E premte, 19.04.2024, 04:19 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: “Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës

E merkure, 12.10.2011, 08:05 PM


“Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e  Ali Pashë Tepelenës

 

Në shkurt 1829, gjeniu francez Viktor Hygo, shkrimtar me popullaritet të fuqishëm, i njohur si teoricieni dhe drejtuesi i shkollës romantike, botoi në moshën 27 vjeçare, një nga kryeveprat e tij poetike “Orientalet”, afresk i tërë piktoresku, figuracioni, lirizmi e ekzotizmi, në vargjet e së cilës skalitet edhe figura komplekse e Ali Pashë Tepelenës, në një kohë kur “Krejt kontinenti [evropian] po anon nga Orienti”, siç është shprehur poeti i madh.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Ishte koha kur shkrimtarë, piktorë, historianë, mendimtarë e udhëtarë të shumtë e mbanin vrapin drejt Lindjes së Afërt, Turqisë e Ballkanit, drejt “festës së dritës e hënës”. Hygo, pa qenë një ditë të vetme në Orient, pa rendur drejt “arit” të Lindjes, merr rrugën e poezisë drejt atyre horizonteve për të eksploruar thesarin e tyre me majën e  penës. Kompozon në mënyrë mjeshtërore “Orientalet”, vargjet e së cilës nuk janë gjë tjetër veçse “ngadhnimi i materializmit poetik”, sipas shprehjes së bukur të kritikut Guizard. Dhe lexuesi nuk ka si të mos shijojë në të, me shumicë, gjer në velje, bollëkun e ngjyrave dhe formave, të ndjenjave dhe figurave. E mbi të gjitha, merr pjesë i entuziazmuar në thirrjet e shpirtit të vizionarit të fuqishëm. “Do shohim gjëra të mëdha”, paralajmëron ai në parathënien e vëllimit, duke patur këtu parasysh lëvizjen e madhe evropiane në mbështetje të Revolucionit grek, si dhe krejt ripërtëritjen e vlerave të Lindjes.

Që në parathënien e tij për botimin e “Orientaleve”, ku parashtron me forcë teorinë e lirisë së poetit për të shprehur gjithçka dhe për të zotëruar hapësirën e kohën, Viktor Hygo sheh në figurën e Ali Pashë Tepelenës njeriun simbol të madhështisë së Lindjes, që nuk qëndron më poshtë nga Napoleon Bonaparti, njeriu simbol i madhështisë së Perëndimit. Nëpërmjet një krahasimi të bukur, ai i vë në baraspeshë të dy këto figura, duke kërkuar me gjenialitet të rrallë që Lindja të luajë rolin e vet në Perëndim.

“Barbaria e vjetër aziatike, shkruan ai në këtë parathënie, ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull arriti ta vërë ballëpërballë Bonapartit... atë njeri gjeni, turk e tartar në të vërtetë, atë Ali-Pasha, që është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”.

Gjithçka është thënë këtu me pak fjalë për Ali asllanin e Tepelenës, dhe më bukur nga aq, nuk ka !

Por Hygo nuk ndalet thjesht në parathënie për trajtimin e figurës së vezirit të Janinës. Ai do ta vendosë Ali Pashën në qendër të dy prej poemave të tij më të bukura, konkretisht në poemat “Dervishi” dhe “Kështjella”. Në fakt, duhet theksuar se ai i kishte njohur që më parë shkrimet e alzasianit Adolphe Cerfbeer, i mbiquajtur Ibrahim Manzour, komandant i xhenjos në shërbim të vezirit, që e paraqiste të nxirrë figurën kontradiktore të pashait. Po ashtu edhe shkrimet e Pukëvilit, Konsullit francez në Janinë. Hygo, nga ana e tij, do ta shohë me realizëm figurën e Pashait, duke u frymëzuar mbi të gjitha nga shkrimet, letrat dhe vargu i përsosur i Bajronit për mikun e vet Ali Tepeleni. Çka i interesonte Hygoit në figurën e Ali Pashës ishte sa e madhërishmja dhe e fuqishmja e tij, sa e veçanta dhe ekzotikja, aq edhe vetë pasoja fatale e kësaj gjithfuqishmërie, që mbarte në vetvete brutalitetin, ashpërsinë, tragjiken dhe krimin. Kjo kish rëndësi për Hygoin, dhe në këtë këndvështrim shfaqej forca e piktoreskut dhe e detajit mjeshtëror artistik, duke u shndërruar nëpër shtjellë të vargjeve në mbretëri më vete, në shërbim të ndjenjës dhe të së bukurës.

Le ta lëmë një hop poetin e madh të shpalosë fuqinë e vargut të tij realist nëpërmjet poemës “Dervishi”, duke e dhënë të plotë për lexuesin, me besimin se do mund ta shijojë.

 

Dervishi :

 

Një ditë, Aliu shkonte udhës : kryet më krenare,

Para këmbëve t’arnautëve t’vet rrafsh bëheshin në dhé ;

Gjithë populli : - Allah ! - thosh.

Befas, një dervish, i thyer në moshë, hiqet osh,

Çan turmën dhe tek kap kalin e tij për kapistalli,

I thotë me zë tellalli :

 

« Ali Tepeleni, dritë nga drita dalë,

Që në divan më mban vend të parë,

Emri yt i madh, shkoftë deri te retë !

Po mbamë një çikë vesh, vezir, dhe këta trima kokëshkretë :

Ti, hije e Padishahut, dhe ai vetë hije e Allahut,

Një qen je, mor i flamosur, asgjë më shumë !

 

« Varr i hapur të pret, pa e ditur as ti vetë.

Mbushur dëng si thes, zëmërimi yt

Një popull të tërë po mbyt ;

Mbi ballin e tyre të larë, ti u vetëtin si kosa në bar,

Dhe pallatin tënd madhështor, mirë po e çimenton

Me eshtrat e tyre bluar, kur gjaku lumë u shkon.

 

« Por çoç po vjen edhe dita jote! Në Janinën gati për të rënë,

Dheu more, nën këmbë t’u shembtë, e t’u haptë varr ;

Perëndia në grykë të hedhtë litarë,

Mu në pemë të segjinit me shpirtra qafirësh plot,

Që majë degëve të zeza dridhen e bot,

Në tërë atë terr, të përpiftë i shtati ferr !

 

« Dac shpirti yt do marr arratinë ; për çdo krim,

Emrin e atij që ke vrarë, vetë djalli do thërras me guxim ;

E do shohësh aher’ rreth teje i pataksur

Fantazmat me njolla gjaku, e me venat zbrazur,

Si do vinë mizëri, më shumë nga vetë llafet që me lebeti

Do llomotitësh ti !

 

« Ja more, ç’do të të shohin sytë ! As kala e as flotë

Në tërë atë gjëmë, s’të ndih dot,

As rremë e as top !

Po prapë Ali-Pasha, si çifuti faqezi,

Kur mashtroi ëngjëllin e zi, që jashtë dynjaje rri e pret,

Edhe emrin tënd, veç kur ta ndërrsh, ti vetë, duke vdekë ! »

 

Aliu nën qyrkun e vet mbante në brez,

Një tromblon me grykën krater gati për ta ndezë,

Tri pisqolla tytëgjata, por edhe një kamë ;

Dervishin dëgjoi, tek e la barkun të zbrazë,

Kryet uli, rënë një hop në të thella, pastaj, buzagaz,

Qyrkun e vet, të moçmit plak ia dha.

 

Pa i hyrë komentit të këtyre vargjeve, duhet të vëmë në dukje se figura e pashait - që është i rrethuar nga “trimat e tij kokëshkretë” (sa shprehje e goditur për gardën e Aliut, dhe në përgjithësi për vetë shqiptarët e sheshit të luftës !) -, edhe te kjo poemë i ngjall lexuesit admirim. Admirim jo vetëm për përgjigjen e heshtur të pashait, por edhe për gjestin e tij fisnik të faljes së qyrkut, ndonëse dervishi, me guxim të marrë, ia përplas në fytyrë krimet e shëmtuara dhe parathotë fundin e tij të pashmangshëm, si një Gjykim i Përtejmë, që nuk i përket askujt.

Në fakt, poema “Dervishi” do vazhdohet e plotësohet nga poema “Kështjella” që e pason, në të cilën Ali Pasha përsëri vihet në qendër të saj. Vargu hygolian shpaloset këtë herë përmes gumëzhimës apo gjuhës së dallgëve që, njëpasnjë e pafundësisht, rrëmojnë e rrënojnë gur pas guri kështjellën e Aliut në Epir. Tek forca e tyre natyrore kemi sërish, në mënyrë figurative, gjuhën e ashpër të dervishit, aktakuzën e tij therëse ndaj Pashait të stigmatizuar apo, le të themi, vetë Drejtësinë, simbolizuar nga ajo dallgë e mistershme që përpiqet të fshijë e zhdukë pa nam e nishan çdo gjurmë barbarie.

 

“Thuamë det vëlla, sa kohë të duhet vallë

Të gjallë për ta përpirë atë shkëmb, tok me kala?

.........................................................................

Fshije atë gërxh! Dallga tënde e shoftë,

Mbi ballë të saj të humbur kaloftë e rikaloftë!”

 

Edhe pse e fshikulluar ashpër, figura e Ali Pashë Tepelenës nuk e humbet as këtu madhështinë e vet, përkundrazi spikat më origjinale dhe më e stërhollë nga figura e ndonjë pashai tjetër të “Orientaleve”, ku mizoria shoqërohet nga simotrat e veta, kapadaillëku dhe boshësia. Ja përse figura komplekse e pashait epirot do të kthehej në legjendë të vërtetë, do të përçohej nga rrymë e fuqishme romantike e shekullit XIX, dhe nën vargun e Hygoit, sikurse të Bajronit, do të bëhej burim frymëzimi për mjaft pena e penele të shquara, që nga Aleksandër Dyma e Louis Dupré, gjer tek Bopp, Balzak, Davenport, Remerand, etj. etj.

Duke e lënë tashmë dallgën në punën dhe gjykimin e vet hyjnor, të rreket me Kalanë e Porto Palermos, si dhe Pashanë të mendueshëm në bronzin e Tepelenës, le të shohim paksa poemën

 

 

“Kokat e sarajit”, në të cilën bukuria dhe forca e vargut hygolian arrijnë një nga kulmet e tyre. Poema, shkruar në qershor 1826, është drejtpërdrejt e frymëzuar nga rënia e Misolongjit, në prill 1826. Tre koka të prera, ajo e Kanarisit, e Marko Boçarit dhe e peshkopit Josif, rrethuar nga gjashtë mijë koka të tjera të renditura në bedena - një pjesë e mirë e tyre janë koka luftëtarësh suliotë e arvanitas -, po kuvendojnë dhe shprehin gjithë dhimbjen e tyre për disfatën e madhe, në një atmosferë shekspiriane, tërësisht ngjedhëse. Në fakt, jo pa qëllim Viktor Hygo vendos për epigraf të poemës vetë fjalët e hijes të babait të Hamletit : E tmerrshme, e tmerrshme, tepër e tmerrshme! Po citojmë për ilustrim tre strofat e para të zërit të Boçarit, në patriotizmin dhe oshëtimën e tyre të ethshme, përtej vdekjes që e kishte pllakosur :

 

« Po Kanaris, je duke parë vetë sarajin, dhe kryet e mi,

Shkulur prej qivuri për të kremtuar kët’ buhi.

Turqit gjer në varr më ndoqën pas.

Shihi pra ! Këto eshtra të thara janë preja e tyre

Për sulltanmadhin. Ja prej Boçarit

Ç’la krimb i varrit.

 

« Mbamë një çikë vesh : në shtrat të përjetshëm qeshë,

Kur befas një britmë më zgjoi : Misolongjni ra !

Aher’u ngreçë përgjysmë në atë terr të vdekjes ;

Topat ndjej që buçasin, gjylet që pëllcasin,

Gjëmimet tek pasojnë gjëmimet,

Hekurin që ha hekur, hapin që i rend hapit.

 

« Ndjej në atë luftë që qytetin kish përpirë,

Zëra duke thirrë : « O hije e Boçarit,

Mbroji të gjorët grekë nga hordhi e të marrit ! »

Dhe unë, ç’nuk bëra për të dalë nga ai terr,

Copë e çikë krejt eshtrat e mia dërrmova

Mbi të kobshmin mermer” [...]

 

E ndërsa Hygo skaliste në artin romantik francez këto vargje të fuqishme për “Shqiponjën e Sulit”, siç e quanin Marko Boçarin bashkëluftëtarët e tij, mjeshtri David, admirues i zjarrtë i Viktor Hygoit, do skaliste shi në mermer një nga kryeveprat e tij për të përjetësuar gjeneralin e famshëm suliot : një vajzë shumë të re, përgjysmë e shtrirë mbi gurin e varrit manumental, duke treguar me gisht gërmat e emrit të artë të Boçarit. Kemi në këtë rast një shembull të shkëlqyer se si fjala poetike e Hygoit skalit mermerin e bardhë të David d’Angerit, në një përputhshmëri dhe simbiozë të përkryer të poetit me skulptorin, në misionin e tyre fisnik për të lartësuar figurën e heroit legjendar të Revolucionit grek.

 

Sikurse vumë në dukje, piktoresku dhe detaji artistik janë tek “Orientalet” një prirje e autorit, që përbëjnë të themi “parajsën” e tij. Edhe pse shfaqen të ngjeshur poetikisht, pra të përmbledhur në pak fjalë të goditura, ato kanë, nën penën e gjeniut Hygo, fuqi të tillë rrezatuese sa e japin në çast thelbin e një emocioni, të një gjendjeje të caktuar apo të një portretizimi. I tillë është rasti për të karakterizuar edhe shqiptarët apo arnautët, kur autori vë në këtë rast në përdorim dy-tre fjali a vargje të shpejtë, lëshuar si penelata të hovshme e të fuqishme mbi telajon Orient të përmasave të mëdha. Po japim me këtë rast dy poezi, si dy gurë të vyer të stolisë Orient që na ofron Hygoi i madh, ku na shfaqet si meteor edhe piktoresku shqiptar apo arnaut (nënvizim është i yni). I japim gjithashtu edhe për vetë përmbajtjen e tyre të veçantë, sa lirike njëra, aq edhe tragjike tjetra.

Duke e mbyllur këtë shkrim për gjeniun francez me dy poezitë e mëposhtme të tij, theksojmë se Viktor Hygo do të bëhej pararendës i një plejade të tërë piktorësh, shkrimtarësh e artistësh që frymëzimin do ta gjenin jo vetëm e thjesht në gurrën e Orientit por edhe krojeve artistike të poemave të tij.

 

 

LAZARA

 

Ajo vashë ish e bukur, fort e bukur.

Mbretërit, kreu XI, v. 2.

 

Ç’të rendur që bën, vështrojeni : udhëve tërë pluhur,

Luadheve me trumba kaçesh gjithandej,

Fushave me grurë ku lulëkuqja ndrin gjer tutje përtej,

Shtigjeve të humbura, monopateve gjarpërueshe,

Brigjeve, pyjeve, fushave, shiheni pra një çikë,

Ç’të rendur bën ajo çikë !

 

Është shtatlartë, është e hajthme, dhe kur me çap gazplot,

E me shportën plot lule mbi kokë,

Shfaqet në sytë tanë e gjallë dhe lozonjare,

Tek i sheh mbi ballë ato llërë të bardha rrumbullare,

Pandeh se, për së largu sheh, tempujve tanë të rrënuar

Një amforë me vjega alabastruar.

 

 

Është e re, është gjithë hare, dhe këngë këndon,

Kaçubë më kaçubë, këmbëzbathur, buzë liqerit shkon,

Pas tek u bie vashurive gjelbërane.

Përroskave, këmishën përmbi gju lart e ngre.

Shkon, rend, ndalet, fluturon, dhe shpezët vetë

Krahët do jepnin për këmbët e saj të shpejtë.

 

Në muzg, tek mblidhen rinia valles t’ia marrë për mall,

Tek ndjen të kthehen dalëngadalë

Këmborët e bagëtisë gjithë blegërimë,

Pa kërkuar xhingla për t’u zbukuruar, ajo ia mbërrin.

Dhe lulja që ka mbi ballë,

A nuk i shkon aq bukur vallë ?

 

 

E domosdo, plaku Omer, pasha i Negrëpontit,

Për të do jepte gjithçka : anijatat tri kuvertëshe,

Artileritë e rrufeshme,

Takëmet e kuajve, bashkën e bagëtive,

Çallmën e kuqe në mëndafsh, veshjen krejt qëndisur,

Me gurë të vyer ndritur ;

 

Dhe tromblonet grykëgjera, pisqollat e rënda,

Me kokëzat e argjënda,

Që dorë e tij e ashpër s’ka rreshtur së përdorë.

Po edhe damaskun e hollë, e gjë edhe më e çmuar

Lëkurë e atij tigri, ku varur rri kukurë e praruar,

Me shigjeta mongole ngarkuar.

 

Do jepte për atë vashë byrde e yzengji ;

Krejt thesaret, tok me thesarmbajtësin sypishë ;

Po edhe treqind jaranet që kish ;

Do jepte zagarët e gjuetisë me qafore të sermta,

Do jepte shqiptarët e vet, nga dielli përzhitur,

Tok me hutat tytgjata, çarkun ngritur.

 

Do jepte frankët, çifutët, rabinin pa harruar ;

Belvederën e kuqe e të gjelbër dhe krejt hamamet

Me mozaikë mbuluar ;

Do jepte kështjellën me bedena të ngushtë;

Verandën tek shkëlqen liqenit në gusht,

Përmbi gji të Sirenaikës.

 

Gjithçka ! gjer te kalë i bardhë që në saraj po rrit,

Me qimen dirsur që feks e ndrit ;

Gjer te frerët me ar damaskuar ;

Gjer te ajo spanjolle nga beu i Algjerit dërguar,

Që ngre tek vallëzon fandangon e lehtë,

Kindat e qëndisur të baskinës së vet !

 

Po ja që pashai në dorë s’e shtjeu. Një kleft syzi, atë manare

E rrëmbeu, tek i hodhi dorën n’bel, pa i dhënë asgjë fare,

I varfër tek qe trimi.

 

 

Se për pasuri, tjetër s’kish veç ajër qielli e ujë burimi,

Dyfek që buçet me tymin përpjetë,

Dhe lirinë në mal të vet.

 

 

 

 

 

 

 

PERÇJA

 

A i jeni lutur Perëndisë këtë darkë, Desdemona?

Shekspir.

 

MOTRA

 

- Ç’paskeni, ç’paskeni kështu, vëllezër ?

Kryet mbani ulur gjithë shqetësim.

Si llampa mortore me pakëz ndriçim,

Syve po iu erret vështrimi vetëtimë.

Brezarët i paskeni bërë copë-copë,

Tri herë nga milli nxorrët tok,

Me duart e dridhura e gishta ngërthyer,

Kamat me ato tehe të urryer.

 

VËLLAI I MADH

 

- Mos e ke ngritur vallë ti perçen sot ?

 

MOTRA

 

- Isha në hamam, vëllezër, por me perçe në kokë,

Me perçe në kokë, fisnikë, ju siguroj,

Fshehur vështrimeve pa ndrojë,

Të kaurëve e shqiptarëve.

Pranë xhamisë tek shkoja drejt,

Kokë e këmbë mbuluar krejt,

Vapë e drekës frymën më mori,

Perçja një hop fytyrën jashtë ma nxori.

 

VËLLAI I DYTË

 

- Dikush ish aty ? Një burrë me kaftan të blertë ?

 

MOTRA

 

- Po… mbase…edhe pse me vështrim të sertë,

Nuk arriti të më shohë fytyrën zbuluar…,

Po ç’kini që flisni me zë të druar,

Me zë të frikësuar rrini e flisni.

Mos vallë doni gjak, doni të më vrisni ?

Për shpirtin tuaj vëllezër, ai nuk më pa.

Mëshirë, vëllezër, mos e bëni këtë hata,

Të vrisni një grua se kaq kini në dorë ?

 

VËLLAI I TRETË

 

- I kuq qe dielli këtë darkë në perëndim,

 

MOTRA

 

- Mëshirë ! Mëshirë, mëshirë për shpirtin tim !

Allah ! katër kama njëherësh ngrihen e më grijnë !

Ju lutem, në këmbë, vëllezër, po ju bie...

Ah perçe, perçe e bardhë ku po më shpie !

Mbamëni, vëllezër, nga duart po më kullon gjak,

Trupi krejt po më bëhet hark,

Mendtë po më merren, sytë po më vishen,

Me perçen e vdekjes po më mbështillen.

 

VËLLAI I KATËRT

 

- Një perçe ama, që s’ke për ta ngritur më,

Përgjithnjë !



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea - Një thirrje nga zemra e Faik Konicës: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!” Fotaq Andrea: Zoja e Këshillit të Mirë - Pajtore e Shqipërisë Fotaq Andrea: Shqiptari, ky sizif - Fat tragjik në mbijetesë shekullore Fotaq Andrea: Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë Fotaq Andrea: Festa e luleve për Skënderbeun Fotaq Andrea: Jeta e Klementit XI, sovranit Papë Fotaq Andrea: Skënderbeu i ri dhe origjina e kalorësisë së lehtë franceze - Letër Z. Ylli Polovina Fotaq Andrea: ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu'' i Rembrandit Fotaq Andrea: Engjëllorët në Francë dhe figura emblematike e Pal Engjëllit - Gjaku shqiptar në Evropë Fotaq Andrea: Figura e Nënë Terezës nën penën e autorëve francezë Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë Fotaq Andrea: Dy artikuj të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma, më 1933 dhe 1934 Fotaq Andrea: Moda “Dora d’Istria” në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës Fotaq Andrea: Dora d’Istria - Princeshë e kulturës evropiane Fotaq Andrea: Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë” Fotaq Andrea: Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933 Fotaq Andrea: A është Napoleon Bonaparti me gjak shqiptari? Fotaq Andrea: Nderim për trimat francezë që prehen në varrezë të Korçës Fotaq Andrea: Ismail Kadare, Vlerë Kombëtare e ndërkombëtare

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora