E premte, 19.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Ambasadori Withers nuk mund të mos e dinte se...

E marte, 11.10.2011, 02:58 PM


Ambasadori Withers nuk mund të mos e dinte se...

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Ish-ambasadori amerikan Withers iu adresoi shqiptarëve një letër të hapur ku deklaron se ato që ka thënë në ai në raportet e publikuara në Wikileaks janë të vërteta. Unë si një nga qytetarët e këtij vendi, e rrjedhimisht një nga personat të cilit i është adresuar letra, e kam marrë aq seriozisht atë, sa t’ i përgjigjem. Përgjigjia ime është kjo. Nëse ambasadori Withers kishte arritur që të mësonte gjithë ato detaje, që përmbajnë Wikileaks, ai nuk mund të mos e dinte se:

 

1) Shqipëria në vitet 2007-2008 nuk mund të përmbushte kërkesën ligjore të Pentagonit, pra që të zotëronte municione të prodhuara në vend, jo më herët se para 20 vjetësh, domethënë jo më herët se viti 1987. Shqipëria e viteve 2007-2008, nuk kishte 100 milion fishekë prodhim të viteve 1987-88 e tutje, se në atë kohë ekonomia shqiptare kishte hyrë në kolaps dhe nuk ishte më as e mundur dhe as e nevojshme të prodhohej një sasi e tillë municionesh, si për shkak të kolapsit ku kishte hyrë ekonomia, ashtu edhe për shkak të rezervave ekzistuese. Municioni kinez i Shqipërisë ishte maksimumi prodhim i vitit 1975, ndërsa ai sovjetik maksimumi i vitit 1960. E vetmja mënyrë që Shqipëria të furnizonte kompaninë amerikane me municion sipas rregullave të Pentagonit, ishte që municioni ekzistues të nxirrej nga arkat dhe kutitë ku gjendej dhe të ripaketohej në kuti që do të mbanin një datë tjetër prodhimi.

 

2) Çpaketimi dhe ripaketimi i municionit, nuk bëhej për arsyet që deklaroi Kosta Trebicka, pra për lehtësi transporti, duke i hequr nga arkat ekzistuese dhe ripaketuar në kuti kartoni, për të ulur peshën në transportin ajror. Ambasadori dinshum Withers nuk mund të mos e dinte se në të gjithë botën, pa dallim, fishekët paketohen në letër pastaj në kuti teneqeje hermetike te quajtura TIN (si kutitë metalike të konservave të mishit dhe peshkut) dhe pastaj 2 kuti TIN futen në një arkë druri të quajtur crate. Nëse duhej ulur pesha, mjafton që municioni të hiqej nga arkat e drurit dhe ato metalike, pa u bërë shpaketimi prej kutive të kartonit. Çpaketimi dhe ripaketimi bëhej për të mashtruar në lidhje me datën e prodhimit të municionit. Fishekët pastroheshin me vajguri në një kënd të pjesës ushtarake të aeroportit të Tiranës dhe pastaj ripaketoheshin në kuti me etiketa shqiptare. Kështu, Pentagoni paguante për municion të prodhimit shqiptar, të prodhuar e shumta para 20 vjetësh, dhe në realitet merrte municion rus ose kinez, prodhim jo më herët se viti 1960 (ai rus) dhe jo më herët se viti 1975, kur u ndërprenë furnizimet ushtarake kineze, ai kinez.Pentagoni kontraktoi kompaninë e madhe amerikane “BETA”, për të blerë municione për ushtrinë afgane në vlerën 300 milion dollarë. Kësaj kompanie iu sugjerua që të blinte municione në Shqipëri. “BETA” nuk erdhi në Shqipëri që të kontraktojë drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, por shkoi në... Miami Beach. Atje “BETA” nënkontraktoi kompaninë AEY, të Efraim Diveroli, që të shërbente si komisioner për të blerë municione në Shqipëri tek MEICO. Kjo bëhej që BETA të mos përzihej drejtpërdrejt në falsifikimin që do të bëhej. Nënkontraktori AEY nënkontraktoi në Shqipëri kompaninë shqiptare “Joy” të Kosta Trebickës, për të bërë shpaketimin dhe ripaketimin e fishekëve. Pra, “BETA” ka nënkontraktuar AEY vetëm për të hedhur dy firma, një në kontratën me MEICO, dhe një në atë me “JOY”! Ambasadori Withers natyrisht se i dinte të gjitha këto, por nga Wikileaks nuk del që ai të ketë raportuar për këto. Pse, sepse ambasadori Withers u korruptua nga Efraim Diveroli, ky është i vetmi shpjegim.

 

3) Ambasadori Withers i cili shtiret se na thotë shumë për çështjen e Gërdecit, nuk del që të ketë thënë në asnjë Wikileaks se ku shkonte baruti që nxirrej në Gërdec. Kjo është një çështje-kyçe, se tregon shumë. Ambasadori Withers, qartësisht paguhej nga të dy linjat, ajo e Diverolit dhe ajo e Patrick Henry, që punonte për nxjerrjen e barutit dhe të gëzhojave.

 

4) Ambasadori Withers i cili ishte një koleksionist i pasionuar i thashethemeve të shtypit, kur ishte fjala për Ina Ramën, raportoi vetëm për daljen e saj në një revistë mode. Ai nuk raportoi faktet e dala në shtyp, se intervista në fjalë, dhe fotot e publikuara u bënë në apartamentin luksoz që Ina Rama kishte marrë si shpërblim për mbylljen e një çështjeje penale.

 

5) Ambasadori Withers, i cili u mor shumë me Damir Fazlliç në Wikileaks, nuk na thotë se përse Prokuroria e Ina Ramës, tregoi një standard të dyfishtë në rastin e dy biznesmenëve amerikanë, të cilët qenë të përzier në aferën e municioneve dhe të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Efraim Diveroli dhe Patrick Henry. Dhe, përse Withers nuk vëren në raportet e tij se Prokuroria kur filloi procedimin penal për çështjen e Rrugës Rrëshen-Kalimash, nuk urdhëroi pezullimin e punimeve të konsorciumit Bechtel-Enka, që të pengonte ardhjen e pasojave kriminale, siç e kishte detyrim nga ligji penal, procedural dhe material? Kështu dëmi i supozuar prej mbi 200 milion euro nuk do të kishte ardhur.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora