Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Intervistë me Nazim Gagicën, këngëtar

| E shtune, 01.10.2011, 05:24 PM |


Intervistë me Nazim Gagicën, këngëtar

 

Nazim Gagica, një zë melankolik i këngës shqipe...

 

Intervistoi: Tefik Selimi

 

Nazim Gaguca është emër i njohur si këngëtar. Ai ka një “botë” të veçantë të tijën prej këngëtarit. Është modest dhe kënga e tij ka ton të dhimshëm. Arti i këngës, Nazimit iu bë “shok” i pa ndashëm i jetës. Pa te, thotë Nazimi Gaguca, nuk di çka është jeta, lumturia, gëzimi, hareja, dashuria e shoqëria... Nazimi jeton në Gjilan dhe, një pjesë të kohës e kalon me shokë e shoqe në shtëpinë e kulturës. Aty e ka “çerdhen” e shoqërimit me shokë e shoqe të artit. Kur e kërkuam këtë këngëtar gjilanas për të zhvilluar një bisedë për gazetë, nuk e patëm vështirë. Ate e gjetëm afër Teatrit profesional të Gjilanit. Bisedës sonë iu përgjigj Nazimi me kënaqësi  të veçantë.

 

-          Si e keni filluar këndimin?

 

Nazim Gagica: Dihet: si sot më kujtohet mosha ime 12-vjeçare kur kam filluar të këndoj. Kjo mund të merret si fillimi i “karierës” sime, edhe pse kam filluar të këndoj edhe më heret, por paraqitja e parë formale para publikut ka qenë kjo moshë. E dij se u paraqita të këndoj në një concert të organizuar për mërgimtarët tanë. Do të thotë se, këngës ia fillova ta interpretoj në moshën 21-vjeçare për ta vazhduar edhe 23 vjet të tjera këtë “zanat” shpirti e zemre që shumë herë krenohesha e ndonjeherë pendohesha për zanatin që e ushtroja, përshkak të sfidave të jetës, barrierave dhe konkurencës jo reale që mbizotëronte në tregun dhe industrinë e artit muzikor tek ne.

 

-           Pse e keni adhuruar këngën dhe a ka diçka tjetër që e keni dashur?

 

Nazim Gagica: Nuk di kush nuk e do këngën! Edhe ai që është i sëmurë, e adhuron këngën, tungujt, melodinë, ritmin e ngjyrat tjera të këngës... Tek unë ka ngjarë diç tjetër. Ndikimi i rrethit, e sidomos ai i familjes, më bëri që unë të mishërohem me këngën, artin e shpirtit. Dhe, u  rrita me këtë art shpirtëror, sepse edhe në rrethin ku jetoj, kënga nuk ndalet dhe jehon dhe ecën përpara. Edhe në familjen time kënga ndëgjohet me ëndje, edhe ato këngë të cilat kanë vlerë dhe bartin mesazhe kombëtare. E, këtu vlen të përmenden këngët që vinin nga këngëtarët nga Shqipëria, por edhe këngëtarët nga Kosova. Këtij profesioni iu pata rrekur apo përkushtuar shumë sa nuk ka diçka tjetër që do të zëvendësonte ose ta doja më shumë se këngën në atë kohë, por edhe sot vlen kjo.

 

-          Cila është biografia e juaj?

 

Nazim Gagica: Po. E qartë është dhe e shkurtër. Jetoj në Gjilan. Jam i martuar. Kam një djalë, emërin e ka Marson. Si të gjithë të tjerët, veproj dhe punoj  në Gjilan dhe e dua shumë qytetin tim të lindjes. Dhe, është qytet i bukur, pse jo?

 

-          Çfarë shkollimi keni bërë dhe a keni kënduar gjatë kësaj kohe?

 

Nazim Gagica: Dihet, përveç këndimit, kam edhe një profesion tjetër. E kam mbaruar fakultetin ekonomik - drejtimi menaxhment. Tani jam në fund të studimeve Master në menaxhment të fushës së ekonomisë. Natyrisht, këngën e dua dhe asnjëherë nuk ndahem nga ajo. E kam kënduar edhe gjatë kryerjes së studimeve, edhe pse arti dhe ekonomia e kanë “një deti në mes”, sepse në ekonomitë e vendeve në tranzicion, arti nuk sjell ndonjë benefit material për artistët dhe familjet e tyre, sepse inputet janë më të mëdhaja se outputet...

 

-          Cilat janë shpërblimet e juaja si këngëtar?

 

Nazim Gagica: Janë të shumta, pse jo? Në vitin 1994 kam zënë vendin e parë në Festivalin “Vullneti 94” në Gjilan. Mandej, në vitin 1996 jam shpallur si këngëtari më i mirë në Festavilin gjithë kombëtar të këngës popullore që mbahej në Preshevë. Po ashtu, në vitin1995, 96, 2000 dhe 2001 kam zënë vendet e para në manifestimin kulturor “Flaka e Janarit në Gjilan; mandej kam marrë pjesë në Festivalin e videoklipeve “Videofesti” 2004 me këngën “Kthehuni me legjendat”, ku kam qenë i nominuar në tri kategori për videoklipin më të mirë. Po ashtu, suksese kam pasur edhe me videoklipet që ishin edhe hite të mia me titull “Mbretëresha pa kurorë” dhe me videklipin tjetër “Sonte po të pres”. Ishte një një ndër çmimet më domethënëse,  përshkak konkurencës që kishte nga të gjitha viset shqiptare.

 

-          A keni lavdërata dhe cilat janë ato?

 

Nazim Gagica: Për hir të modestisë sime, këto të mira s’po i përmendi aq, se më janë të shumta, si shpërblimet po ashtu edhe lavdratat. Ato diku janë rreth 50 sosh, të cilat më kanë shërbyer vetëm si satisfaksion moral dhe benefit shpirtëror.

 

“Bota sot”: Me cilin Ansambël keni filluar dhe, a jeni aty apo diku tjetër?

 

Nazim Gagica: Në fillim kam “punuar” si këngëtar në të gjitha Ansamblet që kanë vepruar dhe veprojne edhe sot në Gjilan, duke filluar nga Ansamblit “Gurra” e deri te Ansambli “GJILANIi” nga Gjilani. Atëherë kur më janë mundësitë,  jam e do të jem edhe më pjesë e aktiviteteve të këtyre Ansambleve në fjalë, ku këndova dhe përfitova përvojën time si këngëtar.

 

-          Si e mendoni artin e këngës: a është diçka shpirtërore?

 

Nazim Gagica: Shihni, arti është magji dhe të rrëmben. Nuk ka më bukur se arti i këngës. Edhe unë e kuptoj se ky art është më tepër shpirtëror, por dita-ditës është kah bëhë art komercial.

 

-           A ka këngë që e thotë  jetën  tuaj?

 

Nazim Gagica: Secili krijues apo artist, në një mënyrë a tjetër, e ka një pjesë të tijën në art. Pra, është vetë arti apo jeta e tij. Aty është vetja dhe s’ka më bukur se ta këndosh jetën tuaj në art. Edhe unë, varësisht prej momentit emocional, shpirti e gjen vetë këngën që i përshtat momentit që e rrëfen jetën time. Ka diçka që është egoja personale.

 

-          Cilin zhanër të këngë këndoni?

 

Nazim Gagica: Natyrisht, të gjitha zhanret, por me ëndje këngën popullore dhe ate burimore i interpretoj me dashrui të madhe. E dua këngën, se ajo me jep kurajo dhe  jetoj me këngë...

 

-          A ju ndihmon ndokush në tekstet e këngës dhe cilët janë ata?

 

Nazim Gagica: Nuk ka këngëtar që nuk bashkëpunon me dikë që di të krijojë tekste. Unë kam bashkëpunuar e bashkëpunoj me shumë autorë  tekstesh, si janë: Tahir Arifi, Sarë Gjergji, A. Trebicka si dhe shume kompozitorë si Adrian Hila nga Shqipëria, Branko Popqevski nga Maqedonia, Ylber Asllani, Dritëro Shaqirin, Demir Krasniqin e shumë të tjerë.

 

-          Si  është jeta e këngëtarit këtu në Gjilan?

 

Nazim Gagica: Jeta e shumë këngëtarëve gjilanas është sezonale, sa i përket përfitimeve matriale. Ndërsa, ajo është e mbushur me aktivitete vullnetare nga kërkesat që vijnë prej institucoineve, shoqatave dhe grupeve organizative që krijohen për ndonjë qëllim të caktuar. Nuk është pa aktivitet, por do të duhej të jetë edhe më e gjallë...

 

-          A mund të shtoni edhe diçka që nuk ju kam pyetur?

 

Nazim Gagica: Tani jam duke bashkëpunuar me këngëtaren e madhe Violeta Kukaj, me të cilën kam një bashkëpunim të mirë. Ky bashkëpunim do të kurorëzohet me këndimin tonë si duet i ndonjë kënge.

 

“Bota sot”: Porosia e fundit e juaja për këngëtarët e rinj?

 

Nazim Gagica: Këngëtarët e rinj duhet të jenë fleksibilë ndaj tregut dhe duhet të  jenë në trend me jetën e interpretimit të kënges. Populli thotë ”Në treg të domateve duhet të shiten demote”. Pra, nëse kërkohet tallava, këndoni tallava, por mos e harroni kurrë këngën e mirëfilltë shqipe.

 

Gjilan, 25 shtator