Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikolas Sarkozi: Turqia të pranojë gjenocidin

| E shtune, 08.10.2011, 04:31 PM |


Nikolas Sarkozi dhe Serzh Sarkisian në Armeni, pranë përkujtimores së gjenocidit

Nga Radio Evropa e Lirë

 

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i kërkoi Turqisë që të pranojë se masakrimi i armenëve gjatë Luftës së Partë Botërore në Perandorinë Osmane ka qenë gjenocid.

 

Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, në ditën e dytë të qëndrimit atje, Sarkozi tha se Turqia ka pasur “kohë të mjaftueshme për të menduar” që kur nisën vrasjet masive në vitin 1915.

 

??

Në të njëjtën kohë Sarkozi tha se “nuk i takon Francës t’i caktojë askujt ndonjë ultimatum”.

 

Presidenti francez i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me presidentin armen, Serzh Sarkisian, i cili e falënderoi homologun e tij francez.

 

“Ne i jemi mirënjohës Francës që zyrtarisht ka njohur gjenocidin dhe e ka dënuar përmes ligjit tragjedinë e tmerrshme që goditi armenët në fillim të shekullit të kaluar”, u shpreh ai.

 

Shpejt pas arritjes në Jerevan të enjten, Sarkozi i kërkoi Turqisë “të rivizitojë historinë e tij” rreth vrasjes së qindra-mijëra armenëve gjatë ditëve të fundit të ekzistimit të Perandorisë Osmane. Ai tha se mohimi kolektiv i shtetit dhe popullit turk ishte “i papranueshëm”.

 

“Nëse Turqia do ta rivizitonte historinë e saj dhe do t’i shikonte ballë-për-ballë hijet dhe dritat kjo do të mjaftonte për ta njohur gjenocidin. Nëse Turqia nuk e bën këtë, pa dyshim se do të duhet të shkohet më tej”, theksoi ai.

 

Sarkozi gjithashtu tha se nëse Turqia nuk bën një “gjest për paqe” dhe “një hap drejt pajtimit” rreth kësaj çështjeje, ai do ta shqyrtonte propozimin e një ligji që do ta cilësonte si krim mohimin se vrasjet e bëra të kenë qenë gjenocid.

 

Presidenti francez tha se shpreson që Turqia do të veprojë lidhur me këtë çështje para përfundimit të mandatit të tij në maj të vitit 2012.

 

Franca dhe disa shtete të tjera si Rusia dhe Zvicra i kanë njohur vrasjet si gjenocid.

 

Sarkozi zemëroi Turqinë para zgjedhjes si president në vitin 2007 kur pat mbështetur një projektligj në Francë që kishte për qëllim dënimin e atyre që refuzojnë ta njohin masakrën si gjenocid.

 

Dhoma e ulët e Parlamentit francez më vonë refuzoi këtë nismë-një veprim që tërboi diasporën armene në Francë, e cila vlerësohet se përfshin diku pesë mijë njerëz.

 

Armenët thonë se diku 1.5 milionë të tyre kanë qenë viktima të gjenocidit gjatë Luftës së Parë Botërore në Perandorinë Osmane.(e.p.)