E shtune, 20.04.2024, 11:15 AM (GMT+1)

Mendime

Rudolf Marku: Kur shkenca e Historisë tradhtohet nga Historianët

E hene, 03.10.2011, 07:58 PM


Kur shkenca e Historisë tradhtohet nga Historianët

 

Nga Rudolf Marku

 

1.

 

Debati për historinë është ndër debatet më të mëdha në mendimin intelektual jo vetëm të ditëve të sotëm. Dhe kjo është e kuptueshme, sa kohë që njerëzimi ka pasur dhe do të ketë një kureshtje dhe shtysë të papërballueshme për të njohur të kaluarën e vet. Në këtë tërheqje të natyrshme drejt historisë dhe në këtë hapësirë kaq të madhe (hapësira kohore), historiografia paraqitet shkenca me diversitetin më të madh nga të gjitha shkencat e tjera. Herodoti është i pari që përdor termin Historia (kërkim, hetim, gërmim) për atë shkencë që sot e quajmë Histori. Një histori është për Homerin ai që jep një gjykim të bazuar në fakte si rezultat i një investigimi. Siç shihet, lidhja mes historisë dhe investigimin, zhbirilimin e fakteve e të evidencave na dalka që të jetë fort e vjetër. Kësisoj del se Historia asht një varg i pafundmë marrjesh dhe dhëniesh, kërkimesh dhe hulumtimesh, dokumentesh dhe faktesh. Në shkrimin e Historisë nuk ka Rembrandts,nuk ka Shakespeares dhe nuk ka Beethoven – autorë që krijojnë vepra të cilat as ata vetë, autorët, nuk mund t’i rikrijojnë më me pas. Historianët bien dakord a nuk bien dakord me njëri-tjetrin, grinden, kundërshtojnë njëri-tjetrin, kundërshtojnë vetveten, ndryshojnë dhe ripërcaktojnë pamjet e veta. Vepra e historianit asht në rishikim të vazhdueshëm, ajo modifikohet, përmirësohet, rishkruhet. Ne nuk do të guxonim që të ripikturonim pikturat e Rembrandtit apo ta rishkruanim muzikën e Beethoven-it. Por, nga ana tjetër, Historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkeshe kokëfortë do të kishte guximin për të mos pranuar rishikimin dhe rishkrimin e historisë.

 

Me të gjithë diversitetin e shkencës së Historiografisë, me gjithë mospajtimet se si duhet shkruar historia, me gjithë shkollat e pafundme që kundërshtojnë në mënyrën më autoritare njëra-tjetrën, historianët gjithmonë kane qene dhe vazhdojnë të jenë të një mendjeje se historia duhur shkruar, rishkruar, madje të ri-rishkruhet ajo që është rishkruar.

 

Pikërisht nga këto shtresa të pafundme të shkrimit të historisë sot ekziston ajo që quhet Historia e Historive, një narracion i vetëm historik që përmbledh historinë e historive (shih p.sh., “A history of Histories”, John Burrow, Penguin Books 2007).

 

Në këto kushte duket normale kur dy historianë te viseve tona, Luan Malltezi dhe Ferid Duka deklarohen për rishkrimin e historisë. I pari, Luan Malltezi, është njëkohësisht dhe Drejtor i Muzeut Kombëtar. Për këtë arsye vëmendja ime do t’i përkushtohet më tepër atij, sepse, si të thuash, duke qene Drejtor i atij institucioni kombëtar që kujdeset për ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve, ai është një zë më zyrtar nga të tjerët.

 

Deklaratën për rishkrimin e historisë ai e artikulon në një shkrim te botuar jo shumë kohë më parë. Megjithëse teza e rishkrimit te historisë nuk ka nevoje për asnjë argumentim, Malltezi sjell arsyet e tij perse Historia duhet rishkruhet. Dhe pikërisht këtu fillojnë dhe problemet e tij. Dhe problemet i ithtarëve të tij që nuk janë të paktë. Sepse problemi nuk është nëse duhet a nuk duhet rishkruar Historia, por çfarë kuptojnë ata me rishkrim të Historisë.

 

2.

 

Historia që duhet rishkruar, sipas Malltezit, është historia e marrëdhënieve të Perandorisë turke me shqiptarët (ata që ca të tjerë preferojnë t’i quajnë arbëreshët e djeshëm dhe shqiptarët e mëvonshëm). Kështu që argumentimi teorik i rishkrimit të historisë reduktohet që në fillim në “rishikimin e historisë së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane”, – siç shkruan Malltezi. Por ky parcelizim i vetëm asaj pjesë të historisë nga e gjithë Historia e shqiptarëve nuk e pengon Malltezin që të vazhdojë të përdorë termin përgjithësues Histori (“historia shqiptare është e politizuar së tepërmi ndaj edhe ka vend për rishikim”). Në mbështetje të argumentit të vet perse historia nuk duhet të jetë e politizuar, e kësisoj përse ajo duhet rishkruhet, ai thotë (sepse). “Ministrat turq kanë lexuar tekstet e botuara ndërkohë dhe kanë bërë vërejte më vend, ata mendojnë se këto mund të shkruhen më mirë; midis popujve ka pasur bashkëpunim, dhe lidhje ekonomike tregtare. Kërkesa e tyre sigurisht është politike, por është e drejtë, ata janë ministra, përpiqen të forcojnë marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë.”

 

Siç shihet, argumentit kundër politizimit të historisë shqiptare i kundërvihet një argument politik, aq politik, sa justifikim logjik i tij këtë radhë janë “ministrat turq”. Qëllimi po ashtu është politik: “Të forcojë marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë”. As argumenti i parë dhe as a i dyti, me gjithë dëshirën e mirë të Malltezit, nuk janë të natyrës së shkencës së Historisë. Argument tjetër në mbështetje të tezës së rishkrimit e të rishikimit të historisë nën Perandorinë Osmane”, është dhe se “Kërkesa për të të rishkruar historinë ka ardhur më parë dhe nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian. Pse? Sepse jemi në kuadër të Bashkimit Europian. Popujt duhet të kenë besim midis tyre, duhet të njohim më mirë njëri-tjetrin, të konstatojnë lidhje dhe miqësi midis tyre”.

 

Prapë një antiargument vënë me krye poshtë: historia duhet të rishkruhet “ngase ka qenë e politizuar” gjë që nënkupton që tani e prapa nuk duhet të politizohet. Por kjo nuk e pengon Drejtorin e Muzeut Kombëtar që të sjellë prapë e prapë arsye politike.

 

Me një dinakëri të dukshme, ngase argumentet e tij nuk kanë të bëjnë asgjë me shkencës e Historisë, ai lë të nënkuptojë se ata që nuk duan që historia të rishkruhet ( nënkupto: Historia nën Perandorinë Osmane,,) janë të trembur, janë me mendësi komuniste, janë kundër Këshillit të Europës dhe kundër Bashkimit Europian. Çuditem se si ka harruar të shtojë se janë kundër SHBA.

 

Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar: “shqiptarë të shumtë kaluan me kohë në besimin e osman me qëllim që të ishin të lirë të bënin karrierë ushtarake. Gjenerali Ballaban Pasha që luftoi më Skënderbeun ishte një shqiptar i talentuar ushtarak i kohës. Gjer më sot shqiptarët i kanë dhënë 23 kryeministra (sadrazemë) Perandorisë Osmanë pa numëruar këtu njerëz të tjerë të mëdhenj të administratës së lartë që ishin të shumtë Perandorisë. Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë”.

 

Këtu çdo njeri me mendje të kthjelltë duhet të ndalet e të pyes: Ballaban Pasha me të vërtetë mund të ketë qenë një gjeni ushtarak i kohës – i talentuar – thotë Malltezi ( do të isha kurioz të dija burimin historik të këtij epiteti për Pashain që luftoi kundër vendit të vet, veç ndonjë defteri turk që nuk ka se si të merret si dokument i besueshëm kur lavdëron një gjeneral të ushtrisë së Sulltanit), por a e shpëton atë gjenia e tij ushtarake për të mos qenë një renegat që luftoi kundër vendit të vet? Nuk jam i sigurt për ministrat turq, por jam i sigurt se Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, që i përmend Malltezi në mbështetje të tezës se tij, nuk do ta pranonin si një ri-shkrim të Historisë se Kuislingu qe një Kryeministër i talentuar norvegjez e se Qeveria e Vishisë kishte ministra të talentuar e të virtytshëm! Është e çuditshme kur lexon pohime të tilla të artikuluara jo në klubin e Mamurrasit, por në sallen e Muzeut Kombëtar, madje në zyrën e Drejtorit të saj. Nuk do të çuditeshim se, si pjesë e rishkrimit te historisë, me ketë mendësi të Drejtorit Malltezi, ndonjë ditë mund të shohim një portret të Ballaban Pashës në sallat e Muzeut Kombëtar me dixhiturën – I talentuari!

 

Sa për përmendjen e atyre pashallarëve që paskan shkuar “për të shpurë armët e Perandorisë Osmane deri në Austri dhe Rusi”, – do thonim “good for them”. Karriera ushtarake është një çështje personale e tyre dhe nuk kuptohet se çfarë lidhje ka karriera e tyre në dyert e Austrisë e të Rusisë me historinë e Shqipërisë. Nuk besoj se historiani Malltezi ka të njëjtin mendim me Gjeorgjeviqin që thotë se shqiptarët janë një popull renegat dhe mercenarë që kanë luftuar kundër lirisë së popujve të tjerë, dhe kjo shpjegon perse Historia e Shqipërisë ka prodhuar veç tradhtarë të kombit të vet. Të gjithë këta shqiptarë që paskan shkuar “deri në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë” – së bashku me këta 37 kryeministra shqiptarë të Perandorisë osmane, çfarë i dhanë vendit te vet kur ai ishte në Orën e nevojës më të madhe – siç e kish zakon të thoshte Çurçill? Ndihma që ata i paskan dhënë Perandorisë turke duke e shpëtuar atë nga rrënimi, shkon kundër famës së tyre. A nuk do të kishte qene mijëra herë më mirë që të mos e kishin ndihmuar perandorinë turke me gjeninë e tyre, që, duke mos pasur gjeninë e tyre shëruese dhe shpëtuese, perandoria turke të qe shembur e kësisoj të ishte bërë e mundur që Shqipëria të qe bërë shtet i pavarur dy shekuj më parë se 1912? Apo duhet rishkruar dhe riparë dhe vetë pavarësia e Shqipërisë, si një ide e gabuar që vinte nga Perëndimi? Madje, Naim Frashëri duhet t’i rishohë ato vargjet e veta tek shkruan se “Dielli lind nga Perëndimi”.

 

Malltezi shkon tepër larg tek pohon se “Shqiptarët kaluan në masë (sidomos në gjysmë e dytë të shek XVIII) në besimin osman. Është e rëndësishme të theksohet se ky kalim nuk u bë më forcë nga Perandoria osmane dhe respektoi të krishterët shqiptarë për të ruajtur besimin e tyre, kjo shpjegon midis të tjerave pse shqiptarët ishin tolerantë në çështje të besimi në marrëdhëniet midis tyre. Në tekstet e historisë duhen të hiqen qëndrimet fyese dhe poshtërues për osmanët pavarësisht se ata vinin si pushtues; historiani duhet të tregojë ngjarjet por pa përdoruar terma poshtërues. Kjo është krejtësisht e mundshme të bëhet; historianë të mëdhenj modernë e bëjnë këtë kur shkruajnë për kryqëzatat e mëdha kishtare kundër perandorisë bizantine në mesjetë; ata tregojnë ngjarjet por nuk poshtërojnë kryqtarët pavarësisht se ata me kryqëzatën e IV (1204) shkatërruan Perandorinë Bizantine dhe pushtuan Kostandinopojën”.

 

Ngaqë Malltezi është i kujdesshëm që të sjellë shembullin e Kostandinopojës, le të sjellim një shënim të Perandorit bizantin, i cili, duke qenë vasal i Sulltanit otoman, qe marre nga turqit për në paradë për të pare forcën e tyre ushtarake. Shkruan në Maj të vitit 1391 Perandori Manuel: “Fusha ku u vendosem është e shkretë, nga se banoret kanë ikur pyjeve dhe shpellave dhe drejt majëmaleve, me shpresën që t’i shmangen asaj që duket e pamundur t’i shmangesh: kasaphanës së turqve që është çnjerëzore dhe barbare dhe që kryhet pa asnjë formalitet të drejtësisë. Asnjë nuk mund të shpëtojë – as gratë, as fëmijët, as të sëmurët e as pleqtë. Shohim shumë qytete përreth, të cilëve u mungon veç një element që të mund të quhen qytete: nuk kanë banorë. Dhe kur i pyes për emrat e qyteteve, përgjigja është gjithmonë e njëjtë: Ne kemi shkatërruar qytetet, dhe koha ka shkatërruar emrat e tyre! (Byzantium. The decline and the Fall.John Julius Norwich). Pas rënies së Kostandinopojës, dhe pas vrasjes së perandorit te fundit te Bizantit, “shtëpitë u grabiten, gratë dhe fëmijët u përdhunuan” në rrugët e qytetit rridhnin lumenj gjaku. Kishat u rrënuan deri në themele nga zjarri. Ikona më e shenjtë e Perandorisë, Virgin Hodegeteria, që mendohej se ishte bërë me dorën e Shen Lukes, u shkul me urrejtje nga vendi i shenjt dhe u bë copa-copa. Sulltan Mehmeti u kishte premtuar ushtarëve të vet, sipas traditës islamike, tre ditë grabitjesh dhe përdhunimesh. Tradita islamike ja njihte ketë si një të drejtë ushtarëve të vet… Mund të vazhdonim me kronika dhe anale të pafundme të kësaj natyre që sjellin të gjalla barbaritë e turqve osmanë, duke përfshirë dhe atë tërheqjen e veçantë që kishte Sulltani drejt djemve 10 -12 vjeç (kronika e vrasjes së Anronicus Cantacuzenit me dy djemtë e tij ngase kundërshtoi përdhunimin e djemve të vet nga Sulltan Mehmeti).

 

Ndryshe nga Perandoria Romake e Perëndimit apo ajo e Lindjes, që kishte njohur sisteme filozofike, shkrimtarë dhe artistë, libra dhe biblioteka, shkencëtarë, astrologë dhe teologë të shquar, Perandoia Osmane u shfaq si një forcë bruto, e egër, e paqytetëruar (duke përjashtuar shpikjen e rëndësishme të ibrikut, shpikjet e tjera të turqve osmanë janë pothuajse insinjifikative). Të mos harrojmë se deri në shekullin e 19, Perandoria turke e konsideronte shtypshkrimin si një shpikje të shejtanit, dhe librat kopjoheshin nga eunukët dhe myftitë dorazi. Observatori që kishte qenë vendosur në Stamboll nga një shkencëtar Hungarez i zëne rob, qe shkatërruar me urdhër të Sullanin dhe vetë astrologu hungarez u pat dënuar me vdekje. Krimet e kryqëzatave dhe krimet e grekëve që Malltezi i përmend jashtë kontekstit të temës që diskuton, nuk i justifikojnë krimet e turqve osmanlinj. Dy të këqija nuk bëjnë një të mirë.

 

Le të kthehemi në realitetin shqiptar. Ajo pamje idilike mes shqiptarëve dhe pushtuesve turq, ai konvertim vullnetar i popullsisë në fenë Islame duket se nuk përputhet me faktet historike. Masakrimi i 300 drishtanëve të zënë rob, nën muret e Kalasë së Rozafës, dhe më vone therja e pabesë e mbrojtësve të Kalasë pasi u qe premtuar falja e jetës, një jehonë e hershme që paralajmëron krimin e shëmtuar të masakrës së Manastirit , Mustafa Pashë Bushatliu, ekspeditat e shumta në Malësinë e Madhe a në Vlorë a Libohovë a Tivar, taksat e pamëshirshme që sollën një rrenim ekonomik të paparë si dhe taksa Xhize që ishte enkas kundër të krishterëve e që inkurajonte konvertimin e fesë (shih relacionet e Arkipeshkvit të Tivarit Vinçens Zmajeviç) flasin për një “idil” tjetër nga ajo për të cilin flet Malltezi. Mërgimet masive të arbëreshëve gjatë shekujve 14-16 nuk besoj të kenë qenë pa arsye tepër të forta. Dhe po kështu dhe dëshmitë që bien M.Barleci, Dh. Frangu,F Bardhi, P Bogdani, të cilët nuk kanë shkruar thjesht për t’mos ju bindur udhëzimit të Keshillit të Evropës për të cilin flet historiani ynë, tregojnë për të kundert e asaj që do të dëshironte Malltezi të kishte ndodhur. Menjeherë pas pushtimit osman qytete si Drishti, Deja, Shurdhahu u bënë inekzituese, ndërsa Shkodra, Lezha, Vlora, Durrësi (njëra ndër qendrat më të mëdha të Perandorisë së Bizantit), Gjirokastra, Prizreni, Peja, u kthyen në katunde mjerane. Shembujt mund të ishin të pafundmë.

 

3.

 

Është për t’u përshëndetur kujdesi që Luan Malltezi i kushton dëshirës së marrëdhënieve të mira me popujt e tjerë. Por Historia nuk shkruhet sipas qëllimeve moralistike a dëshirave tona sado të mirat qofshin ato. Pozita e historianit nuk është në vartësi të qëndrimit dhe hënës subjektive të historianit si individ. Aq më tepër nuk është një përpjekje për të kënaqur politikanët e ditës. Është një detyrim në radhë të parë ndaj së vërtetës historike. Historiografia si pjesë dhe koncept i kulturës perëndimore në tërësi, mbetet një mishërim i vetë identifikimit të popujve, i kujtesës së kolektivitetit etik, kombëtar, fetar, politik, dhe shoqëror të tyre. Kësisoj historia duhet të rishkruhet me kriteret më rigoroze të shkencës historike, pa u impresionuar apo, aq më pak, pa u ndikuar nga politikanët e ditës, qofshin këta ministra turq a kryeministra shqiptar.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora