Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilmi Veliu: Shpërngulja e muhaxhirëve shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit (1877—1878)

| E premte, 07.10.2011, 06:57 PM |


SHPËRNGULJA E MUHAXHIRËVE (REFUGJATEVE) SHQIPTARË NGA SANXHAKU I NISHIT NË KOHËN E LIDHJES SË PRIZRENIT (1877—1878)

 

Nga Dr.sc. Ilmi VELIU

 

...Lidhja e Prizrenit në vendimet e para në Kararname (Librin e vendimeve) kundërshtonte dhe protestonte për shpërnguljen e shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.

        Në kohën e Krizës së madh lindore 1875—1878, në Gadishullin Ballkanik u bënë ndryshime të mëdha shoqërore politike dhe etnike.

Krahas me kryengritjen boshnjako-hercegovase kundër Perandorisë Osmane u ngritën edhe shqiptarët me popujt tjerë. Çështja lindore angazhoi fuqitë e mëdha edhe shtetet ballkanike, të cilat donin t'i realizonin interesat e tyre në provincat e Turqisë Evropiane.

 

Me shpalljen e Kushtetutës turke në dhjetor të vitit 1876, ndërpreu punën Konferenca e ambasadorëve në Stamboll, ndërsa përfaqësuesit e diplomacisë evropiane vazhduan punën në Londër, ku, në bazë të vendimeve të marra në Stamboll, hartuan Protokolin e Londrës me të cilin fuqitë e mëdha e detyronin Portën e Lartë që të zbatonte reforma në disa provinca evropiane. Pasi Porta e Lartë me 31 mars të vitit 1877 refuzoi Protokolin e Londrës, Rusia vendosi, pa pjesëmarrjen e fuqive tjera, ta zgjidhte çështjen lindore dhe të hynte në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kështu, Rusia në emër të „përmirësimit" të pozitës së sllavëve që ishin nën sundimin turk, më 24 prill 1877 hyri në luftë kundër Turqisë. Kështu që Kriza Lindore në këto momente kishte hyrë  në fazën më kritike.

 

Qysh në fillim, ushtria turke e papërgatitur u thye pas kapitullimit të Osman Pashës në Plevne. Ushtria ruse në fillim të janarit 1878 hyri në Sofje, pastaj në Edrene dhe rrezikonte Stambollin. Në anën e Rusisë përsëri hynë në luftë Mali i Zi, Serbia dhe Rumania.

 

Ushtria serbe zhvillonte operacione luftarake në sektorin Nish, Prokuple, Vranjë, Leskovc dhe Pirot. Në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878 ushtria serbe e mori të gjithë territorin e Sanxhakut të Nishit, në të cilin që në lashtësi jetonin shqiptarët.

         Në disa kaza të Sanxhakut të Nishit, sidomos në atë të Prokuples dhe të Kurshumlisë, shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët dhe në kohën e këtyre luftrave dhe të depërtimit të ushtrisë serbe në këtë rajon gadi të gjithë shqiptarët u shpërngulën në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe në vende të tjera.

 

 

Baladë Kosovare

 

Ç'ka kanë bjeshket o bre qe ushtojne.

Ç'ka kanë lugjet o bre qe po fshajne,

Ç'ka kanë malet qe s'mugullojne,

Ç'ka ka hana qe s'po shndrit,

Ç'ka ka djelli qe s'po ban drite,

Ç'ka kanë shpendet qe s'po knojne,

Ç'ka kanë qyqet o bre qe s'vajtojne.

Muhaxhiret o bre kah po shkojnë,

Kane lanë toke e kanë lane shtpi,

Kane lane dhen e kanë lane dhi,

Kane lane buken n,çerep me hi,

Kane lane çorben n'veksht tuj zi,

Kane lane sofren t'shtrume n'shpi,

Kane shkue miqte o bre buke po u ngi,

Kane lane zhgujt o n,veg pa u krye,

Kane lane pajen çikat pa marue,

Kane met nuset te dhandri pa shkue,

Kane met krushqit o bre pa u kthye,

Kane mbet djemtë o dhander pa hye,

O0hh... muhaxhiret o bre kah po shkojnë,

Druni e guri o bre ç'po vajtojne,

Bari n'toke o bre nuk ka  mbi,

muhaxhiret kanë marrë dhenë në sy

Vdesin n'bore o bre vdesin n'shi,

Vdesin pleqtë o bre vdesin te rinjë,

Vdesin gra o bre vdesin fëmijë.

Muhaxhiret bre kah po shkojnë,

Për ta malet o bre po vajtojne,

buke pa ngrane e ujë pa pi,

Kerkojne shpetim o bre në Shypni,

Apo shkojne larg more në Turki,

Kush njeh Zot, o bre e vatan

Muhaxhireve mor konak ju ban,

Muhaxhiret qe serbi i ndjek

Shtronju mirë o bre për me fjet,

Se jua kthen o Zoti n'nahiret.