E enjte, 28.03.2024, 06:36 PM (GMT)

Faleminderit

Danish Bebeziqi, një njeri i përmasave të rralla

E merkure, 20.02.2008, 04:00 PM


Nga Prof. Hamit Boriçi

Për hir të së vërtetës, radha e brezave që patën privilegjin të njihnin këtë burrë, e kujtojnë gjithmonë në këmbë, plot energji, në ecejake të përhershme nga banaku te raftet e librave, që, para se të mbushje kartelën, te kishte “bombarduar” me informacione mbi librin dhe autorin. Gatishmërinë e tij të sinqertë dhe të pa interes, shoqëruar, madje dhe me përzemërsi e buzëqeshje, ai s’ia kurseu askujt. Tek ai gjente mikun e konsulentin çdo nevojtare: nxënësi për lexim jashtë klase, gjimnazisti për referatin e letërsisë, pedagogu për tema e disertacione, “hallexhiu” për ndonjë letër lutje ose ndonjë letër në gjuhë të huaj, sepse qytetari e dinte se ai njihte 10-11 gjuhë të vdekura e të gjalla.
Kanë kaluar dekada dhe portreti i tij nuk na shqitet nga kujtesa: një fytyrë thatime e pak e zgjatur, pas syzeve, një pale sy të mprehtë dhe hetues, ndërsa mbi ballin e rrudhur, “cullufja rebele” e flokëve të thinjur dhe në gojë, cigarja që nuk shuhej kurrë! Në prag të këtij shekulli, gjatë përgatitjes për botim të veprës së atit tim, “Shkodra dhe motet”, mu pat vënë në dispozicion nga historiani Danish Bebeziqi, një material interesant mbi prof. Bebeziqin, material që më ndihmoi dhe në këtë bisedë. I ndjeri Bebeziqi pat lindur në Shkodër në vitin 1905, viti i tërmetit të fuqishëm, që në kujtesën e breznive të kohës e më tej u pat përjetuar përmes shprehjeve “...ka ndodhur iks vite para-pas tërmetit” për të përcaktuar kohën e ngjarjeve vetjake, familjare ose lokale. Një biograf e përdor ketë koincidence mes dy ngjarjeve, të ditëlindjes dhe tërmetit, si ogur jo i mirë për të ardhmen e djaloshit Bebeziqi, sepse jeta atij i ofroi shqetësime dhe drama. Për ta kuptuar më drejt jetën dhe veprën e tij, e pashë të nevojshme të hidhet pak dritë mbi mjedisin dhe rrethanat e kohës. Familja Bebeziqi është shpërngulur nga Podgorica në vitet ’80 të shek. 19-të dhe bënte pjese në valën e dytë të “muhaxhirëve” që u dëbuan me force nga trevat Shqiptare prej shovinisteve Serbo-Malazezë, pasi mbi to u ushtrua një persekutim i fortë etnik e fetar. Solidariteti dhe përkrahja e Shkodranëve qenë në nivelin e duhur, por në mundësitë e kufizuara të kohës, e vetmja zgjidhje mbetej ajo e vendosjes së tyre në zonat e lira të lagjeve periferike të qytetit. Drejt qendrës së qytetit mundën “të çanin” vetëm ato familje të pakta që zotëronin sasi të konsiderueshme parash. Një nga këto familje qe dhe familja Bebeziqi, e cila u vendos më parë në lagjen Zdrale e pastaj në Parrucë, ku hapi dhe një dyqan të pasur artikujsh ushqimorë dhe me emër në sferën tregtare. Ky fakt i dha dorë të afrohej me familjet tradicionale qytetare dhe të krijonte dhe lidhje martesore duke lehtësuar integrimin më të shpejtë në mjedisin e qytetit.

Njohja me Joklin
 
Paranteza e mësipërme qartëson njërin nga kushtet vendimtare që mundësuan dërgimin e djaloshit Bebeziqi për të marrë arsimin e mesëm e të lartë në Vjenë, njëri nga metropolet elitare të Evropës. Krahas gjendjes së mirë ekonomike të familjes, përcaktuese që dhe predispozita e saj pozitive e përparimtare për një shkollim sa më të plotë të fëmijëve, tradite e shëndoshe mbare fisit përfshi dhe ata jashtë kufirit. Ky vlerësim për shkollimin merr nota të reja po të kishim parasysh nivelin dhe mundësinë e kohës, shumë skeptike dhe refraktare për dërgimin e fëmijëve në shkolla jashtë vendit. Kuptohet që faktori i tretë e vendimtar ka qenë vetë i interesuari me predispozitat vetjake dhe etjen e madhe për dije. Shkollimi i mesëm dhe ai i lartë përfshijnë vitet 1918-1934, një qëndrim 16-vjeçar në mjedisin vjenez që la gjurmë të pashlyeshme në plazmimin intelektual dhe shpirtëror të këtij djaloshi shkodran. Si nxënës i shkollës së mesme kreu degën klasike ndërsa në shkollën e lartë ndoqi degën e filologjisë dhe qe student i preferuar i te mirënjohurit albanolog Norbert Jokli, tezat dhe argumentet shkencore të cilit mbi historinë e gjuhës dhe të kulturës sonë si dhe mbi bazat ilire të tyre, qenë dhe në themelet e studimeve të mëvonshme të vete Bebeziqit. Me sugjerimet e rekomandimet e vetë albanologut, Bebeziqi zbriti në vendbanimet arbëreshe të Italisë për të studiuar në vend letërsinë e tyre, çka i dha lëndën e duhur për të realizuar të parin transliterim të Milosau-s, punim i botuar në “Shqipëria e Re” e Konstancës, në fund të viteve 20, shkrim i përmbajtur edhe në antologjinë e “Bota Shqiptare” të Filip Fishtës, destinuar për shkollat e mesme. Duke plotësuar kuadrin e marrëdhënieve me Joklin, shtojmë se letërkëmbimi midis tyre ka qenë i rregullt derisa e lejuan rrethanat, por që fatkeqësisht është zhdukur, së bashku me materiale të tjera të rëndësishme, gjatë bastisjeve nga ana e Sigurimit. Data 1.11.1921 shënon një ngjarje jo të zakonshme për jetëshkrimin e Bebeziqit është data e themelimit te bibliotekës së tij personale “Illyria”, kur ai ishte 16 vjeç! E ajo, nga dita në ditë, rritej e pasurohej, duke u bërë një vlerë e mirëfilltë kulturore, për derisa këtu u grumbulluan të gjitha veprat e studimet albanologjike të kohës, gjithë botimet shqipe dhe për Shqipërinë, gjithë periodike, që nga “Albania” e Konicës e deri revistat e periudhës së pavarësisë deri në vitet ’40, organe ku Bebeziqi nuk mbeti vetëm lexues e studiues, por që dhe një bashkëpunëtor i njohur i tyre për periudhën 1920-44. Një fond i pasur i kësaj biblioteke që dhe koleksioni i hartave për Shqipërinë Etnike, shoqëruar dhe në studimet e komentet e kushtuara padrejtësisë së madhe të vitit 1913. Vitet e nxehta politike në Shqipërinë e viteve 1923-24 nuk e lanë indiferent duke e rreshtuar në anën e opozitës, çka e manifestoi me debate publike në shtypin e kohës, veçanërisht atij jashtë vendi. Nën ndikimin e mjedisit studentor e intelektual vjenez, Bebeziqi shfaqet një përkrahës i vendosur i ideve republikane dhe i mendimit liberal-demokrat. Fuqizimi i lëvizjes social-demokrate në Europë e në Austri e afroi me sloganet socialiste për mirëqenie dhe drejtësi. Sigurisht në modelet evropiane të një socializmi modern, pa dhunë e gjak, ai gjente vetveten. Një pozicionim i tillë politik atij i kushtoi shtrenjtë në planin material, sepse qeveria shqiptare ia ndërpreu bursën e studimit, duke e vënë në listën e personave “non grata” dhe duke ia ndaluar hyrjen në Shqipëri. Një mase e tille ekstreme e detyroi të gjente rrugë të reja mbijetese dhe këto i ia siguroi bashkëpunimi me gazetat shqiptare jashtë vendit ose me organet e shtypit gjerman, italian, rumun etj.. Problematika e shkrimeve të tij lidhej me fusha të ndryshme si ato social-politike, të letërsisë, gjuhës, historisë, por dhe të filozofisë.

Amnistia

Në vitin 1934 u amnistua nga qeveria shqiptare dhe u kthye në atdhe. Në fillim u emërua profesor në Teknikumin e Tiranës e pastaj në Tregtaren e Vlorës, d.m.th. në vitet 1936-39. Që në ditët e para të pushtimit, zëri i tij i mospajtimit me gjendjen e re qe i dukshëm, por protesta e tij qe dhe më e fuqishme, kur nga Vlora erdh në Tiranë enkas për të marrë pjesë në manifestimin antifashist mbajtur pranë varrit të Naim Frashërit, duke u bërë një nder figurat kryesore të atij mitingu. Agjentura fashiste s’ia ndante syrin, “kupa u mbush” kur grisi flamurin fashist në Korçë, kështu që u arrestuan dhe u internua në ishullin famëkeq të Ventotenës (Itali) me të tjerë atdhetare: Tahir Dizdari. Në ketë kamp u miqësua me antifashistin italian, Sandro Pertini, më vonë president i Italisë, një lidhje që u ruajt për vite të tëra.
Mbaruar internimi, u kthye në atdhe, duke u vendosur në Pejë për të dhënë mësime të gjuhës shqipe për bijtë e bijat e vëllezërve kosovarë, të etur për shkollim. Në vjeshtën e vitit 1943, në Shqipëri ishte krijuar një situate e re me ikjen e pushtuesit italian dhe zëvendësimin e tij prej gjermanëve. Ndaj pushtuesve të rinj kishte qëndrime të ndryshme ishin pushtues, nuk ishin të tillë, ishin aleatë të shqetësuar, si gjithmonë, për fatin e kombit në ato ditë dramatike, në nëntorin e atij viti do të kthehej në Tiranë dhe do të mbante një fjalim të pjekur që u mirëprit nga auditori për argumentet që solli. Prania e gjermanëve në vendin tonë do të sillte komplikacione të dëmshme pas luftës, prandaj duhej shmangur çdo bashkëpunim me ta, sikurse duhej të evitohej vëllavrasja dhe të punohej për bashkëpunimin në dobi të grumbullimit të forcave të përbashkëta për t’u përgatitur ushtarakisht për mbrojtjen e trevave etnike, një shqetësim i përhershëm i tij. Ithtari i madh i kulturës gjermane nuk e honepste fare nazizmin dhe ketë e manifestonte, prandaj Gestapoja, ndonëse vonoi, nuk harroi: në vjeshtën e vitit 1944 u arrestua dh do te internohej. Fale disa rrethanave, arriti të shpëtonte kokën dhe iku nga Shkodra për t’u strehuar në Tiranë. Në ditët e para të atij “çlirimi” efimer, miqtë e tij tiranas, që e kishin fshehur nga agjentet e nazizmit, u bënë dëshmitarë të një paradoksi: ata duhej ta fshihnin përsëri, sepse, në rrugën konfidenciale, kishin informuar se po ndiqej, tashme si “ish-spiun nazist”(?!) Falë solidaritetit dhe guximit të dashamirësve “tiranas” ai i shpëtoi eliminimit për herë të dytë, sepse atë fund vjeshte Tirana përjetoi ditë të përgjakshme; shumë intelektuale dhe nacionaliste të pafajshëm, pa asnjë lloj gjyqi, rënë nën bataretë e partizaneve “çlirimtare”! Një “larje hesapesh” ala “4 Shkurt” i po atij viti!

Përndjekja

Në fillim të vitit 1945 u vendos në shtëpinë e vjehrrit të vet, ish-oficerit të larte Ibrahim Shpuza në Durrës, por pushtetarët komuniste nuk e panë të udhës t’i besonin shkollimin e brezit të ri një arsimtari të elitës së një intelektuali shumëplanësh, sepse i trembeshin personalitetit të tij që kishte bërë për vete dikur auditorët e mjediseve te mësimdhënies së gjimnazeve kryesorë të vendit. Kështu u detyrua të bënte një zgjidhje të mençur por dhe praktike: të shiste libra dhe pajisje e mjete mësimore në dyqanin që i vuri në dispozicion miku i tij i ngushtë, Skënder Luarasi, në mënyrë që të përballonte jetesën por që edhe të mos shkëputej nga vokacioni i tij, e njeheni ideali i tij: intelekti dhe kultura e tij vazhdonin të rrezatonin dashuri për të vërtetën dhe të bukurën. Ishte ky dyqan që e vuri në kontakt me intelektualët dhe studentët durrsakë, duke u bërë një pikë referimi e një lloj miniklubi kulturor i një kategorie qytetarësh të zgjedhur. Nder “klientët” e zakonshëm radhiteshin personalitete të nivelit të Vincens Prendushit, të Hafiz Ali Korçës, të Arshi Pipës, të Prenk Kaçinarit, Skënder Çelës e Beqir Çelës etj., të gjithë, më vonë, viktima të diktaturës e njëkohësisht, “Martirë të Demokracisë” si dhe ish-deputeti kosovar i viteve 1920-24 dhe 1945-46 Ibrahim Gjakova. Krahas temave për letërsinë, gjuhën, historinë, filozofinë, kulturën trajtohej dhe ajo e ditës, veçanërisht ajo e emigrantëve kosovarë, të cilët i kishin shpëtuar masakrës së Tivarit. Simpatitë e vjetra për social-demokracie perëndimore e nxitën Bebeziqin të formonte “Grupin socialist” së bashku me shkodranin Nush Radovani dhe disa të rinj, njeri nga të cilët që dekonspiruesi. Ky fakt si dhe fakti tjetër i abstenimit në mënyrë demonstrative në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, nën shprehjen “justifikuese” se “...pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e detyrueshme”, e mbyllën rrjetën që i kishte endur me kohë Sigurimi i Shtetit. U gjykua dhe u dënua politikisht 7 vjet heqje lirie dhe konfiskim pasurie. Para trupit gjykues ai mbajti një qëndrim dinjitoz dhe burrëror duke dënuar botërisht regjimet totalitare që nuk respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Ketë qëndrim dinjitoz ai e mbajti edhe para Mehmet Shehut ne burg. Pas burgut, u vendos në Shkodër ku arriti të punësohej pranë bibliotekës së qytetit. Qenia e tij në këtë biblioteke i bënte nder institucionit dhe njëheri i sillte një shërbim të vyer e shumë të kualifikuar profesionalisht, duke pasur parasysh bagazhin e tij intelektual dhe eksperiencën e pasur në punën me librin. Jo vetëm kultura e tij e gjerë, profesionalizmi i tij i lartë si dhe përkushtimi maksimal në punën me librin e karakterizuan atë, por edhe fisnikëria e delikatesa në sjellje që e shoqëruan atë. Janë këto elemente që kushtëzuan karizmin e veçantë që arriti të gëzojë në mes bashkëkohësve dhe atyre që e njohën. Zhvillimi i këtij aktiviteti në forme homazhi për figurën e ndritur të prof. Bebeziqit le të jetë pjesë e “borxhit” që Shkodra i detyrohet nderimit të veprës së një punonjësi biblioteke model, personifikimi “par exellence” i tij.. Përfitoj nga rasti për të sugjeruar se një pjese tjetër e detyrimit moral do të shlyhej me një akt të thjeshtë simbolik: njërit nga repartet e këtij institucioni, e pse jo, edhe të Bibliotekës së Universitetit (kujtojmë 16 vite shkollim e diplomim në Vjenë) të marrë emrin e tij. Precedentë të tillë gjinden në disa institucione tona. Në mbështetje të këtij sugjerimi sjell një argument tjetër: Për kontributin e tij në fushën e arsimit, shteti ynë i ka akorduar (pas vdekjes) titullin e larte “Mësues i Popullit”. Në plotësim të fakteve jetësore, radhitur më lart, po sjellim dhe një vlerësim të albanologut të njohur italian G. Petrotto “Popolo, lingua e literatura albanese” për rolin e profesorit në fushën e kulturës: “Një ndër penat më të fuqishme kritike të Evropës “duke shtuar dhe një fakt kulturor që s’duhet të harrohet, sistemimi shkencore i arshivës se katedrales së Shkodrës. E mbyllim me urimin që fjalët të mos bien në vesh të shurdhër!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora