E enjte, 25.04.2024, 05:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali R. Berisha: Skalitje mjeshtërore të personazheve femra në dy romane

E enjte, 06.10.2011, 07:56 PM


Përshtypje leximi

 

SKALITJE MJESHTËRORE TË PERSONAZHEVE FEMRA NË DY ROMANE

 

Nga Ali R. Berisha

 

Gjithmonë ka qenë e ditur se kur e lexojmë një roman dashurie, ka qenë dashtë të përgatitemi shpirtërisht dhe emocionalisht, që ta shijojmë sa më gjithanshëm.. Të jemi të gatshëm t’u bëjmë ballë ndjenjave shqetësuese, shpirtrrëmbesave, tronditjeve, kujtimzgjuarjeve, nostalgjisë për rininë, etj . Kështu ndodh edhe sot, e do të ndodhë gjithmonë, sepse letërsia këtë synim e qëllim ka. Nëse jeni i ri – do t’u vije “gjynah” nga përplasjet shpirtërore honeve të panjohura të dashurisë e nëse jeni i moshuar, jo nga jeta por nga dashuria, do të pësoni përplasje shpirtërore sepse duhet t’u gjeni vendin  përmallimeve nga historizat e përvalta të dashurisë që i keni pasë dikurë e nuk i keni më. Këto pak fjalë që i thash për kapërthimin e shtizave të dashurisë me vrullnajat e gurgullimave erotike do të bindeni se nuk do të meritojnë të jenë as gjurma e një hyrjeje për rrëfimin e dy dashurive që tregohen në dy romane erotike të botuara tek ne në dhjetëvjetshin e fundit: Rrëmbimi i vajzës së këngës të Rushit Ramabajës, “Dukagjini”, Pejë, 2001 (200 faqe.) dhe Bora, i Stavri Pones, “Grafon”, Tiranë, 2007 (afro 500 faqe).

 

Në të dy këto romane shtjellohet motivi i rrëmbimit  të vajzës. Në të parin për rrëmbimin  e Dyjares, që ndizet për të qenë e rrëmbyer nga i dashuri, kurse në të dytin pasojat e rrëmbimit me mashtrim të një vajze të quajtur Bora, e cila lufton me të gjitha përpëlitjet e aftësive trupore e zbuluesore për të shpëtuar nga kthetrat dhe ndryerjet e rrëmbyesve modernë.  Besoj se s’ka femër të mos ketë pasë dëshirë të rrëmbehet bile një here në moshën epshore, nga ndonjë djalë  - i pashëm për t’u adhuruar, trim për ta mbrojtur nga të papriturat, i mençur për t’i prirë në jetë dhe besnik, dhe që ajo dashuri të jetë vetëm e dy zemrave. Prandaj pakufishmërisht në letërsi ky motiv është trajtuar sa e sa herë dhe janë shkruar romane që nuk zbresin kurrë nga lartësia ku gjenden.

 

Në këto kohët e sotme, ndërkaq, kanë ndryshuar shumë ndjenjat erotike femër – mashkull e kështu edhe hapësira ku lind, përflaket, e  ndezeshuhet kjo ndjenjë disa herë gjatë jetës. Dhe nuk është çudi kur dëgjojmë e përballemi me ndodhi që as imagjinata s’i përthekon. Në ndodhitë e tilla dashuria është shket anash, dhe primatin e merr krimi dhe të gjitha ato kqësitë tjera që përfshihen brenda kuptimit të kësaj fjalë pesëshkronjësh. Dhe hiç pa çudi kjo fjalë në mbarë botën e ka të njejtin kuptim.

 

Dyjarja e Ramabajës është një malsore – “një bylbyleshë që mundet me fluturue dhe përtej malit me e gjetë cubin”! e që si të tillë vetëm kënga mund ta krijojë, kurse Bora e Pones është një vajzë përsosmërisht e bukur me një bukuri dritëhënore mendjemarrëse. Ramabaja me armën e vet prej artisti e fiton betejën duke gjurmuar pas fshehtësive shpirtërore të vajzës dhe djalit. Ajo është një dashuri vetëm e tyrja, enigmatike, e flaktë, tejet e sinqertë. Pra një dashuri vetëm për dashuri, e gatshme për sakrifica e që synon shtigjet e bukura të vazhdimësisë jetësore. Vokabulari i autorit është i zgjedhur me një mjeshtri të habitshme. Ai vokabular ka mund të përdoret vetëm në një roman të tillë dhe askund tjetër.

 

Në romanin e parë na fanitet para sysh një dashuri – uri, kurse në të dytin dashuri – shurri (më falni për shprehjen!). Derisa në të parin - çifti i të rinjëve nuk di të ngopet me një dashuri tepër të qiltër, që buron nga shpirti plot ndjenja, pala tjetër nuk përbën çiftin e dashuruar, por grupin e të rinjëve që s’di së ngopuri me seks kafshëror, me lakuriqësi, me shfryerje si kafsha, madje atë e kanë edhe për të shitur sa të donë, për të jetuar prej asaj tregtie. Ta marrim me mend një grup të rinjsh të shfiguruar – bandë, kriminelesh, drogëpërdorësish, trafikues njerëzish, të zhytur në një bollëk të gjithçkaje, por pa asgjë njerëzore. Hija e kryebanditit mbjell e korr tmerr kurse hijet e tjera, të ardhura nga ana e anës, sillen gjithandej vërdallë (në disa ambiente të Italisë) punojnë për bosin, flenë e pallohen me të dhe me ta, më shumë të lakuriquar se të mbuluar, nëpër dhoma hotelesh ku kundërmon seksi, droga, alkooli, duhani, sperma dhe shurra e krejt kësaj da-shurrie. Secili e sidomos secila ka humbur ëndrrat për jetë,dhe ndjenjat për afrim dashurie. Do t’i humb ato edhe Bora dhe do të bëhet më e ftohtë se bora. Të gjithë janë dhuntarë. Jashtë këtij ambienti ata nuk mund të jetojnë. Atij, që vetëm ëndërron ose dëshiron të ikën nga ajo kope dhe kopeishtë, në çdo çast mund t’i shkojë koka. Po, po koka, se sa për nderin s’i ha kujt palla aty. Në atë mjedis e ka katandisur fati Borën, një vajzë me bukuri virgjërore të mahnitshme, dhe s’mund të shpëtojë nga ato kthetra. I vëllai Gjergji i vëhet pas për ta shpëtuar, por ç’e do kur s’ka se çka të shpëtohet.

 

“Rrëmbimi i vajzës së këngës” – hë, rrëmbim, grabitje, marrje me forcë a me dhunë … Ah sikur të kishte ndonjë fjalë tjetër më të përshtatshme që do ta zëvendësonte fjalën rrëmbim në këtë roman, sepse më duket shumë e ashpër. E ashpër, sepse aty nuk kemi të bëjmë me rrëmbim fizik por me rrëmbim shpirtrash e zemrash. Do t’i përgjigjej shprehja “rrëmbem se mezi po pres”, bile edhe po të ndihmoj!” Po,po!  Po të ndihmoj!”, sepse Dyjarja është plot ëndrra për jetë, plot afsh për përqafim dashurie - mezi pret t’i futet në përqafim cubit.  Është pra ky një roman lirik me shprehje, figura, tabllo e sidomos dialogje që mahnisin. Duke e lexuar këtë roman, disa herë më ka shkuar mendja të lutem: “O, Zot, shtoi faqet e këtij libri! Po ndjehem shumë mirë!” Pushtohesha “nga një hare  e hapur dhe sy që shihnin përtej të gjitha brengave.” (faqja e fundit)

 

Personazhet e këtyre romaneve kanë një skalitje të qëlluar përshkrimore. Tigri, luani, qeni, ujku, janë simbole për personazhet e romanit të Pones, cubi, vasha, trimi, - për ato të romanit të Ramabajës. Në romanin e Pones nuk mund të imagjinosh përshkrimin e femrës pa  hasur në shprehjet si: pallim, gjinj, lakuriqësi, vithe, sy shtriganësh, drogë …, kurse tek romani i dytë fjalët: vashë, trim, cub, e sidomos metaforat e shumta që reflektojnë shpirtëra virgjinë, dashuri të sinqertë dhe krijesëtari natyrore. Në të parin shkelet dhe shkrryhet nëpër lluks e bollëk kurse Brenda në shpirt gërryen frika nga policia dhe zbulimi.  Dyjarja imagjinon një martesë të lumtur, të gjatë, me pasardhës – që fluturon “hava”, kurse Bora nuk imagjinon asgjë, ajo vetëm dëshirën për të shpëtuar e ka. Shoqet e saja, ndërkaq, po, kanë ca etje për “pallim”çasti plot ethe frike. E për të shpëtuar nga ndëshkimi fshihen kthinave të errta plot duhmë.

 

Stavri Pone dhe Rushit  Ramabaja kanë përvoja të gjata në prozë. Pone, në këtë rast i prin rrëfimit dhe e ndjek me kujdes atë – për ta ndërtuar një strukturë brilante tejet interesante romanore, kurse Ramabaja, rrëfimin e skajon,  për të nxjerr në shesh mrekullitë stilistikore të një proze tejet të këndshme lirike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora