E marte, 19.03.2024, 02:24 AM (GMT)

Kulturë

Është koha për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës

E merkure, 20.02.2008, 07:30 PM


Nga Prof. dr. Vasil S. TOLE

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është oguri më i mirë edhe për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Shqiptarëve po në këtë vit. Tashmë të gjithë e pranojnë, kudo, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë, por dhe studiues dhe dashamirës të huaj, se FFK i Gjirokastrës është kurora e veprimtarive të trashëgimisë kulturore shpirtërore, i cili kulmon në skenën e njohur si skena e Festivaleve, në qytetin muze të Gjirokastrës - “Pasuri kulturore e njerëzimit” – e mbrojtur nga UNESCO, qysh prej vitit 1968. Pas viteve 1990, megjithëse u prish radha e organizimit, festivali ia doli të bëhej në qytetin muze të Beratit më 1995-n, pas shtatë vjet ndërprerjeje. Në vitin 2000, pas shumë përpjekjesh, me të drejtë FFK u rikthye në shtëpinë e vet, në Gjirokastër. Ishte një rikthim madhështor dhe mallëngjyes njëkohësisht. Jo rrallë shihje muziktarë popullorë nga i gjithë vendi e jashtë tij, që puthnin skenën para dhe pas interpretimit, ndërkohë që spektatorët e shumtë popullonin çdo ditë e natë kalanë. Viti 2004 natyrshëm solli organizimin e radhës të Festivalit në Gjirokastër, me standarde të larta organizimi, me Statutin e Festivalit, si dokumenti rregullator i tij, i cili sanksionoi edhe zhvillimin e FFK-së në çdo katër vjet, mbështetur në Ligjin Nr. 9049 “Për trashëgiminë kulturore”, i aprovuar në vitin 2003 në Kuvendin e Shqipërisë me një konsensus të admirueshëm të pozitës dhe opozitës së atëhershme. Festivali filloi më 29 shtator, e njohur zyrtarisht si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa u mbyll më 5 tetor 2005.
Sot është koha për të vendosur për organizimin e FFK-së në vitin 2008. Trashëgimia kulturore mbarëshqiptare imponon klasën politike shqiptare që ta marrë vendimin për organizimin e FFK-së në këtë vit. Ky është viti i Shqipërisë, i shqiptarëve dhe i trashëgimisë së përbashkët të tyre. Si asnjë herë tjetër më parë, kultura dhe trashëgimia kulturore shqiptare janë të motivuara që të çlirojnë artin dhe traditën mijëravjeçare në kontekstet e reja gjeopolitike ku gjenden shqiptarët. Por kjo vendimmarrje nuk mund të jetë më e ministrit të Kulturës, i cili e ka shpallur mosbërjen e festivalit. Vendimmarrja për shpalljen e organizimit të FFK-së së Gjirokastrës është dhe duhet të jetë e kryeministrit të Shqipërisë, me cilësinë e Presidentit të festivalit, aktivitetit më të madh të shqiptarëve, në të gjithë historinë e tyre.
Z. Kryeministër! Dje pamë pikturën e të madhit Abdurrahim Buza “Shqipëria në festë” në zyrën Tuaj të punës, në çastin kur me emocion flisnit dhe përshëndesnit pavarësinë e Kosovës. Kishit shumë të drejtë që kishit zgjedhur këtë simbol artistik për këtë ditë. Ajo pikturë që shpreh një rreth shqiptaresh dhe shqiptarësh që këndojnë dhe kërcejnë, të veshur me veshje popullore, është shprehja më e mirë e bashkimit shpirtëror dhe kulturor mes vedi. Aty është vlonjati dhe kosovari, tropojani dhe çami; aty është mirditasi dhe ulqinaku, tosku, labi e gegu së bashku. Ajo pikturë, siç Ju e dini, është prej 40 vjetësh emblema e Festivalit tonë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Nxirreni nga zyra Juaj vullnetin politik të vendimmarrjes dhe bëjeni pikturën e të madhit Buza, piktorit tonë të madh nga KOSOVA, që të luhet “Live”, drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, në këtë qytet të UNESCO-s. Të gjithë do t’Ju mbështesin për këtë nismë dhe do t`i përvishen përgatitjeve për organizimin e grupeve përfaqësuese folklorike nga çdo anë e kënd i vendit. Kosova ishte e para që i ndezi sheshet e saj dhe të Shqipërisë me vallet, këngët dhe gëzimin e festës së pavarësisë. Ishte trashëgimia shpirtërore që shpërtheu emocionet 100-vjeçare. Është çasti që shqiptarët të mblidhen në Kalanë e festivaleve për t`i kënduar si asnjëherë tjetër më parë lirisë së tyre. Festivali duhet të ndodhë këtë vit. Viti 2009 është vetëm një vit elektoral kushtetues i zakonshëm, viti ku shqiptarët do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Askush nuk ka nevojë për një festival të dobët, shkel e shko, apo për më tepër për një festival elektoral në vitin e zakonshëm 2009. Z. Kryeministër. Shpalleni organizimin e FFK-së së Gjirokastrës më datë 29 shtator 2008, kur është Dita e Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve. Bëjeni trashëgiminë tonë kulturore që të shpaloset me vlerat e saj në këtë vit të bekuar. Mos e lini kulturën dhe trashëgiminë në retorikën e thatë të politikës së ditës, e cila gjen çfarëdo lloj sebepesh dhe përvjetorësh për këtë vit, por nuk ka gjetur kurajon që të iniciojë veprimtari konkrete kulturore për të festuar këtë ngjarjë historike të mbarë kombit. E kush më mirë se FFK i Gjirokastrës bën që të shpërthejë “Shqipëria në festë”!
Kultura dhe trashëgimia kulturore e shqiptarëve dhe e pakicave gjuhësore dhe kulturore që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., është e gjallë dhe ka nevojë për popullarizim të vazhdueshëm. Askush nuk mund të ndalë apo frenojë energjinë humane pozitive që të derdhet e lirë në aktivitete si FFK. Bëjini këngët të këndohen dhe vallet të vallëzohen! Tani është koha!

Ç`përfaqëson FFK-ja?

FFK i Gjirokastrës nuk përfaqëson një aktivitet të thjeshtë, i cili konsiston vetëm te disa ditë koncerte dhe veprimtari të tjera, që ndodhin në skenën e Kalasë së Festivalit. Festivali është së pari një akt publik shumë më i madh, më i rëndësishëm dhe i përgjegjshëm i politikës kulturore, që shteti shqiptar merr përsipër të zbatojë, me seriozitet, standarde dhe transparencë përpara shtetasve dhe kulturës së vet. Realisht, FFK përfaqëson një energji pozitive që shkund gjymtyrët e institucioneve shtetërore, atyre private dhe shoqatave kulturore, së bashku me ato të individëve, në funksion të pohimit të identitetit europian të shqiptarëve. Me këtë rast, e gjithë Shqipëria përfshihet në një organizim kulturor gjithëvjetor, për të kulmuar në ditët e festivalit që fillojnë më 29 shtator, Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Gjithçka me vlerë rivlerësohet, traditat riinterpretohen dhe përcillen nga brezi në brez, përgjatë një procesi kulturologjik dhe edukimi, i cili ndodh në të gjithë Shqipërinë për shkak të organizimit të FFK-së. Shqipëria është në një garë artistike me veten. Përmes një organizimi model në vitin 2008, është e mundur që Shqipëria të mund të prekë përmasën reale të rëndësisë së turizmit kulturor (si vlerë kulturore dhe si vlerë monetare), të iniciuar dhe të mbështetur nën simbolikën e “Vitit të shqiptarëve”. Trashëgimia shpirtërore e FFK-së i jep jetë dhe gjallon edhe atë materialen anembanë vendit. Imazhi i Shqipërisë turistike për 2008-n nuk përmirësohet vetëm me spotet e CNN-it.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora