E enjte, 25.04.2024, 06:50 PM (GMT+1)

Mendime

Fan Noli: Ju tregoj padrejtësinë mbi Kosovën

E marte, 19.02.2008, 07:57 PM


Ju tregoj padrejtësinë mbi Kosovën     

Shkruar nga Fan Noli    

Shumë të nderuarit D. Lloyd George

I nderuar Zotëri,

Fan Noli
Ne të nënshkruarit, anëtarë te Komitetit Kombëtar Shqiptar të Gjenevës, si zëdhënës besnikë të vullnetit të popullit shqiptar, kemi nderin të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Qeverisë së Madhërisë së Tij Britanike, dhe veçanërisht ndaj anëtarëve të Dhomës së Lordëve dhe Dhomës së Komuneve, për interesin dashamirës që ata kanë treguar kohët e fundit për sa i përket Shqipërisë.

Ne marrim guximin të deklarojmë që në këtë rrugë, kombi fisnik që ju përfaqësoni gjatë kësaj lufte, nuk ka qenë kurrë i pasinqertë ndaj traditave të tij dhe ndaj përgjegjësisë së tij të edukimit të popujve të Lindjes, pas çlirimit të tyre nga barbarizmi. Dhe kjo përgjegjësi, duke kaluar nga një brezni në tjetrën në Kombin Britanik, u shenjtërua duke u shndërruar në ligj prej fitores e triumfit të drejtësisë dhe të drejtave të kombeve, të cilat ju, i nderuar Zotëri, po shkoni t’i mbroni në Konferencën e Paqes.

Populli shqiptar besnikërisht e bashkon veten me gëzimin e njerëzimit dhe, përmes nesh, dëshiron të shprehë gëzimin e tij të sinqertë mbi këtë triumf, mbi det dhe mbi tokë të ushtrive të Perandorisë Britanike, të cilat ju keni qenë i aftë t’i udhëhiqni drejt fitores, i udhëhequr nga Hyu i gjithëpushtetshëm. Shqipëria, një prej shumë kombeve të vogla, tek të cilët fitorja juaj frymëzon shpresa të ligjshme, Ju drejtohet si Juve, ashtu edhe Presidentit Wilson, si dy burra shteti që Hyu ju ka emëruar si shpëtimtarë të kombeve; ajo ju kërkon të përkrahni të drejtat e saja, të dhunuara nga fqinjët e vet ballkanikë, ju lutet t’i dëgjoni me simpati ankesat e popullit të vet.

Të drejtat dhe kërkesat e popullit shqiptar janë më legjitime duke pasur parasysh faktin se shqiptarët kurrë nuk kanë shkelur mbi tokën e fqinjve të tyre; ndërsa këto të fundit, për shekuj me radhë, nuk kanë pushuar së invaduari nëpërmjet inkursioneve të tyre të përjetshme, propagandës dhe diplomacisë së tyre intensive, në territorin e pellazgëve të lashtë ose të kombit ilirian, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët.

Karakteri i pastër shqiptar i këtyre katër vilajeteve (provincave) është plotësisht i njohur nga të gjithë historianët modernë, nga të gjitha raportet konsullore dhe diplomatike, dhe zyrtarisht prej Kongresit të Berlinit (1878) kur Anglia frenoi oreksin e bullgarëve, e së fundi prej Komisionit Ndërkombëtar (1880) nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Lord Fitz Maurice, i cili është ende gjallë dhe mund të dëshmojë për këtë. Mes autorëve sllavo-bullgarë ne do të përmendim këtë: Profesori Schircoff përmend faktin historik të mëposhtëm në librin e tij mbi Maqedoninë: “Në vitin 1689 shqiptari Mustafa Pasha Kaprula, nxori përjashta trupat austriake të gjeneralit Piccolomini nga Kosova në drejtim të Veriut. Patriarku Arsen mblodhi të gjithë objektet e tij të vlefshme dhe i ndjekur prej një numri të madh arqipeshkësh, ipeshkvësh e murgjish, e drejtoi eksodin e turmave të serbëve dhe bullgarëve të tij, përtej Moravës dhe kufijve të Maqedonisë, drejt Beogradit dhe Bosnjës. Ky rrëfim i treguar tek Ambasadori rus është krejt i qartë”.

Serbi Dimitri Daridovitch, gjithashtu pohon se; “Në jug të Serbisë. Prishtina dhe Novi-Bazari janë jashtë tokave të banuara prej serbëve, pra në Shqipëri”. Murgu Paissis shton: “Prishtina, Gjakova, Elbasani dhe Shkodra i përkasin Shqipërisë etj.etj.”

Pavarësisht nga ekzistenca e këtyre provave të qarta, fqinjët ballkanikë dëshiruan, me ndihmën e sistemeve të tyre të pacipa arsimore dhe propagandistike, të depërtonin përmes këtyre rajoneve shqiptare të katër vilajeteve të lartpërmendura dhe. në këtë veprimtari, ato patën si bashkëpunëtore qeverinë turke e cila e pengoi me të gjitha mënyrat arsimimin e shqiptarëve, dhe duke ia lejuar këtë të drejtë turqve, grekëve, serbëve dhe bullgarëve. Lidhja Liberale Shqiptare e Prizrenit, me qëllim që të rregullojë këtë gjendje shkatërrimtare të problemeve, organizoi revolucionin shqiptar të vitit 1908, kundër Sulltan Hamitit.... Shqiptarët, përmes Kushtetutës, realizuan me shpejtësi, në hapësirën e pak viteve, evolucionin e tyre kombëtar me anën e shkollave dhe klubeve me një shtrirje të gjërë, të cilat shovinistët xhonturqë donin t’i shtypnin. Më pas vijuan revolucioni shqiptar në Kosovë dhe disfata e Turqëve të Rinj në Shkup, falë të cilave liberalët shqiptarë garantuan institucionet liberale të të gjithë kombësive të tjera ballkanike dhe mbështetën politikën anglo-franceze të kabinetit të Qamil Pashës me të gjitha energjitë e tyre.

Fatkeqësisht, kjo ringjallje kombëtare shqiptare, duke shkatërruar planet ziliqare të miqve tanë fqinjë, i nxiti ato, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë, të pushtonin katër provincat shqiptare të përmendura paraprakisht, të cilat i plaçkitën dhe i shkatërruan. Komisioni Rockfeller në raportin e tij përmendi metodat e shfarosjes të zbatuara prej pushtuesve të palavdishëm ndaj popullsisë së çarmatosur dhe të varfër shqiptare të kapur në befasi. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), serbët dhe malazezët, në sajë të veprimtarisë imperialiste cariste, aneksuan më shumë se gjysmën e territorit shqiptar dhe të gjitha këto vende të pasura dhe luftëtare të cilat, sipas shkrimtarit francez Hanoteaux, “jetojnë vetëm në liri dhe në pavarësi”. Mbreti Constantine, nga ana e tij, aneksoi Janinën, “kryeqytetin e Shqipërisë së Jugut”, për arsyen e thjeshtë se atje kishte banorë që flisnin greqisht, madje mund të thuhet se gjysma e Greqisë së sotme është thjeshtë një koloni shqiptare.

Kjo Shqipëri e vogël e krijuar në Londër, ndërsa e bënte jetën kombëtare shqiptare të pasigurtë, kënaqte oreksin e pangopur të ringjallur të fqinjve ballkanikë, të cilët, nën pretekstin e ndihmës ndaj udhëheqësit shqiptar Essad Pasha, i flakur tej tani prej të gjithë shqiptarëve, pushtuan Shqipërinë përsëri dhe e martirizuan atë. Dhe mania e këtyre shteteve ballkanike për të pushtuar Shqipërinë ishte e tillë saqë gjatë luftës së tanishme, si Constantini, ashtu edhe Nikolla (i Malit të Zi) e Pjetri (i Serbisë) nuk i lëshuan zotërimet e tyre në këtë vend, madje as kur armiqtë e tyre depërtuan brenda vendeve të tyre.
Tërheqja serbe përmes Shqipërisë (që u lejua nga shqiptarët mbasi ishte në pajtim me traditat e tyre mikpritëse), i solli këtij vendi epidemi të tmerrshme nga Serbia. Pushtimet e vazhdueshme armike të territorit shqiptar, epidemitë që e shoqëruan, përfunduan shkatërrimin e Shqipërisë në të njëjtën shkallë, madje mos më shumë se sa Serbia dhe Belgjika.

Shqiptarët, me ndihmën e tyre, i shërbyen edhe çështjes së shenjtë të vendeve aleate, p.sh. duke lehtësuar mjaft detyrën e trupave franceze,...ndihmuan në mënyrë të konsiderueshme proçesin e përzënies së austriakëve, dhe gjithashtu në Kosovë, me anë të revoltës së tyre kundër bullgarëve dhe gjermanëve, ata penguan çdo orvatje për rekrutim. Ne, këtu në Zvicër, kemi dhënë të gjithë mbështetjen tonë morale me të gjithë fuqinë tonë, dukë bërë të njëjtën marrëveshje për të njëjtin objekt, ashtu sikurse bashkatdhetarët tanë të Amerikës dhe të Rumanisë, ku kolonia shqiptare ofroi koefiçentin e vet të nevojshëm në ushtrinë rumune.

Dhe tani që fitorja, më së fundi, ka kurorëzuar punën e ushtrive aleate dhe imperializmi është përmbysur, ne marrim guximin të shpresojmë se kombet ballkanike të nxitura prej realizmit të aspiratave të tyre të verteta nacionale mbi parimin e të drejtave të kombeve, do të njohin të drejtat tona personale, dhe do të jenë të gatshëm të rikthejnë territoret shqiptare të shkëputura aq padrejtësisht nga Shqipëria. Është kjo arsyeja që ne kemi ardhur, i nderuar shkelqësi, të apelojmë tek ju, si njeri i drejtësisë, dhe tek qeveria britanike, duke Ju lutur të mbështesni të drejtat dhe pretendimet e popullit shqiptar të trajtuara aq padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Vetëm me një zgjidhje të tillë, Konferenca e Paqes do të bëjë një veprim të dobishëm dhe do të shmangë, për vendet ballkanike, trazirat të cilat do të jenë të pashmangshme në qoftë se drejtësia nuk do të bëhet dhe shqiptarëve nuk do t’u njihet autoktonia e tyre në trojet ku jetojnë në Ballkan. Me këtë shpresë, ne kërkojmë të mbesim, i nderuar Shkelqësi, Shërbëtorët tuaj të bindur dhe të përvuejtun.

Letër drejtuar kryeministrit anglez, Lloyd George, në konferencën e paqes 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora