E enjte, 23.03.2023, 02:23 AM (GMT)

Editorial

Alfred Papuçiu: Shqiptarët në botë që nderojnë Kombin dhe media

E premte, 30.09.2011, 08:04 PM


Shqiptarët në botë që nderojnë Kombin dhe media

 

Nga Alfred Papuçiu, Gjenevë

 

Mora shkas nga shkrimi i zonjës së nderuar Kozeta Zylo, në Nju Jork,  që na dha  një njoftim të hollësishëm lidhur me mbrëmjen madhështore të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan për të nderuar Z.Toni Blair dhe ish ambasadorin Holbrooke.

Në të morën pjesë personalitete të larta nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe miq të shquar nga SHBA. Njoftime të tilla të gëzuara i duhen medias shqiptare, në vend të mbushjes së tyre me tema "horreur" (në frëngjisht- tmerri) për vrasje, grabitje, prostitucion, fenomene që janë të përditëshme edhe në vende të industrializuara, por që u jepet pak vend. E kam ngritur disa herë në shtypin shqiptar këtë prirje negative që gazetarët tanë e kanë më të lehtë të afishojnë dhënien e këtyre temave, se sa temave të bukura për veprimtari në Diasporë, për gjithë ata shqiptarë që e nderojnë Atdheun e tyre jashtë kudo që ndodhen.

Sot rastësisht pashë se sa bukur shtypi zviceran nderonte ata shtetas të Zvicrës (Zvicra e pestë) që bëjnë të flitet me respekt për këtë vend të vogël jashtë kufijve të tij dhe që janë vendosur jashtë: profesorë, punëtorë, shkencëtarë, gazetarë, shkrimtarë, mësues e të profesioneve të tjera. Zvicra  hap dyert e Chateau de Penthes (Kalaja e Pentë) pranë Gjenevës, ku është vendosur prej 45 vitesh « Muzeu i zviceranëve në botë ». Ata quhen me të drejtë "ambasadorë të denjë" të Zvicrës. Muzeu evokon fatin e atyre burrave dhe grave që janë larguar nga atdheu i tyre, për një kohë apo përgjithmonë dhe që kanë lënë gjurmë atje ku janë vendosur. Muzeu tregon se ata imigrantë zviceranë janë dalluar në shumë fusha : tregtarë, bankierë, inxhinjerë, artizanë, artistë, shkencëtarë, eksploratorë, misionarë, diplomatë, delegatë humanitarë…Aty, ish ambasadori Benedict de Tscharner, President i Fondacionit që është i ngarkuar të kujdeset për Muzeun, njohës i shquar i historisë së emigracionit helvetik, të flet ndër të tjera me pasion për Albert Gallatin, qytetarin e Gjenevës, një personazh i veçantë që u dallua duke marrë pjesë aktivisht në krijimin e SHBA.

 Natyrisht, dëgjova nga zonja Kozeta Zylo për veprimtarinë e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro - Amerikan se edhe kryeministri Sali Berisha kishte ngritur lart rolin e Diasporës shqiptare në Amerikë, si edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, por a reflektohet kjo prirje e mirë, më gjerë në shtypin tonë apo në institucionet tona, apo mbetet vetëm në veprimtri të tilla domethënëse.

T'u jap vetëm një fakt: tenori ynë me famë botërore Saimir Pirgu mbushi këto ditë 30 vjeç dhe aktualisht është në Los Anxheles. Ai do të japë shfaqje deri në fund të vitit në skenat më prestigjioze të SHBA dhe do të vazhdojë më tej në Europë. Shtypi ynë apo dikasteret që merren me kulturën dhe artin nuk u kujtuan të shkruanin apo të organizonin një veprimtari qoftë edhe të thjeshtë. Shkroi Presidentja e "Opera sans Frontières" Edlira Dedja një shkrim për të, por ai u përfshi vetëm në websidet në Londër "Zemra Shqiptare" dhe "Fjala e Lirë".

Mendoj se më tepër duhet folur për veprimtari të bukura për ruajtjen e gjuhës sonë, për kulturën tonë, për arstistët tanë të shquar që na nderojnë në skenat botërore, për botimin e librave nga shkrimtarë në Diasporë, për fëmijët shqiptarë në Amerikë, Zvicër e kudo që krahas gjuhës angleze, frënge, gjermane, mësojnë dhe nuk harrojnë gjuhën shqipe, për zakonet tona të bukura që mbahen gjallë edhe atje larg në Argjentinë, në Australi, në Itali me arbëreshët, në Zara të Kroacisë me Arbanasit, arvanitasit në Greqi, shqiptarët në Rusi, në Rumani, në Gjermani, në Egjipt e kudo që ndodhen...Më kujtohet se sa të pezmatuar ishin disa kolegë diplomatë gjermanë në OKB në Nju Jork, vite të shkuara, kur kujtonin se në lagjen ku janë vendosur më shumë gjermanë, vite më parë dilnin disa gazeta në gjuhën e tyre, ndërsa sot ato janë zhdukur…

Ka ardhur koha që kultura demokratike të zerë vend edhe në mediat tona, ashtu siç duhet të rrënjoset edhe në Parlamentin tonë, apo në institucionet tona demokratike: Shoqëria shqiptare, edhe pse në tranzicion, pas 20 vitesh, duhet të kapërcejë cakun e gjuhës së ashpër, meskine, sharjeve, mungesës së kohezionit, për çështjet madhore të Kombit etj. Të gjithë në unison duhet të luftojmë që t'i tregojmë botës, ashtu siç dëshmojnë qëndrimet në përgjithësi të shqiptarëve të mirë në Diasporën e largët në Amerikë, në Europë e kudo, se jemi të qytetëruar dhe e meritojmë të bëjmë pjesë në familjen e madhe të Brukselit, ashtu siç jemi në NATO apo në një numër të madh organizmash ndërkombëtare. Të shpresojmë se nuk do të jetë e largët që edhe Kosova të bëjë pjesë me të drejta të barabarta në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Europian, në NATO dhe organizma të tjera ndërkombëtare.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora