E premte, 19.04.2024, 12:33 PM (GMT+1)

Mendime

Minella Aleksi: Kur grupi i Lubonjës merret me shpifje për ikonën Kadare (II)

E marte, 04.10.2011, 01:55 PM


Kur grupi i Lubonjës merret me shpifje për ikonën Kadare (2)

 

Nga Minella ALEKSI

 

Në dy librat e tij të fundit Kadare si një euro-atllantist ka afirmuar më fort se kurrë aspiratën shqiptare për integrim europian. Për fatin e pazgjidhshëm të Shqipërisë me familjen e popujve europiane.Në respekt të së vërtetës dua të nënvizoj një fakt që më bën përshtypje në sjelljen e Fatos Lubonjës. Në forume apo intervista jashtë vendit e prezantojnë si një ish të burgosur politik për 17 vjet nga regjimi i Enver Hoxhës. Kam lexuar librin e tij «Ridënimi». Në fund të leximit pyet veten, përse është dënuar ky njeri, çfarë aktiviteti apo çfarë artikulli kundër regjimit ka shkruar, mbasi ajo tjetra, arsyeja e ridënimit del qartë në libër. Nuk gjen në libër asnjë fjalë për arsyen e dënimit fillestar. Këtë e them sepse i mësuar me shtrembërimin e së vërtetës e paraqet veten si shkrimtar i dënuar për vepra letrare!. Dhimbje e keqardhje për vitet e tij të burgut të vuajtur ndiejnë të dy palët, si ata që nuk e dinë këtë shtrembërim të dënimit fillestar ashtu edhe ata që e dijnë. Por shqiptarët me gjithë keqardhjen, e kanë mirë të qartë se dënimi i parë i Fatos Lubonjë ka ndodhur sipas zakonit monstruoz shqiptar gjatë regjimit diktatorial, për shkak të babait të tij, ish anëtar i K.Q. Dhe jo si autor veprash letrare kundër regjimit.Besoj se Lubonja me mënyrat interpretative të gjërave shfaq një tendencë të përgjithshme për të tërhequr vëmendjen si intelektual interesant, i kulturuar e i ditur, prandaj për pasojë edhe me një liri të plotë sjelljeje. Mendoj se këtu, brenda botëkuptimit të tij qëndron një paqartësi me veten, mbasi nuk mund të jesh interesant kur e ndërton argumentin mbi bazën e një keqinterpretimi. Kjo mund të vlejë si mjet shpërblimi shumë i mirë për jetesë por jo si vlerë intelektuale e lartë pasi hierarkia e vlerave matet me tjetër peshore. Në respekt për të vërtetën më duhet të them se Lubonja bën pjesë në atë grupim që quhet «i zakonshëm» si vlerë intelektuale. Vlerë e jashtëzakonshme gjendet te vepra e shkrimtarit Kadare. Kështu ka dëshmuar kultura europiane e më gjerë. Që Lubonja të ngrihet në nivel të jashtëzakonshëm duhet të na japi produkt, vepër të jashtëzakonshme, sepse deri tani ka qenë mirë me një pjesë të shkrimeve mbi politikën e biznesin shqiptar, por këto prapëseprapë mbesin në nivel produkti intelektual të rëndomtë.Në historinë e Shqipërisë me vendet fqinjë ka një fakt shumë domethënës, fakt që shpjegon shumë çështje të diskutuara në opinionet kulturore të këtyre vendeve. Dihet tashmë se në ish Jugosllavi fillimisht dhe Serbi në vazhdim, ka funksionuar një institucion në nivel akademik, me buxhet të majmë vjetor e personel të zgjedhur mirë, që punon 24 orë dhe 7 ditët e javës pa pushim në funksion të ndërtimit e zbatimit me sukses të platformës për interesat e Serbisë në Kosovë por sidomos, më me këmbëngulje e arrogancë për këto interesa serbe në Shqipëri. Ka qenë një synim i pandryshueshëm për Serbinë të paktën në dy shekujt e fundit që të arrinte të shpërbënte Shqipërinë, të fshinte nga harta e Ballkanit nocionin e gjeografiko-demografik shqiptar. Botimet në Beograd të akademikëve e personaliteteve më të lartë politikë në 100 vjeçarin e fundit e pasqyrojnë qartë, me detaje, platformën serbe në dëm të Kosovës e të Shqipërisë dhe duhet që të jesh miop e mendjeshkurtër për të mos e parë dhe kuptuar. Një gjë e tillë, me një nivel organizimi kaq të lartë dhe me buxhet vjetor e personel përkatës që nënshkruan rregullisht në bordero nuk ka funksionuar kaq sistematikisht në vendin tjetër fqinj, në Greqi.Modeli i intelektualit Fatos Lubonja, A. Puto, M. Rukaj, A. Kodra, etj., të etur për protagonizëm dhe në kërkim të madhështisë, mungesën e së cilës e vuajnë thellë, kapin shprehje jashtë kontekstit në veprën e një autori të madh si Kadare dhe mbi bazën e tyre ndërtojnë argumentin me të cilin tërheqin vëmendjen e medias. Konkretisht p.sh. mund të bësh bujë mediatike të qëllimshme në rast se thua që te shkrimtari Kadare ka nota racizmi e nacionalizmi, ndërsa nuk ngre peshë, s'ta vë veshin njeri po të thuash të njëjtën gjë për shkrimtarin Maks Velo, Ylljet Aliçka apo Mujë Buçpapa. Në këto kushte sistemi akademik serb e shikon shumë të afërt për qëllimet e tij modelin e intelektualit Lubonja e kompani dhe mendon sipas logjikës së thjeshtë funksionale. Kujt më mirë se këtij modeli intelektuali i duhet dhënë indirekt e direkt akses mediatik nëpër ato radio, gazeta e forume ku mund të depërtojnë më mirë instancat shtetërore serbe në forma të njohura mekanizmash penetruese. Kujt më mirë se modelit Lubonja e ekipit të tij mund t'i krijohen lehtësira me honorare e bileta udhëtimi të falura për të shkuar atje ku duhet të thonë ose të shkruajnë me helm kundër shkrimtarit Kadare! Kujt më mirë e më me dobi proserbe mund t'u shtrohet rruga sa më e butë për punësime preferenciale për të arritur që të botojnë intervistat e shkrimet antikadare nën kopertura si projekte «Osservatorio di Balcan e Caucaso» që ka si pikësynim studimin e ndryshimeve në vendet e Ballkanit juglindor, Kaukaz e Turqi, apo në «Courrier des Balcani» etj.Shkrimtari Kadare është autori më i ashpër, më kritikues, më dënues dhe më realist në dënimin e difekteve të shqiptarëve sipas një aksiome të njohur botërisht: «Vetëm kush është i vetëdijshëm për identitetin e tij kulturor e religjioz, mund të çmojë dhe të dojë identitetin e tjetrit». Në librat e intervistat e shkrimtarit Kadare gjen me shumicë opinione mospajtuese për mendësi të caktuara, vlerësime negative për gjëra të veçanta dhe qëndrime kritikuese ndaj sjelljeve si të grekëve ashtu e më shumë edhe të shqiptarëve. Natyrshëm nuk kanë munguar vlerësimet edhe për malazezët apo për maqedonasit, fqinjët me të cilët japim e marrim. Paradoksalisht nuk gjen as nga intelektualë malazezë, as nga ata maqedonas por në mënyrë të veçantë asnjëherë as nga autoritetet kulturore greke, ndonjë etiketim apo kritikë si racist ose nacionalist. Është interesant shembulli i një vendi fqinj, Malit të Zi, i cili ndonëse gjuhën e vet ka serbishten, nuk është fyer aspak prej gjoja racizmit të Kadaresë. Në Mal të Zi, ku Kadare është mjaft i njohur, vepra e tij është pritur me shumë interes dhe dashamirësi, siç duket qartë nga intervista që një prej shkrimtarëve më të shquar malazes i ka marrë Kadaresë, me rastin e botimit të «Darkës së gabuar».Nuk kemi asnjë shkrimtar grek që të jetë ngritur me ndonjë akuzë për qëndrim racist apo nacionalist të shkrimtarit Kadare ndaj gjuhës greke, ndaj kulturës greke dhe ndaj popullit grek as edhe atëherë kur Kadare bojkotoi forumin grek për shkak të thirrjeve antishqiptare të ushtarëve grekë në paradën ceremoniale.Më 1996 shkrimtari Kadare u pranua në Akademinë prestigjioze të Shkencave Moralo-Politike në Francë, ku parimi moral është kryesori. Anëtarë të huaj të kësaj akademie janë ndër të tjerë Papa Benedikt XVI që kur ishte kardinal dhe mbreti Huan Karlos i Spanjës. Kurse bota ish komuniste përfaqësohet nga Haveli i Çekisë dhe Kadare i Shqipërisë.Përse ndodh kjo gjë ndryshe me serbët, fqinj të shqiptarëve si këta të tjerët? Ka një shpjegim të qartë e të thjeshtë. Këtu ndërhyn e vepron ai që thamë më sipër, «Katalizatori i institucionit shtetëror serb» i pajisur me një sistem funksional shumëplanësh në të gjitha fushat e jetës. Aq më fuqishëm në fushën e letrave, (sepse e shkruara nuk zë ndryshk), me shkrime dhe intervista që, marrin një vlerë të shumëfishtë kur akuzat vijnë nga shqiptarë, bashkëqytetarë të shkrimtarit Kadare.Sistem që peshkon modelin e intelektualit Fatos Lubonja etj., dhe i shfrytëzon maksimalisht me një rezultat të suksesshëm që kënaq të dyja palët. E para qëllimet shpifëse, dizinformuese antikadare e antishqiptare kurorëzohen sipas interesit serb. E dyta modeli i intelektualit Lubonja, intelektualit mercenar, « muhaxhiri i kulturës shqiptare» të Faik Konicës ngrefoset me protagonizëm, ndërkohë që i vishet një intelektualizëm fals, intelektualizëm që shkon në interes të kundërt me interesat e vendit, të shoqërisë e të kulturës së kombit. Shpifja që vjen nga njerëzit e tu është më e dëmshme në të keqen e saj, çorodit më shumë e më thellë të painformuarit, prandaj kërkohet nga përkrahësit e shpifjes me insistim dhe shpërblehet mirë. Për asnjeri nuk është sekret se kundër këtij shkrimtari, në mënyrë këmbëngulëse, cinike dhe të orkestruar vazhdon një dubël fushatë shpifjesh: në shtyp dhe pas krahëve.Interesant është fakti se kritikat që ndaj Kadaresë drejton Lubonja e kompani nuk janë përmendur në asnjë rast nga studiues serioz francez të letërsisë e shkencave shoqërore të këtyre 40 viteve të fundit siç është rasti i Rene Girard, historian, kritik i letërsisë, filozof i shkencave shoqërore, studiues i njohur i letërsisë krahasimtare dhe anëtar i Akademisë franceze nga viti 2005. Nuk është e mundur që këto shfaqje nacionaliste apo raciste të shkrimtarit Kadare të supozuara e të keqinterpretuara qëllimisht nga Lubonja t'i kenë shpëtuar atij në studimet e tij serioze të natyrës së kritikës letrare, filozofike, antropologjike, sociologjike e multikulturalizmin, nëse do kishte të tilla te vepra e Kadaresë.Një tjetër shkrimtar dhe filozof francez në zë i ditëve tona, autor referencë në kulturën e sotme franceze Pascal Bruckner, i njohur për debatet mbi multikulturalizmin, i vëmendshëm ndaj letërsisë së shkrimtarit Kadare, asnjëherë nuk ka folur për ndonjë nuancë nacionalizmi apo racizmi në veprën e tij voluminoze. Madje ai ka mbështetur dhe inkurajuar aktivisht kauzën e popullit kroat, atij boshnjak e kosovar kundër racizmit e agresionit serb të klikës së Millosheviçit.Po përmend këta studiues të njohur francezë mbasi janë këta që janë njohur më së pari si lexues me veprën letrare të Kadaresë të përkthyer në frëngjisht fillimisht.Marcel Reich-Ranicki, kritiku letrar bashkëkohor më me influencë në Gjermani, shpesh i quajtur “Papa i letërsisë” i njohur mirë me letërsinë e Kadaresë të përkthyer në gjermanisht, nuk besoj se do e kursente kritikën ndaj shkrimtarit tonë nëse do konstatonte te ai nuanca të racizmit apo nacionalizmit. Aq më tepër një kritik gjerman që racizmin dhe nacionalizmin në letërsi i njeh dhe ia ka vuajtur thellësisht. Këta kritikë francezë e gjermanë ishin në kulmin e aktivitetit të tyre profesional, kur shkrimtari Kadare po përkthehej nga shtëpi botuese franceze e gjermane e ylli i tij letrar ishte në ngritje të shpejtë. Këta kritikë të huaj në zë nuk mund t’a kishin jashtë vëmendjes së tyre shkrimtarin Kadare aq më tepër që vepra e tij përfaqësonte një letërsi krejt të panjohur të një vendi të vogël.Në rrjedhën e këtij arsyetimi nuk mund të lemë pa përmendur edhe një fakt tjetër, Juritë e çmimeve prestigjioze që kanë vlerësuar shkrimtarin Kadare. Motivacioni argumentues i këtyre Jurive nuk përputhet në asnjë moment me shpifjet e Lubonjës e kompani. Këta harrojnë me qëllim një gjë mjaft të rëndësishme, konceptin «kohë» si faktor përcaktues në terrenin vlerësues dhe filtrimin e vlerave. Këto çmime shkrimtarit Kadare iu akorduan jo në fillim të karrierës, përkundrazi mbas 35 vitesh kur koha ishte e mjaftueshme për shoshitjen e vlerave të vërteta, kriterin moral dhe antitotalitarizmi i tyre i kishte konfirmuar ato në nivel europian e më gjerë. Shpifësit edhe në këtë rast janë jashtë kontekstit të së vërtetës.Ka një episod që lidhet me vlerat e një kombi, episod ku në qendër është ish kryeministrja e Anglisë, Margaret Thatcher. Ambasadori i një vendi të vogël të pazhvilluar e larg vëmendjes gjeo-strategjike shkon t’i kërkojë një këshillë se çfarë duhej të bënte vendi i tij që të tërhiqte vëmendjen e vendeve më të mëdha.Përgjigjja e Thatcherit ishte: “Si fillim nuk ju duhet të bëni shumë. Si hap i parë nxirrni një Gjeni. Pastaj hapat e tjerë hidhini sipas këshillave të gjeniut tuaj”.Do s’do Lubonja dhe shpura e tij në mendimin kulturor dhe filozofik shqiptar është çimentuar tashmë një shtyllë solide që ka në strukturë veprën e shkrimtarit Kadare si referencë, ku kultura e huaj depërton në botën e mendimit të kombit shqiptar.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora