E shtune, 14.12.2019, 01:57 AM (GMT)

Kulturë

Intervistë me skulptorin dhe pedagogun Fatos Kola

E merkure, 20.02.2008, 06:56 PM


Arti pamor me origjinë prehistorike

Nga Eralda Kenaj

Skulptorin dhe pedagogun Fatos Kola e gjetëm në klasë-atelierin e Skulpturës së Materialeve të Përziera, bashkë me studentët e tij. Ishin të lodhur nga puna e rëndë e fundsemestrit, pasi këta studentë të vitit të fundit, do të diplomohen si skulptorë në këtë atelier, i cili në rekordet e tij regjistron rezultate të nivelit më të lartë ndërkombëtar.
Të lodhur por edhe të kënaqur për cilësinë e punëve që po ekspozonin, Kola me studentët e tij prisnin ardhjen dhe vlerësimin e Komisionit të lartë të kësaj dege të fakultetit të Arteve Pamore të Akademisë së Arteve të Bukura Tiranë.
Këto paradiplomantë punonin me pasion, një pasion që skulptori dhe pedagogu i tyre Fatos Kola ua ka injektuar që në fillesat e studimeve në këtë atelier bashkëkohor.
Katër studentët paradiplomantë prezantonin si detyrë Etydin me temë Nudon.
Ndonëse zakonisht studentët e tij i trajton si miq, Kola gjithsesi njihet si shumë i rreptë në kërkesat për realizimin e detyrave. Ai vlerëson tek studentët këndvështrimin dhe mënyrën sesi e përceptojnë dhe shijojnë natyrën dhe objektet që ajo ofron, gjithmonë në planin teorik të studimeve akademike.
Studentët e tij marrin spunto dhe shqyrtojnë veçoritë nga çdo model njerëzor apo nga natyra që marrin në studim dhe më pas modelojnë në skulpturën e materialeve të përziera sipas shijes së tyre.
Gjatë bashkëbisedimit, skulptori Kola na shfaqi idenë që veprat cilësisht kaq të realizuara nga studenët, të ekspozohen dhe të vendosen nëpër parqe dhe nëpër ambientet eksterierë apo interierë të institucioneve, natyrisht në vende ku syri njerëzor të mund t’i admirojë

-Prof. Kola, çfarë studimesh akademike realizohen në Atelierin që ju drejtoni?
-Atelieri që unë drejtoj quhet Atelieri i Skulpturës së Materialeve të Përziera, dhe nuk është tjetër veçse njëri nga specializimet akademike në lëminë e studimit dhe modelimit skulpturor me materiale të përziera, çka në të vërtetë si art e ka zanafillën e kultivimit dhe të të skulpturuarit qysh në lashtësi. Nëpërmjet materies që plastikojmë dhe fenomeneve artistike pamore që studiojmë, ne si atelier jetësojmë në gdhendje, asamblazh dhe modelazh, të gjitha emetimet si tingulli, pesha, ngjyra, për t’i vendosur më pas në konteksin e duhur të shprehjes ekspresive. Nëpërmjet studimit dhe aplikimit konkret në detyrat mësimore, materia na shndërrohet në një mjet të rëndësishëm për shprehjen e imazheve dhe ndjesive tona.
Ky është thelbi i misionit studimor akademik dhe funksionit praktik të këtij Atelieri, ku nëpërmjet bashkimit të materialeve ndërtohet një identitet i përbashkët estetik. Ky studim dhe skulpturim praktik zhvillohet për herë të parë në shkollën shqiptare të skulpturës.
Në kohën e Realizmit Socialist, tre teknikat bazë të skulpturës: asamblazhi, modelazhi dhe gdhendja, nuk zhvilloheshin plotësisht. Atelieri ynë tashmë plotëson koncepsionin skulptural akademik shqiptar, konform akademizmit më të përparuar bashkëkohor, mbarëbotëror, dhe kësisoj për herë të parë qysh prej 15 vjetësh, skulptura shqiptare njeh të gjithë dimensionin e saj studimor akademik dhe realizues në materiale të përziera.

-Qysh kur i ka fillimet Atelieri?
-Ky Atelier është krijuar që në vitin 1993 nga pedagogu me titull Profesor dhe njëkohësisht skulptori i njohur Ilmi Kasemi. Që nga viti 1996 atelierin e drejtoj unë, dhe tani jemi në vitin e fundit të këtij Atelieri, tashmë me paradiplomantët që po shlyejnë detyrimet. Në këtë detyrë studimore që ju na gjetët, kemi të bëjmë me disa aspekte: si fillim është Etydi.
Studimi mbi natyrën është detyra kryesore akademike në atelierin tonë, ku i vilen vlerat natyrës dhe objekteve që ofron ajo, gjithmonë në sensin estetik. Në këtë rast modeli është marrë nga natyra, dhe është një vajzë e re rreth të 18-ve, e cila pozon nudo. Më pas studentët e realizojnë studimin e kontrolluar sipas shijes së tyre. Çka do të thotë se, pas gjurmëve që modeli njerëzor lë tek studentët, ata realizojnë skulpturat.
Modeli nuk pozon i ngrirë, por ai arsyetohet, gjykohet dhe ringrihet, pasi të jenë krijuar imazhet karakterialë të vetë studentëve. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë me imitim të natyrës, por me studim të saj në sensin estetik, dhe secili student ka marrë veçantitë e studimit si rezultat e percepsionit dhe shijes personale. Studentët e mi, jo vetëm e karakterizojnë vëllimin skulpturor tredimensional, por e riidentifikojnë dhe e sjellin atë në realizime sipas shijeve të tyre estetike.
Gjithkush syresh ka zbuluar jo vetëm natyrën, por edhe vetveten.
Mendoj se ata ia kanë dalë mbanë studimeve të dhëna si detyrë nga unë, dhe kjo është edhe një nga detyrat më të realizuara të tyre.
Studentët në këtë detyrë po japin nivelin më të lartë të kulturës profesionale që kanë marrë. Po japin nivelin maksimal të studimeve të tyre, që njëkohësisht është edhe sumumi i diturive të tyre të përftuara në këtë atelier pas 4 vjet studimesh në Akademinë tonë.
E rëndësishme është se liria kreative e tyre është respektuar.
Të katër studentët ia kanë dalë mbanë të zbulojnë natyrën, ta karakterizojnë... Madje kanë krijuar vepra që munden mjaft mirë të ekspozohen jo vetëm në hollet e Akademisë, por edhe në parqet tona.
Parqet tona vuajnë për këtë lloj kualiteti skuptural. Kudo në Francë, Itali, Greqi, e kanë më bollëk këtë lloj pasurie, ku artistët kanë sjellë në jetë krijesat e tyre, duke e mobiluar hapësirën urbane dhe atë njerëzore me veprat e tyre.
Nëse do të organizoheshin, këto vepra do të qëndronin me dinjitet dhe mjaft bukur në Parkun “Rinia”, para Galerisë së Arteve, në Parkun e Liqenit Artificial, nëpër lagje, etj., etj.. Këto skulptura të vendosura nëpër vende publike, do të preknin çdo njeri, do të zbukuronin ditën e çdo njeriu.
Them se studentët ia kanë arritur qëllimit të idealizojnë figurat në studim, në mënyrë të tillë që përmbys organikisht dhe konceptualisht raportet biologjike. Ata kanë sjellë në jetë organizma që nuk ndihen aspak inferiorë. Këta artistë të rinj janë të aftë të prekin çdo lloj shpirti me veprat e tyre.

-Si ka qenë për ju të punoni me këta studentë?
-Eshtë një kënaqësi e jashtëzakonshme të ndash ditën me shpirtërat e rinj, shpirtëra të cilët kërkojnë të sjellin në jetë botën e pasur rinore. Ata sjellin pasionet rinore dhe unë vetëm i përkëdhel dhe i kodoj shprehjet e tyre plastike. Jam një shpirt shoqërues i tyre.
Unë si një kopshtar i kujdesshëm mundohem që të gjitha lulet që dalin nga shpirti i studentëve t’i ujis, t’i vendos në blerimin e duhur. Ky është raporti që krijoj me studentët.
Nga ana tjetër studentët e kanë për detyrë të dorëzojnë të gjitha detyrimet mësimore. Ata po ia dalin mbanë falë pasionit të tyre, falë ëndrrës së tyre. Ndonjëherë janë aq ëndërrimtarë, sa duhet t’i zgjosh dhe t’u thuash secilit syresh “Hajde në tokë, ushqehu dhe ik përsëri, fluturo...”.
Studentët janë njohur me kulturën vendase, sidomos me atë ilirike. Ne shqiptarët jemi të pasur me kulturë skulpturore, madje e them me bindje se asnjë popull tjetër nuk është kaq i pasur me këtë lloj kulture.
Kam fatin që kam bashkëjetuar me studentët dhe që sëbashku kemi arritur të sjellim në jetë organizma skulpturorë që, nga pikëpamja e bukurive dhe vlerave estetike, janë vërtet të lakmueshme.
Njëri ndër studentët e profesor Kolës, Bujar Vani përveç detyrës së Etydit ka bërë edhe Kompozicione, ku ka zgjedhur 7 variante për Sheshin “Nënë Tereza”.
Bujari ka zgjedhur një kolonë si shenjë shpirtërore të Saj, duke realizuar një vepër e cila mendohet të vihet në qendër të sheshit.
Kolona do të jetë në materialet mermer dhe qelq dhe do të ketë në bazë të kompozimit ngjyrat: të kaltrën dhe të bardhën, shenja dalluese këto të Nënë Terezës.
Kjo kolonë do të ndriçohej me një projektor që do krijonte idenë e rrugës që shkon drejt Qiellit.
Një kompozim tjetër i Bujarit është memoriali kushtuar Derës së Zogollëve të Matit. Studenti Vani ka zgjedhur dhe ka vendosur në qendër të kompozicionit në fjalë një portik madhështor, në të cilin do të gdhenden pasazhe faktesh historike që lidhen me Familje Zogolli.
Në qendër të portës do të vendoset ekuestra më e spikatur e kësaj dere, figura e Mbretit Zog. Vepra do të shoqërohet edhe me disa rrënoja-simbol i Sarajeve të famshme që sot nuk ekzistojnë më. Përveç kësaj vepre Vani ka realizuar edhe disa kompozime të lira, ku spikat “Udha e Kuqe”, që i kushtohet Komunizmit, e që përfaqëson një shumësi figurash që marshojnë pa koka, simbolikë dhe metaforë skulpturore kjo që duke i hequr kokën personazheve groteskë, kërkon të japë mesazhin se ecja e tyre është pa mendim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT