E premte, 19.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Të enjte në mbrëmje Presidenti Topi duhet që të ishte teleshikues

E shtune, 01.10.2011, 06:02 PM


Të enjte në mbrëmje Presidenti Topi duhet që të ishte teleshikues

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Kur ambasadori i vendit aleat më të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA-ve, del në mbrëmje në televizion në prime time, në një intervistë të gjatë, Presidenti i Republikës, pra kryetari i shtetit pranë të cilit ky ambasador është akredituar, nuk mund të dalë në të njëjtën orë, për një intervistë po aq të gjatë, në një televizion tjetër. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një sfidë krejt e pavend. A thua u mbaruan ditët kur mund të dilte Presidenti në televizor? Presidenti Topi i bëri një sfidë të tillë ambasadorit amerikan Arvizu, duke dalë në emisionin e Sokol Ballës, “Top Story”, të enjte në mbrëmje në të njëjtën orë që ambasadori Arvizu gjendej në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. Nuk ishte koincidencë, se dalja e ambasadorit amerikan qe paralajmëruar prej disa ditësh. Ishte pra një sfidë e qëllimshme. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasiqë ambasadori Arvizu foli për një celulë të organizuar antiamerikane që vepron në Tiranë, me mbështetje të huaj. Presidentit Topi nuk do t’ i shkonte kurrë në mendje që t’ ia bënte këtë sfidë ambasadorit amerikan, nëse nuk do t’ ia kërkonte dikush që ka shumë pushtet mbi të. Pyetja është se cili ka aq pushtet mbi Presidentin Topi saqë ta përdorë si një puppet on a string për të bërë një veprim të tillë, aq më tepër në kohën që ambasadori amerikan kishte folur për një celulë të organizuar antiamerikane në Shqipëri. Merret vesh, Celula antiamerikane qenka aq e fortë sa e sfidoi ambasadorin me anë të kryetarit të shtetit. Edhe për arsyen se ambasadori Arvizu ishte i pari ambasador amerikan që, pak ditë më parë në Ora News, kishte folur gjerësisht për antiamerikanizmin dhe për ekzistencën e një qendre të organizuar të tij në Tiranë, intervista tjetër e ambasadorit, ajo në Tv Klan, pritej me shumë interes. Në kohën që të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, brenda apo jashtë vendit, qenë të interesuar që të dëgjonin se çka do të thoshte ambasadori të re, për celulën- dhe ai tha shumë për ata që dinë të kuptojnë- Presidenti Topi doli t’ u thoshte shqiptarëve: “Më shikoni e më dëgjoni mua, dhe jo ambasadorin”. A thua nuk kishte ditë tjetër Topi për t’ ju përgjigjur Berishës pas nëntë muajsh, për fjalët e bulevardit? Topi priti nëntë muaj, mund të priste edhe një javë për t’ u thënë shqiptarëve se është një zotëri bulevardi. Meqënëse jemi këtu, një njeri me dinjitet nuk thotë për veten se unë jam zotëri bulevardi, por ua le të tjerëve ta thonë këtë për të.Presidenti Topi të enjten në mbrëmje bëri lojë të dyfishtë, sipas traditës politike nga vjen, asaj të Esat Pashë Toptanit. Topi, nga njëra anë iu bind urdhërit të Celulës dhe e sfidoi ambasadorin me praninë e tij televizive njëkohësisht me të, në anën tjetër deshi të shfajsohet për sjelljen e tij, kompatibile me Celulën. Presidenti Topi duket se qe prekur shumë nga fjalët e ambasadorit për celulën e organizuar antiamerikane në Tiranë dhe doli shpejt që t’ u japë përgjigje fjalëve të Berishës të nëntë muajve më parë. Me këtë Topi duket se donte që të shfajësohej për disa veprime të tij, të cilat i di ai, dhe që e implikojnë me celulën antiamerikane për të cilën foli ambasadori. Pra, Topi, deshi që t’ u thotë amerikanëve se disa veprime të tij, duhet që t’ i shohin si të ardhura nga zemërimi që i shkaktoi thënia e Berishës. Por këtu lind pyetja se për çfarë është fyer Presidenti Topi. Sokol Balla, në intervistën e së enjtes shfaqi një pamje televizive ku kryeministri Berisha thoshte: “Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk janë gjë tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi”. Çfarë lidhje ka këtu Presidenti Topi? Berisha e ka fyer në këtë rast Topin vetëm nëse ky i fundit e ka quajtur atë që ndodhi në 21 janar tek kryeministria “ngjarje në bulevard”. Dhe meqënëse të gjithë e dinë se Presidenti Topi e ka thënë këtë, atëherë del se Berisha e ka quajtur Topin horr bulevardi. Kjo është arsyeja që Topi heshti atëherë kur foli Berisha, jo se ia kurseu Berishës fjalët që kishte ndërmend.Por, në rast se në 21 janar na paska ndodhur një ngjarje në bulevard, atëherë pse dreqin bëhet gjithë kjo zhurmë për 21 janarin? Se ka katër të vrarë? E jo, sipas logjikës “ngjarje në bulevard”, në 21 janar ka pasur vetëm katër qytetarë të rrëzuar në bulevard. A ia vlen gjithë kjo zhurmë për katër qytetarë të rrëzuar në bulevard? 21 janari, ose është një ngjarje në bulevard dhe nuk ia vlen të merremi me të, në krejt çka ndodhi atë ditë, ose është diçka tjetër dhe kjo logjikë vlen për të gjitha momentet e asaj që ndodhi në atë ditë. 21 janari, qartësisht nuk ishte një ngjarje në bulevard. Ambasadori Arvizu, në daljen e tij të para disa ditëve në Ora News, e analizoi dhe një herë thellësisht 21 janarin në të gjithë përbërësit e tij, duke përfshirë vrasjet dhe sulmin ndaj ndërtesës së kryeministrisë. Presidentit Topi është lënduar shumë nga aludimet që bëri ambasadori se pas asaj që ndodhi në 21 janar qëndronte një celulë antiamerikane, e cila donte që më së pari të largonte nga Shqipëria, atë ambasadorin Arvizu. Prandaj, Presidenti Topi për t’ u shfajësuar komentoi fjalët e bulevardit, kinse ato e kishin errësuar gjykimin e tij. Ndoshta tani Presidenti Topi do të na thotë edhe se fjalët e Berishës për horrat dhe laviret e bulevardit janë thënë para 21 janarit!Gjithsesi këtu lind pyetja se çfarë janë ata titullarë institucionesh që e quajtën atë që ndodhi në 21 janar “ngjarje bulevardi”, nëse nuk janë “horra dhe lavire bulevardi”? Se një përcaktim u duhet bërë atyre. Pas atyre që ka thënë ambasadori për celulën antiamerikane, atyre që u ndien të fyer, u del shumë më mirë llogaria sikur të pranojnë fjalët “horra dhe lavire bulevardi”, në vend të përcaktimit tjetër që u shkon. Se bashkëpunimi për të larguar, praktikisht dhunshëm nga Shqipëria ambasadorin amerikan, duke shfrytëzuar postin e lartë zyrtar, është një veprim shumë i rëndë. Në kohën që ambasadori amerikan foli për një celulë antiamerikane në Shqipëri, çka është një çështje me rëndësi supreme për sigurinë kombëtare, Zotëria i Bulevardit, Presidenti Topi, nuk ka prej mëse dy vjetësh një këshilltar të sigurisë kombëtare në stafin e tij, duke qenë me siguri i vetmi kryetar shteti, jo më i vendeve të NATO-s, por të botës, që nuk ka një të tillë. Para disa javësh, u gjenda në një debat televiziv me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Topit, dhe me humor i thashë se Presidenti e zëvendësoi me një ish-komandant poste kufiri. Ish-këshilltari bëri sikur nuk e kuptoi shakanë dhe më tha se Presidenti nuk ka një këshilltar sigurie kombëtare, çka në letër është e vërtetë. Unë aludoja për një shokun e bilardos së Presidentit, i cili ndoshta i jep këshilla në këtë fushë, emri i të cili u shfaq një herë në website të Presidentit, për t’ u zhdukur përsëri shpejt.A mos ndoshta mungesa e këshilltarit të sigurisë kombëtare është një alibi për të thënë nesër Topi se ai nuk dinte se ç’ po bëhej, se ja, as këshilltar të sigurisë kombëtare nuk ka pasur! Po pse nuk e ka një të tillë? Presidenti Topi ka në stafin e vet dy këshilltarë për çështjet ligjore, dhe asnjë për sigurinë kombëtare. Rrogën e këshilltarit për sigurinë kombëtare ia jep një mikut të tij që e ka marrë specialist për informacionin e klasifikuar, a thua se ka nevojë Presidenti për një specialist të tillë, kur ky lloj informacioni i vjen, për aq sa i vjen, i gatshëm për t’ u përdorur. Aq më tepër që specialisti që ka marrë ka studiuar për matematikë. Presidenti Topi e rihapi historinë e fjalëve të bulevardit, për të cilat kishte heshtur deri më tash, se e ndjeu që celula antiamerikane për të cilën foli ambasadori, kishte kompatibilitet (për të përdorur një nga fjalët e Topit) me Celulën e Bulevardit. Presidenti Topi i lexoi saktë nënkuptimet e fjalëve të ambasadorit, se 21 janari ishte mbi të gjitha një puç kundër ambasadorit amerikan, për largimin e tij nga Shqipëria, në mënyrë që të vinte një tjetër, më i pëlqyeshëm, tip Withers. Prandaj Topi u alarmua, se ai e di se çfarë ka bërë. Topi tani kërkon që të distancohet nga Celula e Bulevardit, për të cilën e shikon se u zbulua. Topi e di se Ina Rama refuzoi të përgjigjej në komisionin parlamentar për 21 janarin, jo se nuk ishte në gjendje që ta mbante gjithë natën komisionin me fjalë, e ta çonte në “shtatë çezma” juridike e të mos u jepte ujë, por se duhej t’ i përgjigjej pyetjes se ku kishte qenë ajo gjatë ditës së 21 janarit, e cila ishte dite pune. E njëjta pyetje vlente dhe për Bahri Shaqirin. Të dy ata kishin shkuar në shtëpinë e Presidentit Topi atë ditë dhe atje prisnin lajmin për rënien e qeverisë. Edi Rama vetë, në 21 janar, udhëhoqi kolonën e demonstruesve që u nis nga thellësia e Rrugës së Elbasanit, kaloi para Ambasadës Amerikane, një sfidë e qartë për ambasadorin Arvizu dhe shkoi tek kryeministria. Praktikisht, me këtë në Shqipëri u bë e para protestë para ambasadës amerikane. Më qartë se kaq nuk kishte si ta zbulonte veten celula për të cilën foli ambasadori. Topi priste që Edi Rama me miqtë e tij në Washington dhe New York të arrinte që ta largonte ambasadorin Arvizu. Tani që kjo nuk ndodhi, Topi bën të penduarin dhe thotë se i ka bërë ato që di ai, dhe që e di se i dinë edhe të tjerë, thjesht se u fye nga Berisha. Por celula duket se e kontrollon ende fort, se e urdhëroi të dalë e të sfidojë ambasadorin amerikan të enjten, me praninë e tij televizive njëkohësisht me të.

 



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora