E enjte, 18.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Quni me shkrepsa

E diele, 02.10.2011, 02:33 PM


Tahir Bezhani

 

S k i c ë:

 

QUNI ME SHKREPSA

 

Vapa e shtatorit zgjati më shumë se pritej.Njerëzit të bezdisur nga vapa kërkonin strehim neper vende ku gjenin freski. Dita ishte në sosje. Rrezet e diellit treteshin dikund pas majës së mprehtë të Shkëlzenit,ndërsa në Shkukëz,puhia lëvizte pishat e larta dhe duke u përkundur krijonin freski në fytyrat e njerëzve te lodhur. Tavolinat  në tri kënde të hotelit  ishin të mbushura përplot me njerëz. Sapo u ndezën dritat e mbrëmjes,vendi mori një pamje romantike Bari i gjelbër e i ujitur me shi artificial,i prerë ulët e drejtë,shtonte bukurinë e ambientit  te rrethuar me pisha te gjata plot bukuri Dritat shumëngjyrëshe e lulet e mbjella rreth e rrotull barit te gjelbër,vërtet epnin një pamje  magjepse çdo mbrëmje. Në çdo tavolinë ishin të ulur çift të moshave të ndryshme dhe bisedonin me një zë te ulet dhe mund te vëreje vetëm lëvizjen e mimikës se buzëve ose të duarve të tyre. Thua se vapa e ditës ua kishte marrë fuqinë e të folurit!..

 

Miku im M dhe unë kishim zënë vend në kënd të përshtatshëm  nga mund t’i vërenim të gjithë të pranishmit, çdo gjest e lëvizje të tyre. Këtë nuk e bëmë me qëllim por na rastisi puna! Biseda me mikun M filloi nga hallet e jetës sonë të përditshme. Kush është sot pa aso derte? Kush më shumë e kush më pak.  Kohë e ngarkuar me varfëri e skamje,pa punësi e çdo gjë tjetër qe quhet jetë!....Shkollat kishin filluar tash më punën. Për çdo prind vjeshta sjell ngarkesat e veta me përgatitje te fëmijëve për shkolla. Pastaj menjëherë ngjeshët dimri me hallet tjera...

 

Me mikun M u morëm edhe me tema tjera rreth  krijimtarisë letrare dhe vështirësitë e krijuesve në këto kohë të vështira. Hapem temat deri në thellësi( të mundësive) tona për prozën,për poezinë e sotme dhe krijuesit e rijnë e të vjetër. Mosinteresimi i shoqërisë sot për artin letrare,për krijuesit dhe librin në përgjithësi,ishte fjala që na bashkonte mendimet,ndërsa mospajtimet thekeshin në cilësitë letrare ku duhet të bëhen përpjekje maksimale për të mbërritur nivelet artistike evropiane. Si mjet i këtij qëllimi zinim kritiken e mirëfilltë letrare e cila do fuste qartësime te domosdoshme ne këtë kohë kur ajo po i mungon kulturës sonë letrare.

 

Me mikun M në këto biseda kishim vjedhur kohen mirë. Ora kishte vajtur në 22. Në një tavolinë ma tej,dy te rij përqafoheshin. Sa e bukur është rinia kur ke mundësi për ta shijuar. Mu kujtuan vargjet e Khajamit.....

 

Biseda nuk kishte fund me mikun tim M .Kishim porositur kafet tjera me uji Rugove. Freskia nën pisha kishte krijuar disponim. Ishte kohë e bukur dhe tërheqëse sa qe ishte pritesë shkuarja ne shtëpi.

 

Zëri i një çuni 12-13 vjeçar na ndërroi kahen e bisedave. Ai zë rrëqethës në atë kohë të natës ishte prekës dhe të kujtonte skicat migjeniane. Ishte një protagonistë migjenian ai çun:”urdhëroni shkrepës,duhan.... urdhëroni!” Ishte refren i përsëritur sa qe te krijonte neveri....Nuk e pimë duhanin,nuk na duhen shkrepëse!- merrte përgjigjen djaloshi dhe ikte nëpër tavolina tjera.

 

Te tavolina ku ishim ulur me mikut M tani ishte çuni me shkrepsa dhe duhan ne dorë dhe përsëriste te njëjtën lutje. Fytyra e tij dukej e zbehur. Ishte një thatak i zgjatur me shume se vitet qe kishte. Kishte veshur një palë pantollane te shkurtër dhe një këmishë me mëngë te shkurtra. Kishte natyre shume te dashur. Lutjes se tij iu përgjigjem me dhënien e nga një eurove por jo me marrjen e shkrepsave e as duhanit nga se nuk përdornim asnjeri. Çuni me shkrepsa në dore u shtang pranë nesh dhe filloi te na përqafoi herë njërin e herë tjetrin. Pastaj vijoi ecjen te tavolina tjera. Nata po ikte. Freskia kishte filluar te depërtoi thelle në trup dhe të bënte me kuptuar se megjithatë,ky është muaj shtator. Koha për te ikur te shtëpia.

 

Tërë natën më mbeti në parafytyrim çuni me shkrepsa ne dore. Me bëhej se e shikoja në të gjitha këndet e dhomës sime të fjetjes. Nga keqardhja nuk e pyeta as për familjen e tij nga se vet rasti te bënte te ditur se në atë gjendje,për një kore buke e ka sjellur varfëria. E sa janë si ky,e sa janë pa prindër e jetimë? E sa... e sa... e sa!....

 

Dikur vone ,pas mesnate, më zuri gjumi  me përfytyrimin e djaloshit me shkrepsa ne dore...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora