E premte, 19.04.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Shkrimtari që i shpëtoi kënetës së vdekjes…

E hene, 03.10.2011, 07:58 PM


Shkrimtari që i shpëtoi kënetës së vdekjes…

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Mallkuar!  Mallkuar qofshi, për jetë të jetëve mallkuar!  Janë fjalët e një nëne të dala nga zemra e përvëluar për birin e saj, vrarë nga barbarët, dora kriminale e diktaturës që kaluam. 

Titulli i romanit “Këneta e vdekjes” me autor Markensen Bungon të fut drithërimën për ta lexuar, ndoshta për ca kohë nuk e merr kurajon për ta shfletuar nga vetë titulli ngjethës që ka, si dhe për vetë faktin se autori ka qenë brenda këtij rrethimi, “Kënetës se vdekjes”!...

Togfjaleshi “Keneta e vdekjes” mbart brenda saj gjithçka te frikshme, te dhimbshme, nje galeri personazhesh që shohin dhe ndjejnë mbi trupin e tyre kërbaçin e vdekjes,

Autori ka përjetuar dramën dhe ankthin e torturës dhe për këtë tragjedia brenda këtij romani bëhet dhe më e besueshme.  Edhe pse si lexuese kishja kohë që e kishja marrë këtë dhuratë nga vetë dora e autorit, nuk gjeja guximin për të shkruar diçka, ngase skenat me barbarët më endeshin si hije të frikshme nate...

Shpesh më kanë rënë në dorë libra që janë shkruar në bazë të dokumenteve dhe kronikave rrënqethëse, por kur këto shkruhen dhe fliten nga autorë që kanë qenë ish të burgosur dhe të torturuar, ndjen së brendshmi se ato egërsi çnjerëzore të kapter Zenelit, personazh në këtë libër të kanë hedhur kanxhat të cilat të mbysin në djersë dhe pakuptuar je pranë një aluçinacioni psikologjik.  Në këtë moment mënyra e rrëfimit të librit nga vetë autori e ka bërë efektin e duhur tek lexuesi.

            Llumi i zi i kënetës ku notonin njerëzit dhe mushkonjat e malarjes është sjellë me detaje të dhimbshme nga autori i cili e përjetoi me vite këtë kamp shfarosës të burgimit të ndërgjegjes.

Sa herë që marr në dorë këto libra me shkrimtarë okularë, detyrimisht do të përjetosh tragjeditë e Shekspirit të cilat janë lexuar në rininë e hershme, në një tjetër kohë, në një tjetër sistem, por që mjerisht personazhet e dramaturgut anglez vazhdonin të ishin të gjallë pas pesë shekujsh brenda tokës sonë, brenda tokës që helmonte viktimat e pafajshme.

Shkrimtari Bengo me shumë art dhe dhe stil krejtësisht të veçantë ka përshkruar personazhet që bëheshin viktima të drejtpërdrejta të togerit të egër, i cili ushtronte një dhunë barbare psikologjike dhe për këtë ai i çonte ata drejt vetëvarjes...

Eshtë drithëruese kur kapter Zeneli një nga personazhet e romanit jep urdhër për të burgosurit, që ishin njëkohësisht viktima të tij, të cilët varroseshin pa dhënë shpirt. 

Në kontrast të fuqishëm me kolonel Zenelin është dhënë Tafili i cili dhe pse shërbente si polic në kamp, nuk e kishte humbur njerëzillëkun, ai nuk mund ta përballonte gjendjen e tij shpirtërore të torturonte të tjerët dhe për këtë iu dha shpërblimi të burgosej brenda kënetës, brenda llumit ku shushunjat të pinin gjakun.

            Me detaje dhe fakte pena e autorit Bengo sjellë solidarizimin e të burgosurve me njeri-tjetrin, ku mjeshtërisht ata komunikonin me sytë e shpirtit.  Këto lidhje dhe pse ishin gati si fije të padukshme, i tërbonin dhe më shumë xhelatët duke gjetur kënaqësinë e tyre tek dhuna, shpifja, të cilat krijonin situata nga më përçudnuese për njeriun.

Qëndroj përpara librit dhe si në ekran shoh skena makabre me filma horror, por që për subjekt kanë personazhe dhe kriminelë realë të cilët shfaqen si në polifoni zërash të dhimbshëm, por dhe me ulërima të egra jashtë qenies njerëzore, gati-gati hungurrima ujqërish.

Tronditëse dhe me mjaft realizëm jepet gjendja në kënetë, në kampin e Vloçishtit të Korçës, emri i një kampi famëkeq që e kishja lexuar në librat e dy personaliteteve të shquara të Diasporës shqiptare, dy profesorëve ish të burgosur politikë në këtë kamp, prof.Sami Repishtit dhe prof.Arshi Pipës si dhe intervistën e bashkëshortes së Mitrush Kutelit i cili ishte i burgosur në këtë kamp dhe e kishin futur për së gjalli në gropë deri në fyt…

Autori Bengo dëshmon për të vërtetën historike dhe me penën e tij zbraz gjithë kujtimet nga memoria dhe mbush disa mendje të mbrapshta që deformojnë historinë...

Xhelatët psikologjikisht vuajnë nga sindroma e hakmarrjes në momentin që kanë kryer krimin, ndaj me çdo mjet mundohen t’i fshehin në të gjitha mënyrat, ndërkohë viktimave të tyre nuk u humbet kurrë shpresa e Lirisë dhe e drejtësisë. 

            Nëpërmjet artit autori ka dhënë detaje rrënqethëse në kamp, në të cilin të burgosurit detyroheshin të punonin mes ujit dhe llucës.  Një paralelizëm figurativ është hequr midis viktimave njerëz dhe shushunjave insekte të kampit, të cilat u ngjiteshin të burgosurve deri lart, u pinin gjakun me qetësi dhe pastaj si ngopeshin, binin në llucë...

E në këto vështirësi shkruan autori shtohej dhe egërsia e policëve.  Këta jo vetëm që bërtitnin, shanin, qëllonin me shkopinjtë, që i mbanin vazhdimisht ndër duar, por secili dallohej për vecantinë e torturës që përdorte. 

            Eshtë e tmerrshme të lexosh këto fragmente dhe të dallosh gardianin nga stili i torturës dhe ja disa prej tyre:  Rreshter Hitoja të burgosurit i dënonte duke i futur në kanal dhe duke i mbuluar me dhe e llucë.  Tetar Aliu i kapte viktimat për fyti, ua shtrëngonte fort dhe ata nxiheshin në fytyrë, se nuk merrnin dot frymë dhe u binte të fikët.  Ndërsa polic Skënderi kishte krijuar një torturë tjetër.  Ai në majën e shkopit, me të cilin rrihte të burgosurit, kishte ngulur një gozhdë dhe majën e saj e kishte holluar si hostenët.  Me këtë shkop u binte atyre të mjerëve ku të mundte dhe majën e gozhdës ua ngulte nëpër misha disa here derisa gjaku u skuqte në trup e u binte përtoke pika-pika.  Një here një të burgosur e shpoi disa herë me shumë forcë, sa gozhda i hyri thellë në mish dhe ai u lye i tëri në gjak.  Të burgosurit i ra të fikët.  U përmend kur ata lanë punën për të shkuar në kamp”. f.58

Vetëm këto lloj sistemesh e shpërfytyrojnë njeriun, iu ngjallin instiktet shtazarake dhe njëkohësisht këto skena ata i kthejnë në teatër dëfrimesh për t’u dukur përpara eprorëve të tyre dhe prej këtu fillon dhe shpërblimin i majmë nga gjaku i të pafajshmve.

Mjaft episode dhe ngjarje të hidhura janë dhënë tronditshëm nëpërmjet gjuhës së artit, metaforave, krahasimeve, epiteteve etj, që aq bukur di t’i perdorë autori. 

            Një nga kapitujt ngjethës që do të më ngelet gjatë në kujtesë është “Mallkimi i nënës”.

Në burgje nëna priste të takonte të birin, gruaja burrin, fëmijët babain...etj...pasi gardianët kishin transmetuar urdhërin se të burgosurit do të takoheshin me të afërmit vetëm për tre minuta...

Edhe pse kishin ardhur në takim të afërmit ata kishin tmerrin në sy, se mos nuk i gjenin njerëzit, pasi kishin dëgjuar gjera të përbindshme nga këneta me gjarpërinj helmues dhe shushunja.

Ndër takimet e ndryshme që ka sjellë autori do të veçoja takimin e Sopotit si i burgosur, të cilin për ta parë kishin ardhur nëna, babai dhe motrat...

Ata vetem sa u panë në sy, pasi ç’mund të bësh për tre minuta në ferrin ku ishin futur të burgosurit me fytyra të stërmunduara, të lodhura të përdhunuara?...

Tepër vuajtëse është dhe skena që mbushet me kujën e nënës e cila kishte ardhur për të takuar djalin e saj Vullnetin. 

Edhe pse ajo kishte ngelur e ve ngase bashkëshortin ia kishin vrarë fashistët, përsëri ajo po vuante një gjëmë tjetër, torturën e djalit nga i njejti gjak, të cilët hiqeshin se iu dhimbsej kjo nënë e gjorë.

            Pena e autorit ka sjellë me forcë emocionuese, tejet të dhimbshme monologun e brendshëm dhe ankthin e nënës për të takuar të birin dhe ja se si:  Kur ndaloi para derës së burgut, polici e pyeti se cilin donte të takonte?  – Vullnet Dylberin, - i tha ajo...Eshtë im bir!  Kapteri pas hekurave i tha qetë-qetë se vdiq në Vloçisht të Korçës.

Nëna ulëriti me të madhe duke iu thënë: kriminelë, vrasës!...  Autori komenton se nuk ishte ulërimë, por ishte gjëmim.  Pashpirtësia e policit arriti egërsinë, kur do ta largonte nënën prej burgut duke i thënë: Ik!  Shporru që këtej!

Nëna ofshante me tërë forcën e shpirtit të saj, ndërsa unë si lexuese më dukej vehtja si në një hon të frikshëm, pus të zi e prej andej s’del dot më kurrë!...  Pastaj pasi e ke përfunduar këtë dramë ke ndjesinë se je në një amfiteatër ku luhen tragjeditë e Eskilit në antikitet, dhe ti si spektatore zë sytë dhe veshët për të mos parë e dëgjuar klithmën e një nëne që ka humbur birin e saj të vetëm nga gjakatarët...

Në imagjinatë të krijohet një mal me varre dhe nga sytë e nënave derdhen lot, lot pambarim që mbushin lumenj dhe dete të tërë, ndërsa kuja e nënave është bërë oshtëmë mali që dëgjohet larg, shumë larg...

Gardianet vrastarë dhe shpirtzinj që përshkruan autori janë të mbushur me mëkate dhe sipas Dantes në kryeveprën e tij “Komedia Hyjnore” tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen ne ferr, mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi dhe për keto ferri është ndëshkimi i cdo dhune.

Por Nëna e djalit të vrarë as nuk iku nga urdhërat vrastare të gardianëve dhe as nuk u frikësua, por sytë e saj morën një shndritje si dy thëngjij të mëdhenj dhe jepnin dhimbje dhe forcë për të burgosurit e tjerë që do të kishin të njejtin fat.  Ata mund t’i çonin nëpër harrimet e përgjakura të cilët do të endeshin të përçudnuar, ndoshta shumë prej persekutoreve të tyre do të bënin çmos për t’u hequr si ëngjëj në këto kohëra të mbrapshta, ngase shumë njerez në botë siç thotë Shekspiri se: “Për interesa të vetëvetes edhe djalli mund ta citojë biblën. 

Por kjo mund të ndodhte në se pena e dëshmitarit okular, shkrimtarit elbasanas Markensen Bungo nuk do të shpëtonte dhe për rrjedhojë nuk do të shkruante këtë libër artistik me ngjarje të vërteta tronditëse.

 

Shtator, 2011

Staten Island, New York



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora