E hene, 19.04.2021, 10:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Shaip Emërllahu: ''Ditët e Naimit'' - model i ndërkomunikimit bashkëkohor letrar e kulturor

E diele, 02.10.2011, 02:57 PM


‘DITËT E NAIMIT’ – MODEL I NDËRKOMUNIKIMIT BASHKËKOHOR LETRAR E KULTUROR

 

Nga Mr. Shaip EMËRLLAHU

 

Letërsia dhe kultura në përgjithësi, ndër vite kanë njohur modele dhe tipe të ndryshme ndërkomunikimi. Këto nivele dialogimi, të cilat kanë qenë shumështresore, kanë bartur peshën e zhvillimit dhe afirmimit letrar e kulturor. Në dhjetravjeçarët e fundit, ato formate komunikimi janë begatuar, duke bërë që plotënia e polivalencës, polifonisë, polisemisë dhe e shumështresimit të veprave letrare, pra e botës së veprave kulturore në përgjithësi, ngado që ta ketë origjinën, të shkojë te recepiensi (publiku).

Në mesin e shekullit XX nisën proceset integruese në kointinentin tonë dhe më gjërë. Tendencat e globalizimit morën formë të qartë në projektin - Identiteti evropian. Arkitektura e Bashkimit Evropian u frymëzua kryesisht nga kultura e etnive të saj, nga trashëgimia e diversitetit kulturor. ’’Krerët e shteteve dhe qeverive, kulturën e quajnë si, themelin kryesor të Evropës, e cila përcaktohet më pak nga gjeografia, se sa nga vlerat e përbashkëta që i bashkon popujt e saj.’’[1] Ndërkaq, artizani i ndërtimit evropian Denis de Rogemont, i cili kuptimin e nocionit kulturë e ka më të gjërë, shprehet se, ’’kultura është bashkimi i ëndrrave dhe punëve, të cilat synojnë realizimin e plotë të njeriut. Kultura kërkon të arrijë këtë marrëveshje paradoksale: të ndryshojë parimin e bashkimit, të thellojë dallimet, jo për t’i ndarë ato, por për t’i përmirësuar më tepër.[2] Politikat kulturore, gjithënjë e më shumë gjejnë vend në politikat e të ardhmes evropiane. Në frymën e globalizimit, deri më sot, janë miratuar deklarata të shumta dhe po implementohen programe kulturore disavjeçare, me qëllim të ngritjes së strategjive dhe gjetjes së teknikave të ndërkomunikimit kulturor. Ndëkaq, mekanizma të ndryshëm të Bashkimit Evropian në qendër të veprimtarive të tyre kanë projektuar dialogun ndërkulturor, këmbimin e përvojave ’’promovimin e identitetit evropian përmes promovimit të dallimeve kulturore’’.[3]

Kështu, një model i promovimit të diversiteteve, të ndërkomunikimit letrar e kulturor është edhe ai i festivaleve ndërkombëtare. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe tani një arenë, ku dialogohet nga afër në nivel subjekti letrar dhe kulturor, në nivel prodhimi letrar, gjuhësor dhe të atij etnik. Tek ata ekzistojnë hapësira përkatëse për të ngritur urat e një bashkëpunimi ndërkulturor, për të këmbyer përvojat dhe informacionet në mes artistëve, poetëve, njerëzve të muzikës etj, por, edhe në mes të operatorëve të ndryshëm kulturor. Festivalet paraqesin shenjën e një lëvizshmërie të përbërësve të strukturës së trashëgimisë dhe të diversitetit kulturor. Ata janë një kuvend, i një ndërkomunikimi shpirtëror e frymor, i një kryqëzimi të prirjeve dhe rrezatimeve të vlerave të zhvillimit të popujve nga qytetërime të ndryshme. Ta riafirmojmë, të diturën, se, ’’Kultura, ndodhet në zemër të qytetërimit dhe zhvillimit njerëzor’’.[4] Kualiteti i qytetërimit, ndikohet nga performanca e ndërtimit të një bashkëbisedimi, pra, “nga cilësia thelbësore e kuvendimit frymor dhe shpirtëror’’.[5] ’’Shpirti i një populli, thotë Alen Boske, pasqyrohet në poezinë e tij, më mirë se, në çdo formë tjetër të artit’’. Dialogimi i eksperiencave, koncepteve e ideve letrare të popujve të ndryshëm, përmes takimeve letrare dhe kulturore të formatit të një shënjuesi kulturor e letrar, shpërfaq më së miri ngecjet dhe ecuritë përkatëse të tyre.

Një model i këtillë i ndërkomunikimit bashkëkohor letrar e kulturor është padyshim edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ’’Ditët e Naimit’’ me seli në Tetovë. Ai u ngrit para 15 vitesh për të përkujtuar figurën e poetit tonë kombëtar. U ideua në frymën e ndërtimit të një komunikimi e dialogimi brendashqiptar, i cili ishte prerë me kufi getiozimi të totalitarizmit komunist dhe atij të hegjemonizmit sllav. Ky projektshënjuesi kulturor paraqiste një sprovë, ku do të vendoseshin pranë e pranë subjekti letrar e kulturor në përgjithësi, dhe letërsia shqipe, përkatësisht poezia shqipe në veçanti, si një dhe e pandarë në një dialogim mes veti dhe me vonë me ate të huajën. Takimi letrar i Tetovës, shenjoi rinjohjen mes vete, pra, aty u promovua ndërkomunikimi i shumëmunguar brendashqiptar. Më vonë, ky komunikim u zgjerua jashtë kufijve të arealit letrar e kulturor shqiptar. ’Ditët e Naimit’, thotë kritiku dhe njëri nga themeluesit e këtij institucioni, Ahmet Selmani, udhëhiqet nga një synim i këtillë, duke thyer barrierat pak nga pak, të arrijë atje ku është vonuar letërsia shqiptare, të paktën t’i hapë dyert dhe t’i krijojë këto mundësi ndërkomunikuese me botën...’’.

Në fjalët tona të hapjes së edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’, vazhdimisht kemi nënvizuar dhe afirmuar vlerat e ndërkomunikimeve bashkëkohore letrare e kulturore që kanë reflektuar 14 edicionet e këtij shenjuesi kulturor, i cili çuditërisht flet nga cepi i gjeokulturës sonë, Tetova. Mbase, kjo është edhe një tregues se, aty ku ndodh ndeshja e diversiteteve, kjo formë komunikimi favorizon shkëputjen nga ’’rrethi vicioz i provincializmit dhe izolimit kulturor’’,[6] rimburson rrjedhjet dhjetravjeçare në këtë drejtim, si dhe paraqet formën e vetëdijes sonë globaliste për të komunikuar, ruajtur dhe afirmuar identitetin tonë kulturor e shoqëror.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ’’Ditët e Naimit’’ është operatori i parë poetik dhe kulturor, i cili në krye të herës, e gjykoi si të domosdoshme rivendosjen e një infrastrukture moderne ndërkomunikimi me kulturën dhe letërsinë e huaj, (pra me subjektin poetik dhe me vetë poezinë botërore). Ky festival, ka marrë dimensionin e një institucioni të shquar kulturor, (… ) aktivitet ky, ku takohen jo thjesht poetët  e vendeve të ndryshme të botës, por para së gjithash, kulturat e popujve, si dëshmi komunikimi, njohjeje e stime reciproke.[7] Ai u bë prurësi dhe përhapësi i llojit të vet të multikulturalizmit, ku kryefjala është poezia, kjo ’’formulë magjike që i lidh njerëzit dhe popujt’’.[8]

Ismali Kadare, pas përfundimit të ediconit të VI të Festivalit, (ku u laurua me çmimin e madh ‘Naim Frashëri’), do të deklarojë, se ‘’Duke parë ate pjesëmarrje të gjërë të poetëve që vinin nga vende të ndryshme u pa qartë prirja për hapje drejt Evropës dhe botës. Kultura shqiptare dhe vetë kujtimi i Naimit të Madh, të gjitha këto bëjnë pjesë në qytetërimin evropian’’.[9]

Në këtë aktivitet të përvitshëm kulturor, i cili ngritet mbi një program të larmishëm të artit poetik, pamor, muzikor, e skenik vijnë dhjetëra poetë, piktorë, këngëtarë, aktorë të skenës dhe botues nga vende të ndryshme. Aty përmes aktiviteteve të shumta dhe të ndryshme brenda një edicioni, shpalosen vlerat e botës së artit dhe kulturës shqiptare, por edhe të asaj botërore. Janë një sërë performancash të leximeve letrare, përurime të librave të poetëve pjesëmarrës të botuara nga shtëpia botuese e festivalit, pastaj debate mbi letërsinë dhe artin nëpërgjithësi, sesione shkencore, ekspozita të pikturave dhe skulpturave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, revy e valleve dhe veshjeve kombëtare shqiptare të regjioneve të ndryshme, ekzekutime të korreve, interpretime të instrumentistëve, të këngëve folklorike dhe të muzikës klasike shqiptare, shfaqje teatrale, recitime të vargjeve të ndryshme të poetëve shqiptarë dhe atyre të huaj, vizita nëpër muze e monumente kulturore e fetare të qyteteve të ndryshme shqiptare, pastaj afirmimi i figurës dhe veprës së poetit tonë të madh Naim Frashëri, (emrin e të cilit e mban festivali), përmes ngritjes së shtatores së tij në qendër të Tetovës, organizimit të sesionit shkencor e botimit në një libër të punimeve të tij në 100 vjetorin e vdekjes, ndarjes së disa çmimeve që mbajnë dhe lidhen me emrin e tij, (si çmimi i madh ‘Naim Frashëri’, ‘Qiriu i Naimit’, dhe ‘Ditët e Naimit’), pastaj botimi i një kolane të gjërë librash të autorëve shqiptarë e të huaj, botimin e përvitshëm të antologjisë së poetëve pjesëmarrës (dy antologji edhe në gjuhë të huaja), katalogjet e ekopozitave të artit pamor, broshura e pankarta, web faqja e Festivalit etj., të cilët flasin për gamën e gjërë të shumsorësisë, shumëkuptimësisë, shumëzërësisë dhe shumëvlerësisë së ndërkomunikimeve të rrafsheve kulturore të këtij shenjuesi të madh e të rëndësishëm poetik e kulturor të shqiptarëve.

Pjesa kryesore e programit të Festivalit, zhvillohen në salla kulture dhe në amfiteatro të universiteteve, përplot me artdashës. Ndërkaq, hapjet si dhe mbylljet e Festivalit, që brenda vetes mbajnë një program me shumësi ngjarjesh kulturore, e që zhvillohet në një transmetim të drejtëpërdrejtë televiziv paraqesin një komunikim më të gjërë me pubilkun dhe shikuesin. Kështu, në këtë shenjues ndërkombëtar letrar e kulturor, ndërkomunikimi ndodh në disa rrafshe. Njëherë, brenda vetë  poetëve, pjesëmarrësve dhe arteve të tyre, pastaj në mes tyre dhe publikut shqiptar. Publiku dialogon drejtëpërsëdrejti me poetët. Ai, ka mundësinë e mirë të komunikimit edhe me poetikën, pra me vlerat artistike e estetike të lirikave të autorëve, herë në gjuhët origjinale të krijimit përmes leximit nga vetë poetët, e herë në gjuhën shqipe, përmes deklamimit nga ana e aktorit. Këtë komunikim me botën letrare të tyre e bën më të lehtë edhe antologjia e botuar e poezive të pjesëmarrësve, që publikut i servohet falas para fillimit të festivalit. Kjo antologji, e cila përmban, përveç poezive, shënime biografike, fotografitë e poetëve, ilustrime e piktura të shkollave të ndryshme të piktorëve, edhe parathënie nga kritikë dhe studiues të letërsisë, të cilët theksin e vendosin në rolin dhe rëndësinë që ka ky institucion letrar e kulturor në afirmimin e poezisë e kulturës shqiptare dhe të huaj, në këmbimin e përvojave dhe informacioneve, në dialogun ndërkulturor dhe në promovimin e diversiteteve kulturore. Në të gjitha antologjitë e botuara poetike të krijuesve pjesëmarrës, (…) është krijuar një bibliotekë e vyer dhe serioze, ku mund të hetohen tendencat dhe rrugëtimet estetike të poezisë së sotme botërore.[10] Kështu, pra ajo mundëson hetimin më të lehtë dhe më të shpejtë të shenjave universale e sistemin tematik e motivor të ligjërimit, mitet e legjendat, kompozicionin, figurën dhe stilin, sistemin e vargënimit etj.  Jep një pasqyrë të shënimeve mbi autorin dhe veprën e tij etj.

Në ‘Ditët e Naimit’, kemi edhe një tip komunikimi, i cili ndodh përmes përkthimit të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Këto përkthime vijnë nëpërmjet publikimeve të veçanta, si dhe përmes botimit të antologjive të poezisë së poetëve pjesëmarrës. Botimet elektronike, janë gjithashtu, një tjetër menyrë komunikimi e poezisë së poetëve, të cilët gjatë tërë vitit janë në dispozicion të lexuesit faqen e internetit. Poetët, theksuam më lartë se, realizojnë sipas programit vizita në qytete, ku takohen me qytetarë dhe veprimtari të tyre. Ata, njihen dhe marrin informacione mbi kulturat e ndryshme, por edhe ndikojnë në mënyrën e tyre të jetuarit. Pra, kemi ngritje të një komunikimi të drejtëpërdrejtë me botën shqiptare dhe të tjerëve të atij nënqielli. Poeti i ndjerë danez, Erik Stinus, i cili sëbashku me gruan e tij poete nga India dy herë ka qenë në Tetovë, pat deklarur, se ’’Ne jemi familjarizuar pak më shumë me popullin që na mirëpriti, me letërsinë e tyre, këngët e tyre, kulturën dhe historinë e tyre. Kjo përvojë do të duhej t'u garantohej të gjithë njerëzve - se sa i ngjajnë vetes së tyre’’.[11] Gjithsesi, në anën tjetër, ’’ky festival ka përcjellë natyrshëm dhe jehonën e poezisë e të kulturës shqiptare në këto vende, në të katër anët e rruzullit’’.[12] Pra, ata kanë objektivuar botën shqiptare, në poezi, cikle poezishë e vëllime të tëra, në tregime e romane, të cilat i kanë publikuar në gjuhët e tyre.

E gjithë kjo që thamë më lartë, provon se letërsisë, kulturës dhe qytetërimit tonë, me hapa të përshpejtuar i është dashur të rivendosë urat tradicionale të shkëputura të komunikimit me botën. Ndonëse, nën rregullat e frymës së hapjeve dhe të integrimeve, kjo infrastrukturë ekzistuese e shkëmbimeve kulturore e letrare nuk është më, aq funksionale. Sot, ato formate komunikimi kanë evoluar, siç kanë ndryshuar edhe sisteme e kode të tjera të ecurisë së zhvillimit të njerëzimit, duke iu përshtatur tendencave të reja, të cilat na i imponon epoka e botës së dialogimit dhe e frymës integruese, pra e asaj të globalizimit. Nën dritën e një formatimi të ri global, këtyre modeleve të interkomunikimit iu nevojitet një rishikim, pra një kod që do t’iu përgjigjet kërkesave, të cilat i dikton kjo epokë unifikuese.

Cila është vetëdija, sa ekziston gadishmëria dhe sa arrijmë ta akceptojmë nevojën e modifikimit të këtyre modeleve ndërkomunikuese, kur sa vjen e dëshmohet edhe përmes këtyre festivaleve poetike, se ’’poezia (letërsia-SH.E.) është një mjet interkomunikues dhe interkulturor, që mund të shfrytëzohet racionalisht dhe praktikisht edhe në këto kushte moderne, kur flitet për një frymë globale’’.[13]

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LITERATURA

 

1. ÇIRAKU, Prof.dr. Ymer: ‘Drita e poezisë’ (Parathënie e antologjisë ‘Këngë deti’), ‘’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2010

2. Denis de ROGEMONT: ”28 shekuj Evropë”, “Kultura”, Shkup, 1997

3. EUROMEDINCULTURES: ‘’Cili është vendi që zë kultura në Evropën e së nesërmes së bashkuar’’, Tiranë, 2010

4. FLAKA: ‘Manifestimi ishte dinjitoz’ (deklaratë e Ismail KADARE), 22 tetor 2002, Shkup

5. PRENTOSKA, Biljana: Programa ‘Kultura na Evropska Unija 2007-2013’ edinstvo vo raznolikost / unity in diversity, Skopje, 2009

6. SELMANI, Ahmet:‘Prurjet ekzotike të poezisë’ (Parathënie e antologjisë‘’Trokitje në mur’’),‘’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2004

7. SELMANI, Ahmet:‘Komunikimi poetik si utopi dhe vizion’ (Parathënie e antologjisë‘’Kur të digjemi’’, ’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2005

8. SELMANI, Ahmet:‘Misioranët e paqës së përjetshme’ (Parathënie e antologjisë ’Zogjtë që nuk ngordhin nga helmi’’, ’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2006

9. STINUS, Erik: Mbresat (http://ditetenaimit.org/index.php?option=com_content&view=article&id=95&Itemid=68&lang=sq)

10. TUFA, Dr. Agron:‘’Simfonia e qëndresës’’, (Parathënie e antologjisë së poetëve pjesëmarrës),‘’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2008

 

“DITËT E NAIMIT – A MODEL OF CONTEMPORARY LITERARY AND CULTURAL INTERCOMMUNICATION

 

Through years the literature has known different typologies and models of intercommunication. Along the time, these dialoguing stereotypes have carried forward the importance of literary development and affirmation. Such is also the festivals’ model, which is widely known in the cultural world. The international literary festivals worldwide represent special and unique communication stereotypes. They have been and still continue to be an arena, where there is a dialogue at a closer distance of at the level of a cultural and literary subject, at a level of literary, linguistic and ethnic product.

The quality of humanity, of civilization, depends on the performance of building a conversation, a dialogue, thus ‘from the spiritual dialoguing’. ‘The soul of a people is reflected in its poetry more than in any other art form’, Alain Bosque says. Thus, this dialogue of literary experiences of different ethnics through these literary events evidences the respective gaps and developments.

During our opening speeches of International Literary Festival ‘Ditët e Naimit’ (Tetova), we have continually isolated and affirmed the values and the role of the contemporary literary intercommunications, reflected in all the 14 editions of this cultural event, that strangely is held in the edge of our geo-culture. Maybe this is another indicator that, where there is a clash of diversities, this communication form supports the detachment ‘of the vicious circle of provincialism and cultural isolation’, reimburses the decennial losses in this concern and as well, represents the form of our global consciousness to communicate, preserving and affirming the cultural and social identity.

Except the dialogue through literary readings, discussions, the International Poetry Festival ‘Ditët e Naimit’ communicates through the translation of Albanian literature in other languages and vice versa. These translations come in special publications as well as in anthologies of participant poets. The electronic publications are another way of communication for poets and also the different book presentations during the festival’s days.

Under the light of a new global formatting of these intercommunicative models we need a reevaluation, a code representing the new demands that this unifying epoch suggests.

As for the willingness, what is the awareness and at what level can we accept the need for modification of these intercommunicative models in a time when we all are witness that in all ‘these literary festivals poetry is an intercommunication and inter-cultural mean that could be utilized rationally and practically in these modern conditions as well, globally speaking’.

 

Mr. Shaip EMËRLLAHU

The State University of Tetova

 

‘‘DITËT E NAIMIT’’ - MODEL I NDËRKOMUNIKIMIT BASHKËKOHOR LETRAR E KULTUROR

 

Letërsia ndër vite ka njohur modele dhe tipe të ndryshme ndërkomunikimi.  Në vazhdimësi këto stereotipe dialogimi, të cilat kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, kanë bartur peshën e zhvillimit dhe afirmimit letrar. Një nga ta është edhe modeli i festivaleve, i cili është mjaft i përhapur në botën kulturore. Festivalet ndërkombëtare letrare e kulturore, gjithandej nëpër botë, paraqesin stereotipe të veçanta komunikimesh. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një arenë, ku dialogohet nga afër në nivel subjekti letrar dhe kulturor, në nivel prodhimi letrar, gjuhësor, si dhe atij etnik.

Kualiteti i qytetërimit, i njerëzimit, mvaret nga performanca e ndërtimit të një bashkëbisedimi, pra ‘nga dialogimi shpirtëror dhe frymor’. ‘Shpirti i një populli pasqyrohet në poezinë e tij, më mirë se, në çdo formë tjetër të artit’ - thotë Alen Boske. Kështu, ky dialogim eksperiencash letrare të etnive përmes këtyre takimeve letrare shpërfaq ngecjet dhe ecuritë përkatëse.

Në fjalët tona të hapjes së edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’ (Tetovë), vazhdimisht kemi izoluar dhe afirmuar vlerat e ndërkomunikimeve bashkëkohore letrare e kulturore që kanë reflektuar 14 edicionet e këtij shënjuesi kulturor, i cili çuditërisht flet nga cepi i gjeokulturës sonë. Mbase, kjo është edhe një tregues se, aty ku ndodh ndeshja e diversiteteve, kjo formë komunikimi favorizon shkëputjen nga ‘rrethi vicioz i provincializmit dhe izolimit kulturor,’ rimburson rrjedhjet dhjetravjeçare në këtë drejtim, si dhe paraqet formën e vetëdijes sonë globaliste për të komunikuar, ruajtur dhe afirmuar identitetin kulturor e shoqëror.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ‘Ditët e Naimit’, përveç dialogimit nëpërmjet leximeve letrare, debateve letrare ajo komunikon edhe përmes përkthimit të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Këto përkthime vijnë nëpërmjet publikimeve të veçanta, si dhe përmes botimit të antologjive të poezisë së poetëve pjesëmarrës. Botimet elektronike janë një tjetër menyrë komunikimi e poezisë së poetëve, ashtu siç janë edhe përurimet e botimeve të ndryshme të edicionit të Festivalit.

Nën dritën e një formatimi të ri global këtyre modeleve të interkomunikimit iu nevojitet një rishikim, pra një kod që do t’iu përgjigjet kërkesave që i dikton kjo epokë unifikuese.

Sa ekziston gadishmëria, cila është vetëdija dhe sa arrijmë ta akceptojmë nevojën e modifikimit të këtyre modeleve ndërkomunikuese, kur sa vjen e dëshmohet edhe përmes këtyre festivaleve letrare se, ‘poezia është një mjet interkomunikues dhe interkulturor që mund të shfrytëzohet racionalisht dhe praktikisht edhe në këto kushte moderne, kur flitet për një frymë globale’..

 

Mr. Shaip EMËRLLAHU

Universiteti Shtetëror i Tetovës


[1] EUROMEDINCULTURES: ‘’Cili është vendi që zë kultura në Evropën e së nesërmes së bashkuar’’, f. 2, Tiranë, 2010

[2] Denis de ROGEMONT: ”28 shekuj Evropë”, “Kultura”, Shkup, 1997

[3] Biljana PRENTOSKA: Programa Kultura na Evropska Unija 2007-2013’ edinstvo vo raznolikost / unity in diversity, st..2, Skopje, 2009                                                                                                                               

[4] EUROMEDINCULTURES: Po aty, f. 3

[5] Dr. Agron TUFA: ‘’Simfonia e qëndresës’’, (Parathënie e antologjisë së poetëve pjesëmarrës), f. 10, ‘’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2008

[6] Dr. Agron TUFA: Po aty, f. 10

[7] Prof.dr. Ymer ÇIRAKU: ‘Drita e poezisë’ (Parathënie e antologjisë ‘Këngë deti’), f.5, ‘’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2010

[8] Ahmet SELMANI:‘Komunikimi poetik si utopi dhe vizion’ (Parathënie e antologjisë‘’Kur të digjemi’’, f.6 ’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2006

[9] Ismail KADARE:’’Ditët e Naimit’-manifestim dinjitoz’’ (deklaratë), f. 14, 22 tetor 2002, FLAKA, Shkup

[10] Prof.dr. Ymer ÇIRAKU: Po aty, f. 6

[11] Erik STINUS: Mbresat (http://ditetenaimit.org/index.php?option=com_content&view=article&id=95&Itemid=68&lang=sq)

[12] Prof.dr. Ymer ÇIRAKU: Po aty.

[13] Ahmet SELMANI:‘Misioranët e paqës së përjetshme’ (Parathënie e antologjisë ’Zogjtë që nuk ngordhin nga helmi’’, ’Ditët e Naimit’’, Tetovë, 2006



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora