E enjte, 25.04.2024, 08:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Zhgënjim

E diele, 02.10.2011, 02:40 PM


 Istref Haxhillari

 

Zhgënjim

 

Shkolla ndahej prej Rrugës së Barrikadave me kangjella të larta ngjyrë gri. Oborri dhe anekset sportive rrethoheshin nga parku i gjelbër, ku gjallonin drurë të vjetër gjysmë të tharë. Porta e jashtme mbyllej në orën tetë. 

 

Ai erdhi shpejt, qëndroi në skajin e oborrit karshi hyrjes. Vështroi përreth i drojtur. Qielli i ngrysur shpërndante fasha mjegulle mbi çati, derdhej parkut, mbështillte pemët që i kujtonin freskinë e pyllit.

 

U regjistrua dy javë më parë, një ditë të turbullt vjeshte. Tirana e ndrydhi me hapësirat, lagështirën e zgjatur, njerëzit indiferentë. E pa veten fare të vogël e të shpërfillur. Jeta e mëparshme u këput, humbi vazhdimësinë.

 

Një brune me leshra të dendura, sterrë të zinj si të arabeve, iu afrua e pyeti për emrin. Djali u step. I hutuar nuk dinte ku të vendoste duart.

 

-Sigi Duka, - u përgjigj më në fund duke rrokëzuar çdo shkronjë. Zëri i ngjirur, gati fëminor doli i butë e i thellë.

 

-I lezetshëm! - Zeshkania e hajthme ndali shikimin në pjesën e poshtme të fytyrës, rrekej të deshifronte çfarë fshihej prapa lëvizjes së buzëve.

 

Sigit i bëri përshtypje sjellja e çiltër pa komplekse. Deshi t’i përcillte diçka të veçantë mbresëlënëse. Të përshtatej disi.

 

Dhe zbrazi atë që mendoi çastin e parë.

 

            -Sa e bukur qënke? - e shikoi ngultas në sy.

 

            -Ou, ç’guxim! - vajza u vrenjt dhe u largua papritmas. Në zemërimin e saj të brishtë kishte shumë feminitet, delikatesë.

 

I erdhi të hante veten me dhëmbë: “ Si dreqin nuk i thashë ndonjë gjë tjetër!”

 

Dhe i ngeci mendja atje.

 

Luixhina Radovani e trazonte pareshtur si dhimbje e ëndshme plage, ku dora vete herë pas here. Buklet në ngjyrën e kulumbrive, lëkura e shndritshme çokollatë e turbullonin. Sidoqë i fliste ftohtë dhe ndonjëherë nuk e vinte re, mezi priste ta shihte.

 

Oborrit të shkollës ushtuan thirrjet e zakonshme të nxënësve. Luixhina zuri vend nën degët e pishës së madhe. Me takën e këpucës gërvishtte shtresën e hollë ngjyrëkafe të halave, herë pas here hidhte sytë nga hyrja.

 

Sigi ndjeu një masë të butë veshtullore t’i shpërndahej nëpër vena.

 

Djem shtatlartë po luanin basketboll. Me sa dukej vazhdim i ndeshjes së mëparshme se numëronin pikët nga rezultati i ndërmjetëm. I pëlqyen lëvizjet e zhdërvjellta, driblimet me topin nëpër krahë, mbi kokë.

 

Ngjanin profesionistë të vërtetë.

 

Mbaruan lojën, dihatën një copë herë dhe zunë të vëzhgonin me nge djalin e imët, të panjohur. Bluzat e hijshme, pantallonat elegante pak të zhubrosura, këpucët zhyer me pluhurin e kuqërremtë të fushës e ngushtuan nga të gjitha anët.

 

-Ka erdhur nga fshati, - iu përgjigj dikush, i mirëinformuar, kureshtjes së përgjithshme.

 

-Në të tetën B, - shtoi me krenarinë e atyre që dinë gjithçka

 

-Nuk ka shkollë atje?

 

-Me sa duket jo.

 

Sigi buzëqeshi çiltërsisht pak i habitur: Askush nuk e pyeti në mënyrë direkte.

 

Ngurroi të hynte në bisedë.

 

-Të janë zgjidhur lidhëset e këpucëve, - i tha papritur djali trupmadh, më i zoti i ndeshjes. Me qëndrimi fodull, hijerëndë.

 

Deri atëhere e admiroi për lojën!

 

-Ç’pantallona! - u zgërdhi gjatovina në anën e majtë, i shëmtuar, dhëmbërrallë. Më vonë mësoi se quhej Nonda. Thoshin ngacmonte Luixhinën.

 

Sigi nuk e besoi.

 

“Ky surrat!” mendoi me një lloj sigurie instiktive.

 

Atmosfera shtypëse aspak miqësore e ligështoi. E pa veten mes njerëzish të race tjetër, në botën e vrazhdë e të huaj. Fajtor vetëm për provincializmin, e shpërfillnin si të kishin frikë mos u ngjitej “sëmundja” e tij.

 

U përmbajt me vështirësi.

 

“Do të më shihni” pëshpëriti nën zë i vendosur. Shfrimi i heshtur i dha kurajë, në një farë mënyre e qetësoi.

 

Përveç syve gështenjë të vëmendshëm, fytyrës simpatike dhe kureshtjes së spikatur, gjithçka pasqyronte origjinën; rrobat e lira të modës së vjetër, të folurit, ecja.

 

Megjithëse nuk ta mbushte mendjen, përgjigjej kurdoherë saktë. Ngulmonte aty ku të tjerët tërhiqeshin. Vështirë t’ia kalonin durimit të tij vetëmohues, pandehnin se nuk ishte i zoti për asgjë veç librave. Ky lajtmotiv e shoqëronte kudo.

 

I tepëruar, bezdisës.

 

Një mur i padukshëm e ndante prej pjesës tjetër të nxënësve. E pamundur ta kapëcente dhe mbyllej gjithnjë e më shumë në vetvete. Megjithatë asnjëherë nuk shteri dëshira për të studjuar. Pavarësisht nga rrëthanat e disfavorshme, e donte shkollën.

 

-Nuk më doli koha, - i tha trashaluqi i bangës së fundit mësueses së gjeografisë. I pezmatuar. Në fletën pothuaj të bardhë shquante nota më e ulët kaluese.

 

-Si ta shpegojmë që dikujt i doli plotësisht? - Ajo tregoi dy fletë të mbushura me shkrim të imët. Pastaj iu drejtua Sigit:

 

-Të lumtë!

 

Fjalët gazndjellëse, që i vinin nga mësuesit përkëdhelnin spiralen e shpresave në rritje. Këtë radhë  nuk u dëshpërua nga pëshpërima dashakeqe:

 

-Skllav i librave!

 

Kur i erdhi radha testit të matematikës, e përqëndroi vëmendjen mbi ushtrimet. Problemi i fundit, më i koklavitur se të tjerët, duhej sjellë në ekuacion të gradës së dytë. Teksa synonte fillin e algoritmit, ndjeu Xhinën ta vështronte. Kthente kokën herë pas here duke iu shmangur mësuesit.

 

Dukej aq e dobët! Sytë e lëngëzuar mbushur me ankth!

 

U trullos. Shkroi sa mundi më shpejt një fletë, u vonua derisa ia “postoi” dhe e

 

dorëzoi testin të papërfunduar.

 

E vlerësuan me shtatë.

 

Nuk kishte marrë notë aq të ulët. U dëshpërua dhe sigurisht do të mërzitej shumë më tepër, po të mos qe i lartë shpërblimi.

 

-Sigi, je fantastik, - fjalët e artikuluara me atë zë qenë të çiltra, të këndshme. Falnderimi erdhi dhuratë e mbështjellë me dashuri.

 

Kështu i pëlqeu të mendonte.

 

Dhe u ngazëllye.

 

Ndjenjën e mbante ndrydhur, madje as e kuptonte tamam çfarë i ndodhte. Kur përmendej emri i Xhinës, turbullohej. E shoqëronte përherë me sy. Mësoi shtëpinë dhe nisi ta priste tinëzisht mëngjeseve strukur murit të Dispanserisë së vjetër përkrye Rrugës së Barrikadave.

 

Ishte fundi i vitit shkollor, provimet me shkrim ndiqnin njëri-tjetrin.

 

Dy ditë më vonë, një mëngjes të kthjellët shumë të bukur, e pa Luixhinën në oborr me libër të hapur. E menduar, me shprehje përvujtërie fytyrës së hijshme. Përmes pishës vigane drita e diellit kapte lakimin e qafës, fytyrën, gjinjtë. Njolla e ndriçuar rrëshqiti mbi njërën anë të fustanit blu shumë të shkurtër.

 

Pikasi vështrimin e tij dhe u mundua të rregullohej; bënte me faj veshjen, ndërsa ai që e dekonspironte ishte trupi i përsosur të cilin e nxirrte në mënyrë aq çapkëne.

 

Kërkoi t’i shpjegonte tensionin sipërfaqësor të lëngjeve. Orën tjetër kishin detyrën e radhës në fizikë.

 

-Në se mundet, - i tha pakëz me turp. Dhe atë delikatesën e përhershme, që e turbullonte Sigin.

 

Natyrisht ai mundej.

 

Nuk vuri re ndonjë ndryshim në sjellje, po fakti që zgjodhi sërish atë e nxori nga  limontia e gjatë. Ndërsa Xhina dëgjonte shkaqet pse pika e ujit merr formë sferike, sytë gështenjë u zhytën në luginëzën e gjinjve të vegjël sapoformuar.

 

Përjetime naive bënë rrëmujë gjithçka. I paaftë të mblidhte bashkë hamendjet e hallakatura, mund të rrinte gjatë duke soditur.

 

Mezi këputi vështrimin.

 

Agonia mbërriti zenithin. Ndiesitë këmbeheshin si dallgë të shkumbuara e të përkundërta derisa u shkarkuan papritur.

 

Në mënyrë të sikletshme.

 

Me pamje kapadaiu, që nuk i shkonte asfare shtatit të gjatë e të hollë si shkop, Nonda i bëri pyetjen intime disi të shthurur nga ato që shkëmbejnë në mënyrë sekrete vetëm  miqtë e ngushtë.

 

Sigurisht Nonda nuk ishte i tillë.

 

Sigi e pa ftohtë, zverdhur nga mbipesha e fyerjes, po përgjigja erdhi me të njëjtën monedhë. Veçse pak më e ashpër, e drejtpërdrejtë. Diçka që lidhej me motrën e tij dhe  mënyrën si ngelen shtatzënë gratë.

 

Nonda u shmang, bëri sikur s’ndodhi asgjë.

 

-Jami baraz, - i tha me indiferencë të shtirë dhe shtoi:

 

 -Unë s’kam motër.

 

Shprehja enigmatike e fytyrës së ngërdheshur pasqyronte sheshit të kundërtën. Si gjithnjë në raste të tilla Sigi zjeu nga dëshpërimi.

 

-Nuk duhet ta bëje, - i tha Luixhina tek përtypte nëpër dhëmbë nervozizmin. E pakënaqur, e indinjuar.

 

Ai u zu keq: “Kush dreqin ia përcolli ato fjalë?”

 

Intimiteti i saj e mposhti. Provoi një sëmbim simpatie që nuk mundi ta fshihte, as ta bënte zemrën t’i rrihte ngadalë.

 

-Nuk do të ndodhë më, - foli i bindur, - veç po të prekën ty. Në të vërtetë nuk ishte tamam kjo që donte të thoshte.

 

Vajza u çmerit.

 

-U morëm vesh, - i tha shkarazi me ironi të fshehur, - je truproja ime.

 

Sigi e gjeti veten të shpërblyer për diçka që nuk lidhej me mësimet.

 

Po me vetë Xhinën.

 

Emocioni e bëri të ngashërehej.

 

Ndonëse krejt e zakonshme, ndërtesat tërë pluhur, trotuarët shtrembëruar nga koha dhe kalimtarët, Rruga e Barrikadave e mbushte me shpresa të ëmbla. Vetëm pak hapa larg sodiste shtatin e lartë të Luixhinës, turrën e flokëve që ndrisnin në diell, këmbët eksituese, çorapet e holla ngjyrëmishi.

 

Te kryqëzimi i unazës me godinën e zymtë të Dispanserisë, ku edhe mbaronte “ndjekja” e tij, pa Nondën. Si përherë sqimatar, njërën këmbë përkulur mbi bordurë dhe  duart e mbledhura.

 

Dukej se priste.

 

U ngrit ngadalë nervoz.

 

-Ku dreqin humbe Xhina? - në tonin e zërit spikatën nota të qarta zemërimi. Ndërsa vështrimi i tërthortë ra indiferent mbi “truprojen” e zbehur.

 

Sidoqë i arrinte deri te zverku Sigi u afrua, po mbrojtja e tij doli e panevojshme.

 

Ndjeu ca gishta të butë mbi sup.

 

-Ç’të gjeti? - vajza e habitur zuri të qeshë hareshëm, me gurgullima. Gjinjtë e vegjël  lëkundeshin me tallje sikur donin të nxirnin në pah misterin e takimit.

 

Nuk e kishte parë asnjëherë aq të çlirët.

 

Sidomos ironike.

 

Egoja e djaloshit u shkund. Grushtin e vogël, mbledhur kutullaç do t’ia kishte dhuruar tani megjithë qejf.

 

… dikujt tjetër.

 

Letrën e shkroi me një frymë, derdhi ç’kishte mbledhur tërë ato ditë. U kujdes të mos shfaqej në asnjë gërmë.

 

Pati përshtypjen se në çantën e saj futi bombë që mund të pëlciste nga çasti në çast. Më pas nuk e dinte saktësisht në i shfaqi fshehur dashurinë apo e sëndisi haptas.

 

Vështirë ta kuptoje zemrën e lënduar.

 

Qe pesëmbëdhjetë vjeç.

 

Mendime kontradiktore u përleshën me ngërç para se të dremiste. Mbresa absolutisht të sinqerta e gërryenin përbrenda, parandjenja të trishta e sfilitën. Mëngjesi e gjeti syhapur. Imazhet e deformuara të natës e ndoqën Rrugës së Barrikadave deri në hyrjen e heshtur të shkollës.

 

Tirana dergjej në shi, uji gurgullonte tubave të shkarkimit, rrëshqiste trotuareve. Gjithçka e lagësht, ndërtesat, asfalti, ajri i ndotur me aromë të lehtë djegësire. Arriti në shkollë minutën e fundit. Sapo kapërceu pragun dëgjoi kërkëllimën e portës të mbyllej pas tij.

 

-Ulu, - i tha mësuese Jorgjia, - mos e përsërit herë tjetër! Mezi e kuptoi se qe fjala për vonesën.

 

Jorgjia ishte mësuesja kujdestare.

 

Dhe orën e parë nuk kishin mësim me të.

 

Nxënësit e thërrisnin Joga, për shkak të ashpërsisë. Ishte një despote e rreptë, shpesh i qortonte edhe me gabimin më të vogël.

 

Në klasë zotëronte  heshtja. Luixhina vështronte e tronditur. Poshtë syve shquheshin gjurmë të thara lotësh. Jorgjia shtrëngonte e nervozuar letrën. Sigi e dalloi nga vrimat e njëtrajtshme spirale në cepin e majtë.

 

 “Çfarë pakujdesie!”.

 

-Nxirni fletoret! - dëgjoi mbytur zërin e ashpër të mësueses.

 

            Hapi çantën. Blloku me kapëse metalike në formë spirale i dogji duart.

 

Pasi kontrolloi dy rreshtat e parë, mësuese Joga iu afrua Sigit, vështroi kalimthi dhe bëri tutje.

 

E bindur se atë letër nuk mund të shkruante ai.

 

 

E hënë 27 qershor 2011

Kafe “Selvia”

Rruga e Barrikadave , Tiranë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora