optimizëm se në kuadër të kësaj bote etj.

Keqinterpretimi i prozës intime

Temën e dashurisë, Migjeni, siç e ka trajtuar më së miri K. Bihiku, e ka trajtuar në katër proza të tij të njohura, siç janë: Studenti në shtëpi, Të çelen arkapijat, Puthja e Cubit dhe Pak poezi.
Nga këto, një keqinterpretim e ka pësuar proza: Pak poezi, keqinterpretim ky, shtrirjes dhe përforcimit të të cilit i ka kontribuuar inkuadrimi i tij edhe në tekstet shkollore.
Keqinterpretimi i tregimit Pak poezi rrjedh nga keqinterpretimi i poezisë Z. B., prandaj keqinterpretimi i tregimit Pak poezi është edhe një keqinterpretim i ndikuar, i bartur nga mënyra e interpretimit të ndjenjës së dashurisë së poezisë Z. B.
Tregimi Pak poezi është cilësuar si një tregim që ka shenja autobiografike të Migjenit (S. Hamiti), në të cilin, ndër të tjera, trajtohet dashuria ndërmjet dy të rinjve, e cila “binte ndesh me të gjitha konvencionet”, por, sipas komenteve të Migjenit, edhe rrjedhoja e tabuve të krijuara të mjedisit për dashurinë e jetën erotike, të cilat krijojnë fshehtas çorditjet dhe ankthet e të rinjve për marrëdhënie seksuale, dukuritë e incestit dhe të homoseksualitetit (S. Hamiti).
Problemi i keqinterpretimit të tregimit Pak poezi ka të bëjë me theksimin e pranisë së elementeve autobiografike në tregim dhe me lidhjen e figurës së Migjenit me dukuritë e incestit dhe të homoseksualitetit, pra lidhjen e shkrimtarit me dukuri, të cilat bëhen shkak i keqinterpretimit të poezisë Z. B. 
Por, si mund të provohet fakti se tregimi Pak poezi ka elemente autobiografike dhe se dukuritë e incestit dhe të homoseksualitetit, të trajtuara në këtë tregim, kanë të bëjnë me Migjenin?!
Migjeni nuk dashuroi një të afërme, siç është spekuluar shumë herë. Pra, ai as nuk mund të identifikohet me Lilin, personazhin e tregimit, i cili e dashuron bijën e tezes së tij. Migjeni kishte shije për bukurinë e femrës. Që kur ishte në gjimnaz ai këmbente letra me një femër. Më pas, letrat e Bojkës, ndjenja e dashurisë ndaj femrës e shprehur në poezinë intime etj., tregojnë se atij nuk mund t’i mvishen dukuritë e mësipërme.
Migjeni nuk ishte njeri i një niveli dhe i një rrethi shoqëror, në të cilin imponoheshin norma të ngurta shoqërore. Në pjesët komentuese, vetë Migjeni ngritet kundër tabuve të mjedisit për dashurinë e jetën erotike, çoroditjeve dhe anktheve të të rinjve për marrëdhënie seksuale.
Në tregimin e tij ai ngritet kundër një dashurie të tillë jonjerëzore dhe të panatyrshme, siç shihet edhe nga shprehja e qëndrimi i tij: “Pozitivi bashkohet me negativin; mirë po tek na – këtu qoftë e thanun dhe e lanun – bashkohen dhe pozitivi me pozitivin”.
Synimi i Migjenit, në veprën e tij, siç e theksojnë mjaft autorë, ndër të tjera, ishte që të jipte tabllotë “…ma të randa të degjenerimit të jetës së qyteteve, tue pikturue me ngjyra të forta, me thellësi, anët ma të errta të kësaj jete, e në të njëjtën kohë tue zbulue shkaktarët e këtij degjenerimi” (M. Gurakuqi); të konstatonte “…se puritanizmi i rrejshëm sjell deformime të thella morale, që vijnë e bahen shkak i traumave psiqike të njeriut. Qëllimi ku don të dalë ai asht: shoqënia me normat e veta e shpie njeriun në akte të pamoralshme…” (R. Qosja) etj.  
Në tregimin Pak poezi, siç thotë K. Bihiku, qëllimi i autorit ka qenë demaskimi i falsitetit të parimeve morale, paraqitja e “zakoneve prapanike, që shtypin ndjenjat e natyrshme të njeriut, të cilat, duke mos gjetur zhvillimin e tyre, shfrenin në forma të përçudshme dhe të neveritshme” etj., d.m.th., një qëllim krejt i kundërt me kuptimin që del nga keqinterpretimi i tij.
Në prozën e dashurisë, pra edhe në prozën Pak poezi, Migjeni trajtoi edhe çështjen e pozitës së njeriut në një mes shoqëror patriarkal, lirinë e dashurisë, moralin në dashuri etj. Ai lartësoi ndjenjat e pastra, të natyrshme, njerëzore të dashurisë, kurse kritikoi dashurinë e panatyrshme, absurde dhe shkaktarët e saj.
Në rastin e keqinterpretimit të prozës intime Pak poezi, si edhe në rastin e keqinterpretimit të poezisë Z. B., përveç përbaltjes së figurës morale të Migjenit, shmanget esenca e idesë, qëllimi i autorit, porosia, ideali i tij për një dashuri të lirë, por të pastër, njerëzore dhe kritika e lufta e tij kundër sjelljeve dhe dashurisë së çoroditur dhe, mbi të gjitha, kundër shkaktarëve të saj.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora