Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet aktori Kliti Roshi, djali i “Artistit të Popullit” Kadri Roshi

| E diele, 02.10.2011, 01:44 PM |


“Dy pengjet e tim ati, që i vodhën Arturio Ui-në dhe që s’luajti dot Ali Pashën”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Klitin e kam njohur qysh kur isha gazetar në Athinë. Një njeri energjik dhe i dashur. Ikja e tij së bashku me lumin e madh të emigrantëve klandestinë (dhe pse ai erdhi me vizë) ishte fill pas largimit që i bënë nga Teatri Kombëtar me motivin se ishte bir komunisti. Ndonëse punonte në punë të ndryshme, ai kurrë nuk u largua nga profesioni i tij, aktrimi. Në shumë raste atë e ftonin në aktivitete të ndryshme apo i besonin role në filma të ndryshëm shqiptar apo shqiptaro-grekë. Ai kurrë nuk thoshte “jam djali i Kadri Roshit”, por mundohej që të zinte një pozicion në jetë me punën dhe vullnetin e tij. Brengë e tij sot janë pengjet që Kadri Roshi i mori me vete, por edhe heshtja, mosinteresimi për vlerësimin e të atit nga shteti dhe miqtë e tij, që sa qe gjallë s’linin ditë pa ardhur.

 

Si ndjehesh pa të madhin Kadri Roshi në shtëpi dhe në jetë?

 

E ndjej mungesën  e tij në çdo hap, por edhe ndjej praninë e tij në çdo hap.  Ai për mua është një aktor në radhë të parë. Unë atë qysh në vitin 1958 që erdha në jetë e njoha  si aktor dhe më vonë e mora vesh (qesh) që “isha dhe djali i tij”. Si aktor jo vetëm humbja e Kadri Roshit, por viti 2007 do të mbahet mend si viti i zisë për aktrimin shqiptar, sepse ikën një  numër i madh gjigantësh të skenës. Iku Kadri Roshi, iku Sulejman Pitarka, iku Violeta Manushi dhe pastaj Serafin Fanko.  Në këndvështrimin e dytë si baba, cili është ai fëmijë që nuk e do prezencën e prindit. Babai im iku në moshën 83 -vjeçare. Për mua iku para kohe, se  ai kishte ëndrra. Dhe kush ka ëndrra jeton shumë…

 

Kadriu ishte i prerë, atë që kishte, e thoshte, u ka thënë ndonjë peng?

 

 Im atë, siç  e ka deklaruar me gojën e tij, ka ikur i ngopur shpirtërisht. Megjithatë, ai ka ikur edhe me  tri brenga, më e rënda ishte që i “vodhën” në mënyrën më badinteske, për smirë apo egoizëm profesional rolin e tij në dramën Arturo Ui. Ky është dhe mbetet kryeroli i Kadri Roshit. Për këtë rol të madh ai vërtet ka investuar shumë. Spektatori dhe aktorët e kanë të qartë pse u bë kjo lojë. Arturo Ui ishte prerë dhe ishte qepur për Kadri Roshin. Xhivola ishte prerë dhe ishte qepur për Prokop Mimën, Xhiri ishte prerë dhe qepur për Ndrek Lucën, Doks Boruja vetëm për Dhimitër  Gjokën etj…Të sakrifikosh, të punosh me shpirt për këtë rol dhe në fund atë që e quan kryerol të mos filmohet, është një brengë e madhe…Brengë që e shprehte sa herë binte fjala.

 

Si e mban mend mëngjeseve apo gjatë ditës Kadri Roshin në memorien tënde kur do realizonte Arturo Ui dhe në vazhdim pengjet e tjera…?

 

Sa zbardhte dita, Kadri Roshin do ta gjeje me një cigare në gojë, apo më mirë të them, në cep të buzës. S’mund ta shikoje kurrë pa këtë cigare. Kadri Roshi nuk mund ta kuptonte jetën pa shkuar të paktën një herë në javë për peshkim. Dhe të kthehem në pyetjen e mëparshme, për të realizuar Arturo Ui, Kadriu i la këto dy “dashnore” për të dhënë atë rol që nuk mund të përsëritet. Pengu i dytë ishte në një rrafsh më të gjerë. Kadri Roshi ka qenë shumë patriot, e donte shumë atdheun e tij. Ai ka dashur të lartësohen vlerat reale kombëtare dhe për të Ali Pashë Tepelena ishte një vlerë shumë e madhe. Për atë figurë ai fliste gjithmonë. Kishte lexuar dhe stërlexuar shumë vepra që flisnin për të. Ai donte që dikush të bënte një skenar për të. Kadriut i qante zemra për atë rol apo figurë…Dhe brenga e tretë, që më vjen shumë keq, sepse më duket se fajtor jam unë (që në fakt nuk ishte për fajin tim) pasi ai nuk arriti të më shikonte të sistemuar në punë siç jam tani.

 

Po ju vetë a keni ndonjë brengë ndaj babait tuaj?

 

Po, kam. E para, që nuk e kam dëgjuar në vitet e adoleshencës kur unë vrapoja në grupet amatore për role të ndryshme dhe kisha lënë shkollën e lartë pas krahëve. Pra brenga ime ndaj tij ishte se unë nuk e bëra shkollën e lartë kur duhej ta bëja, në moshën e duhur, kur më thoshte Kadriu, por e bëra me vonesë. Brenga e dytë ishte kjo e punës. S’ishte faji im që më hoqën nga Teatri Popullor (siç quhej më parë) me motivacionin “Këlysh socialist”. Ky largim u kthye në hall për të dhe brengë për mua që i krijova shqetësim. 

 

Ju thoni se pas pesë vitesh nga vdekja Kadri Roshit nuk ndihet i vlerësuar. Ku e bazoni këtë deklarim?

 

Kam frikë se ndihet i harruar. Në radhë të parë nga ato pseudomiq. Sot dalin në pah. Ndoshta për interesa të vogla meskine, të dobëta ata e rrethonin Kadriun në çdo rast. Gjithë kohën ne do të kishim miq të tim eti në shtëpi çdo orë. Sot ata kanë pesë vjet që s’e dinë ku e ka shtëpinë. Tjetër, po sjell një shembull: Sallës së shfaqjes së Teatrit Kombëtar i vunë emrin Kadri Roshi, por në çdo aktivitet, në çdo njoftim në media nga Drejtoria e Teatrit Kombëtar asnjëherë nuk është thënë se veprimtaria zhvillohet në sallën “Kadri Roshi”, por në sallën e madhe. Dua të them se në Tiranë i është vënë emri i Kadri Roshit një rruge. Ajo rrugë ndodhet shumë në periferi të Tiranës, në një rrugë pa rrugë, pa asfalt. Nuk dua të fyej aspak banuesit e asaj rruge, por nuk është vlerësues ky fakt. Dhe më kryesorja, kryesorja është se në shtëpinë tonë nuk është vënë ajo pllakata që është vënë tek shumë shtëpi banimi të ish-personaliteteve me mbishkrimin “Në këtë shtëpi ka banuar “Artisti i Popullit” Kadri Roshi”. Sepse i takon, pasi vlerat e tij nuk po i them unë.

 

Këshilla më e mirë që të ka dhënë Kadri Roshi…

 

Një këshillë  shumë interesante, që unë e mbaj ndërmend sot e kësaj dite. Ishte 1 shtator 1984, ora 7 e gjysmë e mëngjesit. Ishte dita e parë e që shkoja në Institutin e Arteve. Ai më kapi tek supi tek dera dhe më tha: “Ke luajtur,  ke bërë çapkënllëqe, ke bërë zullume, prapësi, gjëra të mençura dhe të zgjuara, por këtej e tutje aty që do shkosh, asnjëherë nuk do thuash këtë e di. Të  gjitha mësimet do t’i dëgjosh si për herë të parë. Pra, mos u bëj mendjemadh, se ajo të shkatërron. Dhe së dyti, mos e përdor kurrë emrin tim. Puno, puno, djersitu, kërko!... Edhe sot këto këshilla i ruaj si margaritar, si udhërrëfyes të jetës time.