E premte, 29.03.2024, 08:19 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Lirita Halili: Shpullë për Fuadin në Pejë

E shtune, 08.10.2011, 04:58 PM


 

SHPULLË PËR FUADIN NË PEJË

 

Nga Lirita Halili, Express

 

E premtja nuk ka qenë ditë e mirë për Fuad Ramiqin. Ai shkoi në Pejë për të protestuar, por as 100 njerëz nuk arriti t’i mblidhte. Një ditë më herët, Gjykata Kushtetuese njoftoi se lejimi i shamive në shkolla publike do të ishte shkelje e ligjit themelor të Shtetit. Ramiqi thotë për Express se nuk e njeh këtë Gjykatë.

 

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk e pranoi kërkesën e Arjeta Halimit, nxënësja e cila kërkoi lejimin e bartjes së shamisë në shkollë, nuk i bën shumë përshtypje Fuad Ramiqit, kryetar i lëvizjes “Bashkohu”.

 

Ai po vazhdon aktivitetin e lëvizjes së tij, duke protestuar në rrugë.

 

Madje, për t’i shkuar pas qëndrimit të tij, ai zgjodhi që në protestën të cilën e organizoi kësaj radhe në Pejë, të mos flasë fare për çështjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se lidhjet me arsyen për çka ai po organizon protesta çdo të premte.

 

Megjithatë, ai nuk hezitoi të japë një qëndrim të tij për Express, rreth këtij vendimi.

 

Duke komentuar rastin e vendimit të Gjykatës Kushtuese për ankesën e Arjeta Halimit, Ramiqi ka thënë se nuk e komenton këtë rast dhe se ai nuk do të merret me Gjykatën Kushtuese të Kosovës.

 

“Nuk do të merremi me Gjykatën Kushtetuese, sepse Gjykata Kushtuese është e politizuar, ashtu sikurse ka thënë kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi”, ka thënë Ramiqi për Express.

 

Ai tash ka vendosur që kërkesat e tij të mos i adresojë në asnjë organ që është brenda Kosovës.

 

“Tash e tutje do të merremi me gjykatat ndërkombëtare. Atyre do t’ju ankohemi rreth kërkesës për bartjen e shamisë nëpër shkolla”, pohon ai.

 

Këto komente, Ramiqi i bëri pak para se të fillojë falja e namazit, për çka ai dhe pjesëtarë të tjerë të lëvizjes “Bashkohu” ndodheshin në Pejë.

 

Por organizimi nuk i doli Ramiqit ashtu siç ai e kishte paramenduar. Pavarësisht se ai është kujdesur një javë më herët që ta publikojë paralajmërimin se falja e xhumasë në shenjë proteste për lejimin e bartjes së shamisë, do të mbahet në qendër të Pejës, kur erdhi kjo ditë, aty nuk ishin as 100 veta.

 

Megjithatë, falja e namazit filloi saktësisht në orën 13:00, si çdoherë. I vetmi ndryshim ishte se disa njerëz u falën në rrugë.

 

Lëvizja “Bashkohu” dhe hiç më shumë se 100 pjesëmarrës në protestë, filluan faljen e namazit në sheshin “Skënderbeu” të Pejës, konkretisht para Hotel Dukagjinit.

 

Ata që ishin në numër më të madh, por që nuk iu bashkuan protestës, ishin qytetarët që ndodheshin pranë protestuesve.

 

Madje disa nga ata kanë thënë për gazetën Express se nuk i njohin personat që janë duke u falur në qytetin e tyre dhe se shumica e tyre, sipas këtyre qytetarëve, nuk janë pejanë.

 

Pavarësisht këtij fakti, protesta u mbajt. Para të pranishmëve mbajti një ligjëratë një hoxhë nga Drenasi, për të cilin përveç që e ka sjellë vetë aty, Fuad Ramiqi nuk dinte asgjë tjetër. Madje Ramiqi nuk e dinte as se si quhej ky hoxhë. Sidoqoftë, ky hoxhë nga Drenasi vazhdoi t’u mbajë ligjërata për rëndësinë e shamive në shkollë.

 

E, si gjithmonë, kur falja e xhumasë përfundoi, fjalën e mori organizatori i protestës, Ramiqi.

 

Kryetari i lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqi ka pranuar se protesta në qytetin e Pejës kishte një numër të vogël të besimtarëve në të, por thotë se e rëndësishme është përkrahja. Ramiqi tha se kërkesat e tij janë të pastra, përderisa në fjalimin e tij ka ripërsëritur atë për çka edhe ndodhej në qytetin Pejës.

 

Ai iu drejtua turmës së vogël, duke i kujtuar se kërkesa e tij dhe e atyre që ndodheshin përballë tij, është e pastër. Dhe si e tillë duket pranuar.

 

“Do të vazhdojmë që në këtë mënyrë të kërkojmë që shamia të lejohet të bartet nga nxënëset që vijojnë mësimin në shkollën fillore dhe atë të mesme”, ka thënë Ramiqi.

 

“Po na kundërshtojnë veç se jemi myslimanë, sepse mos të ishim nuk do të na kundërshtonin. Këta i referohen kushtetueses por po dalin jashtë saj me mos lejimin e bartjes së shamisë”, ka thënë ai.

 

Megjithatë, këtë protestë nuk e karakterizoi vetëm qyteti, ku ajo u mbajt. Turmën që ndodhej para Ramiqit, për dallim nga protestat e tjera që janë mbajtur javët e kaluara në Prishtinë, i karakterizoj edhe mbishkrimi që ata mbanin në pankarta. Shumica nga ato ishin me karakter kombëtar. Shumica e besimtarëve mbartnin pankarta me mbishkrimet “Nuk e japim Mitrovicën”, “Jetën e japim Mitrovicën s’e japim”, etj.

 

Ndërkaq, interesante ishte se shumica e atyre që e falën xhumanë në rrugë, ishin nxënës të shkollave të mesme. E, përveç pejanëve, Ramiqi në Pejë nuk pati as përkrahjen e policëve. Për dallim nga Prishtina, që prania e pjesëtarëve të policisë ndodhej kudo, qetësinë në Pejë e mbajti vetëm një polic. Edhe ai ndodhej aty për rregullimin e komunikacionit. Pavarësisht kësaj, protesta përfundoi e qetë dhe pa ndonjë ekses. Turma që përbëhej prej 30 pjesëmarrësve, u shpërnda e qetë, derisa Ramiqi u kujdes t’i falënderojë për përkrahje.

 

Kjo protestë u mbajt vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese nxori një vendim, ku kundërshtohej kërkesa e një nxënëseje të mbuluar. Në përgjigjen e kërkesës së saj, thuhej se shamitë nuk mund të barten në shkolla.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora