Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pirro Loli: E kuqja e dashurisë

| E merkure, 12.10.2011, 07:28 PM |


E KUQJA E DASHURISË...

 

Ese nga PIRRO LOLI

 

Gongu bije fuqishëm  që në rreshtin e parë si në aktin e parë të një drame të madhe. Teuta, protagonistja e romanit “E kuqja e demave” e Mira Meksit, befas, merr vesh se  i dashuri i saj është vrarë  në arenë me demin dhe, mbuluar nga pikëllimi, niset për t’u kthyer në Tiranë. Gongu i dytë,  akoma më kumbues, bije në faqen e fundit të romanit kur ajo, përsëri befas, zbret nga avioni e kthehet përsëri në trojet e demave për të vazhduar jetën me hapa të tjerë misteriozë, pa e ditur as vetë se ç’do bëjë. Ngjarjet e romanit “alogjikisht” zhvillohen midis dy gongeve - midis hipjes dhe zbritjes nga avioni. E në këtë orë,  pranë e pranë  shkrimtarja, kujton e rindërton në retrospektivë krejt ngjarjet tronditëse të  romanit. Letërsia e thyen logjikën e ngjarjeve, i prish orët dhe i mbush humnerat.

Shkrimtarja flet edhe për ato që nuk shkruan. Krejt zhvillimi i veprës do na bindë që të jemi të vëmendshëm, të lexojmë simbolet. Atë të kuqe gjaku, do ta gjejmë të ngjyrëzojë me të tëra nuancat në aktet dramatike të dashurisë, në ikonat mesjetare për Krishtin dhe në gjakun e derdhur midis ikonoklastëvë dhe admiruesve të hyjnisë që synojnë të afrojnë  njeriun me Zotin.

 

*  *  *

Problemi më i mprehtë në procesin krijues të këtij romani, mendoj se është kompozicioni. Romani ka hedhur shtat mbi një arkitekturë moderne, mbështetur në tri shtylla jo të barabarta. E para,., dashuria së bashku me dritëhijet e saj, xhelozinë, seksin, humbjen dhe vdekjen; e dyta, ikona si vepër arti, ose si një poemë ekumenike që e afron njeriun me zotin dhe e treta, ndeshja me demat, me të kuqen e gjakut të tyre që, jo rastësish e gjejmë me rrezatime që vetëtijnë në krejt godinë. Deri tek një rreze e veçuar që zgjatet te Onufri ynë i mesjetës, atij mjeshtri të madh të ikonave që me siguri ka dorë në ngjalljen e Krishtit. Kjo vilë trekatëshe, ndryshe nga parafabrikatet e njohura të letërsisë sonë, ndërtuar kështu gati me lëndë transparente, që mezi duket nënshtati i saj në tokë, zgjatet në përmasa të ndryshme në hapësira ajrore. Nëse e përfytyrojmë si një hartë njëplanshe, lexuesi e ka më të lehtë të shohë një vizatim të qartë që i hapet para syve si një mozaik vizatuar me bazë të kuqen e gjakut atë të dashurisë – Ky gjak, jo vetëm si simbol derdhet natyrshëm për të mbrojtur Zotin, dashurinë, artin. Të tria këto elementë bazalë, që përfaqësojnë tri shtyllat kompozicionale të përafërta por jo simetrike, të dallueshme porjo të kundërta, paraqesin një pamje mozaiku. Kjo lloj pikture nuk i shmanget do eklektizmit, asaj pranëvënie të ndërgjegjëshme të autores që, edhe pse i mban në dorë me kujdes filigramet e qëndisjes së njësuar,  nuk i shmang dot të ndryshmet.

Megjithëse , siç thamë, të tre shtyllat që mbajnë romanin janë të kompozuara për t’u shkrirë e harmonizuar me njera tjetrën,  unë do ndjek  vetëm “të kuqen”, lëndën ngjyrosëse që  depërton qëllimshëm me të gjitha elementet e mozaikut, linjën e dashurisë.

 

*  *  *

Them që dashurinë ta shohim siç e sheh autorja me gjithë dritëhijet e saj, xhelozinë, seksin, dramën, dështimin dhe vdekjen.  ( në fakt, të gjithë të kuqen rilindëse me të gjitha nuancat e saj, që do të thotë edhe me dashurinë për ikonën e Zotit dhe për artin).

Mendja e shqetësuar e Teutës kur merr vesh gjëmën e të dashurit, e ringjall atë dhe kjo i jep dorë autores që të  zbulojë botën e bukur e dramatike të femrës dhe të dashurisë. Them dramatike sepse në krah të atij toreadori të shquar që fitonte gjithnjë ndeshjet me dema në arenë, ishte një bukuroshe tjetër e dashur, edhe më mahnitëse se shqiptarka jonë Teutë. Dona Maria Victoria ishte lidhur me Antonio Manuelin në një dashuri misterioze që e mpreh tehun e xhelozisë duke sfiduar e zotëruar skenat më të bukura të romanit. Mjeshtërisht M. Meksi na zbulon botën e kësaj femre, duke i dhënë prozës shqipe një personazh origjinal femër (jo negativ sipas traditës). Kjo bukuroshe cinike është kaq e fuqishme sa, vetëm me pjesëmarrjen e saj në arenë kur ndeshet Antonio me dema, dikton fitoren ose humbjen, madje, siç rezultoi edhe vetëvrasjen e toreadorit të saj. Atij ia kish pushtuar zemrën shqiptarka e bukur Teuta që kish shkuar në Spanjë me një grup përkthyesish. Nga i dashuri kish marrë dhe garancitë e dashurisë, por, dashuria, (Teuta) duhet të kacaviret mundimshëm dhe nuk mund t’ia shkulë dot nga zemra Dona Marie Viktorian. Ndërsa mashkulli simpatik, me zemrën çarë më dysh, nuk gjen dot forcë t’ia mbyllë portën asnjerës, sepse, siç do ta themi më poshtë, ato zotërojnë dy pushtete hijerënda.. Ky qëndrim ka rritur dramacitetin e veprës dhe shkrimtarja heton thellësive të shpirtit femëror me një lente të qartë e të butë poetike. Teuta heton hap pas hapi të dashurin e saj, Antonion dhe të dashurën e tij Marien me një xhelozi të frikshme. Dyshon, trishtohet, tërbohet, qan dhe zbulon me dhimbje se i dashuri i saj, Antonio ka vrarë vetën - ose i ka thënë demit- më vrit, vëlla!, më vrit! Ajo imja, (Maria) nuk ka ardhur sot të duartrokasë fitoren time mbi ty...

Dashuria e Teutës me të vluarin e saj Antonio jepet tepër komplekse. Dashuri e fuqishme,  pasion i flaktë që plotësohet dhe me elemente të tjerë shpirtërorë. Një artiste si Teuta (Mira) me ethet e  pasionit  për vlerat artistike e letrare  e bën edhe të dashurin të tillë. Ata i bashkon edhe ikona, guva a shpella, galeria, manastiri a kabareja, një shfaqje a një pije. “Strehëza do të jetë bërë për ne që në fillim të botëve”, tha toreadori...  Përherë do të gjendet një perëndim i përflakur dielli që do të na shpëtojë nga vdekja...Dhe pastaj: puthje në buzë, trupa të bukur bërë njësh, sëmbim zemre, ankthe dhe forcë për t’u përballur me kthetrat e mprehta të asaj tjetrës, mahnitëses..dhe ndeshjen me demat, ndeshjen në krevat; një jetë impulsive e mashkullit që e përballon vetveten si kampionët e mëdhenj. Është  dashnori dhe artisti dhe gladiatori që  përballon demin, Marien sensualiste dhe Teutën e ëndrrave të trëndafilta....Por, pezull, si gozhdë qëndron pyetja e Teutës: Ti vazhdon ta duash atë grua ??! Dhe përgjigjja akoma më pezull, gogoliane, as po as jo ...Nga goja e tij si në jerm, artikulohet me pshe-rë- ti-ma një skenë dashurie me atë...; si në botën tjetër.  “ Me trëndafila të porsaçelur në duar, përkëdhelje në trupin e saj të zhveshur, ... në atë lëkurën e butë, të lëbyrët, ngadalë e ëmbël - gjer kur ajo, e dehur prej ledheve të petaleve, t’i lutej ta çirrte me gjemba... dhe pastaj t’ia shuante zjarrin me freskinë e shampanjës që priste ndanë shtratit brenda një vaske me bulëza akulli dhe me freskinë e gjuhës së tij”....

Më i papërballueshëm ankthi tjetër: Diku Antonio ka rënë në jerm pranë Teutës dhe nga temperatura flet përçart. Flet?, jo reciton, reciton si asnjëherë tjetër një poemë dashurie, (o Zot ai nuk ka recituar kurrë!); diçka thotë për lëkurën e një gruaje, të bardhë e farfuritëse...një lëkurë, një trup, “ku frikshëm dallohej  trekëndëshi i zi prej ebaniti i fundbarkut, sytë prej nate pis të zeza dhe buzët ku ish mbledhur tërë gjaku i munguar i lëkurës.”..

Vepër djalli kjo! Bukuri e llahtarshme! E Teuta xheloze, tek dëgjon së thelli zërat brenda tij, ndjen një dhimbje therëse, vreri i gurfullon në stomak dhe zemra i rreh çoroditshëm. Siç shihet te “E kuqja...” dashuria kryqëzohet midis dy femrave, por trajtimi origjinal i saj e bën, në mos risi, një dukuri të rrallë të prozës shqipe. Ajo femra, Maria, me bukuri magjike, me shpërdorim të vetes deri në prostitutë ia përplas jo vetëm Teutës por dhe  mashkullit që i paska mësuar zanatin... Shëëët!, i thotë, të mësova të shijoje përtej dashurisë, të mësova ta mbaje shpirtin të lirë nga dogmat njerëzore, të mësova si kapërcehej kufiri i jetëvdekjes dhe se si mund të lindje dhe të vdiste përsëri në krahët e mia..., të mbrojta nga dashuria e grave.., të dhashë atë që asnjë grua s’mund të ta jepte, madhësinë e kozmosit, triumfin të artit tënd, shijen e sakrifikimit..(të gjitha këto vlera solide do tepronin për një çift të dashuruarish, por ja që dashuria qenka tjetër, tjetër...)

Kur dëgjon këtë breshërimë, Teuta jonë, në vend që të tërbohej nga urrejtja, xhelozia dhe superioriteti i kundërshtares, e pushton një ndjenjë adhurimi. Ajo po dëgjonte një grua të jashtëzakonshme, energjike plot dinjitet, vitale, e ndërkohë edhe Teuta edhe Antonio (dashuria) ndjejnë si   zvogëlohen ndaj pushtetit të saj absolut, asaj force të çuditshme sa femërore aq dhe e perëndishme, por, - Ti më tradhtove, i thotë Antonio. ( Ai e kish gjetur në krevat me Juan Benitezin)

- Ai e do po aq sa ty arenën, ia kthen ajo

Cilën arenë?, pyes unë, ndeshjen me dema? krevatin e seksit? Etjen erotike për të rrezikuar? Nuk marr përgjigje. Lexuesi le të shkruaj ç’të dojë në letrat e veta. (Georges Bataille, filozofi i madh ka shkruar njëmijë faqe për këte teme si traktat filozofiko estetik për erotizmin dhe me modesti thotë se po shpreh vetëm mendimet e tij)

Dashuria qenka e padiskutueshme si poezia. -Kthehu tek unë e urdhëron femra atë mashkull prej bronxi - ti nuk bën dot pa mua. Kupto se në përtejdashuri  ka rregulla të tjera. Dhe tradhtia nuk njihet...(Dashuria si poezia paska dhe kufij të përtejmë e kjo e bën erotizmin për Dona Marien dhe procesin krijues edhe më misterioz)

 

*  *  *

 

Një pyetje mbetet pa përgjigje. E vështirë si ato enigmat e Sfiksit ndanë rrugës. Pse dhe si u vra ose u vetëvra Antonio Manueli? Autorja sapo e cek paksa në një rresht për ta bërë më enigmatike. Unë kam përgjigjen time. Është një vrasje në arenë, nën vëzhgimin e asaj që mungon. Paradoks, vërtet. Është vrasje nën pushtetin e eksitimit erotik. Antonios pa atë i mungon energjia. Dhe më tej: Seksualiteti të kërkon ta pëlqesh jetën deri te vdekja. Qenia i pranon, i njeh të tëra paradokset që lidhen me epshin erotik. Edhe lojën e specieve të veçuara si Antonio, dhe të ndërprera përsëri si ai. Më tepër se shkenca , letërsia shprehet se vdekja kësi rastesh  është vijimësi e qenies, e andaj magjepsëse se përveçimi saj i jep qenies lirinë e pacak deri te ndërprerja. Kur erotizmi prek thellësitë e qenies zemra ia bën “trak”( Në psikozën e popujve njihet kjo sakrificë “u vra për atë a për këtë”, “ia hëngri kokën ajo apo ai”etj.) dhe vinë shkrimtarët pastaj të hetojnë aktin e sakrifikimit. Kështu merr kuptim shkaku esencial, qenia e dashur dhe e bukur me emrin Dona Maria Viktoria, ai personi aq voluptuoz që do të duhej ta humbiste partnerin dhe do të parapëlqentë më mirë vrasjen e tij se sa në skenë të futej një tjetër. Vdekja e mbron pushtetin siç di vetë. Dhe nuk e di kush fiton në këtë mes, seksi apo dashuria? Maria apo Teuta? Pasionet e fuqishme kërkojnë verbërisht rrugëdalje nga egoizmi individual qoftë i Dona Maries si shkak, qoftë  i Antonios si viktimë. Gjaku në të gjitha rastet, edhe në lindje, është produkt dhune, është dëshira e dënuar nga kapërcimi i të lejuarës. Dhe nuk është i ri ky koncept. Erotizmi ka qenë kërthiza e krijimeve aq fantastike të mitologjisë dhe shtrati i lirikës poetike botërore që nga Safoja e lashtë. Ka një vështrim poetik këtu, e ndjejmë por s’dimë të flasim. Ç’është?, Përjetësi?, Vdekje?, Vijimësi?, Ndoshta pak nga të tria. Sidoqoftë viktima është e larë me dritë. Përjetësia- do thoshte Rembo- është deti i shkrirë në diell.

Dhe Mira Meksi thërret lexuesin të mendojë, të gjykojë, t’i zgjedhë vetë krushqitë e veta...me Dona Marie Victorien, apo me Teutën. Me atë mashkull të bukur të gjallë apo të vetëvrarë ?...Veç, gjallë mbetën dy femra. Dy pushtete përjetësisht të pavdekshme. Njera sex. Tjetra dashuri. E para është pushteti i verbër. E dyta pushtet i dritës. Të dyja kanë nevojë për njeri tjetrin, por të dyja nuk mund të qëndrojnë përballë. Ose do harmonizohen si unitet i mundshëm e celulë ose do përballen në arenë për hegjemonizëm. Letërsia është arena më e ndërlikuar. Kënaqësia e seksit afron me kënaqësinë e fjalës së shkruar. Procesi krijues ravijëzohet si kënaqësi erotike. Xhelozia dhe seksi, me kthetra hapur, ashtu me ngulsha gjaku ta turbullojnë të parët. Dhe qenia pa sy nuk e njeh as moralin as ligjin. Lexuesi i kujdesëshëm duhet të mendohet kë duhet të duartrokasë. Tifozët ndahen. Në çdo arenë. Shkrimtarja nuk na ofron asnjë moral, veçse ajo na fut në mendime, veçse, ajo na mëson si të lexojmë. Vetë ajo ka zgjedhur arenën, ndeshjen. Dhe në ndeshje të tilla rrallë e më rrallë ndahet fituesi me pikë. Shigjetat e ngulura në mish nuk janë paqësore dhe njeri nga aktorët duhet të shtrihet për tokë. Ndodh që vritet dhe shkrimtari. Sa më të shquar të jenë aq më të ndërgjegjshëm bëhen për humbjen. Mediokrit fitojnë gjithmonë. Dhe lexuesi. Stadiumi gjithnjë i përciptë brohoret për të gjitha rastet. Dhe lexuesi vazhdon të shkruajë romanin e tij. Ky është leximi më i mirë. Dhe duartrokitje entuziaste për shkrimtaren.

 

*   *  *

 

Mua më nervozon ndeshja me dema dhe stadiumi spanjoll që brohoret vdekjen e atij demit aq të bukur si monument natyre. E kam parë jo të barabartë ndeshjen midis njeriut dinak  dhe demit. Gjaku që derdhet me ngulça, rënia heroike e demit, krijon në çdo rast ndjesinë e një  barbarizmi. Jam në krahun e viktimës në çdo rast. Por nuk paskam qenë shumë i saktë. Mira Meksi na thotë se “ ndryshe nga ç’mendohet, arti i korrides nuk mbështetet te dhuna, por te eleganca dhe te ëmbëlsia” Dhe, pas kësaj, jo pa rezerva, m’u dukën të barabartë atletët, ose gladiatorët e kohëve moderne. Sidoqoftë, demi madhështor, i bukur te Zoti, është më i sinqertë, më budalla se po të kish njëçikë mendje, një pëllëmbë më majtas a më djathtas me brirët e tij , mund t’i kish fituar të gjitha ndeshjet dhe, besoj stadiumi nuk do brohoriste demin vrasës. Kjo që po them është vetëm aparenca. E pamjaftueshme , natyrisht. Metafora e gjakut të demit preferon të qëndrojë e veçuar dhe, paçka se epiqendrore sepse e kuqe, heziton të futet në mozaikun e dashurisë. Ky është një nga problemet që nuk i pëlqen zgjidhja.

Romani ka faqe të tëra që hulumton e mediton e kjo, rrezikon ta shpërfillë veprimin e ta zvarrisë ritmikën, por mendoj se narracioni i mprehtë, shoqërizimi i veprimeve me simbole  bën që të besohen dhe ato fqinjësi që duken të largëta, ndeshja, dashuria dhe ikonat. E dalim tek dëshira egocentriste e shkrimtares që ta marrë lexuesin prej dore, t’i tregojë me aq pasion domethënien e ikonave – lexo, dashurinë për Krishtin...

E di historinë e luftës së ikonoklastëve që gjatë Bizantit zgjati rreth dy shekujsh. Lufta ishte shfaqur më përpara. Ishte lufta kundër imazhit në përgjithësi dhe atij të Zotit në veçanti.( kujto që imazhi i parë i shkruar është parë në një gur shpelle mbi njëzet mijë vjet para, kur një piktor gdhendi në gur një figurë të vogël femre e tha : “kjo është perëndesha Afërditë” ) Është ringjallja e kujtesës për ta bërë përvojën, ose dijen imazh e pastaj, imazhin ngjyrë, figurë , tingull.

 

*  *  *

 

Personalisht e kam drejtuar mendjen kundër imazhit të Zotit. Nuk më ngopte fytyra e Tij në dru e metal, e aq më pak t’i falesha një ikone edhe si objekt çudibërës; sikur ma ndalon ikona ta shoh direkt Krishtin tim. Por Meksi, veç mënyrës imponuese si tregon, të bind edhe me argumente. Ikona paska qenë një univers më vete, jo vetëm me ngjyra e nuanca, ajo paska qenë një organizëm i gjallë, me kujtesë, frymëmarrje dhe plot mistere që duhen zbuluar. Nga kjo dritare e madhe hapur para mijëra vjetësh, njeriu mëson për të parë përtej vetes; është ai hapi drejt artit të madh, është imazhi artistik, esenca e çdo qytetërimi që mbetet edhe pas rrëzimit të qytetit. Shkatërrimi i ikonave në çdo kohë ka qenë akt  dhune kundër imazhit. Perceptimi i Zotit si i paarritshëm, i paemërtueshëm, i padukshëm, i pashfaqshëm, nuk cenohet nga ikona. Shkrimtarja këmbëngul se ikonografët jo vetëm që e shkruajnë ikonën, por dinë dhe ta lexojnë. Autorja jonë  duke mbrojtur ikonën , mbron leximin elitar; ajo nuk kundërshton imazhin por idhullin. Ikona nuk paraqet realitetin, por simbolin, jo Krishtin, por përshkrimin e fytyrës së Tij, jo logjikën, por ndjenjën. Kësisoj ikona është shenja e dukshme e së padukshmes, përafrimi i imazhit hyjnor.., Dhe më tej: leximi i saktë i shkronjës, fjalës, ngjyrës, tingullit, pra i vizionit artistik të botës. Por kjo është rruga e artit, zotërinj. Ose e poezisë. Dhe ikona, ashtu si poezia kërkon që lexuesi të përulet para poetit.

Momenti i kalimeve për t’u fokusuar disi përdhunshëm tek e kuqja e dashurisë, tek ai kryqëzim simbolesh që do të përbënte shtyllën virtuale të krejt veprës,  sidomos kur u drejtohet ngjyrave, mendoj se përbën një nga pikënyjet jo vetëm kompozicionale të romanit.  Kur njeriu artist u dha emër ngjyrave dhe nuancave, kur figuracioni poetik u shumëfishua në kombinime të pafundme, horizonti i botës dhe i artit u zgjeruan në tre dimensione dhe para lexuesit doli problemi i thjeshtë dhe i vështirë si të lexonte; si të lexonte çdo fjalë në poezi, çdo fjali në prozë e pra, si të lexonte dhe ikonën dhe ngjyrën, dhe tingullin si një nga metaforat më të komplikuara të artit... . Kupton ai që mundet/ sheh ai që ka sy të vështrojë/ dëgjon ai që ka veshë të dëgjojë...

 

*  *  *

 

(Sfondi i ikonës ka ngjyrë ari. E vetmja ngjyrë që e ka diellin përbrenda dhe rrezëllon vetveten. Ari i ikonës është pjesa intime, thotë autorja, sfondi i larë me ngjyrën e shpirtit si ftesë për të hyrë nëpër dhomat e thesarit (lexo në shtresat e padukshme). E bardha shpreh hyjnoren... dhe le të dalim tek e kuqja jonë, ngjyra e lindjes dhe e rilindjes), ajo është zjarri dhe gjaku, triumfi i dashurisë ndaj vdekjes. Adami, stërgjyshi ynë e ka emrin “e kuqja”, veshja e Krishtit është e kuqe, manteli blu, kombinim  estetiko – filozofik, i njerëzores dhe  të kaltrës së qiellit...( Kot ma kanë ngatërruar të kuqen me gjak revolucionesh, luftërash e flamurësh...) Në të kuqen si epiqendër të mozaikut, pasi hedh sytë në çdo ngjyrë, autorja, mendoj, se ka kapërcyer me suksese dhe ngërçin kompozicional; fjala e saj plot kolorit, figuracioni, e shprehura dhe e pashprehura, heshtja apo deklaracioni e ka mundësuar kalimin tek e kuqja e ikonës, e Krishtit, e gjakut të demave, e zjarrit dhe e pasionit, e dashurisë dhe sakrifikimit në emër të së bukurës. Këtë ikonë të artë për dashurinë do ta lakmonte çdo shkrimtar i rëndësishëm.

Këto pikësynime jo të lehta që qëndrojnë para çdo shkrimtari, mendoj se janë zgjidhur nga Mira Meksi në romanin e saj sepse: ajo manovron mjeshtërisht me fjalën shqipe sidomos me procesin e neologjizmave duke eksperimentuar dhe konstrukte krejt origjinale. Stili i saj elegant me atë mundësi të pakufishme të gjuhës shqipe deri në qelizat më  të holla të ndjeshmërisë njerëzore, erudicioni i saj i admirueshëm në disa fusha, ia ka mundësuar shprehjen artistike. E ushqyer me “qumësht mbretëror”, me përvojat më të shquara të letërsisë botërore, ajo si shkrimtare, estete dhe si përkthyese futet në elitën e inteligjencës krijuese. Kujtojmë se ajo na ka sjellë në gjuhën shqipe Markezin, Borgesin, Nerudën, O.Pazin, Sabaton, Fuentes-in, Lorkën, Bodlerin, Saramagon etj, të gjithë këta korifenj të letërsisë botërore.

Mira Meksi ka arritur ta shohë me sytë e saj trëndafilin

që rilind petal pas petali nga vetë hiri i tij...

Se artisti, gjithonë e gjen një perëndim të bukur dielli që ...

pirololi@hotmail.com