E premte, 19.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Vërtet beson në moralin e pështirë..?

E diele, 02.10.2011, 02:55 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

SYRI I RITES

 

KAPITULLI  NJËZET E TRE

 

Vërtet beson në moralin e pështirë..?

 

 Eli Begolli i kërkoi Rezeartes të vinte e te takohej me të.

 

Rrezearta porsa kapërceu derën e mesit që të çonte në korridor, dëgjoi Elin që bërtiste dhe lëvizte krahët e bëshme, si e prishur nga mendtë. Ajo qëndronte në mes të korridorit të katit të parë me këmishë nate. Një fëmijë, vajzë e vogël, disa muajsh i volli në përparëse. E vjella e saj ishte lumë vreri. Femijën e gjetën të braktisur në stacionin  e trenit. Eli shkoi në dhomën e saj, tërhoqi nga dollapi i vjetër përparëse tjetër, e veshi me bezdi pa ndërprerë ulërimat dhe të sharat.  Rrezearta kishte qëndruar mbështetur mbas murit. Eli bariti drejt saj, e vështroi një copë herë me habi, si ti thoshte, ‘çdo ti këtu.’ U kujtua, i ra ballit me pëllëmbë dhe pa përshëndetur i tha:

 

‘- Dy ankesa kundër teje kanë shkuar në komitet të qytetit, prej simotrat e shtëpisë së fëmijës. E lezetshme është se ato shushka të mjera, nuk kërkojnë tu jepet secilës dhomë më vete, të sistemohen si të gjithë bota, ngulmojnë pa kompromis ti hiqet dhoma Rrezeartës. Uh, kurvickat e gjora, dinë vetëm të pallohen. U ka marrë koka erë.’

 

Rrezearta mblodhi buzët dhe luajti kokën me trishtim:

 

‘-Para disa javësh ishte tek unë Valiu, shefi i strehimit,’- foli Rrezearta me zë të ulët duke vështruar mënjanë.

 

Eli Begolli tundi kryet me nervozizëm dhe shtroi përparësen e zhubrosur, mbërtheu tre kopsat e para dhe i a pat:

 

‘-Dhe ti nuk ja le, përzure me bisht në shalë goxha shef strehimi qyteti. Ai të dha një dhomë të mrekullueshme si fole pëllumbash. Ti pa u menduar gjatë i dhe duart!’

 

Rrezearta i nguli sytë me vëmendje fytyrës së mbufatur të Elit, ngriti supet.

 

‘-Eli,’- foli me zë të ulët: ‘-Nuk mund të veproja ndryshe.’

 

‘-Ashtu posi,’- ia pat Eli dhe vazhdoi të shtronte përparësen e zhubrosur: ‘-Ajo strehës e kërkon një çmim, ndryshe do mbash gjithë putanat e qytetit mbi shpinë.’

 

Vajza fërkoi me inat syrin e majtë, derisa e skuqi dhe mërmëriti:

 

‘-Eli, ti e dije?’

 

‘-Sigurisht që e dija,’- u përgjigj Eli me moskokëçarje. ‘-Ç’më di mua, shushkë, femër koti e prishur nga mendtë,hë!  Qe di të pastroj vetëm mutra e të vjella te dobicerve!’

 

‘-Nuk më lajmërove?’-e pyeti vajza e indinjuar.

 

‘-Të lajmëroja,’- bërtiti Eli e fyer, kësaj vajza kish filluat ti hynte vetja në qejf: ‘-Ç’është kjo pyetje idiote! Kush je ti, kush jam unë. Hiç. Sa për dijeni nuk jam jot ëmë, dhe as shoqja jote, gjithashtu nuk jam as postiere e broçkullave dhe epsheve të shkrehura njerëzore.’

 

‘-Eli të  lutem,’-ia bëri Rrezearta e zverdhur ne fytyrë.

 

Eli e vështroi pjerrët, me mundim mbuloi shkëndijimin e keq në sy dhe nënqeshi lehtë. Nuk e përkrahu dhe e inkurajoi Rrezeartën për mëshirë kristiane, si nënë Tereza që jetonte diku në Kalkutë të Indisë së largët, por ngaqë pëlqehej dhe lakmohej prej meshkujve; trupi, gjoksi, këmbët, mbi të gjitha fytyra ekspresive i bënte shefat tu binin jargët. Me marifet ajo donte ta fuste vajzën në çetë, ku bënin pjesë më të zgjedhurat dhe më të ndezurat e femrave të qytetit. Eli Begolli kish vite që luante rolin e madamës, afronte femra të reja të hijshme, të zjarrta. Zyrtarët e shtetit të lodhur prej detyrave të mëdha dhe streseve kishin nevojë për një strehë të ngrohtë ku të çlodheshin, të shfrynin epshet. Della me kompani e pranuan pa kompromis ofertën e Eli Begollit, por u flakën shumë shpejt tutje si kafshëza të vogla, të cilat u binin teneqesë, të linin në mes të rrugës, fshanin marrëzi dhe mendjeshkurtri të konceptueshme. Ato nuk ishin të denja të qëndronin në elitën e seksit qytetar. Në çetë merrte pjesë dhe nusja e plakut Pal Dograja, ishte energjike e papërmbajtshme në seks. Shef Valiu njihte mirë vrimë dhe vërushkë të asaj shtëpie.

 

Rrezearta ish tjetër brumë e bukur e zjarrtë e kujdesshme, si panterë e vogël, mbarsur dhe dështuar në moshë shumë të re e fshikulluar prej jetës, nëpërkëmbur, por jo e plandosur përtokë për tu bërë kleçkë në dhembët e të tjerëve. Eli Begolli mendoi se ndërhyri në kohë kur pa vajzën të dekurajuar.

 

‘-Rrezearta,’- nisi të fliste me kujdes dhe maturi Eli Begolli: ‘-Ti je fill e vetme në këtë botë, pa njeri të afërt, pa përkrahje. Jo pa qëllim të kam thënë: Njeriu në jetë duhet një mik të fuqishëm ti mbarojë punë dhe një armik ta vrasë. Të kujtohet?’

 

‘-Po..!’

 

‘-E pra, Valiu është padyshim mik i fuqishëm të mbaron punë, të mbështet në çdo hap të jetës...

 

‘-Eli, ti thua të bëhem dashnorja e tij?’ -e ndërpreu zëngjirur Rrezearta.

 

Eli mblodhi supet me moskokëçarje dhe i foli me ton të akullt:

 

            ‘-Ç’të keqe ka të bëhesh dashnorja e një personi me rëndësi në qytet, është një shans i rrallë. Po ju përsërit, një vajzë në moshën tuaj e do një pikë ku të mbështetet.’

 

            ‘-Eli me gjithë mend e ke? Të lutem mos më çmend, ti kërkon të bëhem kurvë?’ bërtiti Rrezearta me sa zë kishte në kokë. Ajo dridhej shkumëzonte prej inatit. Disa fëmijë jetimë zgjatën kokat të trembur.

 

            Eli hiqej tmerrësisht indiferente, ngriti dhe uli me përbuzje krahun e majtë dhe foli me ton të bezdisur:

 

            ‘-Kush thotë të bëhesh kurvë! Sa larg qëndron kurvëria! Vajzë kujdes, mos kalo në ekstrem të lutem, të dashurosh dikë, cilido qoftë ai nuk do të thotë kurvëri. Ti e di mirë unë bëra sa munda për ty.’

 

            ‘-Unë të jam mirënjohëse për sa keni bërë’- foli ultazi Rrezearta por pa shumë dëshirë.

 

            ‘-Atëherë përse nuk do të dëgjosh deri në fund  këshillat e mia të vyera? Kush të ka ndihmuar më shumë se unë në këtë botë të poshtër, hë fol kush?’- e pyeti drejtpërdrejt Eli Begolli: ‘-Rrezearta, dëgjomë mua që jam e rrahur me vaj dhe me uthull prej jetës, je në lule të moshës, mban erë trëndelinë, mos e lërë veten të shkosh për dhjamë qeni. Ti moj vajzë akoma nuk e kupton sa e pushtetshme do jesh mbi burrat, mbi të gjithë, po të kesh marrëdhënie me një person me pozitë. I madhi Zot këtë vrimë të shkretë, që gjendet në mes të shalëve të femrës, nuk krijoi vetëm për të bërë shurrën, por më shumë e krijoi si prag prehjeje seksuale të mrekullueshme, çmendurake, ndezëtare, që ngre dhe përplas përtokë një botë të tërë. Rrezeartë  të lutem mos i bjer të mirës me këmbë, një vajzë jetime askujt nuk i hyn në pjesë. Shijoje jetën ashtu siç të jepet pa kokëçarje...’

 

            Fytyra e Rrezeartës ish zverdhur, trupi i dridhej, goja po i bëhej e hidhur farmak, figura e edukatores Eli po humbiste nëpër pështjellime:

 

            ‘-Eli,’- e ndërpreu ajo me ton të rëndë: ‘-Mos më detyro të urrej. Për të dëgjuar lumin e turbulluar të fjalëve më thirre?’

 

‘-Për këtë thirra! Lumin e turbulluar të fjalëve! Kështu i quan ti këshillat e vyera?’ u grind Eli e nervozuar dhe kroi gjoksin me thonj derisa e gjakosi: ‘-Hëm! Nuk doje të thërrisja, nuk doje të vija në dijeni për letrat tendencioze, të poshtra të jetimeve të mjera kundër teje? Shumë keq e shpërdoron ndihmesën time të sinqertë. Mirë, mirë, mos u mërzit nuk të thërres më. Edhe nëse  kthehesh përsëri këtu të jetosh, nuk do të flas me gojë.’

 

‘-Eli të lutem, mos e tepro,’- ia bëri Rrezearta dhembështrënguar: ‘-Unë më mirë të mbytem dhe këtu nuk kthehem më.’

 

‘- Ha, ha, ha,’-ia pat Eli Begolli ajo dukej si e shkapërderdhur: ‘-Bëra shaka. Budallaqe e vogël, nuk të braktis ty Eli jo. Uf! Jam femër e rëndomtë. Femrat kur mplaken pështirosen, gjepurojnë pak si tepër. Sidoqoftë ti vajzë akoma beson në moralin e pështirë, askush nuk ka të drejtë të gjykojë ty. Ti i përket vetvetes, qysh kur erdhe këtu e mbështjellë lurek dhe deri tani. Flasim gjithnjë me idiotësi për moralin dhe ndershmërinë. Bah! Rrezeartë, ky moral që kujton ti ka shkuar si vapa me gushtin. Hëm, nuk ka përse të jesh më e mirë nga ç’duhet, mirësi të tilla shërbejnë vetëm në vendet e kultit, por edhe atje myku i kohës së vjetër të tërbon prej pervesitetit, ta sjell mendjen vërdallë. Kështu epshe të çartura, gjepura, marrëzira idealizma...

 

‘-Eli të besoj që jeni ajo që njoh unë, apo dikush tjetër? Më mirë më thuaj që jam shumë e lodhur,’- foli të ulët Rrezearta duke e vështruar ngulët, me dyshim dhe shtoi: ‘Ndoshta duhet të bëni pak pushim.’

 

‘-E jam, ca e lodhur, jam, ndoshta mund të bëj dhe pak pushim,’- mërmëriti Eli dhe fshiu me inat qafën e trashë që i kruhej prej djersës.

 

Eli Begolli ndjehej e nxehur me veten, rrëgjimi po e shkundte prej themeleve, nuk diti ti hidhte siç duhej me zgjuarsi kësaj bushtre të vogël. Mbase e inkurajoi më tepër nga ç’ishte e nevojshme, Ta kish lënë më gjatë nën kthetrat e Dellës dhe të nevojtores, shtëpisë së fëmijës. Idhnake e ndyrë kjo femër, harroi që hodhi një doç në plehra, qysh kur ish spurdhjake, hëm! Ç’e gjeti atë që bëri pallë, u shkërdhe si desh dhe me kë desh, me shefa dhe drejtorë. Eli Begolli kish qenë e plotfuqishme, vendimmarrëse e kudogjendur, ndoshta më shumë se Sekretari i parë i rrethit ose Kryetari i degës së punëve të brendshme. Të gjitha ata vinin në qytet me zulmë dhe bujë, iknin me bisht në shalë, disa prej tyre arrestoheshin në mesnatë dhe pushkatoheshin anës lumit me nga një plumb prapa kokës. Ndërsa Madama e respektuar qëndronte në pozicion, në krye të çetës, syri veshi, mendja e qytetit. Mbase ish koha të tërhiqej mënjanë...

 

 Për të davaritur mendimet e mugëta, Eli i a plasi të qeshurës me të madhe, ngriti sisët dhe rregulloi sutjenat e përdredhura. Kopsat e përparëses i kishte mbërthyer shtrembër, e zbërtheu. Duke tundur kokën lart e poshtë, filloi ti mbërthente kopsat nga e para. Ajo ishte nervoze e paduruar, xheloze e mjerë.

 

‘-U plake, harraqe e ndyrë,’- ulëriti me sa zë kishte në kokë: ‘-Po shkon për lesh Eli Begolli.’

 

‘-Eli të lutem, mjaft,’- foli ultas Rrezearta.

 

Gruaja e vështroi pjerrët:

 

‘-Mjaft thua, të vjen keq për matufen Eli? U ndjeva e zhgënjyer’- ajo dukej e shkërmoqur.

 

Rrezearta e vështroi pa folur, sytë e saj ishin të vëmendshëm shpues. Ajo u pendua që u kthye në shtëpinë e fëmijës. Lëvizi shpatullat e bezdisur dhe hodhi shikimin drejt derës. Eli u tremb, ndoshta vajza i a bleu mendimet.

 

‘-Nuk dua tu vijë keq,’- gërhiti: ‘-As ty e as një njeriu.’

 

‘-Jo nuk më vjen keq,’- u përgjigj vajza ftohtë: ‘-Eli, ti sigurisht nuk e do mëshirën?’

 

‘-E urrej keqardhjen, edhe ti gjithashtu?’

 

‘-Po.’

 

Eli u kollit, kërkoi gëlbazën në fyt me zhurmë, e gjeti, e vërtiti nëpër gojë, bëri buzët rrotullak, e flaku, pështyu përdhe, u kthye dhe vështroi buzagaz drejt vajzës:

 

‘-Rrezeartë mirë bëre që nuk ja le dhe e zbove me hosten atë steril muti. Përherë një lepur i shpifur, këf- këf dhe asgjë. Do ta neveriste atë punë.’

 

Eli donte ti thoshte gjithashtu se Valiu ishte i frymë me një mllef të madh të hidhur, por heshti. Vajza po shkiste larg, ndjehej e përgjegjshme se kish bërë mjaft. Kjo teveqele kujtonte se dhuratat falen pa interes dhe bota ish lesh arapi. Tani le ti bënte vetë ballë furisë dhe hakmarrjes së shef Valiut.

 

Rrezearta e dëgjonte pa folur. Eli ishte si gjithnjë e mirinformuar, fjalë ndyrë, pa dallime të veçanta nga banorët, punonjësit e shtëpisë së fëmijës.

 

Diku matanë u dëgjua zhurmë e madhe, thyerje xhamash. Vajza ishte në pritje të ndonjë këshille të saj, ndërsa Eli zë grindur befas i tha:

 

‘-Ikë tani Rrezeartë, mbushu, e ndjej, po më kërcejnë përsëri nervat. Ky azil muti po më ha të gjallë, se sheh po më bluan kockat.’

 

Vështrimi i Elit ishte i errët, i egër, kroi grykën me nervozizëm, mblodhi gëlbazën  e rrotulloi një copë herë nëpër gojë e bëri lëmsh të lagësht dhe e flaku në qoshe të korridorit me forcë. Me shumë mundim e kish përmbajtur vrerin të derdhej nëpër korridor, gëlbaza ish një pako gjë, duhej të flakte shumë të tilla, ndryshe do plandosej në shtrat e shpartalluar.  Eli nuk i durohej sa ti kthente shpinën, por jo ta harronte. Nuk mund të falte dhe të hidhte mbi shpinë me moskokëçarje një gjë që e gatoi me kujdes. Ujkonjave të vjetra plagët dhe dhembjet nuk u shërohen shpejt, u kollit me zhurmë dhe u drejtua me shpejtësi, duke u tundur, ngjitur shkallët si patë e shqyer.

 

Rrezearta vështroi një copë herë e menduar, muret, dyert e deformuara nga lagështia dhe dyshemenë e pistë të katit të parë. Në katin e dytë, ndoshta e në të tretin u dëgjuan të bërtiturat e Elit dhe dyert që përplaseshin.

 

‘-Mbani qetësi dreqi e morri,’- u dëgjuan të bërtiturat e Elit.

 

Rrënimi po trokiste zhurmshëm në shtëpinë e fëmijëve ‘Meri’ Qindra fëmijë të vobektë kishin lënë nëpër mure gjurmët e tyre, pikëllimin, trishtimin , ngashërimin, shpresën e vakët, ëndrrat e shurdhëta, ngazëllimin e beftë. Të gjitha po thërrmoheshin ngadalë, me neps prej lagështirës...

 

Vajza iu mblodh një lëmsh në fyt, doli me hapa të shpejtë...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora