E marte, 23.04.2024, 05:56 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aurel Dasareti: Shqiponja e Sharrit dhe zemërluani i Bukureshtit

E marte, 11.10.2011, 06:04 PM


SHQIPONJA E SHARRIT DHE ZEMËRLUANI I BUKURESHTIT

 

Biografia e Baki Ymerit pasqyron malësorin e Sharrit që digjet për komb e atdhe, siç digjej edhe Ajvaz Voka në kohën e tij. Ai njihet sidomos për shpirtin e sakrificës dhe kontributin e denjë që ka dhënë për afirmimin e kulturës sonë në gjuhë të huaja. Jo më kot, Ramiz Dërmaku e ka pagëzuar “Bubullima e Bukureshtit”, apo,  një ambasador i kulturës shqiptare në veri të Danubit, një urë me të gjitha virtytet e shqiptarisë, me një bibliografi brilante që të bën krenar pse ke lindur shqiptar.

 

Nga Aurel Dasareti (psikolog dhe ekspert ushtarak)

 

Histori e gjatë kjo e imja. Dy nënshtetësi. I lindur në Australi para 35 vitesh, jetoj edhe në Amerikë. Nënën arbëreshe, nga Australia, me prejardhje nga Italia, të ikur prej turqve në kohën e Skënderbeut. Babin nga Amerika, gjyshi ka emigruar prej Shkodre në rininë e hershme. Kishim farefis në Arbanas të Zarës, Kroaci. Në vitin 1981 vizituam Kroacinë (me prindërit). Në kthim për në Beograd e pastaj për në Amerikë, morëm autobusin për në Budva të Malit të Zi, ku edhe veruam disa javë. Aty, në lagjen Beçiçi kishte dy pushimore për nxënësit e shkollave fillore, njëra për serbët e tjetra për shqiptarët (“Ganimete Tërbeshi”). Prindërit donin të kontaktoja moshatarët shqiptarë të cilët fizikisht ishin shumë më të dobët se ata serbë. Habitesha, por prindërit më treguan shkakun – varfëria. U kthyem me autobus për në Beograd. Kishte edhe disa shqiptarë të ri si pasagjerë. Gjatës rrugës në një mal na ndaloi policia çetnike. Na shikuan dokumentacionin dhe i nxorën jashtë autobusit vetëm shqiptarët. Njërin prej tyre e rrahën shumë keq, pa asnjë shkak, e terrorizuan aq shumë para syve tanë saqë prindërit e mi dolën prej autobusit të protestojnë. Prej asaj kohe kuptova se gjaku nuk është ujë, dhe më buzëqeshi fati që gjuhën amtare ta përvetësoj nga një mësuese private nga Kosova, të cilën prindërit e “gjetën” në pushimoren “Ganimete Tërbeshi”, duke i mundësuar vendosjen në Amerikë... Dhe,  ja, u bëra ky që jam! Ai që është i guximshëm dhe me karakter për maskarenjtë është gjithnjë shumë shqetësues. Mbi një fëmijë ndikimin më të rëndësishëm nuk e ushtron kjo apo ajo ndodhi e veçuar, por karakteri i prindërve.

Kushdo që e shfleton biografinë e Baki Ymerit, konstaton se malësori i mbrujtur me një edukatë të shëndetshme familjare është një figurë emblematike që zgjon kuriozitetin e botës shqiptare për ta lexuar me admirim çdo shkrim të tij. Duke bërë fjalë për kodin e Parajsës, Mhill Velaj  thekson në një dorëshkrim të tij se “të gjithë shqiptarët patriotë që punuan në Rumani e kudo në botë, milituan për të mbajtur gjallë flakadanin e lirisë për Shqipërinë, Atdheu i tyre i dytë që bëri të qytetërohet poezia shqipe”. Nuk e njoh personalisht, por kohëve të fundit kemi shkëmbyer disa letra prej të cilave do të mundohem të hartoj profilin përkatës të veprës, karakterit dhe personalitetit të tij. Pikësëpari mburrem që pata rastin t`a kontaktoj në faqet e Zemrës Shqiptare krenarinë kombëtare të Sharrit, malësorin me zemër luani dhe shpirt shqiptari. Ky njeri është një shembull eklatant që ta përkujton një mendim filozofik sipas të cilit “Veprimi kurrë deri më sot nuk është kryer nga ai që pyet më parë se ç`duhet të bëjë.”

Baki Ymeri nuk pyet se ç’duhet të bëjë, por vepron siç vepronte Nikolla Naço para 100 vitesh, duke qenë gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit. “Urime edhe nga ana ime”, i shkruan Xhavit Gasa nga Londra: “Kombi shqiptar është kombi më i vjetër në Evropë. Është kombi që me një vetëmohim të rrallë u ka bërë ballë armiqve të shumtë të cilët nuk arritën të shuajnë këtë komb kurrë. Kjo qëndresë shekullore ju dedikohet të parëve tanë që luftuan me pushkë dhe pendë, dhe ti, i nderuar, je pjesë e kësaj plejade intelektuale që me shkrimet tua jep një kontribut të çmuar për çështjen shqiptare.” Nga burimet e para elektronike kuptojmë se u lind në Shipkovicë më 1 gusht 1949, nga një baba shqiptar, Ajvaz Voka, malësori që digjej për komb e atdhe, ish-veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, dhe nga një nënë rumune, që e përvetësoi gjuhën shqipe brenda një nate, duke i qëndisur më 1932, në një pëlhurë artizanati këto vargje: Rroft Shipnija ene na nimoft Perëndija!

Aurelia Voka në kohën e saj ishte e hijshme si Maria Lajcaj e ditëve tona, e cila shkëlqen me këngën Moj Shqipnia Katsriote!. Nderime dhe respekt për patriotin e shquar, Ajvaz Voka, si dhe për pasardhësit e tij, krenarë që kanë lindur në tokën shqiptare,  dhe shembuj udhërrëfyes për mbarëvajtjen tonë në botë, thekson Filip Përmetari në një koment të tij. Bakiu kreu Gjuhën dhe letërsinë shqipe në kuadrin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës (1969/73). Në bazë të rekomandimeve të Dr. Latif Berishës (martir i shqiptarizmit), ndërlidhet me Bukureshtin për identifikimin e vlerave kulturore të rilindësve tanë, si dhe për afirmimin e diasporës shqiptare të Rumanisë. Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, në vitin 1973 arratiset në Bukuresht, pastaj vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe Bukuresht (1975). Në periudhën 1971-79, si pasojë e botëkuptimeve demokratike dhe përhapjes së literaturës shqipe në relacionin Tiranë-Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet dhe dënohet nga Gjykata (komuniste) e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë, “për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste”. Bashkëfshatarët e tij e mbajnë mend sot e kësaj dite shtëpinë e tij të rrethuar dhe bastisur nga bandat policore të “milicisë” jugosllave.

 

Energjia hyjnore e shqiptarëve të Kosovës

 

Kosova është një subjekt që na preokupon në mënyrë speciale, ndërsa rëndësia e misionit fisnik të Baki Ymerit ndërlidhet me afirmimin ndërkombëtar të kësaj vatre të shenjtë. Nuk na ka hije ta krahasojmë me Kadarenë apo me ndonjë gjeni tjetër të botës shqiptare, por vlen të përmendim faktin se me këtë njeri mburret një botë e tërë, që nga Shipkovica e tij e deri te dashamirët e panumërt në Kosovë, Shqipëri, Itali, Zvicër, Suedi, Amerikë, Gjermani e gjetiu. Të themi se deri para disa vitesh e ka ndjekur edhe nëntoka antikosovare e Bukureshtit, mos po e teprojmë për t’i hidhëruar autoritetet  rumune që ndoshta nuk kanë faj, por faj kanë shpifjet e disa serbofilëve të këtij vendi që e kanë sulmuar në shtyp, duke e shpallur “Shqiptarin” si “revistë irredentiste” ndërsa Bakiun si “ultranacionalist që i fton shqiptarët e gjithë botës për bashkim kombëtar”, duke kërkuar që të ndërmerren masa të rrepta kundër tij. (Razvan Voncu, shtator 2001). “Kthehu në Kosovë dhe shaje atje presidentin tënd, e jo ta shash këtu presidentin tim!”, thekson Florin Silishteanu në pamfletin e tij me titull “Një konflikt diplomatik i gatshëm për shpërthim” (Curierul zilei, 12 korrik 2010). Në bazë të burimeve elektronike të arkivuara te Zemra Shqiptare, kuptojmë se e vërteta është se nuk e ka share presidentin Basescu, por në kuadrin e disa artikujve dhe komenteve elektronike, ia ka tërhequr publikisht vërejtjen se mosnjohja e Kosovës nga pala rumune është “një gabim i pafalshëm historik.” Në anën tjetër të barrikadës, intelektualët rumunë e konsiderojnë si një poet i dashurisë dhe mik i madh i kulturës rumune, ndërsa publicisti Florian Bichir e qëndis një portret për të me titullin “Kosovari im i dashur”, duke e botuar te gazeta e famshme Libertatea (2011), po në atë gazetë ku Baki Ymeri e pat botuar më 1992 artikullin “Shqiptarët janë krenaria e Ballkanit”. Po kështu pat vepruar edhe i ati i tij, 70 vjet më parë. Shih në faksimil artikullin e Ajvaz Vokës “Populli shqiptar dhe rendi i ri europian” (Universul, Bukuresht, maj 1941).

Baki Ymeri shkruan për provokimet antiamerikane të spiunazhit rus në Ballkan, për propagandat antikosovare të dinosaurit komunist Razvan Vonku, për energjinë hyjnore të shqiptarëve të Kosovës, për shqiptarët si simbol i trimërisë dhe besnikërisë, për komunistët me shtatë lëkurë që demokratë nuk bëhen kurë, për shqiptarët, fanatizmin dhe Evropën, për Dardaninë e zemrave tona, etj. Gjatë viteve 1971-1990 bashkëpunon me shtypin shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë, përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, duke dhënë kontribute publicistike edhe për letërsitë e popujve tjerë të Ballkanit. Gjatë periudhës 1990-2011, paralelisht me mbrojtjen e provimeve të doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, e afirmon dhe mbron me guxim publicistik kauzën e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Njihet si kundërshtar i flaktë i ekstremizmit fetar dhe merr pjesë aktive në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Nga burime tjera elektronike kuptojmë se militon për moral ideal dhe është një veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, kryeredaktor i revistave Shqiptari dhe Kosova në Bukuresht, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Është autor i 8 librave origjinalë (6 vëllime poetike dhe 2 monografi mbi diasporën shqiptare), autor  i 15 antologjive poetike dhe i 50 librave të përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i mbi njëmijë artikujve të botuar, zbulues i thesarit të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan: “Njeriu i Vitit 2001”.


Një zjarr i shenjtë për zemrat shqiptare

Artikujt e Baki Ymerit lexohen me ëndje dhe dekorohen me një gamë komentesh të favorshme. Paralelisht me bij tjerë të shqipes, ky njeri e ushqen me gjak të freskët Botën sot, Zemrën Shqiptare, revistën Drini etj., duke i dhënë prioritet afirmimit të Kosovës letrare dhe historike në  vatrën e lashtë të dakasve tanë, që ishin vëllezër të një gjaku me dardanët e një trungu të përbashkët trako/ilirik, gjë që ta përkujton krenarinë e një shpirti me shtatë zemra: “Moj shqiponja me dy krena/ Ta ndij zanin nëpër breza/ O kur të kujtoj ty në luftime/ Bahet pushkë kjo zemra ime”.  Dikush mund të mendojë se këto burime na i ka servuar njeriu për të cilin shkruajmë, kurse unë si psikolog, publicist dhe ekspert për deshifrimin e vlerave të kombit i them: “Urdhëro, noto nëpër Internet dhe shfleto qindra artikujt e tij!”

Vangjush Ziko nga Kanadaja shkruan: “Nderime dhe respekt për familjen Voka, në vatrën e së cilës, nga njëri brez në tjetrin, mbahet i ndezur dhe flakëron gjithnjë e më bukur zjarri i patriotizmit dhe i dashurisë për kulturën. Të kërkosh rrënjët e një krijimtarie letrare, të një kulture, të një fisi, të një etnie, do të thotë të kërkosh burimin e një jete në shfaqjet e shumëllojshme të saj, në radhë të parë, shpirtërore. Zoti Ymeri, ju vërtet jeni një "arkeolog" në kuptimin e figurshëm të kësaj fjale. Kam parasysh dhe disa shkrime që flasin për lidhjet arumuno/shqiptare.

Nuk po ndalem në vlerat aktuale të këtij problemi, në afrimin dhe gjetjen e pikave të përbashkëta të popujve të Ballkanit dhe më gjerë, atë të kombeve të Evropës, të platformës kulturore të bashkimit të tyre. Kam mendimin se kjo "arkeologji" ju ka dhënë frytet e saja me vlerë të veçantë edhe në krijimtarinë poetike. Ose, më mirë të them, ato kane frymëzuar njëra-tjetrën. Kam parasysh sidomos ciklin "Albano/Vllahia" nga vëllimi "Zjarr i Shenjtë". Ju, si poet i angazhuar bëni me sukses diferencimin midis pasionit "arkeologjik" dhe atij "artistik". Poezia juaj shndërrohet në një segment dhe argument artistik të etnicitetit. Ajo nuk ka të bëjë me ilustrimin e traditës, por mbi të gjitha me përjetimin estetik të saj. Kjo është një dëshmi autentike e talentit tuaj poetik që ka në thelb filozofinë e një misioni rilindës për etninë arumune dhe të lidhjes së saj me atë shqiptare, aq të diskutueshme dhe aq reale.”

 

Një jetë e shkrirë në funksion të kulturës kombëtare

 

Nga burime të verifikuara kuptojmë se një ndër më të dalluarit në ato veprimtari atdhetare shqiptare, në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe tek emigrantët shqiptarë në atë vend, është edhe Baki Ymeri, i njohur si krijues, poet, publicist, përkthyes, eseist dhe botues. Ai është autor i një numri të konsideruar krijimesh origjinale dhe librash të botuara në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në angazhimet e tij të gjithanshme emrin e tij e hasim edhe si një ndër krijuesit e brezit të ri shqiptar, brez të cilit i ra si detyrë e kohës që të ballafaqohet me ngjarjet tragjike që e tronditën Ballkanin si pasojë e qëllimeve të errëta të shovinizmit serb që tentonte të çfarosë popullin shqiptar në Ballkan, kryesisht kosovarët, me qëllim për t'ua marrë trojet etnike. Në atë kohë të vështirë, Baki Ymeri mban qëndrime të rrepta kundër dhunës, duke bërë thirrje përmes fjalës së tij krijuese dhe publicistike, për paqe, drejtësi, liri dhe pavarësi, sidomos për çlirimin e shqiptarëve të shtypur nga kolonializmi pansllavist, duke dhënë kontribut të pashoq për demaskimin e propagandave serbe në massmedian rumune (1992-2011), gjë që edhe ia ka arritur. Ku e din Aureli nga Arizona këtë fakt, mund të pyesë ndonjë butak ballkanik që s’e shfleton shtypin shqiptar!

Sipas Vehbi Balës, Xhelku Maksutit, Kurtesh Devajës, Ismet Dërmakut,  Llemadeo Dukagjinit etj, kuptojmë se shumë shqiptarë në kohëra të ndryshme kanë patur rastin të jetojnë apo vizitojnë Bukureshtin e bukur. Ata gjithmonë kanë gjetur atje mikpritjen e përzemërt nga rumunët bujarë, gjë që flet për një miqësi të vjetër farefisnore dhe gjeografike ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë. Por, përveç mikpritjes së vendit, çdo vizitor nga Shqipëria ka gjetur në atë vend edhe mikpritjen e bijve të shqipes dhe vëllezërve shqiptarë, të cilët jetojnë në atë vend prej më shumë se pesë shekujsh si emigrantë duke ikur nga zullumi osman. Atje ka emigrantë që janë integruar edhe emigrantët më të rinj që kanë shkuar në atë vend para Luftës së parë e të dytë botërore, dhe pas shpërthimit të revolucionit antikomunist në Shqipëri (1991). Emigrantët shqiptarë Rumani, kryesisht janë vendosur në qendrën më të madhe institucionale e kulturore të vendit, në Bukuresht. Ata kohë pas kohe kanë vepruar në shërbim të çështjes shqiptare, duke krijuar në Bukuresht një ndër vatrat më të zjarrta të aktiviteteve të Rilindjes sonë Kombëtare.

Atë traditë të bukur qe e krijuan rilindësit tanë, të cilët vepruan në Bukuresht për përlindjen e kombit shqiptar, e ruajnë edhe sot e kësaj dite bashkatdhetarët tanë që jetojnë si emigrantë në këtë vend, kryesisht në Bukuresht, Konstancë, Brailë e gjetiu. Shqiptarët e Bukureshtit para 50 vitesh vepronin të organizuar në gjirin e disa shoqatave, sidomos për kultivimin e gjuhës shqipe dhe mbajtjen gjallë të vlerave tona kulturore shqiptare (Drita, Dituria, Shpresa,  Bashkimi etj.). Organizata e vetme etnike në këtë vend, që nga viti 1990 është “Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë”, me qendër në Bukuresht, e cila është themeluar dhe drejtuar disa dekada nga Dr. Xhelku Maksuti, një historian, studiues dhe publicist i njohur me prejardhje shqiptare nga Kërçova, shqiptari që i ka mbushur sivjet 80 pranvera, duke milituar 60 vjet me radhë për afirmimin e historisë shqiptare në trojet rumune. Por, është e pashpjegueshme indiferenca e autoriteteve shqiptare për këtë njeri!

 

Ç’ka ka bërë ambasadori aktual i Shqipërisë për këtë Njeri?

 

A i çmon siç e meritojnë ai dashamirët e Shqipërisë dhe njerëzit e librave dhe të kulturës? Kur vjen fjala për Dr. Xhelku Maksutin, nuk ka qenë në gjendje as një Diplomë Shkëlqesie apo Mirënjohje ta nënshkruajë për të, në emër të Ambasadës Shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, por dhe shumë fakte të tjera konkrete që lidhen me punën me diasporën dëshmojnë se zotëria e tij nuk është as zotëri dhe as “shkëlqesi”, por ambasadori më i dobët që ka pasur Shqipëria në këtë vend. Më kanë treguar miq të mi që kanë asistuar në disa veprimtari, dhe është e pabesueshme se si mundet të belbëzojë një ambasador i tillë, jo në gjuhë të huaja, as që bëhet fjalë për njohje perfekte gjuhësh të huaja, por as në gjuhën amtare nuk është në gjendje të shprehet siç i ka hije një ambasadori shqiptar. Sa të më jepet rasti të kaloj nëpër Bukuresht, do ta pyes:  “Kujt i shërbeni, tovarish ambasador? I shërben Atdheut të Skënderbeut apo kultit të majmërisë që s’të lejon as të trashesh dhe as të piqesh si diplomat?

Ku e din dhija se çka ka kusia? Ku e dinë cubat e Enverit se kush janë bubullimat e diasporës? Dikush na shkruan se Bakiu çon një jetë modeste, me skamje e borxhe dhe brenga, dhe dikush tjetër na shkruan se ambasadorit të dobët të Shqipërisë së fortë në atë vend, nuk i intereson se kush janë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, se kush janë miqtë e Shqipërisë, se kush është Dr. Xhelku Maksuti apo Baki Ymeri, por e interesojnë lekët e Qeverisë shqiptare duke e varfëruar buxhetin e ministrisë së Jashtme me mbi katër mijë euro në muaj, duke e detyruar Qeverinë shqiptare të paguajë për apartamentin e tij në Bukuresht 1.500 euro në muaj. Lidhur me këtë shih artikujt e Dr. Përparim Demit në shtyp! Sa i përket Shqipërisë, duhet theksuar se roli i ambasadave është pikërisht të përkrahin diasporën dhe veprimtarët e saj, por ku ta dimë ne se çfarë ambasadori ka Shqipëria në atë vend, ngase flitet e shkruhet se ende hijet e diktaturës komuniste janë duke e përfaqësuar Shqipërinë në botë. Jo për të gjithë e kemi fjalën, por për disa vegla të pandjeshmërisë dhe hije enveriste që mënjanë e gëlltisin buxhetin e varfër qeveritar, ndërsa në anën tjetër tremben nga hija e vet, duke i qitur në harresë vlerat e kombit që kanë nevojë për përkrahje konkrete. Ku e dinë ata se ç’është demokracia, e bukura dhe e mira!

Nexhat Rexha nga Kosova e falënderon Bakiun për punën e përkushtuar që  është duke bërë për afirmimin e poezisë sonë, duke shkruar edhe për rrjedhat tona që po ndodhin në Kosovë dhe Maqedoni, pa i harruar lidhjet rumune/shqiptare me imazhin   dhe reflektimin e tyre në skenën politike. Fundi i fundit, a ka punë më të madhe se sa ruajtja dhe shpalosja e gjërave të mira, kur për ne shqiptarët kjo është e domosdoshme. Unë them vazhdimisht se nëse ne shqiptarët nuk e përkrahim njëri tjetrin dhe nuk e bëjmë si duhet punën tonë, këtë e bën serbi  kundër nesh, por ai e bën për vete. Dhe shumë keq për të ardhmen tonë siç e ka bërë gjatë shekujve, dhe atë në vija të fshehta politike. E pastaj ne ankohemi pas kohe, por koha nuk fal.

 

Simbol frymëzimi dhe krenari e diasporës shqiptare

 

Baki Ymeri na lutet mos e teprojmë dhe bezdisim lexuesin duke shkruar kaq shpesh për të, edhepse posedon dhjetëra çertifikata e Diploma Shkëlqesie, si dhe mbi 300 letra e mirënjohje vlerash epistolare nga dashamirët e tij gjithandej në botë, madje edhe nga krijuesit rumunë, por si pasojë e modestisë mendon se ende është herët për t’i bërë publike apo për t’i përfshirë në një monografi me titullin “Kujtimet e mia”, apo “Letërkëmbim me Bubullimën”. Disa prej tyre i gjetëm në Internet. Sipas Ilir Kosovës (Hajro Hajra nga Arizona) “Bakiu përmes veprës së tij e ka vënë një urë të shëndetshme ndërmjet Prishtinës e Bukureshtit. Ai ka bërë dhe po bën një punë kolosale për çështjen shqiptare. Po të ishin siç nuk janë autoritetet shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, do t’ia prisnin një rrogë mujore, si një ndihmë modeste për atë që po bën, ndonëse puna e tij titanike nuk mund të matet jo me një, por as me mijëra rroga.

Konsideratat e Ilir Kosovës dhe Llemadeo Dukagjinit për Bubullimën e Bukureshtit i konfirmon edhe Dr. Luan Topçiu në një artikull të dikurshëm të tij (2004): “Me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh.. Zëri i tij është i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare, sepse mendoj se ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare të atdhetarizmit, dhe është një gazetar aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike, e më gjerë. Në përvjetorin e lindjes së tij do të ishte mirë që gjithkush nga ne të kujtohemi për një jetë të shkrirë për shqiptarizëm, për të mbledhur qindra materiale arkivore mbi të kaluarën e komunitetit shqiptar në Rumani, për të botuar qindra artikuj mbi diasporën shqiptare, për një njeri që jetën personale e ka shkrirë në funksion të kulturës kombëtare. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmendja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e kauzës së Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999). Bakiu është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë, dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.”

 

BOX

 

I nderuar! Ju jeni heroi i ynë i gjallë që ia përkushton ditët dhe netët  çështjes kombëtare. Shkrimet tua kanë rëndësi të veçantë, sepse ua shtojnë dhe shumëfishojnë kureshtjen lexuesve për të shfletuar shtypin shqiptar,  duke i dhënë prioritet Zemrës Shqiptare. (Sabile Basha). Zemra Shqiptare është një tribunë e pasur me hulumtime të reja dhe ngjarje të rëndësishme afirmative për kontributin e njerëzve tanë nëpër periudha të ndryshme historike. Ka rëndësi për t`i treguar rrahagjoksave se dikush ka punuar shumë më herët për kombin tonë, që ne sot e gëzojmë këtë pjesë të diturisë e lirisë, sepse jeta shpirtërore dhe konsolidimi i shtetit shqiptar ka filluar shumë më herët. I lexoj me admirim shkrimet tua që tregojnë të dy faqet e të bëmave të njerëzve. (Nexhat Rexha. Megjithëse u ktheva i lodhur nga puna, shkrimi yt për Ajvaz Vokën më ka pëlqyer pa masë. Të lumtë dhe të priftë e mbara, o shqiptar i prekur nga flatrat e engjëllit! (Jusuf Zenunaj, Belgjikë, 31 korrik 2007). 
         Miku im i shtrenjtë! Është e pamundur të kaloj një ditë pa ndonjë befasi të këndshme nga ana jote. Të lumtë dhe të falënderoj shumë. Kënaqësinë që ndjej nga këto surpriza që më vijnë nga ana Jote nuk di si t'i kompenzoj, megjithse ende askujt nuk i kam mbetur borxh. Ti, o i nderuar, me punën që po e bën do të mbetesh i shenjtë! Po e bëj një lutje te i Madhi Zot që të të japë jetë të gjatë e të shëndetshme, me shumë suksese dhe lumturi. (Hysen Këqiku, Kosovë). Miku im i nderuar! Pas këtyre fotove të mrekullueshme, lexova edhe artikullin tuaj te Zemra Shqiptare. Mund te them se keni shikimin e thellë inteligjent të nënes suaj dhe forcën e dashurinë për komb të atit tuaj që aq bukur gërshetohet me vullnetin e këmbëngulsinë e të dyve për mbarevajtjen e kulturës sonë ku ju jepni kontributin tuaj të pakursyer. Ka gjë më krenare se sa kjo për një prind? Ka gjë më krenare se sa kjo për një djalë? Them se jo! (Albina, Kosovë, 31 korrik 2009)

Bakiu është njeriu që e njësoi jetën dhe vetveten me idealin dhe bukurinë e moralit. Rruga jetësore e babait të tij flet haptas se si njeriu din të jetë i fortë dhe i palëkundur, burrë i vërtetë, siç është e njohur sidomos burrëria e malësorit tonë. Ai e tërheq dëgjuesin veçanërisht me tonin e tij burrëror, me shkëndijat që shkrepin fjalët dhe mendimet e tij në të folurën aq lakonike dhe veprimin për kapërcimin e pengesave, siç shquhet madhështia e Ajvaz Vokës. Ky shqiptar që s’i dridhej qerpiku për hirë të së vërtetës, i thot Ndal, gënjeshtrës, shpifjeve, çnjerëzores. Kurrë nuk e fut mendimin e tij në kallëpet e pregaditura nga të tjerët. Burrë që nuk e sakrifikon të vërtetën, e në këto fakte aq të shumta jetësore, flet historia shpirtërore shqiptare e atyre viteve. Nuk lejojnë mëdyshje fjalët e veprimet e tij, ngase ato janë kapak sigurie e burrërie për të gjetur se si qëndron vërtetësia e punëve që krijojnë vazhdimësi patriotike. Jemi krenarë për këtë familje kaq atdhetare. (Ksenofon Dilo, Itali, 1 gusht 2009)

Te Baki Ymeri zoti e ka derdhur talentin në shpirtin e tij hyjnor. Ai është një rast i rrallë i cili qysh në moshën e tij të njomë dhe në kushtet e vështira të jetës së tij, ka patur fat të jetë i preokupuar dhe mbrujtur me art e kulturë, me çështje kombtare dhe me historinë shqiptarizmit në vendlindje dhe në mërgim, si dhe me të gjitha dallgët e jetës sonë të pamëshirshme. Ai është një zë i veçantë që gëzon autoritet, pregaditje profesionale, aftësi, përgjegjshmëri, moral dhe prestigj prej një patrioti të madh, jo vetëm në mërgatën shqiptare, por edhe tejmatanë kufinjve të saj. Ky njeri e gëzon prestigjin nga të gjithë ata që ndajnë kohë për t’ia përkushtuar leximit, kulturës, kritikës, informimit, krijimtarisë, publicistikës, si në  Iliridë, Shqipëri, Kosovë, Preshevë, Bujanovc, Çamëri, Ulqin, dhe në të gjitha vendet ku ka shqiptarë. Bakiu e ka mbrojtur dhe mbron me dinjitet dhe fanatizëm frymën kombëtare të artit dhe kulturës shqiptare në Bukuresht, me të gjitha sfidat, shpifjet e kundërshtarëve dhe sejmenëve që kurrë nuk ia deshtën të mirën kombit tonë. Ky njeri e përjeton jetën në vatrën e Asdrenit dhe të rilindësve të tjerë, të cilëve zjarri i mallit për atdhe nuk iu shua kurrë, dhe ai zjarri i kallur dikurë, tani i rindezur nga Bakiu me miqtë e tij,  vazhdon të na ngrohë sot e kësaj dite, që nga Bukureshti e deri Australi, Arizonë, Filadelfi e gjetiu. Sjellja engjëllore dhe vepra e tij sublime, janë ushqim shpirti dhe ngritje ndërgjegjje ndaj atdheut e kombit, për të gjithë mërgimtarët që padrejtësisht jetojnë jashtë trojeve etnike, të shkapërderdhur nëpër pjesët e ndryshme të botës. Andaj, me plotëkuptimin e fjalës mund të themi se Baki Ymeri është Shqiponja e Dardanisë në trojet e Rumanisë. (Neki Lulaj, Gjermani, 29 shtator 2011)



(Vota: 54 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora