E enjte, 28.03.2024, 09:14 PM (GMT)

Mendime

Mustafa Nano: Pavaresia erdhi. Po tani?

E marte, 19.02.2008, 06:29 PM


Pavaresia erdhi. Po tani?

Nga Mustafa Nano

Ajo që pritej, ndodhi. Kosova shpalli pavarësinë prej Beogradit. Duhet theksuar kjo: prej Beogradit. Me fjalë të tjera, qysh prej ditës së diel, datë 17 shkurt 2008, Kosova nuk është më pjesë e entitetit shtetëror serb. Serbët dhe rusët nxituan ta dënonin këtë akt unilateral të afirmimit shtetëror, por reagimi i tyre nuk duket se do ta frenojë procesin e krijimit e të njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri të planetit. Fuqitë e mëdha euroatlantike - por jo vetëm ato - janë bërë gati të lidhin marrëdhënie bilaterale me Kosovën e pavarur. SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia nuk e kanë fshehur faktin, që shpallja e pavarësisë nga ana e shqiptarëve të Kosovës ka pasur miratimin e tyre. Dhe në të vërtetë, janë këto shtete që do të përurojnë procesin e njohjes së shtetit të ri ballkanik.

Çfarë do të ndodhë më tej? Askush nuk e di me saktësi se sa e gjatë do të jetë periudha, në harkun e së cilës do të bëhet formalizimi i Kosovës si anëtar de jure i komunitetit të shteteve të botës. Por kjo nuk duket se është e rëndësishme e nuk duket se shqetëson askënd (përveç rusëve e serbëve, natyrisht). Deri atëherë, Kosova do të jetë në çdo pikëpamje nën protektoratin europian, gjë që përbën një ogur të mirë për të ardhshmen e saj. Misioni i BE-së, i cili pritet të hipë shumë shpejt në "fronin" e UNMIK-ut, ndonëse së jashtmi është një akt përqeshjeje i pavarësisë së saposhpallur (në fakt, edhe për shumë vite, Kosova nuk do të jetë de facto e pavarur), është megjithatë një shprehje e vullnetit europian për të mos lënë të tjerët (nënkupto: Rusinë) të futin hundët në punët e kontinentit të vjetër. Sipas të gjitha gjasave, BE-ja do të jetë e pranishme në Kosovë deri në momentin që kjo e fundit do të bëhet anëtare e vetë BE-së. Kompetencat e saj në administrimin e Kosovës do të vijnë gradualisht, duke u pakësuar, por prania e saj do të ketë gjithë kohën një simbolikë të fortë, përballë së cilës rusët nuk do dinë ç‘të bëjnë.

Po në planin e brendshëm si do të rrjedhin gjërat? Në këtë pikë e ardhshmja, qoftë dhe ajo imediate, është më pak e lexueshme. Serbët e Kosovës nuk kanë arsye të ndihen mirë në rrethanat e reja, e për këtë arsye, të sponsorizuar prej atdheut mëmë, do të tentojnë të njollosin e komprometojnë idenë e një Kosove të pavarur e sovrane. Për t‘i shtruar e urtësuar ata, do të lipset një vullnet i qartë nga ana e shqiptarëve për të respektuar deri në një të gjitha të drejtat e tyre si pakicë etnike. Në këtë drejtim, në pikëpamje deklarative, janë dhënë të gjitha garancitë. Garanci të tilla do të jepen edhe në pikëpamje ligjore e juridike (nën asistencën e europianëve, korpusi ligjor e kushtetues që pritet të ngrihet, do të përmbushë deri në një standardet e njohura të respektimit të pakicave). Por afërmendsh kjo nuk mjafton. Lipsen edhe garanci të tjera, të cilat nuk vijnë prej asnjë retorike e prej asnjë ligji; përkundrazi, vijnë prej një gatishmërie kolektive të shqiptarëve për t‘i bërë ata që ta ndjejnë Kosovën si vendin e tyre e që ta ndjejnë vetveten si qytetarë të klasit të parë, bash të barabartë me shqiptarët.

Është e mundur kjo? Pikërisht në këtë pikë duhet të këmbëngulë më së shumti misioni i BE-së, por - kjo është shumë e rëndësishme - duke mos krijuar iluzione te ta, se zgjidhja e statusit dhe e punëve të tyre mund të vijë eventualisht nëpërmjet ndarjes e copëtimit të Kosovës. Nuk dihet se me ç‘synim është adoptuar flamuri i ri, por harta integrale e Kosovës në sfondin e kaltër përcjell qysh në fillim idenë se Kosova do të jetë një dhe e pandarë. Është një gjetje që s‘ka të sharë.

Nuk është se me këtë mbarojnë sfidat në planin lokal. Shqiptarët e Kosovës do të heqin shumë në përpjekjet për të ndërtuar demokracinë e shtetin e së drejtës. Deri më sot nuk ekziston as njëra, as tjetra. Nga shumëkush kjo mund të shpjegohet pjesërisht me situatën e pasluftës, ku kosovarëve nuk u është lënë asnjë hapësirë e asnjë e drejtë për të ndërtuar sipas shijeve e dijeve të tyre një ngrehinë demokratike e ligjore, por duhet thënë se kjo situatë ka qenë fatlume për ta. Nëse kosovarët do të ishin lënë të lirë të ndërtonin një entitet shtetëror e një terren të garës e të dialektikës demokratike, punët me siguri do të ishin më keq se sa kaq. Si zor të besohet se pa praninë e fortë të komunitetit ndërkombëtar në rolin e një supervizori, këshilluesi apo gardiani, kosovarët do t‘ia dilnin mbanë të mbanin zgjedhje të qeta.

Problemet pra mund të fillojnë tani; dhe kjo nuk është gjuhë tersësh. Absolutisht jo. Mundimi e kalvari në rrugën drejt ndërtimit të demokracisë liberale e të shtetit të së drejtës janë në logjikën e gjërave. Shqiptarët e Kosovës, ashtu si shqiptarët e Shqipërisë, madje më shumë se këta të fundit, janë të pastërvitur për të ndërtuar demokracinë e për të jetuar në demokraci. Shqiptarët e Kosovës dallohen qartazi për një mentalitet e qasje tribale në jetën e përditshme komunitare. Kjo përmasë tribale u vu re edhe ditën e shpalljes së pavarësisë, në ato dy-tri fjalime të shkurtra që u mbajtën në Parlament. Të gjithë folësit, në kapardisjen e ngutin patriotik për t‘i bërë homazh Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit, gjenin karar te një formulim tribal: në këtë ditë të shënuar ne përshëndesim familjen Rugova e familjen Jashari. Dhe ndërkohë kamerat televizive nuk përtonin të fokusoheshin te gruaja e urtë e Rugovës dhe te një pinjoll i Jasharëve, mustaqet atipike të të cilit silleshin si një simbol karakterizues e i pashkëmbyeshëm i familjes, fisit, klanit, tribusë. Vini re: Thaçi, Sejdiu e Krasniqi i shohin Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin si pjella apo si prijës të një klani, e jo si individë kurajozë e vizionarë.

Sa më sipër, mund të ngjajë me një vëzhgim të kërkuar e mistrec, por edhe jashtë e përtej këtij vëzhgimi, të gjithë ne e dimë se natyra tribale është një element dallues i botës shqiptare. Dhe është kjo natyrë që na pengon më së shumti në tentativën për të ndërtuar një shtet modern e një demokraci gjenuine. Është kjo natyrë që ka penguar modernizimin e Shqipërisë dhe emancipimin e politikës shqiptare gjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit. Duhet uruar që shqiptarët e Kosovës të kenë nxjerrë mësime nga ajo që ka ndodhur në Shqipërinë postkomuniste. Duhet shpresuar në fund të fundit që prania e misionit të BE-së të shërbejë si një fren i pulsioneve tribale, të cilat mund të manifestohen edhe në retorikën politike të përditshme, edhe në organizimin politik të Kosovës, edhe në ndërtimin e administratës publike, edhe … kështu me radhë.

Si do të shkojë puna me këto sfida e me të tjera si këto? Ja, kjo është përgjigja që presim nga Kosova e re e pavarur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora