Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Konferenca Forumi 2000 në Pragë - Merr Pjesë Presidentja Jahjaga

| E marte, 11.10.2011, 06:00 PM |


Konferenca Forumi 2000 në Pragë

Merr Pjesë Presidentja Jahjaga

 

Nga Frank Shkreli

 

Fondacioni Forumi 2000 është themeluar në vitin 1997, një nismë këjo e përbashkët e ish-Presidentit dhe ish-disidentit anti-komunist çek Vaclav Havel, filantropistit japonez Johei Sasakava dhe Elie Uizel, fitues i Çmimit Nobel për Paqë. Zoti Havel ka thëne se e krijoi Forumin 2000 mbi parimin ''se do të ishte mirë që njerëz inteligjentë, jo vetëm nga të gjitha anë e botës, nga kontinente dhe kultura të ndryshme, dhe nga qarqe të ndryshme fetare botërore -- por edhe përfaqsuesë nga fusha të ndryshme të diturisë njerëzore, të mblidhen së bashku për të diskutuar në mënyrë të qetë.''

 

Objektivi kryesor i mbledhjeve vjetore të Forumit 2000 është ''që të identifikohen problemet kryesore me të cilat përballet qytetërimi si dhe për të gjetur mënyrat për të ndaluar përkeqësimin e konflikteve, të cilat si bazë kryesore kanë fenë, kulturën, ose përkatësinë etnike.'' Si misjon të tij, Forumi 2000 ka edhe promovimin e demokracisë, përkrahë shoqërinë civile, të drejtat e njeriut dhe promovon tolerancën fetare kulturore dhe etnike. Në këto takime vjetore kanë marrë pjesë akademikë të dalluar, fitues të Çmimit Nobel, politikanë dhe ish-udhëheqës, biznismenë dhe individë të dalluar me përgjegjësi në fusha të ndryshme të aktivititetit njerëzor.

 

Vaclav Havel hapi të Djelën konferencën tre ditore të Forumit 2000, tema e së cilës është ''Demokracia dhe Sundimi i Ligjit'', e në të cilin po marrin pjesë mbi 120 delegatë, përfshirë edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, besoj personaliteti i parë shqiptar që merrë pjesë në këtë forum të dalluar ndërkombëtar. Ky takim vjetor është bërë një traditë e Pragës e që ndiqet me interesim nga media dhe nga elita politike dhe intelektuale në Çeki dhe jashtë saj, pasi gjatë viteve ka tërhequr pjesëmarrës të dalluar si Dalai Llama, Bill Klintoni, Madelajnë Olbrajt, Xhorxh Soros, Henri Kisinger, Butros Ghali e shum personalitete të tjerë si këta, nga fushë të ndryshme nga mbarë bota.

 

Konferenca Forumi 2000, që organizohet çdo vit nën udhëheqjen e Vaclav Havelit, këtë vit diskuton influencën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në sistemin demokratik si dhe çështje të tjera, por tema kryesore është debati mbi deficitin e sundimit të ligjit dhe se si mungesa e sundimit të ligjit prekë liritë individuale. Do të diskutohet gjithashtu mbi kufizimet e shtetit sovran dhe mbi të drejtën e komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje humanitare dhe përgjegjësisë së tij për të mbrojtur të pafajshmit.

Këto janë tema dhe parime shumë afër zemrës së Zotit Havel, të cilat ai i ka ushqyer dhe i ka promovuar ç’prej kohës që ishte dissident anti-komunist e deri tek përkrahja e tij e vendosur ndaj sulmeve ajrore të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Megjithëse shumë veta mund të konsiderojnë Zotin Havel si një pacifist, ai në të vërtetë ka bërë thirrje vazhdimisht -- se e keqja duhet të luftohet dhe të kundërshtohet me forcë. Zoti Havel ka thënë gjithashtu se ai nuk mund të imagjinojë një Evropë të ndarë, një pjesë e së cilës është e begatë dhe e bashkuar dhe pjesa tjetër më pak e begatë, më pak stabile dhe jo e bashkuar.

Megjithë burgosjet dhe kërcënimet gjatë periudhës komuniste, Zoti Havel i kushtoi gjithë jetën e tij mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, si disident dhe më vonë si president i Çekisë, dhe tani megjithëse në moshë të shkuar, shërben si një zë i ndërgjegjes morale për botën.

 

Me ftesën që i bëri presidentes së Kosovës për të marrë pjesë në konferencën prestigjioze ndërkombëtare Forumin 2000, Zoti Havel, në një mënyrë, nderon të gjithë shqiptarët, pasi si mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit të individit, ai ishte gjithmonë pranë të gjithë atyre, duke përfshirë edhe shqiptarët, të cilët me dekada vuajtën nën thundrën e regjimeve të ndryshme diktatoriale.

 

Pjesëmarrja e presidentes Jahjaga në Forumin e Pragës – megjithë demonstratat nga një grup i vogël serbësh dhe simpatisuesish çekë kundër pjesëmarrjes së saj në këtë konferemcë -- është provë se Zoti Vaclav Havel ka përkrahur gjithmonë luftën dhe vazhdon të përkrahë përpjekjet e shqiptarëve për të drejtat e tyre bazë, dhe për institucione demokratike ku mbizotëron sundimi i ligjit.

Në arenën ndërkombëtare, shqiptarët kanë nevojë për përkrahës si Zoti Havel.