E premte, 19.04.2024, 09:32 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Nata e fantazmave

E marte, 11.10.2011, 02:37 PM


Nata e fantazmave

 

Tregim nga Gani MEHMETAJ

 

 Natë e ftohtë, akull. Nga alpet sllovene frynte veriu që të priste fytyrën dhe të fshikullonte trupin nga koka e mbuluar me helmetë deri të këpucët alpine në këmbët e mpira. Ishim në një pllajë mali. Nuk e përcaktoje dot vendin. Asnjë vendbanim në afërsi, nuk dëgjohej asnjë blegërimë delesh a pëllitje lopësh, as britma katundarësh.

Ruanim objektin ushtarak, rrethuar me tela gjembor. Rrëmujë e pasiguri gjithandej në vendin ku nuk na kishin ftuar. Largësia mes rojave nuk qe më shumë se katërqind metra. Por nuk e shihnim njëri-tjetrin. Në të majtë bënte roje djaloshi nga Posavina e Kroacisë, në të djathtë ruante bashkëmoshatari i tij nga Shumadia e Serbisë. Unë mes tyre rrija i mpirë në këmbë më pushkë supeve. Ndiqja më vëmendje lëvizjet në pyll, i mbështetur për një pemë të trashë që më mbulonte pjesën më të madhe të trupit nga era, po edhe nga gjuajtjet e mundshme armike. Hendekun në rast sulmi e kisha afër, mund të hidhesha më të vërejtur lëvizje në pyll.

Pa e hetuar mu afrua hija nga e majta. E mora me mend kush mund të ishte, megjithëse një herë nga paraqitja e bëftë u rrëqetha dhe mu duk që flokët e mia të ngritura si tela telefoni e preken çelikun e ftohtë te helmetës. Ende pa e pyetur pse e braktisi vend rojën filloi të më pëshpëriste: - Kam frikë. Mos më dëbo. I vetëm nuk rri më.

Kur u afrua edhe më, i çatalluar nga frika mu betua se në terrenin e tij endeshin hije njerëzish a lugetërish nuk e dinte me saktësi. Dridhej. Nuk thash asgjë. Nuk më bëhej vonë: do ta qortonin, arrestonin apo do ta dënonin nesër për braktisje të vendrojës. Nuk brengosesha as për të nesërmen time. Sonte ta kaloja thellimin dhe pasigurinë pa të nesërmen le të bëhej çka të donte.

Si të ishin marr vesh në mes veti, nga krahu i djathtë ia bëhu ushtari tjetër-shumadinasi. Edhe ai gati me gojë të marrtë mu drejtua: - Frikësohem nga lugetërit. Ka lëvizje nëpër gjithë pyllin, më shihte më vëmendje athua e besoja.

-Me një karikator do t’i vrasë gjithë lugetërit e kësaj bote, -u përpoqa ta shndërroja në shaka këtë frikë irracionale të dy ushtarëve të armatosur deri në dhëmbë me pushkë automatike, bajonetë që shkëlqente në natën e pistë, dhe 100 plumba në çantën e vogël ushtarake. Ai shakasë sime iu përgjigj i shqetësuar: - Lugetërit nuk i zë plumbi. Kot që i gjuan. Ndërkaq, komandosët nuk i heton, pos kur ta çajnë fytin.

 S’kisha përgjigje. Rrinim dhe lëviznin këmbët e mpira nga të ftohtit. Pastaj më i riu nga Posavina pasi mori vetën nga prania jonë, filloi të tregonte ndodhi interesante nga katundi i tij: - Një shtrigë ngrihej natën nga varri më daljen e hënës së plotë dhe e tmerronte gjithë katundin. I  bënte rrëmujë shtëpitë, i  priste në fyt gjënë e trash dhe i lemeriste katundarët. Me perëndimin e hënës çdo gjë qetësohej. Por një natë u bë shumë agresive, i lemerisi të gjallë e të vdekur: kërkonte ta kthenin në jetë, sepse gabimisht e futën të gjallë në varrë. Tre katundarë që patën punë me shtrigën u çmenden, ndërsa dy të tjerë nuk u panë më. Shtriga i kishte fërfëlluar në humnera të frikshme në shenj hakmarrje.

 - Për ta, - tha ai, ndërsa përpiqej të zhbirilonte në sytë tanë që vështirë të na i shihte nga emocionet e të rrëfyerit, - fliste i gjithë katundi.

 Shoku ia pohonte më kokë me sy të çakërritur nga frika. Nuk ia prishja, megjithëse as në këtë natë të errët burg nuk u druaja lugetërve. U druaja njerëzve nga mishi e gjaku që mund të na zinin pusi. Ishim ushtarë të huaj në vendin që s’na donte, as na kishte ftuar. Rrëfime për rojat e prera në fyt kisha dëgjuar plotë ditëve të fundit para se të na sillnin këtu. Dhe s’doja të më vriste dikush si qen në këtë humbëtirë të huaj.   

 Sikur ta kishte pritur shokun t’i hapte rrugë, ushtari tjetër e vazhdoi rrëfimin rrëqethës se si njërit në katundin e tij i doli shtriga natën, ndërsa ai duke menduar se është e dashura e afroi për trupi. Ajo befas i hipi në qafë. Kur ndjenë kthetrat, me britma e ulërima fatkeqi duke u përpjekur ta shqiste shtrigën, iu afrua shtëpive të para, por ajo e shndërruar në Zorken e tij sa për ta mashtruar e çau në fyt. U lemerisën katundarët. E dashura, më të pa kufomën e djaloshit mori malin.  - Bashkëmoshatari i tij dridhej derisa dëgjonte: – Po rrëqethëm për shpirt të nënës, ma prek zemrën se si me rreh -na drejtohej më zërin gati të panatyrshëm.

 – Ndërkaq, rrëfimtari betohej në Zot, tokë e në qiell se e gjithë kjo qe e vërtet. – Njerëzit që e kanë përjetuar këtë tmerr janë gjallë, - na thoshte i bindur në atë që fliste.

Nuk e kundërshtoja, s’kishte asnjë efekt edhe po t’u thosha se këto gjëra janë rrëfime plakash. Të dytë i besonin këto përralla. 

 Rrinim të shushatur në këmbë, prapa pemës së trash. Pastaj pa ndonjë marrëveshje u shtrimë në hendek, ndërsa sipas urdhrit duhej të silleshim më hap ushtarak nga një pikë kontrolli në tjetrën, “sa për t’ia bërë me dije armikut ku jemi”, tallej shoku ynë, i cili bënte kokrrën e gjumit në kazermën malore, sepse ishte në ndërrimin e mëvonshëm.

Ftoma dhe errësira e shtrinin pushtetin e pakundërshtueshëm mbi gjithë hapësirën. Sa herë lëvizte diçka në pyll, ne i bënim veshët pipëz, e ndërprisnim frymëmarrjen dhe prisnin nga do të vinte armiku. Ata i druanin lugetërve. Një varrezë e vjetër e braktisur austro- hungareze ishte në afërsi. Prania e këtyre varreve i lemeriste “bashkëluftëtarët”  e mi...  

 Komandosët e armikut ishin tmerri tjetër i rojave të natës. Disa ditë rresht para se të vinim në këtë humbëtirë, oficeri i sigurimit na thoshte se magazinat e municionit shpesh bëheshin cak i sulmeve të armikut. - Ndërkaq, - tregonte ai, - armiqtë i kemi të shumtë. Më të egër janë komandosët që s’të falnin, - e theksonte ai shpesh herë këtë gjë.

- Po ju zuri gjumi në vendroje, - nuk do të zgjoheni kurrë më, komandosët do t’ua çajnë gabzherrin, - na i hapte sytë me tmerr.

  Si për dreq të gjithëve sonte na kujtoheshin fjalët e tij. Pastaj ata filluan të kujtojnë më pëshpërima rrëfime ushtarësh se si u vra filani në pikën tetë të rojës. Tjetrit në pikën pesë, thoshin, ia gjetën kokën disa hapa larg trupit. Fatkeqi pushkën ende e mbante më të dyja duart, flitej gjithandej në kazermë. Askush nuk e kundërshtonte, megjithëse askush nuk e pa kufomën. 

Kur shteronin shembujt e këtyre tregimeve rrëqethëse, ushtari nga Shumadia, i prirë për drama të forta emocionale, tregonte detaje makabre të shpërthimit të gjakut, të gabzherrit që i gurgullonte fatkeqit nga ajri e gjaku kur dilnin me vrushkuj. Përshkruante edhe tmerrin e atyre që shikonin grahmat e fundit të të therurit, por që s’mund ta ndihmonin. Ai qe i sigurt që sonte komandosët ishin diku afër.  

 Kur shtangeshin nga frika, të cilën e ushqenin gjithë kohën, shihnin si të luajtur fiqirit përreth. Pastaj e vërtetonim edhe një herë instinktivisht e kanë pushkën e mbushur apo jo.

Nga ajo atmosferë e nderë herë na dukej se lëvizte një lis, herë na bëhej se fëshfërinin gjethet e shkelura të pyllnajës nga këmbët e dikujt. Por pastaj kur e ndjenim fortësinë e armës së ftohtë na bëhej se  pushonte çdo lëvizje.

 Pasi ngopeshin së rrëfyeri për komandosët që vrisnin, hidhnin në erë depo municioni, zhduknin njësi e çeta, fillonim serinë tjetër të rrëfimeve për lugetërit, dhe shtrigat në katundet e rrafshultës së Posavinës apo lugajave të Shumadisë.

Ata herë përtypnin rrëfimet e dëgjuara netëve të dimrit në vatrat e tyre, herë përserisnin serinë e shkrimeve nëpër revistat e ilustruara që vinin në kazermë. Kësaj ua shtonin besimin e patundur në ato që u thoshin eprorët për komando armik që të prisnin në fyt sa hap e mbyll sytë.

Vazhdonin në rrinim të shushatur në errësirë. Më bëhej se nga frika irracionale të dy ushtarët ishin bërë si bombë e kurdisur me sahat, që vetëm momentin e shpërthimit kërkonin. Fillova t’ua kem frikën. Duhej të ruhesha nga çarturia e tyre. Prisja më ankth zbardhimin e ditës apo ardhjen e ndërrimit tjetër. Koha nuk ecte. Ata dikur filluan ta shohin më frikë njëri-tjetrin.  

Dhe derisa unë luftoja me nervat e mia jo nga hija e lugetërve, as nga komandosët sa nga reagimet e papritura të dy ushtarëve pranë meje, nata e pafund me të ftohtit më paralizonte. Nga mënyra se si shihnin rrotull u përpoqa prapë t’i shpërqendroja, t’i shkarkoja nga paniku: - S ’ka lugetër! Janë përralla plakash gjithë ato që kishin dëgjuar, le të me dalin para të gjithë lugetërit e botës dhe do t’i çaj me bajonetë pa e shkrepur asnjë fishek, ndërsa ata heshtnin. - S’ka as komandos, - përpiqesha të jem bindës . Por ata s’ më besonin. Duket  më as s’ më dëgjonin.

Çuni nga Posavina ashtu si ishte i shushatur me kokën që e lëvizte si drugëza sa majtas djathtas, papritmas u ngritë në këmbë dhe doli nga hendeku. U përpoqa ta ulja duke e kapur për këmbëzën e pantallonave, por më rrëshqiti. Në qetësinë e frikshme të natës u dëgjua britma e thekshme: Ndal! Pastaj krisi rafali i kallashit.

U shtangëm. Nuk e dinim kujt i urdhëronte dhe në kë gjuante: në ndërrimin që ende kishte kohë të vinte? Në komando që mund t’i ketë pikasur? Apo u hakërrohej hijeve të natës që ua pati frikën më shumë se të gjithë armiqve së bashku. Ai shihte fantazma që dilnin nga varret, sepse filloi të kërcënonte e të shante lugetërit. Bashkëmoshatari i tij nuk vonoi dhe hapi zjarr të përqendruar, duke e zbrazur gjithë karikatorin. Pastaj e futi karikatorin tjetër. Unë u ngjesha edhe më pas dheut të hendekut, në përpjekje për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave kuturi të shumadinasit që filloi të qëllonte nga të gjitha anët dhe të klithte me zë jonjerëzor. Vazhdonin klithmat tjera në thellësi të malit. Zërat e tyre largoheshin njwri pas tjetrit. Pas një kohe ngrita kokën dhe hapa sytë sa si shqeva në terrin e natës, por nuk e shihja as posavinasin që u zhduk në thellësi, as  shumadinasin që komandonte: “zjarr” disa qindra metra larg meje dhe shkrehte herë pas herë kallashin. 

 Dikur u bë heshtje e frikshme. Ata nuk u kthyen.

Më të zbardhur dita hodha pushkën në hendek, u shkarkova nga pajimet ushtarake dhe u drejtova nga kufiri perëndimor. Askush nuk erdhi të na zëvendësonte as të gjurmonte për fatin e dy ushtarëve, për të cilët kurrë më nuk dëgjova.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora