E shtune, 20.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zëri kryengritës i një shpirti të brishtë

E marte, 11.10.2011, 02:58 PM


ZËRI KRYENGRITËS I NJË SHPIRTI TË BRISHTË

(Osman Caka, Gjallëria e oxhakut tim, Bukuresht, 2011)

 

Nga Baki Ymeri

 

Osman Caka inkorporohet me dinjitet në spektrin e veteranëve të atdhetarizmit kastriotik, të cilin jo më kot e kemi pagëzuar „Shqiponja e Manchesterit”. Zotëria e tij din t’i vlerësojë veprat e shenjta të martirëve të kombit dhe rilindësve tanë. Një nga gjestet më fisnike të solidaritetit kombëtar e ndërkombëtar që ka bërë, është ngritja e bustit të Nënës Tereze në oborrin e Manastirit te Gortonit të qytetit ku jeton (Manchester) pa e harruar kurrë Kosovën e tij të dashur. Po të ish Asdreni gjallë, do ta ftonte në një tavernë bukureshtare për ta pirë së bashku nga një kafe, ngase që të dy i preokupon(te) fati i atdheut dhe patriotizmi shqiptar.  Shqipja e Gjergjit në flamur, Lulet e Kosovës, Bilbili e ndali këngën, Gjallëria e oxhakut tim, Dridhet zemra nga trishtimi, Kosova trime më mban gjallë, janë disa nga sintagmat që ia shtojnë vlerën kësaj vepre lirike ku defilon shpirti i frymëzuar i diasporës shqiptare.

           Sipas një patrioti korçar (Dhimitër Polena), Kosova është koka e Shqipërisë. Sipas një poeti të huaj (Mihai Antonesku), Kosova është Dardania e zemrës sime. Sipas autorit të këtij albumi poetik, që de facto është vëllimi i tij i parë që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht, Kosova është atdheu i zanave, zëri i dashurisë dhe gjallëria e oxhakut tim. Shpirtin e poetit e ka lënduar rëndë sundimi i huaj, që justifikon kushtrimin e tij biblik: “Eu pasha besën që ia kam dhënë Sharrit/ S’e lë kurrë Kosovën në dorë të shkaut.” Këtu nuk vjen në shprehje vetëm kushtrimi për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, por është zëri kryengritës i një shpirti të çiltërt, vargjet e të cilit mund të shndërrohen në këngë. “Po t’i kishin bërë edhe shqiptarët ato krime monstruoze që i kanë bërë serbët në Kosovë, publikisht do të deklaroja se nuk jam shqiptar”, thekson Fehmi Kelmendi nga Zvicra, poet, historian dhe patriot.

           Fehmiu shkruan për golgotën kosovare, ndërsa Osmani për gjallërinë e gjakut shqiptar që s’i urren serbët si fqinj që e kanë kufirin mes Nishit dhe Beogradit, por i urren kriminelët serbë që e përgjakën Toplicën para 100 vitesh, dhe Kosovën para 10 vitesh. Poeti është një meteor i mirësisë, siç kemi thënë për Liman Zogajn, Sadik Krasniqin dhe Neki Lulajn, kohë më parë, i këtillë duke qenë edhe autori i kësaj vepre, i cili herë pas here e fisnikëron vargun me metafora të qëlluara që i kanë hije, Adem Jasharin duke e konsideruar si një “Meteor i bekuar” apo “Shqipja e Gjergjit në flamur.” Të jesh i kujdesshëm, i qëndrueshëm, i durueshëm, trim, besnik dhe rezistent, don të thotë të kesh shpirt fisnik dhe prirje ilirike për ta mundur madje edhe të pamundurën. Autori mundohet ta përballojë dhembjen ngase posedon një botë të pasur sentimentale dhe i loton zemra e i digjet shpirti për Kosovën tonë dhe Ilirin e tij.

Poetin respektiv e prek çdo padrejtësi dhe ka kujdes ndaj deshifrimit të mendimit, të shpirtit të njeriut dhe përkushtimit të tij permanent ndaj familjes, ndaj vendlindje, ndaj kombit dhe atdheut. Drama e shqiptarëve, sidomos ajo e sivëllezërve tanë në Kosovë, është drama e “paktit” apo “pajtimit” me djallin, herë me turkun duke iu nënshtruar padashtas 500 vjet me rradhë, e herë me serbin, që nga koha e Sar Dushanit e deri te ajo e Sllobodanit, edhepse përveç haxhiqamilizmit ballkanik dhe disa hijeve aktuale, shqiptarët e mirëfilltë nuk i janë nënshtruar kurrë, as njërit e as tjetrit. Osmani shkruan me përdëllim për atdhetarët tanë, për Gjergj Kastriotin dhe Pjetër Bogdanin, për Isa Boletinin dhe Xhemë Gostivarin, për Grykën Kaçanikut dhe Idriz Seferin që dinte ta mbrojë tokën amtare duke luftuar herë me njërin e herë me okupatorin tjetër. Në vargun e tij të frymëzuar dëgjohet zëri i viktimave për liri dhe pavarësi. Në to defilon Kosova me Adem Jasharin dhe historinë e saj të shenjtë: “Çohuni o burra, trimat e Adem Jasharit/ Sot nga Kosova e larguam shkaun/ Nga gëzimi brofi n’këmbë babaplaku:/ M’i dhatë gjallëri, biro, prap këtij Oxhaku!”

Në vargjet e e Osman Cakës ndjehet një përbujshmëri sentimentale e shqiptarit të rëndomtë që qëndis vargje kushtuar evenimenteve dhe personaliteteve kombëtare. Gjatë redakturës linguistike e kemi lënë të paprekur diskursin lirik të autorit, ku zotërojnë elemente reale, tek-uk edhe foklorike, me një diskurs të veçantë linguistik nga dialekti i veriut, si psh.: “Mos harroni Shqipnisë nanë me i tregue/ Se shumë shpejt shqipet kan’ me u bashkue.” Iliri i tij, Gryka e Kaçanikut, Lugina e Preshevës, Ilirida dhe Çamëria shqiptare, Flamuri Kombëtar, martirët e kombit, janë disa nga sintagmat primordiale që ia shtojnë vlerën këtij albumi poetik me frymëzime atdhetare. Në vargjet e Osman Cakës defilon Kosova me bijtë dhe me bijat e saj,  që e dinin dhe e dinë se: ”Derisa Shqiponja kuqezi do të valojë/ Dielli Shqipërinë do ta bekojë.”



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora