E premte, 19.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Mendime

Augustin Palokaj: Si u gjetën Kosova dhe Palestina në anët e kundërta

E premte, 30.09.2011, 08:52 PM


Si u gjetën Kosova dhe Palestina në anët e kundërta

 

Nga Augustin Palokaj

 

Përderisa në Kosovë shpallja e pavarësisë festohej duke ngritur flamuj amerikanë, në Palestinë kërkesa për njohjen e shtetësisë kremtohet duke e djegur atë flamur. Rusia bllokon njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit, por mbështet shtetësinë e Palestinës. Amerika do të bllokojë njohjen e Palestinës, por fuqishëm mbështet Kosovën. Të gjitha vendet islamike mbështesin pavarësinë e Palestinës, ndërsa shumica prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe vetë presidenti i Palestinës, Abass, në rastin e Kosovës ka mbështetur Serbinë. Me gjithë faktet e këtilla, Kosova do të duhej të mbështeste të drejtën e popullit palestinez për njohje të shtetësisë së tyre, por jo për shkak të ndjenjave antiizraelite apo të ndonjë solidariteti fetar

Liderët politikë të Kosovës nuk janë të vetmit që janë përfshirë në eksodin drejt New Yorkut këto ditë kur zhvillohen takimet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Njëlloj ka ndodhur edhe me politikanët e vendeve të tjera sikur edhe me liderët e institucioneve ndërkombëtare si BE-ja dhe NATO-ja. Por përderisa liderët e Kosovës bëjnë takime nëpër konferenca anësore, në margjina, dhe për Kosovën flitet në ndonjë takim bilateral në mes të politikanëve, tema kryesore në OKB dhe në botë ka qenë dhe mbetet kërkesa e Palestinës për njohje të shtetësisë nga ana e Kombeve të Bashkuara. Presidenti palestinez, Mahmud Abass, e bëri këtë me gjithë „lutjet miqësore“ nga shumë shtetet perëndimore që të presë dhe t’i japë shans negociatave me Izraelin. Gjasat janë që kjo kërkesë nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund të vënin veto. Prandaj, kjo do t’i bartej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku palestinezët për kërkesën e tyre do të gjejnë mbështetje më të madhe, ndonëse nuk mund të llogaritet me saktësi se me çfarë shifrash.

 

Rasti i Palestinës është interesant për t’u krahasuar edhe me atë të Kosovës. Sikur edhe shumë evropianë dhe qytetarë të tjerë në tërë botën, shumica e kosovarëve kanë simpati për vuajtjet e popullit palestinez dhe për aspiratat e tyre për shtetësi. Populli i Kosovës ka vuajtur vetë për realizimin e të drejtave të tilla, prandaj nuk ka se si të mos i mbështesë edhe aspiratat e popujve të tjerë që e kërkojnë të njëjtën gjë. Por ajo që duket paradoksale është se Kosova dhe Palestina janë gjetur në anët e kundërta si raste. 

 

Përderisa në Kosovë shpallja e pavarësisë festohej duke ngritur flamuj amerikanë, në Palestinë kërkesa për njohjen e shtetësisë kremtohet duke e djegur atë flamur. Rusia bllokon njohjen e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit por mbështet shtetësinë e Palestinës. Amerika do të bllokojë njohjen e Palestinës por fuqishëm mbështet Kosovën. Të gjitha vendet islamike mbështesin pavarësinë e Palestinës, ndërsa shumica prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe vetë Presidenti i Palestinës, Abass, në rastin e Kosovës e ka mbështetur Serbinë. Me gjithë faktet e këtilla Kosova do të duhej të mbështeste të drejtën e popullit palestinez për njohje të shtetësisë së tyre, por jo për shkak të ndjenjave antiizraelite apo të ndonjë solidariteti fetar.

 

Shumë vende arabe mbështetjen për popullin e Palestinës e bëjnë më shumë për shkak të urrejtjes ndaj Izraelit, sesa ndaj dashurisë për palestinezët. Shumë vende arabe edhe e kanë ndihmuar me vite izolimin e Palestinës, ndërkohë që refugjatët palestinezë në vendet arabe nuk shihen gjithmonë me simpati. Kritikat ndaj Izraelit janë bërë mjet shumë i mirë për të fituar mbështetje të masave në vendet islamike, ndërsa kohëve të fundit këtij tundimi nuk po arrin ti ikë as Turqia, sado që të jetë i arsyeshëm irritimi i Ankarasë me sjelljen e Izraelit ndaj flotës që donte të dërgonte ndihma në Rripin e Gazës. Përderisa disa shtete mbështesin Palestinën për inat të Izraelit, disa tjera e bëjnë për inat të Amerikës.

 

Palestinezët në disa raste duken në pozitë më të mirë sesa Kosova. Askush në botë nuk ka dilemë nëse Palestina duhet të jetë shtet apo jo. Edhe ata që sot ndoshta nuk janë në favor që ky shtet të bëhet anëtar i OKB-së formalisht, mbështesin idenë e zgjidhjes së konfliktit palestinezo-izraelit përmes formulës „dy shtete“ ku Palestina si shtet do të jetonte në paqe me Izraelin. Edhe vetë Izraeli mbështet krijimin e shtetit palestinez, ndonëse nuk pajtohen rreth territorit të një shteti të tillë. Izraeli nuk shprehet se „kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Palestinës“ sikur thotë Serbia në rastin e Kosovës. Sa herë që del me ndonjë propozim për Kosovën, Serbia përsërit se është për „çfarëdo zgjidhjeje, por kurrë nuk do të njohë pavarësinë“. Interesant është se edhe disa shtete të BE-së si Spanja, nuk kundërshtojnë pavarësinë e Palestinës, por e kundërshtojnë atë të Kosovës.

 

Por edhe Kosova ka disa përparësi si rast unik. Ndonëse harrohet se pavarësia e Kosovës është shpallur jo në mënyrë në njëanshme por si rezultat i një procesi ndërkombëtar që kishte rezultuar me propozimin e të emëruarit pikërisht nga OKB-ja, me prani të madhe në ekipin e tij të BE-së. Secila deklaratë e pavarësisë është për nga natyra e njëanshme (një shtet shpall pavarësinë e vetvetes e jo të një shteti tjetër) por Kosova mund të jetë rast i rrallë i shpalljes së pavarësisë me koordinim multilateral. Prandaj, Kosova si shtet është edhe rezultat i punës së një pjese të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare. Përparësia e Kosovës është edhe në faktin se në qeverinë e saj nuk ka organizata që nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe zyrtarisht të shpallura si organizata terroriste siç është rasti me Hamasin (pjesë e Qeverisë së bashkimit në Palestinë).

 

Ngjashmëri ka në faktin se sikur në rastin e Kosovës BE-ja as në rastin e Palestinës nuk ka arritur të artikulojë një qëndrim të përbashkët të prerë gjë që nxjerrë në shesh edhe një herë dobësitë e të ashtuquajturës „Politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë e BE-së“. Në fakt, dështimet që i ka bërë dhe vazhdon t’i ketë në rastin e Kosovës e kanë eksponuar BE-në si një organizatë e cila, nëse nuk arrin të ketë qëndrim të qartë rreth një çështjeje evropiane siç është Kosova në oborrin e saj, nuk është ende e denjë që të ketë një rol më të madh në skenën botërore. Për Palestinën Kosova mund të jetë një rast unik vetëm në një gjë: ndoshta për momentin mosnjohja e Kosovës është e vetmja gjë rreth së cilës pajtohen autoritetet e Palestinës dhe ministri i jashtëm i Izraelit. Si rasti i Kosovës ashtu edhe ai i Palestinës në fakt dëshmojnë se asnjë faktor në politikën ndërkombëtare, as e drejta ndërkombëtare, as feja, as e drejta për vetëvendosje, as termi i sovranitetit dhe i integritetit territorial nuk janë më të rëndësishëm sesa qëndrimet politike. Kur të vijë dita kur Kosova dhe Palestina do të jenë anëtare të barabarta të OKB-së, FIFA-s e UEFA-s, dhe ndoshta të luajnë edhe futboll në ndonjë ndeshje zyrtare ndërkombëtare, edhe Ballkani si zona më e tensionuar evropiane, edhe Palestina e Izraeli si zona më të tensionuara në botë, do të jenë në gjendje shumë më të mirë dhe paqja do të jetë më e qëndrueshme.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora