E enjte, 25.04.2024, 03:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Abdyl Kadolli: Lirikë

E enjte, 06.10.2011, 07:58 PM


Abdyl KADOLLI lindi më 10 nëntor 1946 në Bukosh të Therandës, Kosovë.

Ka mbaruar studimet pasuniversitare të letërsisë më 1974 në Prishtinë.

Nga viti 1993-1998 ishte sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës .

 Deri tash ka botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit, ”Rilindja”, Prishtinë, 1998 dhe veprën publicistike “Ora kombëtare”, Ars, Prishtinë, 2001. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të reja letrare.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor përgjegjës i revistës letrare “Metafora” të LSHK-së.

 

Lirikë

 

Abdyl KADOLLI

 

 

POZIA

 

Kush tha se vdiq poezia

Ah  nuk vdes dashuria,

Mijëra lumenj burojnë

Mijëra valë dashurojnë.

 

Kush tha se vdiq dashuria

Oh nuk vdes bukuria,

Mijëra yje vezullojnë

Mijëra zogj ligjërojnë.

 

Kush tha se vdiq bukuria

Eh nuk vritet liria, 

Mijëra lule çelin purpur 

Mijëra buzëqeshje flamur .

 

 

DITË E BUKUR

 

Ditë e bukur çeli

Qiellin ka hapur

Luleverën purpur.

 

Vera u poq në qershi

Degët ka hapur

Nga mall i pritjes.

 

Ti vjen me erën e jugut

Sytë e blertë të detit

Gastare e gushës.

 

Zogjtë trokasin në dritare

Flatrat shkruajnë

Dashurinë e fshehur.

 

Ditë e bukur çeli

Ti e bën më të dashur

Verën e prushit.

 

 

QERSHI E PRIZRENIT

 

Vijmë për çdo mot te ti

Kur skuqen qershitë,

Ti na pret te dera

Paska çelur vera!

 

Ti na pyet nga vijmë,

Me Drinin ilirik erdhëm

Shkumbinin e Vjosën

Vardarin Valbonën.

 

Vijmë e këndojmë për ty

Himnin e lirisë,

Dhe habitemi shumë

Si i zure burrat e dheut!

 

Ti na pyet a u vu çatia

Si u shkrua historia?

Ah mbetën tutje-tehu

Cepat e shamisë!

 

Vijmë për çdo verë te ti

Kur lëkuqen qershitë,

Ti ndrit aurolë amshimi

Në tempullin e dashurisë.

 

 

QËLLOI ATDHEU KURRIZ

 

Qëlloi Atdheu udhëkryq

Gjithë udhët e pritnin

Shtëpi si të bënte?

 

E prenë nga të katër anët

Kufijtë e përgjakur

Mbeti një grusht eshtra.

 

I thanë bëhu urë

Ke shumë lumenj

Sa shumë gurë!

 

Mbeti atdheu kodër

Gjithë erërat e rrihnin

Si një gogël.

 

I thanë bëhu han

Të të hamë, të pimë

Të flemë, të rrimë.

 

Kurriz qëlloi Atdheu

E s’mund ta shalonin

Kurriz kish Atdheu.

 

 

URA E GJAKUT

 

Është një urë në Kosovë

Ura e Gjakut i thonë

 

Urë e gurit, fjalë  e burrit 

Gurgjak rrënjë  flamurit

 

Ura rrjedh lumenj gjaku

Vërshon çurg në baladë

 

Ura rend  harqe-harqe

Ka marrë udhën për Janinë

 

Është një urë në Kosovë

Ura e Gjakut i thonë.

 

 

FLUTURIM  SHQIPONJE

 

Ju lëvizet si drita

Si era, si yjet

Fluturuat si shqipet.

 

Kishit shumë dashuri

Më e madhja ish Arbëria

Më e bukura Liria. 

 

Fluturuat e ratë

Mbi shkëmbin e shqipes,

Te rrënjë e arbrit

 

Sikur të mos binit ju

Lulet nuk do të kishin ngjyrë

As liria frymë

 

Fluturuat si shqipet

Te shenjat e shenjta

Të gjyshërve plisbardhë

 

Dhe dhatë lajmin e parë

Djem kish Shqipëria

Syshqiponjë Arbëria.

 

 

ZJARRET E DRENISË

 

Ç’janë këto zjarre dritë

Takim me yjet

Natën kallin flakë

Pushtimin hi.

 

Zjarr i Ahmet Delisë

Fushës së Arbërisë

Kushtrim i Azemit

O prite-vrite heu!

 

Zjarr i Tahir Mehës

Çan rrethimin zi

Flakë e Adem Jasharit

Drita  U Ç K !

 

Ç’ janë këto zjarre flakë

Takim me yjet,

Zjarret e Lirisë

Fushës së Arbërisë.

 

 

TAHIR SINANI

 

Një hap në Tropojë

Një në Kosovë

Tahir Gria

Ku i bie Arbëria?

 

Një hap në Pashtrik

Dy në Preshevë

Mic Sokol

Shigjetën hedh.

 

Një hap në Tiranë

Tre në Tetovë

Kufijtë e përgjakur

Mat me kokë.

 

Ku bie hapi, bie nami

Tahir Mal Sinani

Kushtron Shqipëria

Ka burra Arbëria!

 

 

KAPEDANI I GALLAPIT

 

Ditën e Madhe del nga balada

Hyn në legjendën e kombit

Sy shqiponjë, krahë petriti

Kapedan Zahir Pajaziti.

 

Vrap e vrap

Jep kushtrimin

Edmondi, Hakifi...

Çanë rrethimin...

 

Madhështor përballë Grandit

Me kallash në dorë

Koburën në brez

Lart emblemën UÇK.

 

Në Grand ngërdheshen horrat

Pinë uiski, luajnë me vota.

 

 

EMRIN E KANË ALBAN

 

I kthejnë një nga një

Në thasë najlonë

Veç shifra janë.

 

Një herë janë vrarë

Pastaj janë grirë

Djegur nga urrejtja.

 

Testi ADN zbulon

Grupin e gjakut

Dhe gjenin Alban.

 

 Në gjak janë larë

 Në shira lotësh

Mallkojnë, trishtojnë.

 

I kthejnë një nga një

Në thasë najlonë

Emrin e kanë Alban.

 

Kanë hequr shumë

Prehje kërkojnë

Një gur te koka.

 

 

NANA FATË

 

Ajo kishte fatin e emrit

Duke përjetuar shekullin

Me tri luftëra.

 

Kishte klithur në Luftën e Parë

Kishte parë Luftën e Dytë

Dhe kishte mbijetuar Luftën e Kosovës.

 

Ishte si të gjitha nënat,

Me të gjitha dhembjet e shekullit,

Më e dashura në botë.

 

Iku duke kënduar një ditë

Tha vetëm vend po ndërroj,

Nuse erdhi, nuse shkoi.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora