E enjte, 25.04.2024, 03:48 PM (GMT+1)

Mendime

Fatime Kulli: Fëmijë hajdutë dhe Politikë antihumane

E merkure, 20.02.2008, 08:43 PM


Fëmijë hajdutë dhe Politikë antihumane

Nga Fatime Kulli

Sa e ndërgjegjshme është shoqëria jonë, për të përballuar situatën e rënduar ekonomike sociale, që po rëndon çdo ditë mbi tavanet e shtëpive tona?

Si mund të dalim nga varfëria e tejskajshme, kur ne ende diskutojmë bukën e gojës?! Mjafton të shkosh nëpër dyqane për të blerë ushqimet dhe aty, do të shohësh njerëz që shtrembërojnë fytyrën kur shitësi i thotë se sa është çmimi i një buke, i një shishe me vaj, e një pako me makarona, e të tjera asortimente ushqimore të ditës. Por pos rritjes së çmimeve të elementeve bazë jetike, shqiptarëve iu shtua me vendim të qeverisë, se me 1 mars fillon edhe rritja e energjisë elektrike. Të lumtë moj qeveri, ia bëre fora! Ti "mendon dhe punon" vetëm për popullin. Tani jemi të sigurt, se do prekim qiellin e shtatë të parajsës... Ne do të jemi njerëzit më fatlum, se kemi hyrë në Evropë, madje, jemi më lart se Evropa me çmimet e tregut, që nga buka, kripa, uji, tani edhe me energjinë elektrike. Dhe ne, gazetarët e shtypit të ditës, euforia e "suksesit" të qeverisjes (sidomos për "ngritjen" ekonomike sociale të shqiptarëve), duket se na kanë vaksinuar që të rrimë urtë, të heshtim. Ndaj jemi vaksinuar me ampulën e servilizmit, që të jemi të dashur me qeverinë, të mbyllim gojën para skandaleve të tyre, të bëjmë edhe kompromise kur bëhet fjalë për ndonjë "xhevahir" në xhep... Rritjet e çmimeve, ne i përcjellim normalisht si një lajm për të "entuziazmuar" ballërrudhurit nga varfëria. Gjendja, sot po fokusohet tek pamundshmëria e ndryshimit të kësaj gjendjen social-ekonomike të brezit më të ri, të brezit të mitur, të cilët ndjejnë varfërinë që ka kapluar familjet e tyre që s'kanë as bukën e ditës, dhe yshten drejt krimit të pavetëdijshëm. Ndërsa, fëmijët e deputetëve shkollohen në shkolla private dhe një shërbim special, duke shkuar në shkollë (edhe pse brenda kryeqytetit) të shoqëruar me shoferët e baballarëve të tyre, e pikërisht me makinat zyrtare të Kuvendit apo ministrive. E ndërsa, një grup fëmijësh të pa mbrojtur nga politikat sociale të shtetit, jo vetëm se nuk e kanë atë luks të fëmijëve të deputetëve e ministrave, por ata s'kanë mundësi financiare për të shkuar as në shkollë, dhe ata fëmijë janë me qindra. Por, do të ndaloja tek rastet ekstreme të fëmijëve që kohët e fundit kanë mbushur kronikat tronditëse për shoqërinë tonë. Mjafton të përmendim vetëm lajmet e kronikave të katër-pesë ditëve më parë, ku disa fëmijë në kryeqytet, provojnë në duart e tyre ende të njoma, prangat. Ata fëmijë janë zënë duke vjedhur në banesa të ndryshme të qytetarëve. Dhe njëri prej tyre (që ishte vetëm 12 vjeç) pohoi në polici: "Desha të vidhja se s'kemi bukë të hamë në shtëpi".

Por, këta tre fëmijë kanë qenë "aktorët" e kronikës, vetëm të një dite, po sa kronika të tilla jepen në deklaratat për shtyp nga zëdhënësja e Drejtorisë Policisë së Kryeqytetit, po sa të tjerë fëmijë kanë mbushur faqet e gazetave gjatë vitit?. A i kanë rënë në sy miopëve e antihumanëve qeveritarë dhe politikanëve tanë të nderuar, se çfarë fati i pret këta fëmijë në të ardhmen, ku sot ata mbushin lajmet e ditës?

Në një raport të Avokatit të Popullit, thuhet, se "Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, detyrim kushtetues e ligjor" ...dhe kur dihet që tek ne në Shqipëri Kapacitetet profesionale: "Punonjësit e policisë kanë mungesë profesionale për trajtimin e fëmijëve dhe kjo ka sjellë shkeljen e të drejtave të fëmijëve nga ana e tyre".

Pra, siç e shihni, "suksesi" i policisë së shtetit shqiptar, tashmë është i dukshëm, i kanë zënë hajdutët... Ata tashmë janë të "sigurt" në duart e akuzës, dhe, në raportet e ardhme mujore, tre mujore, gjashtë mujore, 1 vjeçare të policisë, me siguri, këta minoren do të numërohen në shifra, si "suksese" të policisë dhe si "suksese" të qeverisë, në luftë kundër krimit. Kjo është për të qeshur edhe për të qarë. Por, a mendon ndonjëherë shoqëria dhe shteti për këtë grup fëmijësh që po bëhen gati si kontingjent i krimeve më të rënda??? Po çfarë bëjnë OJF-të që janë prezentë në vendi tonë, të cilat fitojnë projekte të majme për trajnime dhe për ngritje të kapaciteteve mbi të drejtat e fëmijëve? A s'kanë të drejtë këta fëmijë, që të kenë një jetë normale si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në botë? A nuk duhet të kenë këta fëmijë, një jetë sociale të siguruar nga shteti që të mos rendin të pavetëdijshëm në rrugën e krimit, siç është rasti i tre fëmijëve të mësipërm??? Çfarë politikash sociale i afron qeveria këtyre fëmijëve që të parandalojë rritjen e shkallës së krimit të tyre??? Çfarë ndihmese jep Qeverisa shqiptare, për të sjellë ndryshimet e nevojshme ekonomike-sociale të familjeve të këtyre fëmijëve, në mënyrë që këta, mos të marrin rrugën e krimit?! Çfarë mundësish i jep shteti shqiptar kësaj kategorie fëmijësh, për t'i krijuar mundësinë ekonomike sociale familjeve të tyre, që këta fëmijë të shkollohen, si të gjithë bashkëmoshatarët dhe të parandalojmë akte të tjera të krimit nga fëmijët?! A mund t'i vlerësojmë qëndrimet e pushtetarëve dhe të shoqërisë sonë, si politika antihumane, përballë kësaj kategorie delikate, që rrezikojnë seriozisht të ardhmen e tyre? Deri kur, qeveria do të premtojë dhe do të gënjejë, e ndërsa kjo shtresë e varfër e shoqërisë, do të vazhdojë të vuajë drejtpërdrejtë varfërinë e tejskajshme, sëbashku me rritjen e çmimeve??? Kujtojmë se qeveria Berisha në Korrik të 2005-ës erdhi në pushtet me moton: se do t'i japë fund varfërisë së shqiptarëve, s'do të ketë më të papunë, s'do të ketë më të varfër që marrin bukën me listë, duke vazhduar akoma dhe kësaj dite me projektin e "skemës së kafshatës". Por realisht, çdo qytetar dhe familje shqiptare, sot ndihen më të dhunuar nga mos bërja e politikave sociale të qeverisë, dhe fëmijët e këtyre fukarenjve po i shohim sot nëpër faqet e kronikave, si hajdutë të vegjël, ndërsa nesër, mesiguri, hajdutë të mëdhenj. Një qeveri sociale dhe humane, duhet të jetë e ndjeshme ndaj këtyre fëmijëve që fatkeqësisht, nga puna e dobët e tyre, bien pre e krimit. Tashmë dihet, se situata ekonomike sociale, sa vjen dhe po përkeqësohet. Nuk ka asnjë dritë jeshile se do të na subvencionojë qeveria (për çmimet e larta deri në një qindarkë), siç deklaroi Kryeministri shqiptar. Edhe nëse, do të ndodhë kjo, këto para do t'i marrin vetëm punonjësit në administratën e shtetit, (dhe ky numër është i vogël në krahasim me numrin e shumtë, të të pa punëve në Shqipëri), e kjo shtresë e të pa punëve do të zhytet më thellë drejtë humnerës së varfërisë. Ndaj, nesër do të shohim më shumë fëmijë që rendin drejt rrugës së krimit...

Po politika dhe shteti shqiptar gjatë këtyre 18 vjetëve, çfarë ka investuar, për t'i ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre??? Asgjë! Asgjë! Asgjë!

Ndaj sot, po përjetojmë gjendjen më skandaloze ekonomike dhe shoqëria jonë hesht.

Në kushtet e këtyre çmimeve dhe në kushtet, kur qeveria ka paralajmëruar me kohë rritjet e çmimeve dhe për shërbimet bazë, furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë, me gaz, tashmë është një realitet i dhimbshëm. Familjet e këtyre fëmijëve si mijëra familje të tjera do të vuajnë varfërinë ekstreme me rritjen e çmimeve, ku ne kemi prekur edhe standardet e çmimeve në tregun evropian. Kështuqë, në të ardhmen do të kemi më shumë "hajdutë" të vegjël që kërkojnë të ushqehen, dhe kur s'kanë, vjedhin.- Ndërsa nga ana tjetër, kemi një tablo të njerëz me pushtet politik, antihumanë dhe harpagonë për t'u pasuruar në kurriz të këtyre "hajdutëve" të vegjël. Pastaj, dhe më tej, ushtria e këtij kontingjenti do të jetë nesër edhe furnizimi me "protagonist" të grupeve kriminale, apo bedelë të mafiozëve që, po s'u veprua sot, nesër do të jetë vonë, dhe ne do të paguajmë një kosto shumë të rëndë si shoqëri dhe si vend. E përse e gjithë kjo tablo e rëndë? Ka një përgjigje: Për karshillëkun dhe babëzinë që tregojnë sot, pushtetarët antihumanë!.

Çfarë përpjekjesh ka bërë zonja Topalli si politikane, për fëmijët e kësaj moshe, mos të bien pre e krimit?

Por, nuk mund të anashkalojë edhe Kryetaren e Kuvendit zonjën Topalli, që për ironi të varfërisë që po flasim, ajo shëmbëllen duke ndërruar kostumet çdo ditë në punë, sikur Kuvendi për të, është qendra e pasarelave të modës, (dhe asaj meqë iu ka dhënë mundësia (thuhet), e 10000 votuesve shkodranë, të jetë deputete e Parlamentit Shqiptar), fati e ka "stimuluar" të rrezatojë si politikania grua më e pasur në Shqipëri, përballë varfërisë së mijëra familjeve shqiptare, që s'kanë bukën e ditës, dhe përballë këtyre fëmijëve, viktima të varfërisë. Ndaj, një pyetje shtojë për zonjën Topalli: Sa e ndjen përgjegjësinë ajo si nënë dhe si grua në politikë, përballë fakteve rrëqethëse të këtyre fëmijëve??? Çfarë përpjekjesh ka bërë zonja Topalli për fëmijët e kësaj moshe, që mos të braktisin shkollat dhe mos të bien pre e krimit, siç janë rastet e mësipërme??? Kujtojmë se Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë zonja Topalli me datën 12/12/2007, ishte në një takim në NEW York për Mbrojtjen e fëmijëve, e shoqëruar edhe nga Presidentja e Nderit të UNICEF-it për Shqipërinë, zonja Liri Berisha dhe një delegacion të Parlamentit shqiptar. Pra, ky takim i Topallit bënte pjesë në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kushtuar fëmijëve, i zhvilluar në New York. Kujtojmë në fjalën e saj, ku Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Topalli u përqendrua në investimin kombëtar në realizimin e raportit të OKB-së për fëmijët që nis me përshtatjen e kuadrit ligjor me atë ndërkombëtar dhe shtrihet në të gjitha nivelet e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Por, këto takime mbeten në kuadrin e fasadave të politikës së saj. Madje, zonjës Topalli do t'i shkonte për shtat një shprehje për sërën e të pasurve, (ku zonja ka deklaruar publikisht se është shumë e pasur): "I unshmi s'ia njeh urinë, të paunshmit"! Po çfarë ka investuar personalisht në politikë , zonja Topalli, kur të drejtat elementare të fëmijëve në Shqipëri preken çdo ditë, që nga dalja e tyre në rrugë, duke shitur që të ndihmojnë familjet e tyre që vuajnë për bukën e gojës, e deri tek rastet e fundit të ekstremitetit, kur fëmijët vjedhin se s'kanë bukë të hanë.

Kronika dt. 13 shkurt:

Procedohet në prokurori një 12 vjeçar, ka vjedhur një motoçikletë "Skuter"

Shërbimet e Komisariatit të Kavajë dërguan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit S.T, 12 - vjeç lindur në Durrës dhe banues në Rrogozhinë, rreth orës 10.00, ka vjedhur në shkallët e pallatit të tij, një motoçikletë, tip "Skuter", si dhe një biçikletë. U kryen veprimet proçeduriale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura. Materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të "vjedhjes", parashikuar nga neni 134 të Kodit Penal.

Procedohet 13 vjeçari, dyshohet të jetë autori i vjedhjes së banesës me 10 shkurt

Nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera, pas një pune hetimore mundësuan zbulimin dhe dokumentimin ligjor të dy vjedhjeve të banesave, nga ku autor rezulton të jetë shtetasi E.H, 13 - vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Dyshohet se i mituri është autor i vjedhjes së një banesë e ndodhur më datë 10 shkurt, ku ka vjedhur 800 euro, 200 dollarë dhe 100 000 lekë, si dhe i vjedhjes se një banese, ku janë vjedhur 220 euro dhe 17 000 lekë. U kryen veprimet proçeduriale, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134 të Kodit Penal.

Zbulohet një 12 vjeçar, ka vjedhur në një banesë një kompjuter, një aparat dixhital

Po nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera u mundësua zbulimi dhe dokumentimi i vjedhjes së një banesa, ku rezultoi se autori është minoreni M.C, 12 - vjeç, i cili ka vjedhur një kompjuter "Lap - Top" i markës "hacer" dhe një aparat dixhital "Sony". Në cilësinë e provës materiale ju bllokua një aparat dixhital i markës "Sony". Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të "vjedhjes", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.rocedohet në prokurori një 12 vjeçar, ka vjedhur një motoçikletë "Skuter" Shërbimet e Komisariatit të Kavajë dërguan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit S.T, 12 - vjeç lindur në Durrës dhe banues në Rrogozhinë, rreth orës 10.00, ka vjedhur në shkallët e pallatit të tij, një motoçikletë, tip "Skuter", si dhe një biçikletë. U kryen veprimet proçeduriale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura. Materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të "vjedhjes", parashikuar nga neni 134 të Kodit Penal.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora