Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Korrigjimi, morali i qeverisjes së re të Tiranës

| E shtune, 01.10.2011, 05:59 PM |


Korrigjimi, morali i qeverisjes së re të Tiranës

 

Nga Lavdrim Lita

 

Si në nivelin qendror, ashtu dhe në atë lokal, shteti shqiptar po bën një përpjekje serioze për të qenë si e gjithë Europa. Kudo në qytetet dhe rrugët e Europës pastërtia e ambientit është e një cilësie dhe një standardi që shpesh herë ka bërë që shqiptarët të shqiptojmë “ah sikur dhe Shqipëria…”. Ajo ditë duket se ka ardhur. Ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i administratorëve të këtij vendi ka arritur pjekurinë estetike dhe logjike që ambienti jonë të përmirësohet dhe të arrijë kapjen e disa standardeve europiane.

Është një gjest shumë sinjifikativ lëshimi i dy “ultimatumeve” për të përmirësuar mjedisin ku jetojmë. Ultimatumi i parë ka ardhur nga qeveria qendrore dhe ka të bëjë me heqjen e makinave të prishura anës rrugës. Pak kohë me parë kryeministri Berisha kërkoi në një mbledhje qeverie që të gjitha varrezat e automjeteve të spostoheshin një kilometër larg nga rrugët nacionale. Sidozot varrezat e makinave janë një dukuri që është përhapur gjerësisht në të gjitha qytetet e Shqipërisë. E shohim sesi në periferi të qyteteve ose buzë akseve kombëtare ndodhen kodra të ndryshkura me makina të vjetra dhe të përplasura. Padyshim prania në afërsi të rrugës i bën ato lehtësisht të vizitueshme nga ata që kërkojnë një pjesë këmbimi, të cilën nuk kanë mundësi financiare ta blejnë të re apo më keq akoma kur nuk e gjejnë në treg. Kësaj praktike duket se i ka ardhur fundi me miratimin e një akti-normativ të qeverisë Berisha të miratuar me datë 5 shtator ku theksohet se varrezat e makinave që janë të vendosura buzë akseve rrugore kombëtare duhet që të zhvendosen të paktën një kilometër larg nga këto akse, ose, në të kundërt, do të merren masa konfiskimi. Me datë 8 tetor skadon ultimatumi.

Kurse “ultimatumi” i dytë vjen nga Bashkia Tiranë. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka kërkuar që hapësirat publike të lirohen urgjentisht deri me datë 1 tetor, në të kundërt do të merret masa e konfiskimit. Ky është afati që prek pronarët e bareve dhe restoranteve, të cilët në mënyrë abuzive kanë zënë vend-parkimet, apo trotuaret me tavolina. Sigurisht nëse nuk zbatohet, do të ketë penalizime. Sepse të shumta kanë qenë ankesat e qytetarëve, ndaj Bashkia ka vepruar shpejt dhe drejt me një paralajmërim, sipas ligjit për zënien e hapësirave publike.

Sigurisht fenomeni është më i gjerë sesa tavolinat dhe karriget mbi trotuar të lokale të ndryshme, por edhe “tregtarët” ambulantë, që shesin paketa cigaresh, stilolapsa, misra, gështenja të pjekura, libra, etj, papaguar asnjë taksë, që lëvizin pa rregull, sipas qejfit, por edhe ata do të kenë të njëjtin “fat”. Do të duhet të lirojnë urgjent trotuaret dhe cepat e rrugëve që kanë zënë vend e pa vend, pa pyetur askënd. Ditët e fundit Bashkia Tiranë rehabilitoi një parking të paligjshëm në ish-parkun Rinia, të përvetësuar me dashamirësinë e administratës Rama. Gjithsesi “pushtimi” i heshtur i hapësirës publike, të përbashkëta për të gjithë qytetarët është një fenomen tejet shqetësues, tipik shqiptar, çka dëften për marrëdhëniet tonë të vështirë me pronën, si atë publike, po ashtu atë të përbashkët.

Këto dy “ultimatume” kundrejt abuzuesve të hapësirave publike janë një sinjal i jashtëzakonshëm për forcën e Shtetit ligjor dhe mesazhi i rikthimit në krah të qytetarëve të zakonshëm, që shpesh vuajnë nga privimi i padrejtë i ambienteve të përbashkëta publike. Janë gjeste që duhet të lexohet drejt edhe nga opozita që reagon pa takt dhe me një arrogancë të pashoq ndaj Aktit-normativ të qeverisë Berisha për zhvendosjen e plot “290 vendgrumbullimeve për largimin e mbetjeve të automjeteve 1 km larg akseve kryesore”. Për aplikimin e këtij akti, janë të përfshira ministria e Mjedisit, ministria e Transportit, ministria e Financave si dhe ministria e Mbrojtjes, e cila do të bëjë të mundur përmes Forcave të Armatosura largimin e makinave që nuk përdoren më.

Sido që të jetë, këto dy vendime janë për t’u përshëndetur sepse sjellin parimet dhe standardet e Europës midis nesh. Shqipëria si e gjithë Europa fillon të zgjidhjen e problemeve të përditshme, në dukje të vogla, por që kanë një impakt të jashtëzakonshëm të cilësinë e bashkëjetesës civile. Mesazhi është i qartë dhe i shkurtër për të gjithë. Zbatimi i këtyre dy “ultimatumeve” është jo vetëm një akt përgjegjësie ligjore përballë shtetit ligjor, por edhe një detyrim moral, qytetar i angazhimit tonë për të qenë një shoqëri që korrigjohet me ndërgjegjësim dhe dashuri për tjetrin.