E merkure, 03.03.2021, 12:09 AM (GMT)

Kulturë

Flet Akademik Salvatore Bushati: Qëllimi i kërkimit shkencor është njohja e natyrës

E merkure, 12.10.2011, 05:08 PM


Ja disa nga normat e etikës në shkencë

 

Albert ZHOLI

 

Sot, flitet shumë edhe në institucionet europiane të shkencës, për kodin e etikës në shkencë. Kërkimi shkencor është qartazi i shumëllojshëm dhe i papërshkrueshëm me një përkufizim të vetëm faktik apo normative. Tipari dallues i një kërkimi shkencor është të bazuarit mbi të dhëna të qarta dhe të themeluara mbi vëzhgimet e produkteve të natyrës. Ky është thelbi i bisedës të zhvilluar me akademik Salvatore Bushati.

 

Flitet shumë në institucionet europiane të shkencës, për kodin e etikës në shkencë. A mund të na thoni diçka në lidhje me këtë problem?

 

Po, mendoj se ky problem është me vlerë për tu trajtuar si i rëndësishëm edhe në komunitetin tonë.

Në themel të fuqisë motivuese të kërkimit shkencor qëndron etja natyrale e njeriut për njohuri, dëshira për të njohur botën e fizikës, biologjisë dhe të shkencave shoqërore, mendjen njerëzore dhe atë çka ajo prodhon. Shkenca në vetvete është një sasi njohurish të sistematizuara, të cilat përthithen gjatë obserbimeve, përgjatë diskutimeve të gjata dhe shkëmbimit të opinioneve. Qëllimi i kërkimit shkencor është njohja e natyrës dhe e principeve bazë të objektit apo fenomenit të studiuar dhe bërja publike e rezultateve të përftuara gjatë eksperimentit.

Kërkimi shkencor është qartazi i shumëllojshëm dhe i papërshkrueshëm me një përkufizim të vetëm faktik apo normativ. Madje dhe kërkimet shkencore brenda së njëjtës fushë mund të ndryshojnë nga njëri-tjetri pavarësisht traditave që ekzistojnë dhe metodave që aplikohen. Për më tepër, tipari dallues i një kërkimi shkencor është të bazuarit mbi të dhëna të qarta dhe të themeluara mbi vëzhgimet e produkteve të natyrës apo aktivitetit njerëzore dhe mbi rezultate të përftuara prej këtij aktiviteti.

Kërkimi shkencor është një aktivitet që kryet nga individë; ai nuk përbën një veprimtari të izoluar, por është një sinergji apo bashkëpunim ndërmjet kërkuesve. Në mënyrën e saj të të arsyetuarit dhe të të çuarit përpara, shkenca nuk njeh kufinj kombëtar. Komuniteti shkencor përcakton metodologjinë e duhur për kërkim dhe konfirmon rezultatet e kërkimit. Kërkimi shkencor ka aftësinë të kontribuojë në bagazhin e njohurive të çdo individi, nëse rezultatet bëhen njësoj të vlefshme për të gjithë dhe vlera e së vërtetës të arrihet me një shkallë të lartë sigurie.

 

Po për autonominë në kërkimin shkencor, Profesor, e që vitet e fundit flitet edhe në sisitemin tonë arsimor e të shkencës, si duhet kuptuar kjo? Cili duhet të jatë raporti ndërmjet autonomisë dhe detyrimeeve e të kërkuesve  shkencorë ?

 

Kërkimi shkencor duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe autonom. Edhe në botë, realizimi i këtij procesi shpesherë është i vështirë; në disa raste ai pengohet prej presionit që ushtrohet nga politika, individëve që gëzojnë njëfarë pushteti apo institucioneve dhe interesave ekonomiko- financiarë. Kërkuesi duhet të ketë lirinë e nevojshme për t’u mbështetur pas rregullave dhe kritereve të formuluara prej tij për t’i shërbyer njohjes së realitetit dhe të ketë parasysh gjithmonë mirëqenien publike. Duhet parë qartë nëse kërkuesi e bën detyrën e tij për të prodhuar vlera: supozimet e tij, pikat e fillimit të kërkimit shkencor, përzgjedhja e objektit të kërkimit, metoda e grumbullimit të të dhënave, efektet e rezultateve të kërkimit shkencor dhe zbulimet janë të lidhura me moralin, etikën dhe mardheniet shoqërore ku shkenca përparon.

Institucionet e shkencës duhet te priren të veprojnë në një mënyrë të atillë, që të mos lërë vend për dyshime si në aspektin ligjor e atë moral. Ndaj u kërkohet të gjithë atyre që merren me shkencë t’u përmbahen ligjeve e rregullave, në respekt të padyshimtë ndaj dinjitetit njerëzor, lirive themelore, dhe ta kryejnë punën e tyre me profesionalizëm të lartë.

Në aspekt tepër i rëndësishëm është se në kuadër të kësaj autonomie, duhet të funksionojë vetëkontrolli i moralit në kërkimin shkencor.

Marrëdhia etike e sociale e shkencës i vë theksin përgjegjësisë së individit që merret me shkencë. Në lidhje me këtë duhet bërë dallimi midis çështjeve që lidhen me rolin e shkencës në shoqëri dhe atyre që prekin rregullat morale të kërkimit shkencor. Asnjë kufi i prerë nuk mund të skicohet midis këtyre dy çështjeve: disa prej formave të dhumimit të normave të sjelljes që lidhen me punën kërkimore mund të shkaktojnë dëme serioze bashkësisë së kërkuesve e më gjërë, duke u rrezikuar atyre shëndetin apo mirëqënien, prandaj dhunimet proceduriale mund të jenë imorale në kuptimin e gjerë të fjalës.

Gjatë vëzhgimeve tona në shkencë në morinë e marrdhenieve të tyre etike e sociale, shtrohen një sërë pyetjesh etike:

o       Për sa i takon objektit të kërkimit: ia vlen barra qiranë këtij zbulimi?

o       Cilat janë pasojat e rezultateve të kërkimit për individin e shoqërinë?

o       Mundet kërkimi të kufizohet mbi baza etike apo sociale; mundet shkenca i imponohet disiplinës vetjake nëse si pasojë e aktiviteteve të saj mund t’i shkaktojë dëm njerëzimit, a ka efekte të dëmshme në faunë, shoqëri apo natyrë?

o       Çfarë mund të bëhet nëse produktet e kërkimit shkencor hyjnë në konflikt me vlerat njerëzore(dinjiteti, autonomia, liria, barazia, ndalimi i shfrytëzimit prej të tjerëve); apo që ato mund të përdoret kundër njerëzimit?

o       Mundet që kërkimi të mbetet mjaftueshëm i pavarur nga grupi i interesave, a ekziston rreziku që kërkimi shkencor të bëhet tepër i varur nga financuesit?

o       Mundet kërkuesi të ndrydhet nga një përdorim selektiv dhe keqinterpretim i rezultateve të kërkimit shkencor të kryer prej tij dhe a mundet ai të ndalojë një përdorim të papranueshëm të zbulimeve të tij?

 

Përsa i takon etikës së disiplinës vetjake të kërkimit, ne duhet fillimisht të merremi me normat e etikës që do përfshihen në rezultatet e punës kërkimore. Detyrat e shumëanëshme administrative, masat financiare e tensionet e prodhuara nga kokurrenca, dobësia e karakterit njerëzor dhe ndryshimet sociale, në mënyrë të dyshimtë dhe të papranueshme, rrisin tundimin e kërkuesit për të arritur sukses të shpejtë në shkencë. Ndaj është e nevojshme që rregullat e përcaktuara në kodin e sjelljes të eliminojnë përpjekje të tilla që zbehin vlerat e kërkimit shkencor, me qëllim që ai të mbetet i moralshëm dhe autentik.

 

Cilat janë rreziqet që ekzistojnë si pasojë e shkeljes së normave të etikës

 

Sjellja e kërkuesit që shkon kundër normave të etikës së shkencës është e dëmshme për shkencën në vetvete, sepse ajo mund të japë udhëzime të gabuara tek kërkuesit e tjerë duke sjellë një paraqitje të kërkimit që nuk përputhet me qëllimet e zhvillimit të kërkimit. Nëse përshembull në se një menaxher kërkimi, paraqet një doktrinë që është hedhur poshtë nga ana profesionale, por autori vazhdon ta mbajë e ta propogandojë atë, ai s’bën gjë tjetër veçse kthen mbrapa në kohë fushën e kërkimit shkencor në fjalë. Një sjellje e tillë dëmton dhe shoqërinë gjithashtu: kërkimi i rremë psh në një marketing produktesh farmaucetike apo produkteve të tjera industriale, mund të rezultojnë të rrezikshme për shoqërinë. Nëse politikat apo legjislacioni bazohen mbi rrezultate kërkimore të rreme, pasojat e dëmshme janë të paparashikueshme.

Më tej, efekte të dëmshme mund të ketë nëse besimi i publikut në shkencë tronditet dhe pse shkenca gjithmonë duhet të jetë burim i besueshëm orientimi dhe përgatitjeje vendimi. Së fundmi sjellja që dhunon etikën në shkencë mund të jetë gjithashtu e dëmshme për vetë kërkuesin, i cili herët a vonë do të përjashtohet nga komuniteti i kërkuesve shkencorë.

Në përgjithësi, sjelljet e padenja me etikën në shkencë janë mjaft të përhapura. Shtimi i presionit publik e shtetëror në shkencës në drejtim të: aspekteve të vlerësimeve të ndryshme, praktikave dhe sistemeve të vlerësimit që rregullojnë karierën e shkencëtarëve, të sferës së biznesit, garës gjithnjë e më e vështirë për të siguruar burime të ndryshme me mënyra të pa drejta, e keqpërdorimin e burimeve të informacionit nga interneti , të gjitha këto ndëshkohen me instrumenta ligjorë.

Forma e ndëshkimit moral do të ishte bërja publike.

Nuk ka kufij të prerë midis shkeljes së etikës korrekte dhe ofendimit ligjor, në këtë rast kategorizimi i shkeljes nuk është detyrë e thjeshtë.

 

Roli që duhet të luajnë institucionet qëndrore në etikën e kërkimit shkencor

 

Përmbledhtazi duhet të hartohen detyrime statutore të institucioneve kërkimore shkencore, të cilat të marrin përgjegjësinë për ruajtjen e moralit dhe autenticitetit të kërkimit shkencor në Shqipëri, në sajë të:

·        thirrjes që të gjitha institucionet shkencore që veprojnë në që të ngrejnë organizma që do të mbikqyrin integritetin e kërkimit shkencor mbi bazën e këtij Kodi Etik në Shkencë apo rregullat etike të shkencës;

·        dëshirave që të gjithë individët të angazhohen të përmbushin normat e përshkruara në Kodin e Sjelljes duke u bërë njësh me të;

·        angazhimit nga ana e drejtuesve të institucioneve dhe institucionve vetë për të ruajtur integritetin e shkencës;

·        të parit si kërkesë kyç, të vëzhgimit të përhershëm të rregulloreve ligjore shqiptare dhe rregullave ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me kërkimin njerëzor dhe testet mbi kafshët;

·        një rëndësisë jetësore në proceset mësimore, të sistemit të mesëm dhe në atë të lartë arsimor dhe veçanërisht në trajnimet, principet dhe praktikat në fushën e etikës në shkencë për doktorantët, duhet vazhdimisht të studiohen dhe përditësohen.;

·        të të drejtës që i jepet Komitetit për Etikën në Shkencë për të vepruar hap pas hapi në të gjitha rastet që dëmtojnë apo rrezikojnë integritetin e kërkimit shkencor e që paraqësin sjellje jo të hijshme nga ana e shkencës. Në këto raste komitetet e etikës që kanë institucionet e kërkimit, institucionet e arsimit të lartë apo instucionet dhe organizatat e tjera, mund të bashkëveprojë dhe si një forum për zgjidhje të problematikës në etikën në shkencë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora