E enjte, 25.04.2024, 05:05 AM (GMT+1)

Editorial

Anton Gojçaj: Kontestime për parime jo-estetike

E shtune, 08.10.2011, 10:05 PM


Kontestime për parime jo-estetike

 

(Milazim Krasniqi, Letërsia dhe besimet fetare, studim, Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2010)

 

Milazim Krasniqi tenton ta rrënojë “piramidën” (zyrtare, akademike) e letërsisë botërore, jo me mjetet e shkencës së estetikës po me ato të teologjisë (islame). 

 

Nga Anton Gojçaj

 

Milazim Krasniqi, ashtu siç bëjnë studiuesit e shkolluar, që në Parathënie, duke folur për letërsinë antike, e artikulon motivin pse i hyri një projekti të këtillë: “... jam i bindur që duhet të rishikohet tërë ajo trashëgimi dhe përvoja europiane me të, për të filtruar atë që është vlerë dhe e padëmshme nga ajo që nuk është vlerë dhe që fetarisht dhe kulturalisht është e dëmshme.” (f. 15)

Ekzaminimet e veta, Krasniqi i fillon prej antikitetit. Shembuj të përpjekjes (njëkohësisht nevojës) për komunikim të njeriut/shkrimtarit antik me zotin/zotat studiuesi gjen te dy poemat e Homerit, pastaj te tragjeditë e Eskilit, Sofoklit, Euripidit...  Përmasa mitologjike e letërsisë antike greke,  në raport me “shpalljen” e Musait (autori herë e quan me emrin biblik, Moisi, e herë Musa – si në Kur’an, njësoj vepron edhe me personazhet e tjera biblike/kur’anore) për studiuesin është shenjë e barbarizimit fetar dhe jo e emancipimit, sepse mesazhet monoteiste janë deformuar në praktikën politeiste antike greke...  

Studimi ka dy pjesë kryesore. E para titullohet “Letërsia europiane dhe besimet fetare”.

Praninë e botëvështrimit fetar studiuesi e konstaton kudo në letërsi, krahas efektit estetik. Letërsia e antikitetit grek në shkencën e përbotshme është studiuar mjaft por, sipas Krasniqit, jo edhe sa ajo është e ndikuar nga besimet fetare politeiste.  

Gjurmët e çrregullimit me instancën hyjnore studiuesi i identifikon qysh te epi i Gilgameshit, vepra më e vjetër letrare që njihet, sepse aty mungon njëri nga tre llojet e komunikimit, bile më i rëndësishmi – me Hyjninë. Ky komunikim i deformuar, sipas Krasniqit, përcillet deri në kohët tona, kështu që “në letërsinë moderne të tipit të romaneve të Kafkës e të Prustit, të dramave të Beketit e të Joneskos dhe të poezisë së Boskesë, kemi një indiferencë të plotë edhe ndaj instancës hyjnore, edhe ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve.” (f. 56). 

Gjatë trajtimit të deformimit të gjuhës së letërsisë, studiuesi diagnostikon edhe shkallën e deformimit të feve të ndryshme dhe pikëpamjet fetare të autorëve, si dhe bën skanimin e përmbajtjeve të veprave më të njohura dhe ndikimin e tyre mbi lexuesit.

Karakteristike për këtë studiues është se duke kritikuar veprat letrare paralelisht kritikon edhe besimet fetare të autorëve të tyre: “Arti antik grek, që nga poemat homerike e deri te tragjeditë antike greke, është dëshmi artistike e një qytetërimi që është i mpleksur me dhunën që në themel e ka politeizmin vulgar.” (f. 101).

Qëndrimi i studiuesit është se veprat letrare (të antikitetit dhe të tjerat) më parë duhet të vështrohen në kontekstin fetar, e pastaj në atë estetik. Titulli i një kapitulli të librit thot pa ekuivoke se letërsia e antikës është “prodhuese e mesazheve të dhunës”. Një rol veçanërisht destruktiv studiuesi sheh te mitologjia.

Origjinal, por edhe i diskutueshëm, është shpjegimi që Krasniqi i bën humanizmit dhe renesancës si - jehonë e kryqëzatave për çrrënjosjen e Islamit. Cili do të ishte kontributi, për shembull, i “Mona Lizës” së Da Vinçit apo skulpturës së Davidit nga Mikelangjelo në këtë perspektivë, nuk arrij ta zbuloj... Faji i renesancës, sipas tij, është se ajo e “bën ngjyrimin e kristianizmit me politeizëm”... 

Të gjykosh vlerat dhe pikëpamjet e dikujt nga pozicioni i një besimtari monoteist (në këtë rast mysliman) është legjitime, por t’i quash të gjithë ata që nuk i përkasin besimit tënd (personal) fetar botërisht si – të devijuar, të deformuar..., më duket retorikë e radikalizuar, e padenjë për një intelektual të mirëfilltë bashkëkohor.  

Krasniqi e konteston edhe tezën e Aristotelit, të njohur si “katarza”, pasi që shfaqja e gjithë atyre tragjedive, shekull pas shekulli, nuk paska kontribuar në frenimin e dhunës në qytetërimin perëndimor. Ai sikur harron se koncepti i “të drejtave të njeriut” u shfaq pikërisht - në botën perëndimore... Pastaj, as veprimi mijëvjeçar i feve monoteiste nuk ia doli ta kontrollojë deri në fund energjinë destruktive të njeriut, as në Lindje, as në Perëndim.

Ç’të komentojë njeriu kur një doktor i letërsisë, në fillim të shekullit XXI shkruan: ““Komedia hyjnore” e Dante Aligierit më shumë është poezi e urrjetjes sesa e dashurisë” (f.143), se Xhorxh Gordon Bajroni është “njëri nga më vulgarët në historinë e letërsisë botërore sa i takon qëndrimit ndaj besimeve fetare, më konkretisht ndaj islamit” (f. 158), se te “Fausti” i Gëte-s “Dialogët e tij me Mefistofelin janë kulmi i arrogancës që ka prodhuar një mendje shkrimtari” (f.162), se romantizmi është një lëvizje (edhe) imperialiste (f. 152), se shkrimtarët romantikë “shkruan vepra me frymë raciste” (f.293)...? Këto konstatime nuk i quaj guximtare, por simptome të një inferioriteti të pashpjegueshëm dhe mungesë e përgjegjësisë.

Pjesa e dytë e librit titullohet “Letërsia shqipe dhe besimet fetare”. Kapitulli i parë i kushtohet “manipulimit me fenë e vjetër” (katolike) të shqiptarëve. Pasi konstaton inferioritetin kulturor të ilirëve, fqinjë të romakëve dhe grekëve,  studiuesi jep një panoramë historike të trevave iliro-shqiptare në shekujt e parë pas Krishtit. Rrjedh se qëllimi parësor i autorit është të kontestojë se katolicizmi është feja e vjetër e shqiptarëve. Në këtë pjesë studiuesi megjithatë është më i matur se në pjesën e parë të librit dhe kryesisht nuk i kapërcen kufijt e një diskursi debatues të kujdesshëm, si mendim i kundërt me atë që mbizotëron, megjithëse interpretimi i fakteve nganjëherë nuk del i përmbyllur deri në fund. Krasniqi një herë e kundërshton historianin gjerman Bartl, kur ky i dyti thot për Durrësin: “thuhet të jetë bërë peshkopatë qysh në vitin 58 pas Krishtit”,  pastaj  konstaton : “Sigurisht që edhe në Iliri do të ketë pasur besimtarë të krishterë, të cilët do ta kenë ushtruar fshehtas besimin e tyre, por jo lirisht dhe jo legalisht” (f.195-196) me çka,  ndoshta edhe padashur, pranon se tharmi i krishterimit ndër ilirë qenka zënë para se Roma ta lejojë atë si fe legale në Perandori, me çka bien poshtë tezat e atyre që thonë se krishterimin atyre ua sollën pushtuesit romakë.

Sloganet për kthimin në “fenë e vjetër” të shqiptarëve Krasniqi i ironizon me argumentin se kjo “do të thoshte kthim në ortodoksinë bizantine, bullgare e serbe”, tezë kjo që pa hyrë në bazat shkencore të saj, çon ujë në mullirin që zor ta ketë synuar autori, (sidomos kur kihet para sysh Kosova), kur dihet se kishat ortodokse janë kryesisht kisha kombëtare, e dihet se e kujt ishte Kisha Ortodokse në Kosovë para pushtimit otoman.

Vargu i “margaritarëve” është i gjatë: “ky aktivitet botues i autorëve të vjetër, Buzukut, Bardhit, Budit, Bogdanit, nuk ka qenë zgjedhje e lirë e tyre, po një detyrim që është kryer në kuadër të strategjive imunizuese nga ana e selisë së Vatikanit kundër reformës protestante dhe përhapjes së islamit në troje shqiptare.” (f.205). Gjon Buzuku, mëse 455 vite më parë, deklaron se e bëri “ën së dashunit së botës sanë”.

Kapitujt që i kushtohen besimeve fetare në letërsinë e Rilindjes kombëtare, botëvështrimit fetar të Naim Frashërit dhe vjershës “Mori Shqypni,  e mjera Shqypni” të Pashko Vasës janë kryesisht në kornizat e gjërave pakashumë të përtypura dhe të standardizuara. As gjatë interpretimit të krijimtarisë së Nolit, Lasgushit, Ali Asllanit, Sterjo Spasses, autori nuk ndërmerr aventura “të guximshme” siç bën në pjesën e parë të librit... Analiza e veprave të realizmit socialist në Shqipëri, është e ashpër por shpesh e argumentuar, e ilustruar me shembuj konkretë. Për letërsinë shqipe në Kosovë shprehet se “pluraliteti stilistikisht ishte i zyrtarizuar, ndërsa liria tematike ideologjikisht e kontrolluar” (f. 255). Për kolegët e vet shkrimtarë (në Kosovë) thot jo pa ironi se “shumica e poetëve të viteve shtatëdhjeta kanë qenë zyrtarë në organet e shtypit shtetëror ose funksionarë politikë” (f. 267).

 Përfundim autori e sheh të rëndësishme që të theksojë se Dante ka vuajtur nga “epilepsia, histeria, megalomania dhe erotomania”, se Bajroni ka qenë shumë “i urryer nga bashkëkombësit” dhe dhunues i vajzës së axhës së vet, se Gëte ka mbetur në kujtesë si njeri egoist ( f. 289), se Taso, Shekspiri, Mopasani, Volteri, Lermontovi, Poe, Bodleri, Vajldi, Myze, Ygo, Helderlini etj. “kanë pasur probleme të rënda mendore”. Kështu ai transmeton mesazhin se të gjithë ata ishin “të çrregulluar”, si pasojë e deformimit të besimit. Milazim Krasniqi tenton ta rrënojë “piramidën” (zyrtare, akademike) e letërsisë botërore, jo me mjetet e shkencës së estetikës po me ato të teologjisë (islame).



(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora